“Diplomacia e maskave” dhe rivaliteti i Kinës dhe Rusisë ndaj Perëndimit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Enver Hoxhaj

Serbia synon që duke bashkëpunuar me Kinën gjatë pandemisë ta balancojë ndikimin rus. Po ashtu, t’i përdorë njëkohësisht Pekinin dhe Moskën si levë kundër Brukselit dhe Uashingtonit. Evropianët shpesh po bëjnë lëshime ndaj Serbisë pikërisht duke rënë në këtë kurth dhe shantazh. Por, për perëndimorët, në Beograd argumentohet se nuk duhet t’i jepet rëndësi mirënjohjes publike dhe retorike për Kinën dhe Rusinë, edhe pse ato janë orientimet kyçe të politikës së jashtme serbe.

Pandemia, nga një krizë shëndetësore, u shndërrua në temë të nxehtë të politikës së jashtme. Kishte të bënte me atë se kush dhe ku dërgonte ndihma. Ndihmat supozohet se janë për qytetarët, por ndërkohë u pa se ato shoqëroheshin me një pritje gjeopolitike. Altruizmi rus apo kinez ishte në plan të dytë, sepse pritja ishte zgjerimi i ndikimit dhe rritja e prestigjit. Kina e bëri hapin e parë në këtë drejtim. U mundua përmes ndihmës ta ndryshonte imazhin e saj, meqë po shihej si një vend eksporti i COVID-19 në botë. Ajo papritmas filloi ta paraqesë veten si shtyllë të bashkëpunimit ndërkombëtar, duke bërë një përzgjedhje se ku do të përqendrohej.

Kina në fillim të marsit mbajti një videokonferencë me shtatëmbëdhjetë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore (Kina+17). Me këto vende ka zhvilluar një bashkëpunim shumëpalësh për disa vite. Qëllimi ishte t’i informonte ato rreth metodave të parandalimit të pandemisë, dhe si të krijohej një bashkëpunim me sistemet e tyre shëndetësore. Pas pak, në disa nga këto shtete, dilemat ishin pjesë e debatit: a janë më të përkushtuara regjimet autoritare për bashkëpunim ndërkombëtar në luftimin e pandemisë sesa shtetet liberale? A i mbrojnë qytetarët më mirë diktaturat se demokracitë në kriza?

Vështirë të mendohej se dilema të tilla mund të shtrohen brenda BE-së, e cila lindi pas Luftës së Dytë Botërore, si përgjigje ndaj regjimeve autoritare dhe projekt i paqes së popujve e shteteve. E, mbi të gjitha, shqetësime të tilla të shpërfaqen në Evropën Qendrore, vendet e së cilës ishin viktimë e diktaturës sovjetike, dhe të cilat jo më larg se para 20 vitesh, perceptonin se integrimi në BE është rikthimi i tyre në Evropë.

Edhe Rusia e ndoqi shembullin kinez në angazhimin ndërkombëtar. Nuk kishte shumë të infektuar, dhe kjo situatë sikur e shtyu të përmbushte pritshmëritë e saj. Në fakt, të dyja vendet bënin garë në të kaluarën, se kush mund ta sabotonte më shumë bashkëpunimin ndërkombëtar. Tash, për të dyja ishte me rëndësi se si të përdorej pandemia për prestigj dhe propagandë. Kur një kolonë e ndihmave ruse arriti në Italinë Veriore para ca javësh, prej të cilave rreth 80% ishin të papërdorshme, në Moskë u bënë llogari tjera politike. Platforma online të afërta me Kremilinin, përhapën shpejt tregimin se Rusia mbështet shtetet evropiane, kurse BE-ja dhe NATO-ja nuk shihen askund.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri përgjegjëse disa agjenci të lajmeve ruse se po përhapnin lajme të rreme dhe bënin një fushatë kundër BE-së. Joseph Borelli paralajmëroi për një “betejë globale të narrativave.”

Ndihma kineze dhe ruse në Ballkan arriti në formë të mjekëve, maskave, testeve dhe pajisjeve tjera. Kur ato arritën, dinamika e pandemisë kishte ndryshuar. Përhapja e saj ishte më e shpejtë sesa mund të parashikohej nga qeveritë ballkanike. Kufijtë ishin mbyllur, masat emergjente ishin në fuqi, por COVID-19 ishte shpërndarë kudo. Pothuajse mbi një milion njerëz ishin kthyer nga bota e jashtme, duke sjellë atë në vendet e tyre. Plakja e popullsisë, një trend ballkanik në dekadat e fundit, u konsiderua si rrezik për numrin e mundshëm të viktimave.

Në këtë situatë u shfaq “ndihma humanitare” ruse dhe kineze si një garë mes tyre, por mbi të gjitha me Perëndimin në Ballkan. Ajo ishte shprehur si ofertë edhe ndaj vendeve tjera ballkanike. Mirëpo, Serbia do të jetë më insistuese në kërkesën për ndihmë. Më shumë se kushdo në rajon, Serbia ka marrëdhënie të ngushta me Kinën dhe Rusinë dhe atyre u duhej një shembull për ta demonstruar mbështetjen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, me sjelljen e tij të jashtme, që përbënte një shqetësim serioz, ishte në qendër të vëmendjes diplomatike me qasjen ndaj Kinës dhe Rusisë. Por, ai do të bëhet lajm qendror në Pekin e Moskë, si mik dhe vëlla i tyre.

