Zgjedhjet/Endri Hasa: Tri fazat e identifikimit biometrik dhe garancitë që jep

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ish-deputeti demokrat, anëtar i grupit të punës së opozitës për reformën zgjedhore, në një intervistë për gazetën “Fjala” shpjegon mënyrën se si do të funksionojë identifikimi biometrik i zgjedhësve dhe garancitë që sjell teknologjia për procesin e votimit

Nga Blerina Gjoka

Opozita këmbënguli fort që në kodin e ri zgjedhor të përfshihej identifikimi biometrik i zgjedhësve, si një garanci për një proces të drejtë zgjedhor. Po çfarë do të thotë identifikim dhe si do të realizohet ai nga ana teknike?

Duke marrë gjurmët e gishtërinjve të çdo votuesi a do ta shmangim dot tjetërsimin e votës, problemin madhor të zgjedhjeve në vend.  Ish-deputeti demokrat Endri Hasa, me profesion inxhinier elektronik, është marrë nga afër me përpilimin e propozimit të opozitës për teknologjinë në zgjedhje, duke qenë anëtar i grupit të punës së opozitës për reformën zgjedhore.

Në një intervistë për gazetën “Fjala” zoti Hasa shpjegon mënyrën se si do të funksionojë identifikimi biometrik i zgjedhësve dhe garancitë që sjell teknologjia për procesin e votimit.  Hasa, i cili është dhe anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike, pranon se teknologjia mund të zgjidhë disa problematika të zgjedhjeve, por nuk e shmang dot shitblerjen e votës që bëhet me anë të interesave, presioneve dhe parasë nga ana e pushtetit.

Zoti Hasa, pse opozita këmbënguli fort  tek teknologjia gjatë negociatave për kodin e ri zgjedhor, dhe çfarë garancish jep identifikimi biometrik, i cili do të jetë një risi në zgjedhjet e ardhshme pikërisht si kërkesë e opozitës?

Partia Demokratike ka ngulur këmbë te përdorimi i teknologjisë në zgjedhje, si një nga mënyrat për të eliminuar problematikat e shumta që ka procesi zgjedhor. Kemi kërkuar identifikimin biometrik, por edhe votimin e numërimin elektronik.

E kemi bërë këtë pikërisht për faktin që donim të zgjidhnim një sërë problematikash; që nga votimi i një personi për të tjerë zgjedhës, vota që hidhej në emër të emigrantëve, votimin familjar etj., problematika që zgjidhen me identifikimin biometrik.

Teknologjia zgjidh edhe fenomene të tjera që prekin integritetin e votimit dhe të fletës së votimit, shenjat që mund të bëhen, votat karusel që hyjnë e dalin nga qendra e votimit dhe një sërë problematikash të tjera, që janë përmendur dhe në raportet e OSBE-ODIHR-it. Teknologjia shmang shumë problematika, por nuk është zgjidhja e artë e çdo lloj gjëje.

Në një vend normal zgjedhjet do të ishin një festë demokracie, secili do të votonte i lirë, nëse nuk do të kishte ndikime, presione dhe shitblerje vote.

Të mos harrojmë se te fenomeni i shitblerjes së votës përfshihen të gjitha mekanizmat, sepse shitblerja është me interesa, me presion, përfshirë detyrimi i administratës për të votuar për një parti, siç u faktua dhe në raportin e vitit 2019, ku u faktua që administrata ishte nën presion për të marrë pjesë në zgjedhjet monopartiake të qershorit.

Identifikimi biometrik zgjidh një nga problematikat madhore të procesit zgjedhor, identifikimin e sigurt të zgjedhësve. Ka pasur ndër vite pikpyetje që ata që votonin ishin realisht ata që kishin të drejtë, pikpyetje për dokumentet e identifikimit të cilat u zgjidhën në një farë mënyre me futjen e kartës së identitetit dhe u hoq problemi i madh i certifikatave, për të cilat Edi Rama nuk hynte në zgjedhje.

Atëherë u zgjidh një herë e mirë regjistri elektronik i zgjedhësve dhe dokumentet biometrike, po a mjafton kaq? Nuk mjafton, sepse një pikë që çalonte ishte ajo firma në letër e individit.

Janë parë procese numërimi të votave që janë zgjatur pa fund dhe është konstatuar që firmat janë kopje të njëra-tjetrës, kaligrafia është e së njëjtës dorë dhe vihet në dyshim se si është mbushur ajo kuti, nga komisionerët apo me vullnetin e zgjedhësve.

