Kriza ekonomike, mundësi për një model të ri ekonomik Kosovë-Shqipëri

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Valon Murati

Zakonisht krizat nëpër të cilat kalojnë shoqëritë e, ndonjëherë edhe pjesë të mëdha të njerëzimit, përveç që krijojnë rreziqe të mëdha për shoqëritë dhe njerëzimin, njëkohësisht mund të ofrojnë edhe mundësi të mëdha. Ato mund të shtrojnë rrugë deri atëherë jo shumë të njohura, të cilat, duke mos qenë konvencionale, mund të bëjnë kapërcime të mëdha në zhvillimin njerëzor. Të tilla janë edhe krizat ekonomike. Modelet ekonomike që deri në kriza ekonomike nuk kanë mundur as të paramendohen se mund të realizohen, në situata të tilla mund të gjejnë zbatim me më shumë lehtësi.

T’i përmendim dy prej tyre, të njohura për shumicën, si dëshmi e kapërcimeve të mëdha: atë që njihet si NewDeal (“Marrëveshja e re”) në SHBA pas Depresionit të Madh të viteve 1929-1933, si dhe rimëkëmbja e ekonomive evropiane pas Luftës së Dytë Botërore, përmes Planit Marshall. Në të dyja rastet, por gjithsesi në rrethana krejtësisht të ndryshme, në shoqëritë me ekonomi të tregut kemi ndërhyrje të shtetit (të SHBA-së) në funksion të kapërcimit të krizës dhe të shtrimit të rrugës për zhvillim të hovshëm ekonomik. Në rastin e parë është karakteristike ndërhyrja ekonomike e qeverisë amerikane, sidomos përmes investimeve në projekte të mëdha publike, për të tejkaluar një krizë të thellë ekonomike si pasojë e recesionit të madh dhe në të dytën përmes ndihmave financiare amerikane të gjithanshme në rindërtimin e ekonomive të Evropës Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore. Në të dy rastet është arritur kthimi i ekonomive jo vetëm në normalitet, por lakorja e zhvillimit ka marrë të përpjetën dhe njëkohësisht mirëqenia e qytetarëve është rritur.

Sot, bota e ballafaquar me pasojat e pandemisë COVID-19, për shkak të mbylljes disamujore të ekonomive, rrezikohet të futet në një recesion të gjatë. Ekonomitë e botës po reagojnë në mënyra të ndryshme, por të gjitha, duke iu përshtatur interesave të tyre, do të bëjnë përpjekje për të forcuar ekonomitë e tyre. Rrjedhimisht, mund të pritet një kthim drejt ekonomive kombëtare përmes pakove stimuluese për t’i ringjallur ato. SHBA-ja tanimë ka ndarë mbi 2 trilionë dollarë në përpjekjet për ta ndihmuar ekonominë, kurse BE-ja, megjithëse me vonesë, po punon në krijimin e një fondi prej 750 miliardë eurosh, që do t’u jepet në formë grantesh (500 miliardë euro) dhe kredish (250 miliardë euro) sektorëve të caktuar ekonomikë në nevojë në vendet e BE-së që janë prekur më së shumti ekonomikisht nga pandemia. Sigurisht, ky është edhe një reagim solidariteti evropian, aq i munguar në fazën e parë të pandemisë. Ky fond është pjesë e një kompromisi franko-gjerman (të cilët propozuan 500 miliardë euro, por Komisioni i BE-së e ngriti në 750 miliardë euro) dhe për shumëkënd ishte e habitshme se si Gjermania, në parim konservatore, për sa i përket ndarjes së përgjegjësisë financiare (rrjedhimisht edhe të borxheve të mundshme që nuk do të mund të paguheshin) me vendet të cilat kanë një disiplinë të vogël të shpenzimeve financiare, ishte pajtuar për një fond të tillë ndërhyrës në ekonomitë e Evropës. Por për dallim prej vitit 2008 dhe krizës në Greqi e Portugali, kur Gjermania hezitonte të merrte përsipër pagesën e borxheve të këtyre vendeve, sot një goditje e ekonomive të Italisë dhe Spanjës do të thoshte edhe një goditje e ekonomisë gjermane, e cila ka një shkëmbim të madh tregtar me këto dy vende. Për më tepër, industria automobilistike gjermane varet nga prodhimi i pjesëve të cilat bëhen nga industria italiane. Një goditje e kësaj të fundit do të dëmtonte rëndë edhe vetë industrinë gjermane.

