Kriza, globalizim apo deglobalizim?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga akademik Anastas Angjeli  

Ylli i kinematografisë, Joan Crawford, duke iu drejtuar autorit Oscar Wilde, ka thënë: “Më e keqe se të jesh i përfolur, është të mos përflitesh”. Ekonomisë globale konvergjente të shekullit të njëzetenjë, i shkon për shtat një thënie e tillë.

Në shumë vende, e vetmja gjë më e keqe se vetë hapja e kufijve për tregti është moshapja e kufijve. Ndonëse ekzistojnë shumë dizavantazhe për sa i përket shkëmbimit të lirë të mallrave, shërbimeve dhe parasë, avantazhet janë thuajse shumë herë më të larta”.

Ndërsa përmasat e krizës globale, rrjedhojë e pandemisë COVID -19, dhe pasojat e saj po shumëdimensionohen, efektet e tyre, veç të tjerave, po “lëndojnë dhe rritjen ekonomike kudo”. Ekonomia globale postpandemike, së paku për një kohë, duket se do të jetë shumë më pak ekonomi e globalizuar.

Një ekonomi e tkurrur, me blerje të produkteve që do të kenë edhe ngadalësim të rritjes, një rënie të konsiderueshme të të ardhurave kombëtare për të gjitha vendet, ndoshta dhe për vendet me diversifikimin më të gjerë ekonomik, po shfaqet dukshëm në këtë periudhë.

Në librin “Fundi i globalizimit”, historiani i ekonomisë së Princeton-it, Harold James, tregon se si në epokën e hershme integrimi global ekonomik e financiar u kolapsua si rrjedhojë e presionit nga ngjarjet e padëshiruara të Depresionit të Madh 1929-1932, duke kulmuar në Luftën e Dytë Botërore.

Sot, kriza e COVID-19 duket se po nxit dhe përshpejton një distancim tjetër nga globalizimi. Kjo pandemi duket gjithashtu se do të ketë një impakt afatgjatë, veçanërisht në tregtinë ndërkombëtare, edhe sepse qeveritë do të rrisin njohjen e nevojës për të riparë me përparësi kapacitetet e shëndetit publik si një element i rëndësishëm jetik, por edhe i sigurisë kombëtare.

Por risku i sotëm është kalimi në mënyrë masive i shumë limiteve që lëndojnë globalizimin. Dukshëm kjo po shfaqet në problemet dhe tensionimet e shkaktuara në marrëdhëniet tregtare SHBA-Kinë.

Kjo situatë “lufte” me “sulme e kundërsulme” që kishte filluar që në vitin 2016, vazhdoi gjatë gjithë vitit 2019-2020, pa shfaqur thujase asnjë shenjë për një “paqe tregtare e ekonomike” ndërmjet këtyre fuqive botërore.

Një luftë kjo që do të kishte pasojat e veta në vendet e BE-së, vende të tjera aziatike, në Afrikë e Amerikën Latine, pse jo edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Shqipëri.

Edhe pse SHBA-ja, me ekonominë me diversifikimin më të lartë, një lider i teknologjisë botërore, me një bazë shumë të fortë resursesh natyrore, nuk mund të mos e ndiejë rënien në GDP-në reale si rrjedhojë e lëndimit të globalizimit nga kjo pandemi dhe kriza aktuale ekonomike.

Ndërkohë që këtë vit tregtia ndërkombëtare pritet të bjerë nga 15 në 38 % dhe, veçanërisht, zinxhiri global ushqimor po kalon një provë të vështirë. Sistemi nuk është tërësisht i përsosur: teksa të ardhurat bien, më shumë njerëz mbeten të papunë dhe të uritur.

Edhe në librin e tij (bestseller 2014) “Kapitali në shekullin e 21-të”, Thomas Piketty e ka trajtuar mes të tjerash edhe këtë problem, thellimin e pabarazisë midis shtresave të ndryshme të popullsisë në kapitalizmin e sotëm, në kushtet e globalizimit (edhe pse pandemia nuk kishte ndodhur.) Për më tepër tani.

