Kapur pas Hoxhës: Ruajtja e statujës së fundit të Shqipërisë komuniste

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Në bodrumin e një muzeu të vjetër në një fshat në Shqipëri, një grua 78-vjeçare ruan mbetjen e fundit të diktatorit.

Nga Fatjona Mejdini për Al Jazeera

Sabire Plaku dyshon për çdo të huaj që vë këmbë në fshatin e saj të largët, Labinot, në Shqipërinë e Mesme. Nëse sheh vizitorë, ose dëgjon për ardhjen e tyre, 78-vjeçarja lë gjithçka që bën dhe del me nxitim nga shtëpia që ndan me vajzën e saj, kalon përmes një kopshti me perime, pemë frutore dhe pula që vërtiten të lira, drejt atij që dikur ka qenë muzeu i fshatit.

Me shpatullat e rëna nën një xhaketë blu të lirshme, me mëngë të varura, Sabirja ndalon dhe mbushet me frymë. Edhe pse shtëpia e saj ka pamje nga ish-muzeu, ajo duhet të ecë 100 metra para se të ngjitet në një shpat të pjerrët me baltë për të arritur aty.

Gjatë tri dekadave të fundit, Sabirja ka shërbyer si kujdestare e strukturës së braktisur dykatëshe, në qendër të Labinotit, dhe e statujës prej bronzi tre metra të lartë, që qëndron e fshehur në bodrumin e saj — një statujë e udhëheqësit të parë komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha. Ish-diktatori qeverisi brutalisht vendin e vogël të Evropës Juglindore nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vdekjen e tij, më 1985.

Qindra portrete të tij ishin të vendosura në të gjithë vendin gjatë dhe pas asaj kohe, por tani, kjo statujë që Sabirja e ruan me aq kujdes është statuja e fundit e padëmtuar. Rreth 6000 banorë jetojnë në Labinot, në Bashkinë e Elbasanit. Rruga që të çon atje — si edhe ato brenda fshatit — është e pjerrët, e ngushtë dhe jo e mirëmbajtur.

Njerëzit merren me bujqësi dhe blegtori për të siguruar jetesën, ndërsa shumë të rinj emigrojnë përkohësisht në Greqi dhe Itali për të gjetur punë. Banorët janë të kujdesshëm, posaçërisht ndaj njerëzve që interesohen për muzeun e vjetër. Me kalimin e viteve, ata që kundërshtojnë trashëgiminë e Hoxhës e kanë vandalizuar shtëpinë për shkaqe morale, ndërsa të tjerë janë përpjekur të vjedhin statujën e Hoxhës, për ta përdorur për hekurishte.

Por, pasi fshatarët sigurohen që një vizitor nuk ka ndonjë qëllim ‘të lig’, ata e ftojnë në shtëpi për kafe ose për drekë. Kur pyeten për të kaluarën historike të Labinotit, sytë e tyre gjallërohen dhe një shpërthim energjie duket se mbush trupat e tyre.

Një barrë e rëndë

Në vitin 1943, kur Shqipëria ishte e pushtuar nga fashistët italianë, partizanët komunistë përdorën zonën malore të Labinotit si një nga bazat e tyre të luftës dhe, në mars të atij viti, mbajtën atje konferencën e parë kombëtare të Partisë Komuniste. Kjo konferencë u bë një gur themeli për karrierën politike të Hoxhës. Aty ai u zgjodh si udhëheqësi i ri i komunistëve të Shqipërisë, gjë e cila hapi rrugën për udhëheqjen komuniste të vendit gjatë katër dekadave që pasuan.

Disa muaj më vonë, në Labinot u formua edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare — një organ që ndihmoi në intensifikimin e rezistencës deri në fund të okupimit. Të dyja ngjarjet historike ndodhën në shtëpinë të cilën Sabirja tani e ruan me devotshmëri — shtëpi e cila pas luftës u shndërrua në një muze për të dokumentuar të kaluarën e saj. Më 1968, gjatë përkujtimit të 25-vjetorit të formimit të Shtabit, para muzeut u ngrit statuja e Hoxhës në moshë të re, me veshje ushtarake.