Kriza ekonomike sigurisht do ta godasë kësaj radhe edhe Kosovën, për dallim prej goditjes më të vogël që Kosova pësoi në vitin 2008, për shkak të strukturës së saj ekonomike dhe të integrimit të saj të vogël në atë kohë në ekonominë globale. Sigurisht që qeveria e Kosovës do të vazhdojë të marrë masa dhe do të përpiqet që goditja të jetë sa më e vogël. Masat e pakos së parë emergjente natyrshëm ishin më shumë të natyrës socio-ekonomike, përderisa pakoja e fundit ekonomike, ajo e rimëkëmbjes ekonomike e propozuar këto ditë nga ministri i Financave në detyrë, Besnik Bislimi, është menduar të jetë më afatgjatë dhe me ndikim jo vetëm në kapërcimin e krizës, por edhe në mundësitë e hapjes së rrugës për zhvillim ekonomik.

Një situatë të njëjtë të ndërhyrjes së qeverisë e kemi edhe në Republikën e Shqipërisë. Këto masa do të kritikohen e lavdërohen, varësisht prej këndvështrimit qoftë politik, qoftë të interesit ekonomik, por edhe të vizionit e të shkollës ekonomike që përfaqësojnë ata që do të debatojnë për to. Një gjë është e vërtetë: trendi i masave të të dy shteteve është krejtësisht në frymën e izolimit dhe të marrjes vetëm me veten, e në këtë rast edhe të injorimit të njëra-tjetrës dhe të mundësisë së solidaritetit apo të bashkëpunimit në tejkalimin e përbashkët të kësaj krize ekonomike. Ndërsa do të duhej të ndodhte pikërisht e kundërta. Ajo që duhet të bëhet tani është shfrytëzimi i kësaj situate ekonomike që ekonomitë tona, të Kosovës dhe të Shqipërisë, të dalin nga korniza e të vepruarit dhe të menduarit në të cilën janë tash e dy dekada. Ekonomitë tona të vogla, nuk do të duhej të izoloheshin më tej nga njëra-tjetra, si pasojë e krizës ekonomike, por duhej shfrytëzuar kjo situatë që të shndërrohen në një ekonomi të përbashkët. Në rrugë e sipër për t’u shndërruar në një ekonomi të përbashkët edhe masat e luftës kundër krizës do të ishin të tilla që nuk do të kishin një efekt afatshkurtër socio-ekonomik, por ndikimi i tyre do të ishte afatgjatë, e në funksion të ndryshimit të strukturës sonë ekonomike dhe të orientimit në zhvillim të përshpejtuar, por edhe të qëndrueshëm ekonomik. Për t’u shndërruar në një ekonomi të përbashkët duhet vizion e guxim politik, për t’i tejkaluar barrierat e deritanishme, por edhe modelet përkatëse të zhvillimit ekonomik dhe duhen projekte konkrete.

Miku im, Gjergj Buxhuku, administratori i Kofindunstrisë së Shqipërisë, një prej përkrahësve më të mëdhenj të një ekonomie të përbashkët shqiptare, ka vite që lobon për një mendësi ndryshe të zhvillimit ekonomik dhe, rrjedhimisht, për një model tjetër ekonomik. Sa isha ministër i Diasporës, disa herë kemi organizuar konferenca të përbashkëta me Kofindustrinë dhe ministritë përkatëse në Tiranë e Prishtinë, për të prezantuar këto modele të reja ekonomike, por, fatkeqësisht, ato nuk kanë avancuar përtej këtyre konferencave. Projekti i cili kishte nisur dhe trajtohej si mundësi e një modeli suksesi të bashkëpunimit, ishte ai i interkonjeksionit 400 KV (i financuar nga Kfw gjermane) e i cili një kohë u bllokua nga Serbia, por që më në fund rezultoi me daljen e Kosovës nga blloku energjetik i Serbisë dhe bashkimi me atë të Shqipërisë (një zhvillim ky jashtëzakonisht pozitiv për pavarësinë energjetike të Kosovës dhe Shqipërisë dhe fuqizimin e potencialeve të tyre energjetike). Sidoqoftë, projektet e tjera të mëdha nuk është se u bënin shumë përshtypje politikëbërësve në Prishtinë e Tiranë, e besa as ndërkombëtarëve.

