Transporti publik në vend drejt kolapsit, për shkak të pandemisë. Gazeta “Fjala” kontaktoi me përfaqësuesit e shoqatave të transportit urban, ndërqytetas dhe ndërkombëtar. Ulja e numrit të udhëtarëve në masën 50 % mund të sjellë rritjen e çmimit të biletës.
Nga Ina Allkanjari
Prej hyrjes së virusit COVID-19 në muajin mars në Shqipëri, operatorët e transportit ndërkombëtar, ndërqytetas dhe urban pezulluan aktivitetin e tyre. Humbjet e gjeneruara në këtë sektor kapin shifra të larta, por ndërsa jemi drejt rihapjes së transportit publik, kryetarët e shoqatave shprehin shqetësimin e rimëkëmbjes përballë plotësimit të protokolleve të përcaktuara për ta.
Teksa punëtorë të transportit publik vijojnë protestat për rihapjen e këtij shërbimi dhe pagë ekstra për shtyrjen e saj, kryetari i Shoqatës së Transportit Urban, Rixhin Qoshja, shprehet për gazetën “Fjala” se u kanë kërkuar institucioneve përgjegjëse plotësismin e 4 pikave dhe janë në pritje, nëse do të realizohen.
Qoshja thekson se transporti publik funksionon në të gjitha vendet, ndërkohë operatorët në Shqipëri po përballen me humbje të mëdha. Nga ana tjetër, kryetari i Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve Ndërqytetas, Kujtim Mema, në një prononcim për gazetën “Fjala”, tregon se janë rreth 8 mijë familje që mbahen me transportin ndërqytetas, dhe humbja është e pallogaritshme.
Mema shpreson që transporti të rifillojë të funksionojë javën që vjen, teksa thekson që janë marrë të gjitha masat e duhura prej tyre për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Ndërkohë, i pyetur nga gazeta “Fjala”, Kujtim Hashorva, kryetari i Shoqatës së Transportit Ndërkombëtar, tregon se ulja e numrit të kapacitetit të personave në masën 50 % do të sjellë rritjen e çmimit të biletës.
Teksa janë në pritje të hapjes, Hashorva thekson se zgjidhja që çmimi i biletës të mos pësojë rritje, vjen nëse bëhen lehtësira të tjera fiskale, në mënyrë që operatorët të mos dalin me humbje nga ky operacion. Kujtojmë se më herët qeveria vendosi që shërbimi i transportit publik të hapej më 15 qershor por, për shkak të rritjes së shifrave me COVID-19 në Shqipëri, kjo gjë nuk ndodhi.
Transporti Urban
Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban, Rixhin Qoshja, tregon se kërkesat e ngritura nga Unioni i Shoqatave të Transportit Publik konsistojnë në subvencionimin e të ardhurave të munguara për subjektet transportuese, si pasojë e kufizimeve të protokollit të sigurisë; heqja e akcizës dhe e taksave të karburantit, siç është zbatuar dhe në sektorë të tjerë të ekonomisë; zbritja e TVSH-së nga 20%-0% për vitin 2020 dhe rikthimi në nivelin 6% në vijim si sektori i hoteleri-turizmit; rimbursimi në burim i karegorive të cilat përfitojnë transport publik falas.
Sipas kryetarit të Shoqatës së Transportit Urban, vetëm miratimi dhe zbatimi i këtyre lehtësirave do të mundësojë kryerjen e shërbimit të transportit publik sipas protokollit të publikuar. Sipas Rixhin Qoshjas, transporti publik në Shqipëri gjeneron një humbje mujore rreth 3000000 € në muaj, ndaj me kushtet aktuale, bazuar edhe në protokollin e sigurisë, transporti publik është në pamundësi financiare për të kryer aktivitetin.
Transporti ndërqytetas
Kujtim Mema, kryetari i Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve Ndërqytetas në një prononcim për gazetën “Fjala”, tregon se janë në pritje të rihapjes, dhe se janë marrë të gjitha masat që duhen për parandalimin e përhapjes së COVID-19. “Na kanë pranuar disa prej kërkesave tona.
Na kanë falur taksën e bashkisë që e dinim dhe e prisnim, sepse e kishim propozuar vetë. Për këtë vit taksa e bashkisë për të gjithë transportin është falas. Nafta 100% si shpenzim dhe rimbursim TVSH-je. Do të na shtojnë edhe një pagë për muajin qershor për transportin ndërqytetas”, tregon Mema.
Më tej kryetari i shoqatës së Transportit Ndërqytetas thekson se protokolli i sigurisë është dhënë nga ekspertët e shëndetësisë, ku përcaktohet dezinfektimi i mjeteve, përdorimi i maskave nga njerëzit, si dhe 70% kapacitet. Sipas tij, moszbatimi i këtyre masave do të sjellë penalizim.
Për sa i përket humbjes gjatë periudhës kur transporti nuk ka qenë funksional, Mema tregon se është e vështirë të bëhet një përllogaritje, pasi ndryshe nga transportet e tjera, ne jemi shoqëri aksionere. “Ne jemi 14 aksionerë në një shoqëri. Në këtë shoqëri secili jeton me mjetin e vet dhe humbja e tij mund të jetë p.sh., 70000-80000 mijë lekë në muaj që mban familjen.
Është e vështirë për ne si transport ndërqytetas të bëjmë një llogari për humbjen, por shteti duhet të bëjë një llogari, sa linja jemi ne, sa humb nga taksat tona, nga TVSH-ja e biletave. Shteti duhet të llogarisë vetë, se sa humbje ka nga ne”, u shpreh Mema, teksa theksoi se janë rreth 8 mijë familje që mbahen me transportin ndërqytetas.
