Nga kongresi në kongres, si u transformua Partia Socialiste në 29 vite

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Më 12 qershor të vitit 1991, në kongresin e 10-të të PPSH-së, lindi një parti e re që do të ndikonte në gjithë tranzicionin politik dhe demokracinë e vendit.

Partia Socialiste nisi rrugëtimin e saj si një transformim i partisë së vjetër komuniste, që kishte mbajtur pushtetin monopartiak për 45 vite, për t’u shndërruar në një parti demokratike që do të luante me rregulla loje të reja në sistemin pluralist, duke marrë pushtetin dy herë gjatë 29 viteve

Nga Blerina Gjoka

“Partia e Punës nuk rinovohet, nëse ju bëni kështu, ju jeni të gjithë si në vitin 1945”. Kjo fjali e thënë me guxim nga Dritëro Agolli në një sallë që thërriste njëzëri “Enver Hoxha”, shënoi hapin e parë të transformimit të Partisë së Punës në Partinë Socialiste që njohim sot.

Pikërisht më 12 qershor të vitit 1991, kur drejtues i seancës së kongresit të 10-të të PPSH-së, ishte Gramoz Ruçi, një nga figurat emblematike të historisë së kësaj partie në 29 vite tranzicion politik, u vendos emri dhe programi i partisë së re.

Vitet sigurisht i dhanë të drejtë Agollit dhe militantët e atij kongresi mësuan të brohorasin emrat e rinj që do ta udhëhiqnin këtë parti, Fatos Nanon e më vonë në një histori të re të saj, Edi Ramën.

Në atë qershor të rëndësishëm u zgjodh kryetari i i ri i partisë, Fatos Nano, një intelektual i njohur i kohës, të cilin e prisnin vite të vështira në drejtimin e partisë, duke e drejtuar atë nga burgu i Bënçës me letra apo duke u përballur me kundërshtarë të fortë, si Pandeli Majko e Ilir Meta, deri në momentin që vendosi të japë dorëheqjen në vitin 2005, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare.

Për të ardhur aty ku është sot PS-ja ka kaluar një sërë ndryshimesh në drejtim, program, statut dhe logon e saj.

Shkëputja e vështirë nga PPSH

Për të rilindur si një parti e re demokratike në sistemin pluralist që po ndërtohej, Partisë Socialiste do t’i duhej të “vriste” babain ideologjik, Enver Hoxhën, bashkë me gjithë anëtarët e Byrosë Politike të PPSH-së, të cilët u përjashtuan po në atë kongres të famshëm.

I vetmi që i shpëtoi spastrimit ishte Ramiz Alia, presidenti i fundit i sistemit komunist, pasi ai u cilësua si iniciator i ndryshimeve demokratike. Por, në fakt, Alia kishte dhe meritën e ndryshimit të partisë, pasi kishte përgatitur terrenin para atij kongresi të famshëm, për ndryshimin e programit politik.

Moikom Zeqo, i ftuar nga vetë Alia për të dhënë mendime për programin e ri, e kujton këtë periudhë  që i parapriu kongresit.

”Në 13 prill të vitit 1991 u bë mbledhja e asaj, që kishte mbetur nga Byroja Politike e PPSH-së, për të diskutuar rreth një projekt-programi të PPSH-së në Kongresin e saj të 10-të. Ramiz Alia kryesonte mbledhjen. Çuditërisht, në këtë mbledhje për të dhënë mendime, qenë ftuar edhe pedagogu i filozofisë, Artan Fuga, Maqo Lakrori dhe unë. Projektprogrami që u paraqit në emër të Byrosë Politike tashmë fantazmë dhe të vdekur qe tipik një program konservator, dogmatik dhe për pasojë absolutisht i papranueshëm. Situata qe delikate, sepse sundonte një formalizëm idiot dhe diskutimi qe një këmbëngulje për të mos pranuar disfatën apo fundin e pashmangshëm mbas gjysmë shekulli të një partie”.

Pas 9 orësh diskutime e debate me dyer të mbyllura, kongresi i fundit të PPSH-së që u vu tërësisht në funksion të krijimit të PS-së, në forumet e reja drejtuese zgjodhi intelektualë që vinin nga katedrat e Universitetit të Tiranës dhe u lanë jashtë anëtarët e Byrosë Politike dhe të Komitetit Qendror të PPSH-së.

Në këtë ditë vendimtare njeriu që sot e drejton këtë parti ishte shumë larg saj, jo vetëm fizikisht, por edhe ideologjikisht. Edi Rama i vitit 1991 shkruante që Partia Socialiste duhej të dilte jashtë ligjit, referuar  librit të tij “Refleksione”, me bashkautor Ardian Klosin.

Nga parti ish-komuniste në parti demokratike

Epoka “Nano” në drejtimin e Partisë Socialiste  solli një format të ri  funksionimi të një partie politike në demokracinë që po ndërtonte Shqipëria me politikanë të rinj, pa përvojë politike. Ndërsa për ironi në krahun e djathtë, Partia Demokratike, partia e re që doli nga protestat antikomuniste, po drejtohej me dorë të hekurt nga Sali Berisha, e majta po shënonte rekorde të demokracisë së brendshme nën drejtimin e Nanos.

I arrestuar në korrik të 1993-shit me akuzën për abuzim me ndihmat humanitare,  Nano do të mësonte ta drejtonte në distancë partinë dhe të kthehej dhe në liderin e dashur të socialistëve.

Lexo edhe :  Trump merr sot detyrën si president i SHBA/ Berisha: Do kërkoj heqjen e non gratës

Në selinë e saj, që kishte shërbyer si shtëpia e Komitetit të Partisë së Rrethit në komunizëm, ishte një grup nënkryetarësh që e drejtonin fizikisht partinë, Servet Pëllumbi, Gramoz Ruçi, Ilir Meta, Namik Dokle dhe Luan Hajdaraga.

