Dorëhiqet kryebashkiaku i Durrësit. Kush pritet ta zëvendësojë?

Zhuljen Varfaj, kryebashkiak i komanduar i Durrësit, ka dhënë dorëheqjen. Pas dorëheqjes së Valbano Sakos nga detyra, në muajin dhjetor, për shkak të një gafe gjatë emergjencës së tërmetit, Varfaj u emërua kryebashkiak i ri, por pas 4 muajsh ka vendosur edhe ai që të largohet.

Zhuljen Varfaj është larguar për arsye shëndetësore. Kur mori detyrën në dhjetor të 2019-ës, ai vijonte të ishte me raport mjekësor.

Në fakt, dorëheqja e Varfaj pritej që në muajn mars, por bashkia e Durrësit i mohoi raportimet. Ai njihet si njeri i afërt me ish-kryebashkiakun Vangjush Dako.

Çfarë u raportua 1 muaj më parë për dorëheqjen e Zhuljen Varfajt?

Teksa pritej dorëheqja për shkaqe shëndetësore, raportohej se Zhuljen Varfaj do të rikthehej në postin e nënkryetarit të bashkisë. Informacionet ishin se në krye të bashkisë do të emërohej Emiriana Sako. Ajo u zgjodh në nënkryetare në fund të muajit shkurt dhe duket se ky ishte hapi i parë në emërimin në krye të bashkisë.

Emiriana Sako është me profesion arkitekte dhe prej rreth 11 vitesh është pjesë e stafit të bashkisë. Në periudhën 2009-2015, ajo ka punuar si specialiste në Drejtorinë e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit. Nga viti 2015-2018 ka mbajtur postin e Drejtorit të Shërbimeve Publike, ndërsa nga 2018 e deri në shkurt 2020 ka qenë Drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimeve dhe Punëve Publike në bashki.

Raportohet se ajo ka dhënë kontribut në ndërtimin e projekteve të rëndësishme në qytet si sheshi “Liria”, Sfinksi, Veliera etj, kjo e fundit shumë e kundërshtuar nga opozita dhe shoqëria civile si një projekt që shkatërron një pjesë të gjetjeve arkeologjike në Durrës.

Tani që dorëheqja e Zhuljen Varfajt u zyrtarizua, pritet të shihet nëse Emiriana Sako është e përzgjedhura e radhës e Partisë Socialiste.

Lexo edhe :  "U ka rënë Diella në kokë, nuk ia vlen të merrem me ata..."

Pas dorëheqjes së Sakos, Durrësi ashtu si edhe Shkodra, është në pritje të zgjedhjeve të parakohshme lokale, datë që nuk po firmoset nga Presidenti i Republikës, pasi nuk i njeh kryebashkiakët e dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit 2019.

Vijon…