Më 1991, kur ra sundimi komunist në Shqipëri, muzeu mbylli dyert dhe statuja e Hoxhës u rrëzua. Por iu la në dorë fshatarëve të vendosnin se çfarë të bënin me statujën. Në vend që të shpëtonin prej saj, ata e ruajtën në bodrum, pa e imagjinuar se do të mbetej atje për dekada të tëra. E inkurajuar nga bashkëfshatarët e saj, Sabirja ndjeu një detyrë morale për ta ruajtur shtëpinë dhe statujën, në kujtim të bashkëshortit të saj të ndjerë, i cili kishte shërbyer si përgjegjës i muzeut.

Sabirja nuk e përmend politikën. Kur pyetet për arsyen se pse vazhdon të ruajë statujën e diktatorit, ajo ngre sytë lart si e habitur nga vetë pyetja, dhe përgjigjet: “Unë thjesht nuk mund ta flak tutje…” Por ndërsa vitet kalojnë, dhe me kërcënimet e hajdutëve dhe vandalëve, ajo e di se është një detyrë gjithnjë e më e vështirë.

“Përkujdesja për shtëpinë dhe statujën në gjithë këto vite ka qenë emocionalisht sfilitëse dhe shumë sfiduese”, thotë ajo. “Unë kam pasur mbështetje edhe nga fqinjët, por përgjegjësia më e madhe ka qenë e imja”. Sabirja ecën ngadalë duke çaluar. Ajo mendon se roli i kujdestarit po bëhet një barrë e rëndë dhe do të jetë e vështirë të bartet për shumë gjatë.

Ajo mezi pret ditën kur autoritetet të marrin administrimin e shtëpisë në duart e tyre dhe të gjejnë një vend për statujën e fshehur në bodrum. “Unë nuk i kam ruajtur shtëpinë dhe statujën për veten time, ato i përkasin shtetit dhe dua t’ia dorëzoj sa më shpejt. Është koha që ata të veprojnë dhe të na tregojnë se çfarë duan të bëjnë”, thotë ajo.

Shtëpia e ish-muzeut në Labinot, e ndërtuar në fillim të shekullit XX, zyrtarisht është njohur si një monument kulture. Vila dykatëshe prej guri qëndron hijerëndë në qendër të fshatit, aq e ndryshme nga ndërtesat që e rrethojnë atë, sa të krijon përshtypjen sikur ka ardhur nga një kohë tjetër. Projektuar nga arkitektë italianë në vitet ‘20, shtëpia i përkiste një familjeje të pasur (Baholli) nga Elbasani, që përdorej si rezidencë verore.

Në fillim të viteve ‘40, familja ndihmoi rezistencën antifashiste dhe ia dhuroi shtëpinë Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Tashmë hyrja kryesore e saj është e mbyllur, por nga plasaritjet në derën prej druri mund të shihen korridoret e saj të gjera dhe boshe, si dhe shkallët e shembura.

Njëherë e një kohë në muret e saj shfaqeshin fotografi të ngjarjeve historike, letra dhe municione të përdorura në luftën antifashiste. Kujtimi i asaj çfarë ishte dikur është mbajtur gjallë vetëm nga statuja e rënë e Hoxhës, të cilën mund ta gjesh në bodrumin në të cilin hyhet nga një derë e pasme, e padallueshme.

Kulti i diktatorit

Duke njohur rrezikun që muzeu mund të shembej me kalimin e kohës, Instituti i Monumenteve të Kulturës në Shqipëri në shkurt miratoi një plan restaurimi. Por mbetet e paqartë se kur do të fillojë puna. Kur bëhet fjalë për gjetjen e një vendi për të strehuar statujën, gjërat bëhen më të ndërlikuara.

