Shahini jep lajmin e mirë: Shqiptarët në Serbi lejohen të përdorin librat shkollorë nga Shqipëria

Ministria e Arsimit të Shqipërisë ka arritur një marrëveshje me atë të Serbisë për t’iu lejuar shqiptarëve aty që të përdorin libra shkollorë nga Shqipëria.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministrja Besa Shahini e cila shprehet se pas shumë vitesh përpjekje tashmë kjo është realizuar dhe shqiptarët në Serbi do të mësojnë shqip, me libra shkollorë nga Shqipëria të financuar nga Ministria e Arsimit.

Në fakt do të jetë Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi i cili do të merret me librat shkollorë pasi fondi do i përcaktohet nga Ministria e Arsimit në Shqipëri.

“Pas shumë vite përpjekjesh, shqiptarëve në Serbi u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria. Nuk ishte e lehtë, por ia dolëm duke bashkërenduar dhe intensifikuar përpjekjet mes Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.

Kemi filluar gjithashtu edhe financimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi nga fondi i MASR për tekste shkollore, sepse besojmë fuqishëm që fëmijët shqiptarë në Serbi meritojnë arsim cilësor në gjuhën shqipe dhe libri shkollor është një hap i domosdoshëm në atë drejtim.

Komuniteti shqiptar atje e ka të gjithë mbështetjen e qeverisë shqiptare në çdo aspekt të zhvillimit të tij. Përgëzoj edhe Ministrin Gent Cakaj për angazhimin e tij që kontribuoi për një përfaqësim më të mirë të shqiptarëve në Parlamentin e Republikës së Serbisë”, shkruan Shahini./Bl.Ba/Fjala.al