Për sa i përket rifillimit të punës, kreu i shoqatës tha se shpreson të rifillojnë javën që vjen, ndonëse ende janë në pritje të përcaktimit të një date, kjo pasi konsiderohen si risk për përhapjen e COVID-19.
Transporti Ndërkombëtar
Një tjetër sektor që vijon të jetë i mbyllur, është transporti automobilistik ndërkombëtar. Në një reagim për gazetën “Fjala”, kryetari i Shoqatës së Transportit Ndërkombëtar, Kujtim Hashorva, tha se janë në pritje të protokolleve që do t’ua dërgojnë partnerët, ndërsa presin të rifillojnë më 1 korrik.
Sipas Hashorvës, zbatimi i protokollit do të sjellë rritje në çmimin e biletës. “Pasi partnerët të na dërgojnë protokollet, duhet të diskutohet me ata, për arsye se do të ketë pa diskutim ndryshime çmimi. Kjo pasi për efekt të ruajtjes së distancës, do të zvogëlohet kapaciteti i personave.
Gjithashtu, do të diskutojmë për kushtet e tjera që do të vendosin që të realizohet ky transport”, u shpreh Hashorva, teksa theksoi që duke qenë se do të ketë ndryshim çmimi, duhet me urgjencë që kjo çështje të diskutohet nga Ministria e Transportit, ose të realizohet një takim dypalësh apo trepalësh me partnerët që ne realizojmë transportin.
Më tej kryetari i Shoqatës së Transportit Ndërkombëtar tha se mendohet që kapaciteti i mjeteve për të realizuar distancën sociale mund të jetë 50%, ndaj, sipas tij, duhet të rikalkulohet çmimi i biletës, ose të bëhen lehtësira të tjera fiskale, në mënyrë që operatorët të mos dalin me humbje nga ky operacion.
Për sa u përket humbjeve ekonomike në këtë sektor, Hashorva shprehet se janë të pallogaritshme kjo, pasi i gjithë transporti ndërkombëtar nuk ka punuar tashmë për disa muajsh. Sipas tij, është e rëndësishme të bëhen kompensimet e nevojshme. Por nga paralizimi i transportit janë prekur shumë punëtorë, të cilët të ardhur kryesore kishin pagën mujore.
“Transporti ndërkombëtar ka mjaft shoqëri që nuk janë në shoqatë, ndaj është e vështirë të përcaktohet një shifër se sa është numri i punëtorëve. Nuk mund të them një shifër, por kuptohet që po të marrësh bashkëpunimin kolateral që janë agjencitë, karburanti, humbja është e madhe.
Normalisht edhe agjencitë të cilat janë pa punë preken, sepse transporti ndërkombëtar është shumë i ndërlidhur me agjencitë”, tregon Hashorva. Teksa shprehet se janë në pritje që t’u njoftohen protokollet dhe shpresojnë që kjo të bëhet brenda muajit qershor, Hashorva tha se problemet që kanë shoqëruar transportin publik në këtë periudhë pandemie janë të shumta, ndaj duhet një impenjim shumë i madh nga shteti që të përballohen.
Tabelë
Kërkesat e Shoqatës së Transportit Publik
-Subvencionim i të ardhurave të munguara për subjektet transportuese, si pasojë e kufizimeve të protokollit të sigurisë
-Heqja e akcizës dhe e taksave të karburantit, siç është zbatuar dhe në sektorë të tjerë të ekonomisë
-Zbritja e TVSH-së nga 20%-0% për vitin 2020 dhe rikthimi në nivelin 6% në vijim, si sektori i hoteleri-turizmit
-Rimbursimi në burim i kategorive që përfitojnë transport publik falas
Shoqata e Transportit protestë para Ministrisë për rifillimin e punës, shoqërohen në polici 7 persona
Punonjësit e transportit publik kanë protestuar ditën e djeshme para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, ku kanë kërkuar të rihapet transporti publik. Me pankarta në duar punonjësit shprehen që nëse nuk do të rihapet puna, të paguhen, pasi kanë detyrime.
Të revoltuar ata shprehen se duhet të paguajnë qira, drita, ujë dhe kanë pësuar shumë humbje gjatë kësaj periudhe, ndaj kërkojnë mbështetje nga qeveria. Gjatë zhvillimit të protestës, policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimin, ka bërë thirrje me megafon që protestuesit të shpërndahen, të mbajnë distancë sociale nga punonjësit e policisë dhe nga njëri-tjetri, duke i paralajmëruar se në rast mosbindjeje, do të ndërhyjë në bazë të ligjit.
Kjo pasi tubimet janë të paligjshme, prej situatës së krijuar nga COVID-19. Uniformat blu, pasi u hasën me mosbindjen e qytetarëve, i shpërndanë protestuesit dhe shoqëruan 7 prej tyre si organizatorë të tubimit.
Materialet për këtë ngjarje do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të 7 personave të identifikuar si organizatorë, për veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”.
Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit apeloi për respektim në maksimum të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, si dhe u bën thirrje qytetarëve që problematikën dhe shqetësimin që kanë ta adresojnë pranë institucioneve dhe organeve kompetente, pa krijuar grumbullime, pasi grumbullimet dhe tubimet janë në shkelje të aktit normativ për parandalimin e pandemisë COVID -19.
la.mi/Fjala.al