PE miraton 15 kushtet për Shqipërinë/ Calavera: Jo të gjitha janë për hapjen e raundit të parë të bisedimeve

Parlamenti Europian miratoi pak ditë më parë amendamentin me 15 kushtet për Shqipërinë para nisjes së negociatave.

Por drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat e Fqinjësisë Europiane dhe Bisedimet e Zgjerimit në Komisionin Europian, Genoveva Luiz Calavera thotë se jo të 15 kushtet janë për të hapur raundin e parë të bisedimeve ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Në fjalën e saj në mbledhjen e djeshme të Komitetit të Politikës së Jashtme në Parlamentin Europian, Calavera tha: “Të 15 kushtet janë shumë të rëndësishme për përparimin e Shqipërisë, por unë mendoj se ne duhet t’i diferencojmë ato. Nuk janë 15 kushte për të hapur raundin e parë të bisedimeve.

Ka kushte që janë shumë të rëndësishme përpara hapjes së bisedimeve dhe kushte që duhet të plotësohen në përparimin e Shqipërisë drejt Europës.

Të gjitha këto kushte do të reflektohen në procesin e bisedimeve në konferencën ndërqeveritare dhe që do të duskutohen me anëtarët e BE në Këshill”.

Me 388 vota pro, 280 vota kundër dhe 19 abstenime Parlamenti Europian të enjten mbrëma (18 qershor) miratoi amendamentin e Grupit të Partive Popullore Europiane me tekst: “Parlamenti Europian thekson 15 kushtet e caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian që Shqipëria duhet të ketë përmbushur përpara thirrjes Konferencës Ndërqeveritare të parë me shtetet anëtare”.

Amendamenti është firmosur nga eurodeputetja Kinga Gàl me kërkesën e raporterit Lega dhe me mbështetjen e koordinatorit Gahler.

Këto kushte u vendosën nga Këshilli Europian (shtetet anëtare) me propozimin e Gjermanisë, Francës, Hollandës, Danimarkës e Spanjës në mars të këtij viti.

Pro amendamentit votuan Grupi Liberal dhe ai Konservator si dhe shumë deputetë nga e majta dhe e djathta pavarësisht qendrimit formal të grupeve.

Lexo edhe :  A do të vijojë Erion Veliaj të jetë drejtues i Tiranës?/ Ja si përgjigjet Rama

Grupi Social Demokrat formalisht nuk u shpreh pro amendimit me shpjegimin se nuk duhej zbehur jehona festive e samitit të Zagrebit.

Por shumë eurodeputetë socialdemokratë të prirë nga danezët dhe finlandezët votuan pro PPE. Një pjesë e nxitur nga eurodeputetët rumunë votuan kundra./Bl.Ba/Fjala.al