Nga Spartak Ngjela
https://youtu.be/J3QSXHYo34E
Kjo reformë nuk mund t’i garantojë dot zgjedhjet e lira, por thellë-thellë, ajo është një marrëveshje që i la zgjedhjet në dorë të dy partive të mëdha. Në fakt, ato janë parti të mëdha, sepse nuk lejojnë zgjedhje të lira në Shqipëri.
Si nuk i lejojnë zgjedhjet e lira në Shqipëri? Sepse, ato krijojnë administrim zgjedhor për numërimin dhe votimin me karakter politik. Janë dy parti, të cilat i manipulojnë zgjedhjet dhe me këtë metodë nuk lejojnë askënd të hyjë; edhe LSI-ja që ka hyrë disa herë, me forcën e manipulimit ka hyrë, dhe me lëshimin që i kanë bërë për komisioner.
Por, çfarë solli ligji i ri, a solli ndonjë moment pozitiv? Ligji i porsaamenduar solli një pozitivitet: ky pozitivitet ishte pranimi që ndërkombëtarët i bënë ligjit, në një kohë që Bashkimi Evropian i kishte vënë kushte drejtpërsëdrejti, për ligjin në votimin e sotshëm për hapjen e negociatave për Shqipërinë.
E gjithë situata erdhi dhe u përqendrua tek tendenca e Berishës për të prishur 8 qershorin, sepse avancimi drejt Bashkimit Evropian i Shqipërisë, prish planet e tyre korruptive dhe çon deri në fund luftën antikorrupsion.
Duhet të vëmë në dukje se hapja e negociatave në fazën e dytë, për avancimin në Bashkimin Evropian, i jep të drejtën Brukselit të kontrollojë të gjithë spektrin e politikës shqiptare, zhvillimin antikorrupsion dhe korrupsionin e rangjeve të larta.
Të gjitha këto nuk u konvenojnë liderëve të Partisë Demokratike. Po socialistët? Ndoshta, as socialistëve nuk u konvenojnë, por ata i pranuan të gjitha.
Në funksion të kësaj që thamë, çfarë ndodhi në këtë proces kaq të dyshimtë?
Analiza politike e këtij procesi është forma pragmatike që aplikoi politika amerikane në fund të kushteve që kishin vënë palët politike. Kushtet që kishte vënë Partia Demokratike ishin absurde.
Por, më e rënda e tyre në funksion të Brukselit, ishte krijimi i një instutucioni të pavarur nga politika në mbarëvartjen e votimit dhe numërimit të votave për zgjedhjet e ardhshme. Kërkesën për depolitizimin e administratës zgjedhore e kishte artikuluar OSBE/ODHIR, domethënë BE; prandaj, kjo ishte pika më e dobët e kërkesave që kishte drejtuar Berisha me kryetarin e Partisë Demokratike.
Rama e kishte shumë të vështirë t’i pranonte, sepse nuk mund të dilte dot kundër politikës së BE-së, në lidhje me ecurinë drejt anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Pikërisht këtu, kuptohet se ndërhyri politika amerikane, e cila, me pragmatizmin e saj natyror, e bindi BE-në dhe ODHIR-in që ta pranonte përsëri politizimin e administratës zgjedhore, pikat e tjera dhe bashkë me 15 kushtet që BE-ja i ka vënë Shqipërisë në ecurinë e saj, për të hyrë si anëtare në Bashkimin Evropian.
Pengesa e këtij pragmatizmi mund të ishte Rama, sepse me kërkesat që bëri PD-ja kishte nonsense të tjera. Ajo që kuptohet është fakti se nën influencën e politikës amerikane, Rama i pranoi të gjitha, dhe pranimi që u bëri Rama të gjitha kërkesave paralizoi bllokimin e këtij procesi anti-BE.
Po ta shikosh në një prizëm tekniko-politik, kupton se politika amerikane e ndoshta edhe politika e Bashkimit Evropian e kapi që Sali Berisha luante me “blofin”, dhe prandaj, duke ia pranuar të gjitha kërkesat, e ndihmuan Shqipërinë që në stadin ku ndodhet, procesi i ardhshëm zgjedhor t’i kalonte me sukses pengesat racionale që kishte vendosur BE-ja.
Pyetja që ngrihet këtu në funksion të analizës së mësipërme është kjo: po mbas hapjes së negociatave, çfarë do të ndodhë me ligjin elektoral, votimin dhe numërimin e votave? A do të drejtohet përsëri nga një administratë politike?
Mbas çeljes së negociatave kuptohet që politikisht atmosfera ndryshon, sepse në lidhje me botën e lirë, nuk do të jenë më kushtet e OSBE/ODHIR-it, por ato të BE-së, përkatësisht politika gjermane, domethënë Berlini dhe Brukseli.
Megjithatë, duhet të shohim se si do të progresojë problemi i negociatave dhe i përmirësimit gradual që do të bëjnë hapat e Shqipërisë drejt BE-së. Kjo është tabloja që na dha procesi konfliktual për amendimin e ligjit elektoral.
Se çfarë do të ndodhë sot dhe nesër në funksion të ecurisë procedurale të Shqipërisë drejt BE-së, këtë do ta shikojmë gjatë kësaj jave. Për të gjitha këto që thamë duhet të përmendim edhe një element: Reformën në Drejtësi dhe reformën antikorrupsion, që po e drejtojnë në Shqipëri, ONM- ja dhe SPAK-u.
Brenda logjikës së Reformës në Drejtësi duhet të theksojmë se elementi kryesor janë zgjedhjet e lira, që është aksiomë në të gjithë botën perëndimore; pa pushtetin gjyqësor të pavarur nuk mund të ketë votë të lirë.
Prandaj, ideja ime për sigurimin e votës së lirë në Shqipëri mbetet gjithmonë përkrahja dhe pritja e përfundimit të Reformës në Drejtësi, e cila do të na krijojë një pushtet gjyqësor të pavarur.
Aspekti i dytë, i cili është në dorë të SPAK-ut për luftën antikorrupsion në sferat e larta të politikës në Shqipëri, edhe ky aspekt është i rëndësishëm për të balancuar karakterin e drejtë të votimit në Shqipëri, sepse të korruptuarit e mëdhenj të politikës shqiptare gjatë vjeshtës dhe dimrit që po vjen, do të jenë në proces penal për pasurinë.
Si mendoni ju, në rast se kjo detyrë e SPAK-ut do të realizohet në funksion të antikorrupsionit të lartë, a nuk do të garantohet demokracia reale në Shqipëri, e bashkë me të edhe drejtësia reale në funksion të zhvillimit?
Askush nuk mund ta dyshojë këtë përgjigje pozitive, në rast se beson që Reforma në Drejtësi dhe SPAK-u do t’u krijojnë shqiptarëve mundësinë për të jetuar në atdheun e tyre, pa makthin prej dekadash që ia ka krijuar dhe po ia krijon klasa e lartë politike e korruptuar.
l.m/Fjala.al