Lexo edhe :  SPAK, ndëshkimi penal dhe zgjidhja politike

Personalisht e kam pasur bindjen se pengesat në këtë rrugë ishin dy: e para, politikanët tanë provincialë në Prishtinë e Tiranë e kishin (dhe si duket e kanë ende) të vështirë të dalin nga kufijtë mendorë provincialë dhe mendojnë vetëm për oborrin e vet në planin afatshkurtër elektoral (madje, edhe kur është në pyetje zhvillimi ekonomik) dhe e dyta, kishte vazhdimisht një rezistencë ndërkombëtare ndaj një modeli të ri ekonomik, përveç atyre që ta zëmë FMN-ja, BB-ja apo edhe BE-ja kishin promovuar në Kosovë e në Shqipëri për vite të tëra. E të mos flasim këtu edhe për frikën se projekte të tilla ekonomike do të mund të ishin prelud edhe i zhvillimeve të tjera politike në rajon. Sidoqoftë, tani po futemi në rrethana të reja, kur politikëbërësitqë janë në pozita vendimmarrëse do të duhej të ishin të guximshëm, që me projekte të mëdha ekonomike të bënin hopin e madh të zhvillimit ekonomik. Njëkohësisht po krijohen edhe kushtet që me projekte konkrete e të përpunuara mirë, edhe si modele financiare fitimprurëse, ky model i ri i zhvillimit ekonomik dhe i bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë të shtyhet përpara edhe në raport me organizmat ndërkombëtarë politikë e, edhe me ata ekonomikë dhe financiarë. Po cila është filozofia kryesore prapa modelit ekonomik të mikut tim, Gjergj Buxhuku? Sipas tij,e vetmja mënyrë për të ndryshuar strukturën ekonomike të Kosovës dhe Shqipërisë është duke dizajnuar disa projekte të mëdha zhvillimore ekonomike të përbashkëta, në vlerë deri në 10 miliardë euro, të cilat do ta lëviznin me hapa të mëdhenj krejt ekonominë e përbashkët shqiptare, duke e ngritur jo vetëm mirëqenien ekonomike, por duke e emancipuar edhe mentalitetin shoqëror e politik.

Këto projekte të përbashkëta mund të jenë: investimet në Trepçë dhe krijimi i metalurgjikëve përreth kombinatit, investimet në industrinë e kromit në Shqipëri, investimet në një termocentral të ri deri në 500 MW (qoftë në rrafshin e Kosovës, qoftë në atë të Dukagjinit), investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë (sidomos duke shfrytëzuar potencialin e madh ujor të Republikës së Shqipërisë), bursa e përbashkët energjetike, investimet në një projekt të madh turistik në Brezovicë, investimet në fushën e teknologjisë informative për ta shndërruar Kosovën e Shqipërinë në një SiliconValley të Ballkanit, hekurudha Prishtinë-Durrës, bujqësi dhe turizëm të integruar përmes investimeve të përbashkëta e projekteve komplementare në këto dy fusha, lidhja e Kosovës me projektin e gazit, i cili kalon përmes Shqipërisë etj.

Ideja bazë është që këto projekte të mëdha ekonomike të jenë nisma të Kosovës dhe Shqipërisë, pra të jenë fillimisht investime të shteteve tona, të cilat duke qenë të tilla krijojnë siguri për t’ua hapur derën fillimisht investimeve nga diaspora në formën e aksioneve në këto projekte, e më pas edhe përmes tërheqjes së investitorëve seriozë strategjikë, në varësi nga sektori. Këto propozim-projekte dhe të tjera sigurisht që do të duhej të futeshin në sitën e një ekspertize të përbashkët qeveritare dhe profesionale, qoftë nga akademia, qoftë nga shoqëria civile dhe biznesi dhe do të duhej të përcilleshin edhe me ndryshimet e duhura ligjore. Sigurisht, do të duhej krijuar një autoritet i përbashkët publik investues, i cili do të mbarte barrën e projektimeve dhe investimeve fillestare në këto projekte të përbashkëta.