Por Nano nga burgu ndjeu që po i rrëshqiste situata nga duart dhe pas kongresit të vitit 1996, ku ky grup hodhi idenë e reformimit të partisë,  ai me një letër të hapur iu drejtua anëtarësisë dhe forumeve të partisë me mesazhin se, PS po reformohet nga disa ish-komunistë me ide reformatore.

Ky moment shënoi edhe momentin e parë të përplasjeve brenda kësaj partie, që nuk u shuan për sa kohë ishte Nano në krye të saj. Në vitin 1997, pas trazirave Nano doli nga burgu dhe udhëhoqi për herë të parë PS-në në një fitore zgjedhjesh në demokraci dhe shpalosi programin e saj të majtë.

Nga viti 1997 deri në vitin 2005, kur iku nga partia, politika shqiptare pa me sy debatet e hapura, luftën për pushtet dhe demokratizimin e saj deri në përçarjen e madhe të vitit 2004, me ikjen e Ilir Metës. Për shkak të këtyre përplasjeve që nisën që me marrjen e pushtetit, Fatos Nano u detyrua të jepte dorëheqjen nga posti i kryeministrit në shtator 1998, e më pas në janar 1999 edhe nga posti i kryetarit të partisë.

Riardhja e tij në krye u bë përmes një gare të fortë me rivalin e tij Pandeli Majko, por Nano fitoi me diferencë të vogël votash, 37 pas mbështetjes në momentin e fundit nga Ilir Meta, i cili u shpërblye më pas me detyrën e kryeministrit.

Edhe një herë në vitin 2001, kur PS-ja mori mandatin e dytë qeverisës, Nano do të riniste një betejë të re, për të rifituar pushtetin politik brenda partisë, i cili po akumulohej në duart e Metës kryeministër.

Procesi i katarsisit që nisi me KPD-në me famshme, ku akuzat u bënë hapur para kamerave, ai arriti të fitojë, duke u bërë kryeministër dhe duke vendosur paqe me Metën, por që rezultoi një paqe e brishtë deri në vitin 2004, kur ai iku përfundimisht nga PS-ja për të krijuar forcën e tij politike, LSI-në. Kjo shënoi dhe humbjen e zgjedhjeve një vit më vonë dhe ikjen pa kthim të Nanos nga politika.

Rilindja, ose PS-ja e Edi Ramës

Artisti e publicisti Edi Rama iu bashkua qeverisjes së socialistëve në vitin 1998, me ftesë të Nanos, duke u bërë ministër Kulture me veshjen e çuditshme dhe ide novatore, por akoma jo i bindur për të marrë teserën e partisë.

Rama ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës kur PS-ja po përçahej dhe në atë kohë nisi ambicia e tij për të marrë drejtimin e saj, duke hedhur hapat për konsolidimin e pushtetit të tij, për të shtruar rrugën e angazhimit politik.

Po ai nuk e pati fatin që të ishte i bekuari i kryetarit në ikje, përkundrazi, Nano  bëri çështë e mundur për ta penguar zgjedhjen e tij. Gjithsesi, Rama u zgjodh kryetari i ri në një kongres dyditor, në tetor të vitit 2005, përballë Rexhep Meidanit.

Edhe një herë në drejtimin e kongresit që shënoi ndryshimin e ri të PS-së, ishte Gramoz Ruçi. Ardhja e Ramës  në PS nisi me lyerjen e mureve në ngjyrë vjollcë, një tonalitet më i errët se ngjyra rozë që kishte përdorur kjo parti në siglën e saj që prej krijimit.

Përveç ngjyrës, emra të rinj filluan të popullojnë këtë parti dhe strukturat e saj, dhe Rama e drejtoi në 8 vite opozitë të vështirë, ku u shënua një grevë urie dhe protesta e 21 janarit 2011, dhe vetëm pas një marrëvshjeje me socialistin plangprishës  Ilir Meta, do ta sillte në pushtet në vitin 2013.

Shumëkush beson se Rilindja, slogani me të cilin Rama sfumoi emrin e Partisë Socialiste, në një farë mënyre e ka zhbërë atë parti dhe e ka transformuar atë në një forcë politike të re. Sido që të jetë, anëtarësia e vjetër që duartrokiste 29 vite më parë kundër ndryshimit, vijon të jetë besnike e orientimit të liderit.

 

l.m/Fjala.al

 

Të fundit

Fati i kurdëve u përcaktua 100 vjet më parë, jo nga Erdogan

Kur Kemal Ataturku po krijonte Turqinë moderne 100 vjet më parë, ai deklaroi: "Sa i lumtur është ai që thotë: "Unë...

Trump ndalon udhëtimet e refugjatëve në SHBA, ja cila është kategoria që nuk preket

Departamenti i Shtetit ka anuluar të gjitha udhëtimet e refugjatëve drejt SHBA-së. Zyrtarët janë udhëzuar të ndalojnë procesin e referimit të refugjatëve jashtë vendit dhe...

Bota kundër Trump

Kushdo që mendonte se Donald Trump nuk do të përpiqej të vinte vulën e tij në gjithçka, në radhë të parë thjesht nuk e...

Balluku flet për linjën nënujore që do ndërtohet mes Shqipërisë dhe Italisë

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka folur për herë të parë për memorandumin trepalësh të nënshkruar në Abu Dabi mes...

Imazhi viral në Portugali: një tifoz i Benfica-s pas një ndeshjeje të diskutueshme

Në fund të një ndeshjeje dramatike dhe të mbushur me tension, një tifoz i Benfica-s është bërë qendra e vëmendjes në Portugali. Fotografia e...

Lajme të tjera

Web TV