Serxho Havier Nalino/ 30-vjeçari, skicuesi i shijes argjentinase në Tiranë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Serxho Havier Nalino nga Argjentina, rrëfen për gazetën “Fjala” momentet e para kur u tërhoq pas artit të pjatave dhe shqisave, si dhe ndalet në vendimin për t’u zhvendosur në Shqipëri, së bashku me të fejuarën e tij italiane.

Nga Alessia Selimi

“Asado es un viaje de ida y vuelta.” Kështu e përshkruajnë argjentinasit marrëdhënien e tyre me mishin, si një udhëtim me vajtje-ardhje që lë shije, mbresa e provokon ndjesi, emocione dhe kujtime. Dhe për ta, pjekja e mishit në zgarë është më shumë sesa një mënyrë gatimi. Është një ritual që bën bashkë miq e familjarë, dhe lë mënjanë të ngarkuarat ditë. Lajmi i mirë është se nuk keni nevojë të udhëtoni 12244 km për të provuar një “churrasco” autentik (viç të pjekur).

Serxho Havier Nalino, ky argjentinas 30-vjeçar, i specializuar në gatimin e mishit në zgarë, ndodhet në kryeqytet prej më shumë se 7 muajsh, në hallkën më të fundit të zinxhirit të restoranteve “Gaucho”.

Në krye të kuzhinës, duke siguruar një gatim të shkëlqyer të mishit, por kryesisht atë të Black Angus, një racë viçi autoktone e Skocisë, specifikisht nga zona e Aberdeen që është importuar në Argjentinë në fund të shekullit XIX.

Cilësia e këtij mishi vjen nga fakti se viçat rriten dhe ushqehen në mënyrë natyrale dhe të lirë në pampat argjentinase.

Serxho është në komunikim të vazhdueshëm me klientët, në sajë të një xhami që thyen barrierën e një kuzhine tipike.

Në një intervistë për gazetën “Fjala”, argjentinasi kthehet pas në të shkuarën, kur u tërhoq pas artit të pjatave dhe shqisave, si dhe ndalet në vendimin për t’u zhvendosur në Shqipëri, së bashku me të fejuarën e tij.

Serxho gjithashtu nuk ngurron të ndajë me ne pengesat e hasura. Dhe për të gjitha këto, flasim pikërisht në habitatin e tij, në kuzhinën e “El Gaucho Tirana”, ku objektivi është një dhe i vetëm: Shqipëria të njihet me kulturën gastronomike argjentinase.

“U zhvendosa në Itali në një moshë të hershme, në një fshat të vogël të quajtur Avellino. Udhëtimi im në kuzhinë filloi kur isha 7-8 vjeç. Argjentinasit e kanë në gjak gatimin e mishit në zgarë. Kështu që, nuk kam bërë asnjë përjashtim (qesh). Besoj se im atë ka qenë shtysa e parë, ai që më ka ngjallur interesin dhe pasionin për të gatuar mbi zgarë. Mënyra se si ai vijon të gatuajë për të afërmit dhe miqtë e tij…”, thotë Serxho.

Kristiani është personi i cili më ka sjellë në një farë mënyre në Shqipëri. Është argjentinas si unë, dhe së bashku kemi punuar në restorantin e tij në Torino. Për plot 8 vite! Kristiani njihte një nga pronarët e restorantit dhe teksa po i kërkohej ndihmë në aspektin e konceptimit si biznes, ai propozoi që unë të isha në krye të kuzhinës”, shprehet Serxho duke shtuar se asokohe ishte duke menduar si destinacion të radhës Gjermaninë, për të vetmin fakt se i pëlqen të udhëtojë dhe të sfidojë veten përtej barrierave kulturore.

“Nuk e di përse zgjodha të vija në Shqipëri. Megjithatë, nuk mund ta mohoj se e pashë këtë vend si një mundësi të artë për t’u rritur në profesion. Kurrë më parë nuk kam menaxhuar një kuzhinë, kjo është eksperienca ime e parë”, thotë Serxho.

Pyetjes nëse e ka pasur apo jo të vështirë të ambientohet në Tiranë, 30-vjeçari i përgjigjet pa ndroje. “Përkundrazi! Tirana është shumë e ngjashme me Qendrën dhe Jugun e Italisë. Kësisoj, nuk kam hasur vështirësi të asnjë lloji. Nuk e di nëse mund të quhet vështirësi të bindurit e të dashurës për të të shoqëruar në një aventurë të radhës”, shprehet Serxho.