Duket se asnjë institucion nuk dëshiron ta ngrejë barrën e rëndë të Hoxhës në bronz. Në kryeqytet, rreth 70 kilometra larg Labinotit, pjesa e pasme e Galerisë së Arteve është i vetmi vend i mundshëm, ku mund të zhvendosej statuja. Atje, një bust i vjetëruar i Hoxhës me hundë të thyer tashmë qëndron i fshehur pranë statujave të Leninit dhe Stalinit.

Hoxha u frymëzua dhe u ndikua tej mase nga Stalini. Idetë që rrodhën nga revolucioni bolshevik dhe u zbatuan nga Lenini e më vonë nga Stalini — përfshirë krijimin e një partie-shtet dhe spastrimin e armiqve politikë me çdo mënyrë — e joshën Hoxhën. Ai ishte tërhequr edhe nga krijimi i të ashtuquajturës ‘diktaturë e proletariatit’ — ku klasa punëtore mban pushtet politik dhe nacionalizon mjetet e prodhimit.

Duke ndjekur hapat e tyre, Hoxha përqafoi një ekonomi të centralizuar, ku industria dhe aktivitetet e tjera ekonomike ishin pronë e shtetit. Marksizëm-Leninizmi u mësua në shkollat shqiptare, ndërsa bustet e Stalinit u ngritën në shumë qytete. Brenda një periudhe të shkurtër kohore Hoxha u bë udhëheqësi absolut i Partisë Komuniste (më vonë u quajt Partia e Punës) dhe i Shqipërisë. Gjatë katër dekadave të tij në pushtet, ai përndoqi dhe eliminoi mizorisht çdo kundërshtar politik të vërtetë ose imagjinar.

Komunizmi shqiptar u ndërtua mbi kultin e një diktatori. Regjimi Hoxha krijoi shqiptarët e izoluar nga bota tjetër dhe u dha fund jo vetëm lirive të tyre politike, por edhe atyre personale. Njerëzit do të burgoseshin dhe familjet e tyre do të dëboheshin në qendrat e internimit. Askush nuk ishte imun.

Në 46 vitet e ekzistencës së tij, regjimi shpërnguli mbi 30000 shqiptarë në kampe pune dhe zona internimi. Rreth 18000 të tjerë u burgosën për arsye politike dhe 6000 u ekzekutuan, shumë prej të cilëve pa gjyq. Sot ka më shumë se 4000 njerëz ende të zhdukur — shumë prej të cilëve mendohet se janë varrosur në varre masive.

Për të konsoliduar regjimin e dhunshëm, Partia krijoi një makinë të sofistikuar të përhapjes së propagandës, e nxitur nga lartësimi i udhëheqësit të saj, Hoxha. Radioja, gazetat dhe televizioni do ta përshkruanin atë si “komandantin legjendar” i cili po ndërtonte një Shqipëri të re dhe më të mirë, frymëzuar nga ideologjia marksiste-leniniste. Ide të tilla, si nevoja për të eliminuar klasat në shoqëri, nevoja për t’u dhënë të gjithëve të njëjtat shanse dhe një punë të sigurt, dhe nevoja për të mbrojtur vendin nga armiqtë e huaj, veçanërisht nga Perëndimi “i lig”, u përdorën për të justifikuar dhunën.

Përjetësimi i trashëgimisë së Hoxhës

Hoxha ishte në ballë të përpjekjeve për të ndërtuar kultin e tij të individit. Ai shkroi gjithsej 71 libra — 13 prej të cilëve me kujtime — duke falsifikuar dhe shtrembëruar shumë elemente të jetës së tij dhe historisë së vendit. Burimet alternative të informacionit thjesht nuk ishin të disponueshme. Fiksimi i tij me pushtetin pa rivalë çoi në armiqësi të pashembullt ndaj fesë. Imamët, priftërinjtë dhe udhëheqësit e tjerë shpirtërorë u burgosën dhe u vranë.

