Avdullah Hoti ka marr sot zyrtarisht drejtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në një ceremoni shtetërore, ai ka parakaluar para Gardës Ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila ishte rreshtuar në nderim të kryeministrit të ri, ndërsa orkestra e FSK-së po intononte himnin shtetëror.
Pas marrjes së detyrës, Kryeministri Hoti ka mbledhur kabinetin qeveritar, ku ka prezantuar objektivat kryesore të Qeverisë së re.
Gjatë ditës së sotme, Hoti do të bëjë homazhe te varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, si dhe do të vizitojë Ministrinë e Shëndetësisë.
Por ndërkohë që kryeministri i LDK-së hyn në zyrë, ish-kryeministri Albin Kurti ka dalë në rrugë për të firmosur peticionin për zgjedhje të reja parlamentare.
“Zgjedhjet janë qëllimi ynë politik sepse zgjedhjet janë parimi i shkelur demokratik. I ftoj të gjithë qytetarët që ta nënshkruajnë peticionin në sheshin e qytetit të tyre, nëse nuk e kanë bërë këtë deri më tani”, shkruan Kurti.