E dashura ime është italiane. Kur i paraqita propozimin që m’u bë, ajo po shikonte si mundësi Australinë. E kemi diskutuar goxha ardhjen tonë në këtë vend të panjohur për ne. Por, pavarësisht gjithçkaje, ndihemi mirë. Ajo tashmë ka gjetur një punë në Call Center, dhe momentalisht po punon nga shtëpia, për shkak të pandemisë Covid-19. ”

Megjithatë, Serxho nuk e mohon se pengesat nuk janë të pakta.

“Me djemtë e kuzhinës e kam pak të vështirë të merrem vesh, qoftë nga gjuha, por edhe për mënyrën e të punuarit. Ata janë të rinj, me pak eksperiencë. Ama kam besim se me kalimin e kohës, duke njohur ndoshta më mirë njëri-tjetrin, kjo gjë do të ndryshojë”, tregon ai.

Me ne gjithashtu punon një djalë me emrin Dori, i cili e kupton dhe e njeh shumë mirë punën. Është pikërisht ai që më ndihmon në këto ujëra. Më duhet të them se shqiptarët janë paksa kokëfortë, dhe në këtë pikë më përngjajnë shumë me argjentinasit.”

Dori qëndron pas ëmbëlsirës së qumështit, që njihet ndryshe nga argjentinasit si “dulce de leche”. Gjurmët e para të saj e kanë zanafillën që në vitin 1963, kur kolegji i Mendozës regjistroi në shpenzimet e tij këtë lloj ëmbëlsire. “Dulce de leche”, e cila është pjesë e pasurisë gastronomike kombëtare, e ka festën e saj zyrtare në datën 11 tetor.

Kuriozitetit për të ditur se si mund të dallohet një mish i mirë në tavolinë, Serxho i përgjigjet fillimisht me një buzëqeshje të lehtë.

“ Mishi është si vera! Gjithçka varet nga shijet personale. Unë personalisht jam mësuar të konsumoj mishin argjentinas, por kjo nuk më bën dot të them se është më i miri në treg. Pa dyshim, është i shijshëm dhe cilësor. Ama, unë nuk jam askush për të bërë një vlerësim të këtillë”, thotë ai.

Serxhos i duhet tashmë të largohet, sepse një sërë pjatash e presin për t’u dhënë ngjyra, formë, jetë. Dhe me xhaketën tipike të një kuzhinieri dhe përparësen e zezë që i bie në gjunjë, argjentinasi futet sërish në strehëzën e aromave dhe shijeve.

Serxho e di fare mirë, që nga fëmijëria, se një pjatë e shijshme kërkon përkushtim, jo vetëm njohuri të gjera. E, për më tepër, se gatimi është si dashuria, në të cilin duhet të përfshihesh i tëri, në braktisje të vetvetes

Fjala.al

Të fundit

Krimet zgjedhore, kryeprokurori Çela zbulon planin e masave për 11 majin

Kryeprokurori Olsian Çela ka folur lidhur me krimet zgjedhore dhe masat që do të merren për zgjedhjet e 11...

Trump i cakton një detyrë të re Richard Grenell-it

Presidenti Donald Trump ka emëruar Richard Grenellin si Drejtor Ekzekutiv të Përkohshëm të Qendrës për Artet Skenike John F. Kennedy në Uashington. Ky vendim...

Si do krijohet qeveria në Kosovë? Opozita s’do koalicion, VV pret votat e diasporës

E ardhmja politike e Kosovës, vijon të mbetet e paqartë pas numërimit të votave të rregullta të zgjedhjeve të përgjithshme të së dielës. Partia...

Arrestimi i Veliajt, Rama takim me nënkryetarët e Bashkisë Tiranë

Kryeministri Edi Rama ka qenë në Bashkinë e Tiranës, ku ka takuar nënkryetarët e këtij institucioni. Takimi vjen pas arrestimit me kërkesë të SPAK, të...

Po e luftojmë korrupsionin?/ Çfarë thotë “Transparency International”

Transparensi International ka publikuar së fundmi të dhënat më të fundit mbi korrupsionin në nivel global, duke ofruar një pasqyrë të detajuar mbi nivelin...

Lajme të tjera

Web TV