Në vitin 1967 Hoxha u bëri thirrje shqiptarëve të marrin një qëndrim kundër fesë dhe dhjetëra mijëra prej tyre u bindën, duke shkatërruar më shumë se 2000 objekte kulti në të gjithë Shqipërinë. Xhamitë dhe teqetë, kishat ortodokse dhe katolike u vandalizuan dhe u shndërruan në zyra të propagandës komuniste, qendra kulturore ose depo. Në vitin 1976 praktikimi i fesë u ndalua nga Kushtetuta dhe komunistët krenoheshim për krijimin e atij që u quajt “vendi i parë ateist në botë”.

Në prill 1985 Hoxha vdiq në moshën 77-vjeçare pas ndërlikimeve të shkaktuara nga sëmundja e diabetit. Megjithatë, Partia ishte e përgatitur ta shpëtonte pushtetin që ai kishte akumuluar. Ata e ndienin se kulti i Hoxhës nuk duhet të përfundonte me jetën e tij dhe për ta mbajtur të gjallë u përdorën mjete të reja.

Piktori dhe arkitekti Maks Velo u akuzua për përhapje të propagandës përmes artit dhe u burgos për 10  vjet në periudhën komuniste, në vitin 1978, kur ishte 43 vjeç. Ai ndërroi jetë këtë muaj në moshën 85 vjeç, por u intervistua nga Al Jazeera përpara vdekjes, ku shpjegoi se komunistët u mbështetën në artet pamore në mënyrë që të përjetësonin trashëgiminë e udhëheqësit të tyre të ndier.

Lexo edhe :  Më 20 dhjetor 1973 u vra kryeministri spanjoll Carrero Blanco, çfarë deklaroi ETA

“Pas vdekjes së Hoxhës u kërkua që artistët të krijojnin buste, statuja dhe përmendore që portretizonin diktatorin. Këto krijime kishin për qëllim të lartësonin më tej kultin e tij dhe karakterizoheshin nga falsiteti, mania e madhështisë dhe mungesa e sensit artistik”, thotë ai. Për një kohë të gjatë, artistët vendas u kthyen në “mjete të propagandës dhe u zhveshën nga shqisat e vërteta artistike, kështu që ata mbetën në dispozicion të regjimit dhe u shërbenin qëllimeve të tij politike”, shton ai.

Shumë shpejt statujat e Hoxhës u ngritën në sheshet dhe hyrjet e institucioneve të qyteteve kryesore të Shqipërisë. Bustet u përdorën për të dekoruar çdo zyrë të shtetit dhe kopjet e tyre gjendeshin edhe në dhomat e ndenjies të shqiptarëve të zakonshëm. Projekte më ambicioze u ndërmorën në qytetin e lindjes së Hoxhës, në Gjirokastër, dhe në kryeqytet, Tiranë. Një monument, me një statujë të Hoxhës i ulur në qendër të tij, u ndërtua në një tarracë panoramike në hyrje të Gjirokastrës.

Për ndërtimin e tij u përdorën rreth 80 tonë mermer të sjella nga Italia. Pas rënies së komunizmit më 1991, memoriali u shkatërrua. Në vitin 1988 një statujë 12 metra e lartë e Hoxhës u ngrit në sheshin kryesor te Tiranës ‘Skënderbej’. Po atë vit u hapën dyert e Piramidës, një ndërtesë masive përkrah bulevardit kryesor të Tiranës, e parashikuar të strehonte një muze për të përkujtuar jetën e diktatorit. Piramida mbetet një nga ndërtesat më ikonike të kryeqytetit shqiptar edhe sot e kësaj dite.

Rënia

Si pjesë e një përpjekjeje të përgjithshme për të mbajtur gjallë kultin e diktatorit, menjëherë pas vdekjes së Hoxhës, Universiteti i Tiranës mori emrin e tij. Ironikisht, në dhjetor 1990 studentët e këtij universiteti u bënë të parët që protestuan kundër regjimit, duke dalë në rrugë me brohoritje për ‘liri dhe demokraci’ — fjalë të padëgjuara në vend prej gati një gjysmë shekulli. Protestat e tyre masive hapën rrugën për pluralizmin politik dhe Partia Demokratike e Shqipërisë u formua në të njëjtin muaj.