Lexo edhe :  Ndërron jetë ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës

Ende sot ka në Beograd një pllakatë të madhe me mbishkrimin “Faleminderit Vëlla Xi” për ndihmën e dërguar. Ndihma, e cila në aeroport u pranua nga vetë ai, u përcoll edhe me gjykime të prera dhe sulme antievropiane: “Solidariteti evropian nuk ekziston. Ai është një përrallë në letër.” Lëvdata glorifikuese, përulja e thellë para flamurit kinez, së bashku me pamjet e ndihmës dhe të ekspertëve nga Wuhani, u shfaqën në TV kineze, CTGN. Edhe tenisti i njohur, Novak Gjokoviq nuk harroi të falënderonte në rrjetet sociale, të cilat u bën virale kudo. Edhe sot, pothuajse çdo javë, ateron një aeroplan në Beograd me ndihma kineze, të cilat janë mbështetje vitale kundër COVID-19.

Presidenti serb bisedoi edhe me Putinin për ta rritur mbështetjen. Ndoshta edhe për ta balancuar qasjen e tij ndaj Kinës. Gjithashtu nga Moska arritën pajise të shumta, mjekë dhe specialistë nga formacioni nuklear, biologjik dhe kimik të trupave të mbrojtjes. Shefi i Distriktit Perëndimor të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse, Gjenerali Mihael Çernishov, zbriti i shoqëruar nga 84 oficerë të tjerë dhe 2 zyrtarë të Mistrisë së Shëndetësisë. Zyrtarisht Moska tha se kjo ndihmë për Serbinë është e treta për nga rëndësia dhe vëllimi, pas ndihmës ruse për Italinë dhe SHBA-në. Në Serbi ndihma u koordinua nga ministri i Mbrojtjes, Alexander Vulin, që zëshëm e krenar e prezanton veten partner luajal rus. Por, entuziazmi ishte më i madh te shefja e tij, kryeministrja Ana Bernabiq: “Një falënderim i madh për presidentin Putin dhe popullin vëlla rus.”

Aleanca tradicionale ruso-serbe është e njohur. Por, viteve të fundit, Kina ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm, por edhe të ndjeshëm në raport me Beogradin. Tregtia në mes dy vendeve është dyfishuar dhe Kina ka investuar dhe privatizuar disa miniera të mëdha. Një ndër faktet me interesante është pajisja teknologjike për përgjime “qytete të sigurta” për Beogradin në vitin 2014. Bashkëpunimi në siguri, u zgjerua në mbrojtje, ku Serbia bleu dronë ushtarakë dhe pajisje tjera ushtarake kineze. Ishin planifikuar  manovra të përbashkëta mes dy vendeve gjatë këtij viti, që u anuluan për shkak të pandemisë.

Mirëpo, pajisja në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes ka ngritur dilema serioze në Ballkan dhe më gjerë. Në Beograd u argumentua se Kina sikurse Rusia, janë aleatë strategjikë, për shkak të bllokimit të Kosovës në KS të OKB-së. Por, nuk është kjo arsyeja e vetme, edhe pse vazhdon të mbetet strategjike. Serbia synon që me bashkëpunimin kinez të balancojë ndikimin rus. Por, duke e përdorur njëkohësisht Pekinin dhe Moskën si levë kundër Brukselit dhe Uashingtonit. Evropianët shpesh po bëjnë lëshime ndaj Serbisë pikërisht duke rënë në këtë kurth dhe shantazh. Por, për perëndimorët, në Beograd argumentohet se nuk duhet t’i jepet rëndësi mirënjohjes publike dhe retorike për Kinën dhe Rusinë, edhe pse ato janë orientimet kyçe të politikës së jashtme serbe. Askush nuk dëshiron ta zëvendësojë Perëndimin me Kinën.

Të fundit

Ekspertët e sigurisë paralajmerojnë: NATO nuk eshtë gati për nje luftë

NATO nuk është gati për një luftë brutale në Arktik me Vladimir Putin, kanë paralajmëruar analistët. Pavarësisht stërvitjeve masive të...

Meloni me ‘mision sekret’ në SHBA: Do të takojë Trump, por nuk dihet pse

Mision sekret për Giorgia Melonin në SHBA. Kryeministrja italiane u nis drejt Shteteve të Bashkuara për të takuar presidentin e zgjedhur Donald Trump. Një takim...

SHBA, funerali shtetëror gjashtëditor i ish-presidentit Jimmy Carter

Gjashtë ditët e funeralit për ish-Presidentin Jimmy Carter filluan të shtunën në Xhorxhia. Jimmy Carter vdiq më 29 dhjetor në moshën 100-vjeçare. Ceremonitë e transmetuara drejtpërdrejt...

“Në fillim jam trembur…”, Eno Popi tregon raportin e veçantë me të bijën

Prej vitesh, Eno Popi jeton mes Kanadasë dhe Shqipërisë. Bashkëshortja dhe e bija 6-vjeçare jetojnë atje, ndërsa Eno, për shkak të punës së tij,...

Përfshihen nga flakët dy banesa në Pogradec

Dy banesa janë përfshirë nga flakët. Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 4 në Pogradec. Dy banesat janë përfshirë nga zjarri pasi mësohet se...

Lajme të tjera

Web TV