Kjo do të shmanget me teknologjinë e identifikimit biometrik. Sido që të jetë, nuk ka presion dhe para që do të ndalojë bashkimin popullor të shqiptarëve, që do të sjellë fitoren e Partisë Demokratike, duke mbrojtur çdo votë.

Po si do të funksionojë nga ana teknike identifikimi biometrik dhe si do ta bëjë të mundur shmangien e këtij problemi?

Në fazën e parë një votues shkon në qendrën e votimit me mjetin e tij të identifikimit biometrik, pasaportë ose kartë identiteti, dhe në makinën e idenfikimit biometrik lexohen të dhënat në mënyrë të shpejtë për të gjetur zgjedhësin.

Nëse zgjedhësi identifikikohet në listë, komisionerëve u paraqitet fotografia e tij së bashku me të dhënat, fotografia është e depozituar nga zgjedhësit shqiptarë në sistem, kur kanë bërë dokumentin e identifikimit, pra janë të dhëna që shteti shqiptar i ka. Pra, kjo do t’i garantojë komisionit që të dhënat që ai sheh mbi dokument janë të njëjta me ato që ekzistojnë në sistemin shtetëror. Kjo është faza e parë.

Në fazën e dytë zgjedhësit do t’i kërkohet të vendosë gishtin për gjurmën e gishtit në mënyrë që kjo e dhënë të kryqëzohet në sistem me të dhënat e tjera, pra gjurma biometrike e tij me foton dhe të dhënat e tjera që ndodhen në makinë.

Në makinë nuk ndodhen gjurmët e gishtave, por bashkohen me foton dhe të dhënat e tjera dhe shënohet që ai zgjedhës ka votuar. Prodhohet një kupon ku vërtetohet që zgjedhësi u verifikua se kush është dhe ky kupon ruhet nga personi që i jep fletën e votimit, ose nga personi që mundëson hapjen e votimit elektronik, kur kemi votim elektronik. Pra, ky proces lë një kopje fizike në letër se sa veta u identifikuan.

Lexo edhe :  Bujar Leskaj nga Athina: Do t’i japim zgjidhje njohjes së pensioneve në Greqi

Në fund të ditës do të kemi aq fletë votimi në kuti sa kupona kemi dhe sa shenja gishtash janë në makinën e identifikimit. Në qoftë se një firmë mund të falsifikohet, gjurma e gishtave nuk mund të falsifikohet.

Nëse i njëjti person do të tentonte të rikthehej përsëri në të njëjtën qendër votimi, duke tentuar të votonte me foton dhe dokumentin e dikujt tjetër, ai s’mund ta bëjë këtë, sepse ka lënë gjurmën e gishtave aty dhe nuk do të lejohej. Një tentativë e tillë do të ndiqej nga ligji, sepse do të kishim provën shkencore.

Në fund të procesit, të gjitha makinat, të cilat do të punojnë offline të palidhura me sistem qendror, do të grumbullohen në KZAZ ose në KQZ, dhe aty do të kryqëzohen të gjitha gjurmët biometrike.

Kjo është faza e tretë e gjurmimit të shkeljeve, ose faza e menaxhimit të identifikimit biometrik të zgjedhësve, i cili kryqëzon të dhënat e të gjithë atyre që votuan dhe, nëse ka pasur një tentativë që dikush ka vajtur të votojë në emër të dikujt tjetër, atëherë ai individ dhe vetë komisionerët që e kanë pranuar të votojë pa përputhje të të dhënave së fotos, do të ndiqen penalisht. Pra, me këtë proces është shumë e lehtë të gjurmohet një tentativë e tillë, pasi prova është biometrike, është e pakundërshtueshme, nuk merren me kaligrafinë e firmave.

Kjo gjë do ta mbyllte një herë e mirë problemin se sa veta votuan dhe si u mbush kutia. Është fakt se në shumë zona rurale ndër vite ka qendra votimi, siç ka ndodhur dhe në qarkun Tiranë në zgjedhjet e fundit 2017, që e kanë pjesëmarrjen në votim 80 për qind, kur i gjithë qarku e ka 51 për qind. I bie që atje ose s’ka lëvizur askush nga fshati dhe të gjithë votokan, që nuk është reale, ose e kanë fajin komisionerët. Nëse nuk punon makina në ndonjë qendër votimi, ajo mund të zëvendësohet, ose do të vijohet me firmosje në letër, aty ku nuk mund të zëvendësohet.

Cili do të jetë roli i opozitës në menaxhimin e implementimit të këtij procesi për zgjedhjet e ardhshme, pasi kryeministri ka thënë se do ta ketë në dorë opozita?