Megjithatë, në shkurt 1991, studentët rifilluan protestat e tyre, këtë herë duke kërkuar heqjen e simboleve komuniste, duke filluar me emrin “Enver Hoxha” nga universiteti i tyre. Përballë refuzimit të autoriteteve për ta bërë këtë, 726 prej tyre filluan një grevë urie më 18 shkurt. Blendi Gonxhja, në atë kohë një student rebel 21-vjeçar i Akademisë së Arteve, drejtoi këtë grevë historike. Rezistenca e tyre krijoi një solidaritet të madh me qindra mijëra studentë dhe qytetarë në të gjithë vendin që protestuan në mbështetje të tyre. “Mbështetja popullore për grevën e studentëve u rrit shpejt dhe u bë aq e madhe, sa përfshiu rrugët e Tiranës dhe çoi në një tubim masiv në sheshin “Skënderbej”.

Zemërimi i tyre u bë i pamundur të kontrollohej”, kujton Gonxhja. Qytetarët kishin vendosur të hiqnin vetë simbolet komuniste. Qindra mijëra prej tyre qëlluan me zemërim statujën 12 metra të lartë të Hoxhës në këtë shesh, hodhën një kavo rreth qafës dhe e tërhoqën poshtë mes një entuziazmi të shfrenuar nga turma. Pas një kohe turma e zvarriti statujën për dy kilometra, deri në dyert e ndërtesës ku studentët po mbanin grevën e urisë. “Ata na sollën statujën në këmbët tona, ishte e pabesueshme.

Mesazhi ishte i qartë: demokracia nuk mund të rritet nën hijen e kultit të diktatorit”, thotë Gonxhja. Atë natë autoritetet morën vendimin për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga universiteti. 20 shkurti hyri në librat e historisë dhe në vitin 2010 kjo datë u shpall dita e përkujtimit për viktimat e krimeve të komunizmit.

Ndërkohë, vite më vonë, një pjesë e bronzit nga statuja e Hoxhës në Tiranë u shit në mënyrë private nga një skulptor shqiptar te një koleg gjerman. Pjesa e bronzit u rivendos në një statujë të vogël të fizikantit gjerman Georg Christoph Lichtenberg, e cila tani qëndron në një treg në qytetin Göttingen.

Përballja me të kaluarën

Në Labinot fshatarët janë të vetëdijshëm për krimet e komunizmit dhe ndiejnë keqardhje për dhimbjen që u është dashur të durojnë shumë nga bashkatdhetarët e tyre. Etja e tyre për të ringjallur një shtëpi të pushtuar nga kujtimet e një të kaluare të palavdishme ndihet më shumë si një homazh për jetën e tyre të mirë nën regjim.

Në atë kohë, komunizmi e ktheu fshatin e largët në një qendër me reputacion ku njerëzit kishin punë të sigurta, shkolla, kujdes shëndetësor, muze dhe mijëra vizitorë çdo vit, thonë ata. Shefqet Burraj, 62 vjeç, kujton atë kohë me entuziazëm, por entuziazmi i fashitet shpejt kur flet për të tashmen.

“Rrugët që të çojnë këtu janë duke u shkatërruar; ne nuk kemi parë ndonjë investim infrastrukturor në këto tri dekada, autoritetet duket se e kanë harruar ekzistencën tonë. Fëmijët tanë duhet të emigrojnë, në mënyrë që të sigurojnë jetesën”, ankohet ai. Por ndjenja e nostalgjisë e shprehur nga disa për “jetën e tyre të sigurt nën komunizëm” shkakton dhimbje dhe hap plagë për shumë të tjerë.