Pra, në këtë situatë ekzistojnë rreziqe të ndryshme, që nga mungesa e punës, deri në veshtirësitë dhe problemet në prodhimet e shumta bujqësore, të korrat e këqija. Pra, rrjeti ushqimor tani po kalon një provë të rëndë.

Kjo në një kohë që para pandemisë sistemi global i ushqimit konsiderohej “ylli i pashuar i logjistikës së shekullit XXI” Sepse, duke e çuar prodhimin nga fusha te piruni, ky sistem përbënte 10% të PBB-së botërore dhe punësonte rreth 1,5 miliardë njerëz.

Furnizimi global ushqimor është trefishuar që nga viti 1970, pasi popullsia është dyfishuar në 7,7 miliardë njerëz. Në të njëjtën kohë, numri i njerëzve që vuajnë nga pamjaftueshmëria e ushqimit ka rënë nga 36% në 11%. Eksportet e ushqimit janë gjashtëfishuar gjatë 30 viteve të fundit; katër të pestat e njerëzve jetojnë pjesërisht me ushqimet e prodhuara në një vend tjetër.

Kjo ndodh pavarësisht qeverive, jo falë tyre. Megjithëse roli i qeverive ka rënë, ato ende rregullojnë ndonjëherë çmimet dhe kontrollojnë shpërndarjen. Tarifat bujqësore të Bashkimit Evropian janë katër herë më të larta se ato të importeve jobujqësore.

Lexo edhe :  Nga 1.8 milionë zgjedhës në emigracion, vetëm 240 mijë ndoshta do të votojnë

Rreth një duzinë eksportuesish të mëdhenj, përfshirë Amerikën, Indinë, Rusinë dhe Vietnamin, kanë peshën kryesore në prodhime, si gruri dhe orizi. Gjysmë duzinë kompanish tregtare, si Cargill nga Minesota dhe COFCO nga Pekini, shpërndajnë ushqime në të gjithë botën.

Është thelbësore që, gjatë dhe pas pandemisë, qeveritë të mos bien pre e një fushate të gabuar për t’u mbështetur te vetja apo për t’u mbyllur.

Kjo do të kërkojë të gjithë shkathtësinë dhe zotësinë e mundshme nga ana e tregjeve, dhe shuma të mëdha të kapitalit privat. Këtë mbrëmje, kur të merrni lugën, pirunin, shkopinjtë ose thikën për të ngrënë, mendoni për ata që janë të uritur, por edhe për sistemin që ushqen botën. Ai duhet të lihet i lirë të kryejë punën e vet, jo vetëm gjatë pandemisë, por edhe pas saj.

Pa thënë këta shembuj (dhe si këta ka me dhjetëra apo me qindra që po ndodhin realisht në ekonominë e sotme globale, të goditur nga pandemia dhe recensioni, si zinxhirri i furnizimit me mallrat e industrisë së lehtë, të veshjeve, apo ato të elektronikës, telefonisë celulare etj., etj.) s’ka se si të mos niste një diskurs i ri me anë të të cilit në thelb kërkohet t’i jepet përgjigje pyetjes “A do të kemi një proces deglobalizimi apo globalizimi vazhdon”?

“Globalizimi do të jetë problem apo zgjidhje”? Siç e kam theksuar edhe në një shkrim tjetër, ky diskurs ka nxjerrë në pah avantazhet e globalizimit dhe dizavantazhet e tij, dhe sinjalet e disa hapave të deglobalizimit. Çfarë do të ndodhë. Do të mbyllemi apo do të hapemi? Më shumë integrim apo dezintegrim?

Të gjitha këto hipoteza u kanë dhënë “shpresa” konservatorëve e populistëve për më shumë kritika ndaj globalizimit dhe kanë shtuar kërkesat për “mbyllje”, dezintegrim e deglobalizim, duke e fajësuar dhe për krizën e sotme, ndërkohë që forcave progresiste u ka nxitur mendimin për më shumë hapje, bashkëpunim e solidaritet, integrim e përmirësim të globalizimit, për më shumë zgjidhje shkencore e zhvillim të teknologjisë dhe të arsimit, konsolidmit të sistemit shëndetësor dhe trajtimit të tij si një e mirë publike, ridimensionimit e ristrukturimit të politikave ekonomike etj.

