Nga Leonard Veizi
https://youtu.be/749bkSkI0VQ
Në të gjallë të tij nuk guxova t’i marr një ese mbi vdekjen, ngritur mbi një pyetësor nga ku do të zbërtheja vetë ekzistencën e tij, të një njeriu me tru të ndërlikuar. Për këtë jam fort i penduar, sepse, gjithsesi, ngërçi që të flisja për vdekje me një njeri që e dinte se po bashkëjetonte etshëm me të, nuk më linte ta çoja deri në fund egoizmin tim.
Isha tërësisht i bindur që nuk do të hezitonte të ma përkufizonte ekzistencën e vdekjes, ashtu siç e përfytyronte vetë ai në halucinacionet e patrajtshme, por ja që nuk arrita ta kaloja dot autocensurën, mekanizmi i të cilës më pengon sa herë kërkoj të jem më i shpenguar.
Sot, më duhet të shkruaj për vdekjen e tij. Por tanimë nuk ia vlen. Sepse për vdekjen ai do të shkruajë shumë më mirë vetë, kur të mbërrijë atje ku i takon, në parajsë a në ferr, mos qoftë thënë. Ndaj unë edhe tani jam i detyruar të shkruaj për jetën e tij. Veç, fare shkurt. Sepse shumë të tjerë, e njohin shumë herë më mirë, e mund të shkruajnë shumë herë më shumë.
Në varfërinë time prozaike me siguri do të shkruaja se Moikom Zeqo u lind në Durrës e vdiq në Tiranë. Bosht 30 kilometrash në vijë ajrore, a ndoshta më pak. Por i pasuruar nga vepra e tij nuk do ta bëj këtë gabim foshnjor, të denjë për një gazetar diletant. Sepse unë duhet të shkruaj diçka tjetër… por që, në fakt, nuk di se çfarë.
Një tërësi veprash poetike botuar në të gjallë të tij mban emrin “Mischellanea”. Një tërësi veprash të tjera, që me siguri do të botohet pas vdekjes së tij, do të duhet të mbajë një tjetër emër: “Moikomiada”. Është plejada e tij. E një njeriu të vetëm që pa frikë mund të përfaqësonte një grupim të tërë. Dhe ky është tërësisht një mendim personal, asgjë më shumë.
Nëntorin e vitin 2015, gazetari Xhevdet Shehu botoi në gazetën “Dita” një shkrim me titullin apel: A ka një shtrat për Moikomin? Në këtë mënyrë ai ndau me lexuesit dhe lajmin fort të trishtë se shkrimtari shqiptar ishte diagnostikuar me një leucemi kronike.
Pak ditë më vonë, teksa e takoja dhe isha i detyruar t’ia përmendja këtë fakt, mora si përgjigje atë çfarë i kishin thënë mjekët: 7 vjet jetë në bashkëjetesë me të keqen. Tek e fundit njeriu ngushëllohet dhe nga ky fakt. 7 vjet jetë nuk janë pak.
Qershori i vitit 2020 tregoi se sëmundja u tregua krejt e pabesë, duke i marrë nga premtimi të paktën dy vjet prej atyre që u menduan si të dhuruara. Dhe, pa dyshim, për një njeri si Moikomi, që gjumi e zinte mbi libra e gdhihej po mbi to, dy vjet nuk janë pak. Sepse 700 ditë jetë mund të përkthehen dhe në disa vepra të tjera, të mundësuara prej dorës së tij.
Me Moikomin kemi qenë kolegë. Që të jemi të qartë: jo se unë kam qenë deputet në ndonjë legjislaturë, as drejtor i ndonjë institucioni simotër, porse me të kemi punuar krah për krah në dy gazeta të përditshme. Pra, kemi qenë gazetarë. Dhe po t’i futem e të shkruaj kujtimet që kam me të, nuk kam për t’ia dalë kurrë.
Sepse kemi bërë biseda të gjata mbi artin e historinë, ku unë bëja “pyetësorin e Prustit” dhe ai kishte përgjigje për gjithçka. Por edhe kafe kemi pirë, ndonjë gotë rakie e kemi kthyer, por edhe ndonjë birrë me meze çasti e kemi konsumuar.
Moikomi ishte natyrë e thjeshtë, pavarësisht pasurisë së jashtëzakonshme që kishte, e që ua kalonte dhe oligarkëve të cilëve u përmendet emri në Kuvend. Moikomi duhet të ruhej me truprojë, ashtu si shumë institucione të rëndësishme të shtetit.
Por ai shëtiste rrugëve nëpër Tiranë, i fshehur poshtë kapelës së tij republikë. Në kokën e tij Moikomi kishte njohuri sa një Akademi Shkencash, dhe nëse kjo vlerë do të konvertohej në para, mund t’i jepte hua shtetit sa të kalonte krizat e tërmetit dhe të covid-it bashkë. Por, “Mjeshtri i madh” Moikom kishte një pension shteti dhe, që t’ia dilte, botonte vazhdimisht shkrime nga bota e tij e madhe enciklopedike.
Në bibliotekën time kam një dhuratë të çmuar prej Moikomit. Është libri i tij “Nostradami në 3 qershor – Antiprofecitë”, të cilin ai e bleu te një bukinist dhe shënoi me stilolaps një autograf për vajzën time. Në faqen e parë të librit, një botim i vitit 1999, mbante dedikimin “Ky libër i kushtohet Arnisës, në 18-vjetorin e saj, më 12 korrik”. Poshtë dedikimit, autografin me dorën e tij e citoj “Geas së vogël, që ta lexojë këtë libër e të më kuptojë – Moikomi 2006”.