Uran Kostreci, një poet 82-vjeçar që kaloi 20 vite në burgjet e regjimit, sepse tentoi të arratisej nga vendi, mendon se krimet komuniste nuk u dënuan kurrë plotësisht në Shqipëri dhe njerëzit që i urdhëruan nuk mbajtën përgjegjësi.“Gjyqet në fillim të viteve ’90 ndaj zyrtarëve të lartë të regjimit ishin një farsë dhe askush nuk u dënua [për] më shumë se pesë vite.

Lustracioni nuk u zbatua kurrë plotësisht dhe askush nga arkitektët e këtij regjimi çnjerëzor nuk shfaqi kurrë shenja pendimi”, thotë ai. Midis viteve 1993-1994, mbi 20 ish-zyrtarë të lartë të Partisë së Punës, përfshirë dhe të venë e diktatorit, Nexhmije Hoxha, u akuzuan për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike. Edhe pse ata u fajësuan dhe u dënuan nga tre deri në 11 vite burg, gjykatat e apelit i ulën dënimet e tyre dhe asnjë nuk mbeti në burg për më shumë se pesë vjet.

Nexhmije Hoxha doli nga burgu në janar të vitit 1997. Në vitin 1996, një grup tjetër, i cili përfshinte pasardhësin e Hoxhës si kryetar të Partisë, Ramiz Alia, u përball me gjyq për krime kundër njerëzimit, përfshirë akuzat për gjenocid. Edhe pse disa u shpallën fajtorë, një vit më vonë Gjykata e Apelit i anuloi dënimet dhe i liroi.

Në vitin 2016 Shqipëria themeloi Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit me qëllim të mbledhjes dhe deklasifikimit të dosjeve të shërbimit sekret të epokës komuniste, ‘Sigurimi’, dhe për t’iu vënë në dispozicion atyre që u spiunuan dhe publikut të gjerë. Sigurimi ishte një strukturë famëkeqe dhe frikëndjellëse që kishte në dispozicion 15000 bashkëpunëtorë të angazhuar plotësisht për të spiunuar këdo që konsiderohej i dyshimtë, i ndihmuar edhe nga një rrjet i madh vullnetarësh. Mijëra persona që u përndoqën kanë kërkuar tashmë të rimarrin dosjet e tyre, ndërsa të tjerë kanë përjetuar tronditje të madhe, kur kanë mësuar se miqtë dhe të afërmit e tyre dikur i kanë spiunuar për llogari të Sigurimit.

‘Një gabim historik’

Poeti dhe ish-i burgosuri Kostreci e konsideron hapjen e dosjeve si një hap pozitiv drejt së vërtetës; megjithëse, si shumë të tjerë, ai beson se ky proces filloi shumë vonë. Ai u flet nxënësve të shkollave të mesme për komunizmin në Shqipëri në ish-selinë e Sigurimit, e kthyer tashmë në një muze, një herë në javë. “Ata janë të zgjuar dhe të etur për të mësuar, por, për fat të keq, ata dinë shumë pak për atë kohë.

Kurrikulat shkollore kurrë nuk i kanë shpjeguar plotësisht mizoritë që kanë ndodhur dhe më e rëndësishmja ndikimin që ato patën te shqiptarët”, thotë Kostreci. Blendi Gonxhja, tashmë një zyrtar i shtetit, beson se deri më sot vendi nuk ka reflektuar në gjithçka që shkoi keq gjatë sundimit komunist, dhe thotë se shoqërisë shqiptare i mungon vetëdija për çmimin real që është paguar për “atë gabim historik”.

Ai mendon se për rrjedhojë shumë nga problemet e së kaluarës u rishfaqën edhe pse sistemi ishte rrëzuar. “Ndryshimi i sistemit nuk solli vlerat demokratike që njerëzit prisnin. Si në kohën e vjetër, këto tri dekada u karakterizuan nga dhuna dhe shkelja e të drejtave të njeriut; diskriminimi politik dhe hakmarrja; bashkimi i partisë me shtetin dhe shumë më tepër”, thotë ai. Për më tepër, njerëzit që kishin kontribuar në disa nga aspektet më kriminale të regjimit të kaluar u kthyen në zyrat shtetërore, përfshirë Parlamentin e Shqipërisë.