Me një model të tillë të ri ekonomik jo vetëm që do të shtrohej rruga për tejkalim më të lehtë të krizës, por do të krijoheshin kushtet për një zhvillim të tillë ekonomik që do ta ndryshonte peizazhin ekonomik të Kosovës dhe Shqipërisë, duke i zënë dekadat e humbura. Kështu, me investimet e shtetit në projekte të mëdha në fazën fillestare dhe me futjen e parasë në qarkullim jo vetëm që do të rritej kërkesa agregate, aq e dëshiruar për kapërcimin e krizës ekonomike, por do të gjallërohej e rinohej krejt zinxhiri i ekonomisë kombëtare. Do të hapeshin krejtësisht horizonte të reja të zhvillimit ekonomik që do të kishin ndikime të qëndrueshme jo vetëm në planin ekonomik, por edhe në fushat e tjera e, sidomos, në arsim, në çështje sociale, në sundim të ligjit e në stabilitet politik. Së dyti, do të mund të mobilizoheshin burime financiare dhe njerëzore e intelektuale të diasporës, duke i vënë ato në shërbim të vendit, e me përfitim të dyanshëm. Zakonisht financat e diasporës ne nuk kemi ditur dhe nuk kemi mundur t’i orientojmë në mënyrën e duhur, edhe për shkak të mungesës së projekteve të detajuara ekonomike, në të cilat do ta ftonim diasporën të investonte. Projektet e tilla, në të cilat diaspora do të kishte përparësinë e blerjes së aksioneve, do të ndikonin në afrimin më të madh të tyre me atdheun, si dhe do t’u mundësonte investim në atdhe jo vetëm biznesmenëve, por edhe atyre që kanë kursime e duan që diçka nga ato t’i investojnë në vendin e tyre. Krejt ky zhvillim do ta bënte ekonominë tonë më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të besueshme edhe për investitorët e huaj. Ardhja e tyre në tregun tonë do të hapte të tjera perspektiva dhe do të ndihmonte edhe në ndryshimin e mentalitetit tonë ekonomik. Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, një model i tillë ekonomik do t’i thyente barrierat provinciale në mes Prishtinë e Tiranës, duke ndikuar që krijimi i një ekonomie të përbashkët të krijonte edhe interesin e përbashkët për projektin politik të bashkimit.

E nëse nuk do të guxojmë të lëvizim nga vendi edhe në këto kohë krize, do të jemi të dënuar të sillemi në këto çifligjet tona të vogla me debate se sa qindra milionë u futën në ekonomitë tona të vogla, se në cilët sektorë u futën apo ku do të duhej të futeshin, se kush po përfiton më shumë, e kush më pak nga ndërhyrjet në ekonomi, por gjithherë duke mbetur të vegjël në zhvillim e në mendësi, e gjithnjë duke mbetur shumë prapa botës. Kjo botë është për ata që guxojnë. Andaj ta shfrytëzojmë këtë moment për lëvizjen e madhe ekonomike!

Të fundit

Viti 2024 shënoi ulje të pagesave për menaxherët e futbollistëve

Pas një rekordi të vitit 2023, fitimet e menaxherëve të futbollistëve në mbarë botën janë ulur. Shuma totale që...

Viti 2024, shënoi dëmet më të mëdha nga zjarret në pyje në Shqipëri dhe Kosovë

Ndryshimet klimatike i kanë bërë vendet e Ballkanit Perëndimor edhe më të rrezikuara, sidomos nga rënia e zjarreve në pyje. Viti 2024 shënoi dëmet...

Dëmet nga fishekzjarrët në Prizren, banorët kërkojnë përgjegjësi nga komuna

Ky është momenti kur shpërthimi nga fishekzjarret dëmtoi shtëpinë e Arsim Gjinovcit. Përpos tmerrit, atij iu dëmtuan dritaret. Nga zjarri që shpërtheu dhe u...

“Kur këndoj në dasma emocionohem”, Shpat Kasapi: Është prekëse kur vajza del nga shtëpia

Sa hite e këngë të Shpat Kasapit ndezin atmosferën në dasmat e gëzimet tona familjare! Në një intervistë për “Vila 24”, moderuar nga Anila Çela,...

Surprizë! Eliona Pitarka ndan lajmin e bukur, në pritje të ëmbël për herë të tretë

Lajm i bukur nga Eliona Pitarka. Teksa realizon një kërcim me bashkëshortin, ai nxjerr një eko dhe Eliona tregon barkun. Ai është tashmë paksa i...

Lajme të tjera

Web TV