Shumë politikanë të spektrit politik konservator anatemojnë globalizimin, duke paralajmëruar për rreziqet që vijnë nga globalizimi dhe duke ofruar ngjajshmëri me fenomenet që përngjajnë drejt diçkaje me sistemin izolues të epokës së Depresionit të Madh të viteve 1929-1932.

Frika dhe sfidat e krijuara në kushtet e COVID-19 duhen përballuar me kurajë dhe veprime të reja, inovative, konkrete për të mbështetur më shumë hapje e liberalizëm, programe liberale të pluralizmit kulturor dhe kufij të hapur, të kujdesit të shëndetit dhe të ekonomisë së gjelbër, të ekonomisë blu, të zhvillimit teknologjik dhe inteligjencës artificiale, të  cilat çojnë drejt imigrimit të përshpejtuar dhe globalizimit të përmirësuar. Ndaj dhe këto fenomene kanë ndezur diskursin për kapitalizmin e kohës së sotme, atë me dimension akoma më social apo kapitalizmin digjital.

Ndaj dhe mbyllja, dezintegrimi dhe deglobalizimi sjellin më shumë kufizime dhe më pak zhvillim e komunikim, shkëmbim dhe progres. E kundërta ndodh me globalizimin, që na siguron më shumë hapje, mundësi të reja për të blerë, shitur dhe udhëtuar kudo. Në këtë lëvizje njerëzish e kapitalesh disa mund të humbasin vendet e tyre të punës, por shumë të tjerë do të fitojnë vende të reja pune.

Në kushtet e globalizimit, tregtia dhe shkëmbimi përkthehen në rritje ekonomike dhe përfitimesh për të gjithë. Funksionimi i një tregu të lirë dhe një ekonomie të hapur ishte, është dhe do të mbetet më i preferuar. Integrimi fiton mbi dezintegrimin. Globalizimi është më i avantazhuar dhe e “mund” deglobalizimin.

Kjo sepse, sipas të gjitha vlerësimeve, fenomi i globalizimit dhe në epokën paspandemi (në perspektivën afatmesme dhe afatgjatë) do të jetë në zhvillim të vrullshëm, kurse anët poziteve, avantazhet do të janë shumë më të mëdha se dizavantazhet, kështu që ai (globalizmi) është zgjidhje për më shumë zhvillim dhe jo pengesë.

 

l.m/Fjala.al

Të fundit

Kryebashkiaku i Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj paraqitet në SPAK

Kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, SPAK mëngjesin e kësaj të...

Gjendet i vdekur 48-vjeçari në Tiranë, dyshimet e para

Mëngjesin e kësaj të hëne, tek Ish-Stacioni i Trenit, është gjetur pa shenja jete dhe pa shenja dhune një 48-vjeçar. Paraprakisht dyshohet se humbja...

Rama sot në Zvicër/Merr pjesë në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror 2025 në Davos

Kryeministri Edi Rama nis sot një seri takimesh dhe aktivitetesh në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror 2025, i cili zhvillohet në Davos – Klosters,...

UNICEF: Fëmijët e Gazës do të kenë nevojë për më shumë se ndihmat që dërgohen me kamionë

Rosalia Bollen, një zëdhënëse e agjencisë së OKB-së për fëmijët, UNICEF, tha se sfidat janë të jashtëzakonshme për sa i përket dhënies së ndihmës...

Ndryshimet ligjore/ Pritet që pensionet të shtyhen 4 muaj në vit për gratë!

Mëngjesin e sotëm në “Koha për t’u zgjuar” , ishte i ftuar eksperti i pensioneve Kujtim Hoxha, i cili së fundmi ka regjistruar në...

Lajme të tjera

Web TV