Blerina Gjoka, drejtoresha e fondacionit ‘Kujto’ që arkivon krimet e komunizmit, thotë se “është e turpshme që ata që përndoqën njerëz të pafajshëm vazhduan të kishin një rol aktiv në jetën publike të vendit, megjithëse [ata] kurrë nuk kërkuan falje”. Megjithëse komunizmi në Shqipëri ishte një nga më të ashprit në Evropën Lindore, duke lënë një gjurmë të gjatë mjerimi dhe dhjetëra mijëra vdekje, shfaqja publike e simboleve të tij nuk u ndalua kurrë. Kostreci has çdo ditë fotografi të diktatorit dhe miqve të tij komunistë, rrugë dhe shkolla që mbajnë emrat e persekutorëve të miqve të tij. Përpjekjet e vazhdueshme për ta rishikuar historinë e vërtetë të së kaluarës së dhimbshme të vendit kanë dështuar.

Diku tjetër, grupe të të ashtuquajturve ‘nostalgjikët’ komunistë përkujtojnë ngjarje si Dita e Dëshmorëve ose data e lindjes së Hoxhës, duke mbajtur fotografi të diktatorit dhe simbole komuniste, si yje të kuq me pesë cepa. Filmat e vjetër që lavdërojnë komunizmin ende transmetohen në televizion, ndërsa në internet, janë të shumta faqet dhe forumet që adhurojnë trashëgiminë e Hoxhës. Në Labinot, Sabirja nuk e di ende se sa kohë do t’i duhet të kujdeset për statujën e Hoxhës, ndërsa pret që shteti ta marrë atë. Por ajo është e vendosur që rregullisht të ngjitet në shpatin e pjerrët me baltë, për t’u kujdesur për statujën për sa kohë të mundet.

“Paradoksalisht, në Shqipërinë e sotme mund të nderosh haptazi një regjim kriminal, por nuk ka asnjë memorial për të nderuar viktimat e tij”, thotë Gjoka. “Deri më sot, familjet e të përndjekurve nuk kanë ende një vend ku të vendosin lule në kujtim të vuajtjeve të tyre”.

Nga Fatjona Mejdini për Al Jazeera

Të fundit

Akuzat e Metës, Basha: Atij i ka mbetur ora, por aty ku është nuk i duhet

Ish-kryedemokrati Lulzim Basha ju është përgjigjur akuzave dhe deklaratave të bëra kundër tij nga Presidenti i Partisë së Lirisë,...

Stresi reagon ashpër ndaj Festivalit të Këngës: Dallaverxhinj deri në rrënjë

Reperi i njohur Stresi ka reaguar ashpër ndaj RTSH-së në një postim të drejtpërdrejtë në Instagram, duke e cilësuar këtë institucion si një “dallaverxhi...

Trafiku problematik në Tiranë, eksperti: Gjobat i kemi shumë të lira

Në një intervistë televizive, eksperti rrugor Gëzim Hoxha ka folur për disa aspekte që ndikojnë në përmirësimin e situatës së trafikut dhe sigurisë rrugore...

Reshje dëbore në Dardhë, rekomandohen goma dimërore dhe zinxhirë

Në Boboshticë -Dardhë ,Zemblak, Dogana Goricë kanë nisur reshjet e dëborës. Grupet e punës me mjetet borëpastruese ndodhen në terren dhe po punojnë për pastrimin...

Biden fal dënimet me vdekje, konvertohet dënimi për 37 të burgosur

Presidenti amerikan në largim Joe Biden njoftoi këtë të hënë se do të zbusë dënimet e 37 nga 40 personat e dënuar me vdekje...

Lajme të tjera

Web TV