Sepse nuk është e lehtë të kuptohet Moikom Zeqo as në filozofinë e tij të të shkruarit, as në pikturën e tij moderniste. Mund të kuptohej qartësisht vetëm oratoria e tij, ku arrinte të shkoqisë gjithçka në detaje e ku me shumë pasion fliste si për letërsinë, ashtu dhe për historinë.
“Në botë nuk është vetëm kritika që shkruan për librat, edhe shkrimtarët e mëdhenj shkruajnë për njëri-tjetrin”, më pati thënë një herë, gjatë një bisede informale, fjalë që i kam përdorur si argument sa herë më është dhënë rasti.
Dukur e quajta “Përbindësh”. Edhe sot nuk e di në kam bërë mirë apo gabim në këtë cilësim që fillimisht erdhi tek unë i bëftë e në mënyrë pasiononte. Ishte viti 2017 dhe në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar, aty ku ai kishte drejtuar për 8 vite me radhë, u mbajt një simpozium rreth krijimtarisë së tij.
Dhe folën shumë prej miqve, njerëz të letrave e të shkencave sigurisht. Po unë çfarë mund të shkruaja për Moikom Zeqon, përtej një lajmi të varfër. Fillimisht vendosa titullin intrigues ““Përbindëshi” Moikom Zeqo, një korpus letrar me mbi 100 vepra”, dhe si më poshtë nisa tekstin:
Krijimtaria e tij vjen nga kaosi. Letërsia nuk është letërsi, dhe as historia nuk shkruhet si e tillë. Ato janë një amalgamë ku dhe poezia shtrihet gjerësisht. Pra, realisht kemi të bëjmë më një kaos. Herë i zgjidhshëm herë krejt i koklavitur. Të duhet një lexim i dytë, ndoshta dhe një i tretë që të mund ta shpërbësh.
Ndërkohë një muzikë xhaz të shoqëron në sfond. Herë pas here të duket se ajo është aty në mes të atij kaosi letrar. Aspak e huaj. Dhe qëndron këmbëkryq. Ndërkaq, ti, gjithashtu, kërkon të shkrihesh me të gjithë amalgamën. Nëse ke mundësi t’ia arrish dot, kuptohet. Shën Jeronimi kishte frikë nga mbiemrat. Pa dyshim nga mbiemrat lëvdues shumë më tepër se të atyre që të vinin në dukje ndonjë të metë, të cilën ia dije dhe vetë vetes. Moikom Zeqo gjithashtu.
Ai e perifrazon shenjtin ilir nga Dalmacia që jetoi mes shekujve IV – V pas Krishtit, si për të thënë se ai trembej ngaqë mbas emër mbiemrit origjinal, një shtesë tjetër në mbiemër, si përkufizim i kontributit të tij, do ta vinin në një pozitë më të vështirë se kaq.
Madje, ai shprehet se vetëm përtej kësaj jete, atje ku nuk ka miq që të pompojnë me apo pa të drejtë dhe hipokritë që nuk ta thonë asnjëherë të vërtetën në sy, shkrimtari mund të jetë i qetë dhe krejt i çlirët nga mbidozimi.
Por deri atëherë ka kohë, dhe shkrimtarit i duhet të përballet ende në fushën e madhe të betejës, ku disa thonë se e ka fituar luftën prej kohësh e ca të tjerë kërkojnë që ai të vazhdojë e të prodhojë, meqenëse makineria e tij është në një gjendje të shkëlqyer pune…
Shkrimi që bëra më këtë rast fluturoi si era dhe u botua në disa portale. Pas kësaj pata një çast pendimi, por zot i shkrimit nuk isha më për të bërë një retush, ndoshta të domosdoshëm. A ishte “përbindësh” fjala e duhur për ta simbolizuar një poet elegant si Moikomi, një piktor ai, një studiues historie e një arkeolog nënujor gjithashtu.
Dilemën ma hoqi vetë ai në një takim të ca ditëve më pas, teksa më përqafonte e qeshte me të madhe. “Si më cilësoje?… Përbindësh… Ha-ha -ha. Shumë e bukur ishte”. “E po, – u justifikova unë, – me më shumë se 100 vepra të botuara, nuk më vinte në kokë asnjë fjalë më e përshtatshme. Tek e fundit, vetëm një përbindësh mund të përtypë aq shumë vepra sa ke përtypur ti”.
Moikomi ka ikur të pushojë tashmë, pas një lufte të ashpër me sëmundjen e pabesë që i shkurtoi të paktën dy vjet nga jeta e “premtuar”. Por vepra e tij ende nuk mund të quhet një cikël i mbyllur, sepse, pa dyshim, ai ka lënë pas dhjetëra a qindra letra të tjera formati në dorëshkrim, që do të presin radhën për të parë dritën e botimit. Por, gjithsesi, për studiuesit e tjerë, vepra e Moikom Zeqos nga ky çast mbetet e hapur për interpretim. Dhe në këtë mënyrë ai do të jetë gjithmonë mes njerëzve, duke marrë dhe titullin e përjetësisë.
la.mi/Fjala.al