Nga Sebi Alla
Ajo që shumë i trembeshin, ndodhi. Personeli mjekësor i cili sot është në ballin e parë të luftës kundër pandemisë së coronavirusit, po preket vetë me sëmundjen. Kjo është humbje, edhe pa u humbur ende. Në Spitalin Infektiv në Tiranë, mjeku i njohur prof Dhimitër Kraja dhe tre kyeinfermieret e pavionëve, janë prekur nga “COVID-19”. Profesori la rehatinë e pensionit pasi kishte shërbyer 48 vjet si mjek për sëmundjet infektive dhe u rikthye me pasion për të dhënë kontribut. Më shumë se një ndihmë për të ekzaminuar pacientët që shtohen dita ditës, ishte një mbështetje morale për ata që janë aktiv dhe detyra i thërriti për të qenë gjeneralët e frontit të parë, por që shërbejnë me përunjësinë e një ushtari të bindur. Bashkë me mjekun që me plot gojën meriton fjalën hero, janë edhe tre kryeinfermieret e Spitalit Infektiv në Tiranë të cilat rezultuan pozitiv me “COVID-19”, duke zënë prej pesë ditësh shtratin, si shumë pacientë të tjerë. Për ta është edhe më e rëndë. Janë të parat që regjistrojnë një pacient dhe të fundit që bëjnë daljen pas shërimit. Tashmë duhet të firmosin për veten, me shpresë së në atë kartelë standarte do mbajë edhe firmën e daljes, por jo të ikjes. Sërish aty do të jenë, të shpresojmë që do të jenë! Rrezikun e dinin, joshja për një pagë është shumë pak, qofshin ato edhe 500 apo 1000 euro bonus, që sado ti shumëzosh, nuk barazohen kurrë me jetën. Janë 32 mjekë, infermierë, laborantë dhe personel tjetër mbështetës të prekur me këtë “murtajë të zezë” të ditëve të sotme që sorollatet sa në rrugë, në shtëpi, apo pavionët e spitaleve. Maska e fytyrës dhe veshja speciale nuk i mbrojti. Aty ku coronavirusi është Zot i së keqes edhe tre nëna kryeinfermiere i preku. Njëra prej edhe për një vit dhe dilte në pension, por sot gjendet më e rënduar nga ana shëndetësore se dy koleget e tjera. Po sa shpesh qytetarët pacientë apo të afërm të tyre në kohën e “paqes” i konsideronin thjesht një “copë infermiereje”? Ato janë edhe “tampon i fundit” i një marrëzie kolektive që shfryn nën stres dhe ankth gjithnjë mbi shërbëtëroret. Mbesin edhe mbajtëset e gjithçkaje ka shkuar keq në sistemin tonë të shëndetësisë. Ulërimat për mungesë ilaçesh, infermieret i dëgjojnë, klithjet dhe kërcënimet po ata i mbartin, mungesën e një shtrati për shtrim, infermieret gjithashtu. E në fund ikin në shtëpi edhe me “damkën” që u lemë shumë qytetarë se blihen e shiten për dy apo pesë mijë lekë të vjetra që zhyten si “haraç moral” në xhepin e uniformës. Kaq të pavlerësuara në pagë apo profesion këtu, në dy vitet e fundit infermierët na “sfiduan” të gjithëve duke parë disi larg, ku në një numër vërtetë të lartë aplikuan për punësim në Gjermani. Shumë e kanë fituar, atje ku shërbejnë vlerësohen, madje edhe për përgatitjen profesionale, ndonëse për aq kohë sa ishin këtu mbajtën vrerin e një pjese qytetare që e kuptonin se ato nuk ishin e keqja, por të keqen e nxorrën mbi to.
Ka shumë analiza e shkrime nga pena me vlerë që parashikojnë se pas kësaj pendemie, bota do jetë ndryshe, në aspektin ekonomik, politik, por edhe në ndryshim rrënjësor të sjelljes sociale. Po flitet deri në një “rend të ri botëror”, që e pret globin tash e në vijim. Do ketë edhe një tjetër vëmendje kolektive ndaj disa profesioneve të ‘demotivuara’ por që aktualisht po vlerësohen, minimalisht me një duatrokitje, dhe maskimalisht më shumë respekt për punën e tyre. Sot hallet janë të ndryshme, ndërsa tekat po kthehen në “halle”. Dikush ankohet se u mërzit në shtëpi me frigoriferin plot dhe në divanin e butë. Të tjerë vuajnë për fare pak ushqime. Më të moshuarit pensionistë që jetojnë vetëm dalin fshehurazi dhe “thyejnë karantinën” për të blerë ushqimet dhe ilaçet demosdoshme, kryefamiljarë llogarisin fillimin dhe fundit e muajit me hesape që sido të shumëzosh apo mbledhësh, (shpenzim-rrogë) të del gjithnjë me minus… Ama, ka edhe nga ata që sot po diskutojnë jetën. Fëmijët e atyre tre kryeinfermiereve nuk ankohen se u mërzitën në shtëpi, as lundrojnë në rrjetet sociale për të treguar si “hall të madh” peshën e shtuar. Ata venë në peshore jetën e nënës dhe drojën se nga telefoni mos vjen një lajmërim për rëndimin e shëndetit. Numërojnë edhe ditët për së prapthi, në pritje të një telefonate fort të gëzueshme që do i lajmërojë: “nëna juaj e mposhti sëmundjen”. Deri atëherë, gjithkush ka të drejtë të qajë hallin e tij, por çështja jetë qenka më e vështirë se gjithçka tjetër! Tre kryeinfermiere janë në Spitalin Infektiv, me fëmijët që nuk i shohin dhe me sëmundjen që u gërryen mushkëritë. Tre nënat me uniformën e kaltër të infermieres meritojnë së paku dy lutje; së pari për jetët e tyre dhe shërimin e shpejtë dhe një lutje tjetër për më shumë vëmendje shtëtërore dhe qytetare edhe kur jemi në paqe, pasi në “luftë” të gjithë ateistë e besimtarë dikujt i lutemi!