Procedurat duhen qartësuar dhe duhen shkruar për këtë, sepse deri më tani ka një dakordësi  vetëm makro. Po përtej pjesës deklarative, këtë proces do ta menaxhojë KQZ-ja, jo opozita. PD-ja insistoi që të përfshihet në kodin zgjedhor, ndërsa mazhoranca thoshte t’ia lëmë KQZ-së ta vendosë, nëse bëhet apo jo. Balancimi i komisioneve të tjera në KQZ, e cilan dahet në tri trupa, është vendosur që komisioneri i zgjedhjeve të mos jetë më një person, por të ketë dhe një zëvendës, një komisioner që do të propozohet nga opozita, që të ketë konsensus në drejtimin e komisionit. Por që të jemi të qartë këtë proces do ta menaxhojë dhe realizojë KQZ-ja, një institucion që do të zgjidhet në mënyrë të balancuar, sipas kodit të ri zgjedhor.

Meqë opozita e ka kërkuar realizimin e identifikimit biometrik, a keni ju një kosto financiare se sa do të kushtojë implementimi i tij?

Partnerët ndërkombëtarë kanë marrë përsipër se do të përfshijnë asistencë për implementimin e këtij procesi. Komisioni ad-hoc që në ngritje të tij, në vitin 2017, ka pasur një sërë komponentësh dhe një nga këto ka qenë dhe elektronika dhe ka pasur një dakordësi dhe më të hershme për ta bërë, por mazhoranca u tërhoq.

Që në atë kohë ishte identifikuar që të dy proceset bashkë, votimi elektronik dhe idenfitikimi biometrik, mund të kishin një kosto që shkonte deri në 18-20 milionë euro. Po meqë kemi vetëm njërin komponent, kjo kosto mund të jetë sa gjysma e kësaj shifre, apo ndoshta dhe më pak, por duhet bërë studimi i tregut, për të parë sa mund të kushtojë. Sido që të jetë, këto kosto janë shumë të ulëta në krahasim me problematikat që zgjidhin, dhe është një shpenzim që do të bëhet një herë e do të përdoret në shumë palë zgjedhje.

Sa për qind të problemit të tjetërsimit të votës zgjidh ky proces?

Në momentin që nuk ka sondazhe të sakta në këtë drejtim, mund të bëhen vetëm hipoteza. Por ka raporte që tregojnë se 20 për qind të zgjedhësve në vitin 2017 u janë ofruar privilegje apo para për votën. Sa për qind e këtij 20-përqindshi ka të bëjë me këtë proces që shmanget nga identifikimi biometrik, ne nuk e dimë, por besojmë se kjo që po kërkojmë do të shmangë një problematikë të madhe të zgjedhjeve. Për shembull, kemi 30 vite  që kemi problem votimin familjar, sikur vetëm këtë problematikë të zgjidhte, do të ishte një hap i madh.

 

 

l.m/Fjala.al

Të fundit

Omerta, mit apo realitet?/ A mundet mafia të ekzistojë pa ‘kodin e heshtjes’?

Në ruajtje të anonimatit, Toto, siciliani që shoqëron gazetarin Sokol Balla, në udhëtimin përgjatë Corleones, flet edhe për kodin...

Kush po i mbron kriminelët? Vetting zbulon rolin e kreut të Prokurorisë së Lezhës

EMISIONI VETTING “Mbrojtja” e kriminelëve kundra Policisë së Shtetit Vitet e fundit Lezha ka qenë nën ndikimin e grupeve kriminale, të cilat kanë ndikuar në trajektoren...

Berati qarku pa vrasje në 2024, Proda lë porositë për zgjedhjet e 11 majit

Drejtori i Përgjithshëm i policisë ishte sot në Drejtorinë e policisë së Beratit për analizën vjetore. Kërkon zbardhjen e ngjarjeve të vjetra. Kujdes me...

7 erëzat që luftojnë viruset, infeksionet, stimulojnë sistemin imunitar…

Zbuloni erëzat që luftojnë viruset, infeksionet, stimulojnë sistemin imunitar dhe nxisin mushkëritë e shëndetshme! Nenexhiku Përbërësi kryesor i nenexhikut është mentoli, i cili relakson muskujt...

Vrasja e 38-vjeçarit që dogji Kuranin/ Arrestohen 5 persona

Kryeministri suedez Ulf Kristersson tha se vrasja e një aktivisti anti-islamik vetëm disa orë përpara se një vendim gjyqi do të duhej të enjten...

Lajme të tjera

Web TV