“Loja” me koalicione dhe pazari i “të vegjëlve” – Nga Leonard Karaj

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Zgjedhjet i humb qeveria, nuk i fiton opozita dhe shqiptarët votojnë kryesisht majtas. Kjo është ajo çka na kanë faktuar këto tri dekada zgjedhjesh në Shqipëri. Duke përjashtuar zgjedhjet e marsit 1992 dhe pa marrë parasysh edhe ato të shumëkontestuarat e majit 1996, ku Partia Demokratike dominon dukshëm, në të gjitha të tjerat elektorati i majtë ka “bërë ligjin”.

Një gjë e tillë ka ardhur ca si rezultat i indoktrinimit proletar të pjesës më të madhe të vendit, për shkak të 45 viteve nën diktaturë, por ca edhe për shkak se në krahun e djathtë u rreshtuan pjesa margjinale e qytetarëve, të mbushur plot urrejtje ndaj sistemit që ngriti Partia e Punës (e shndërruar më pas në Partia Socialiste), të cilët jo domosdoshmërisht gëzonin simpatinë e gjerë të votuesve.

Sakaq, në të gjitha rastet kur kemi pasur rotacion pushteti (1992, 1997, 2005, 2013), shqiptarët më shumë sesa te programi “shpresëmadh” i opozitës, kanë dhënë votë kundër korrupsionit qeveritar.

Pra, ka qenë arroganca dhe konsumimi i mazhorancës, ai që ka sjellë opozitën në pushtet, dhe jo fakti se shqiptarët kanë besuar se duke votuar këtë të fundit, vendi do të ketë një të ardhme më të begatë. Kësaj të fundit i ruhet kryeministri Rama, në përfundim të mandatit të tij të dytë, ndaj edhe pa humbur kohë ka nisur me lojërat politike.

Nuk është e rastit që sot Rama yshtet të përdorë opozitarët parlamentarë për të kaluar në Kuvend një ndryshim ligjor që ndalon koalicionet parazgjedhore. Ai e di fort mirë se pa koalicione dhe vetëm me sigla partie, socialistët janë ata që marrin aktualisht më shumë mandate, madje edhe sikur Shqipëria të shkonte në zgjdhje çdo ditë.

Pra, sikur çdo ditë të votohej, PS-ja do dilte parti e parë në vend. Dhe në referencë të nenit 96-të të Kushtetutës, presidenti i Republikës do të ishte i detyruar të mandatonte për formimin e qeverisë emrin e kryeministrit që do të sillte partia që do të kishte marrë më shumë vota në shkallë vendi.

Nëse do merrim për analizë zgjedhjet e 2017-s, ku u votua pa koalicione, do të vërenim se socialistët të vetëm do të kishin drejtimin e qeverisë. Deri në këtë pikë Rama nuk ka asgjë për t’u kritikuar, pasi në fund të fundit është duke përgatitur “nën rrogoz” mandatin e tij të tretë qeverisës.

Ndonëse teorikisht thuhet se janë 29 deputetë të opozitës së kryesuar nga Myslym Murrizi, ata që kanë kërkuar një ndryshim të tillë, dihet qartë se kjo është veçse një ide tinzare e socialistëve për të mbajtur gjithsesi pushtetin edhe për 4 vitet e ardhshme.

Por ajo që nuk kuptohet në këtë mes është qasja dhe përfitimi i opozitës parlamentare në mbështetjen e këtij propozimi, i cili të paktën në letër, ka shumë gjasa që opozitën ta lërë sërish në opozitë. Kështu, përjashto ndonjë katapultim si ai i Kastriot Islamit dhe Asllan Dogjanit në 2013-n, duke përjashtuar koalicionet parazgjedhore, Murrizi & CO, e kanë të sigurt faktin se nuk do të jenë më pjesë e kunvendit të ri pas 2021-shit.

Nga ana tjetër, joshja me ndonjë post kuvendar apo edhe në qeverisjen e radhës (kujto rastin e Lefter Maliqit), do të bënte të mundur që, nga njëra anë, në parlamentin aktual të kalonte ky ndryshim, vrastar për opozitën, dhe nga ana tjetër, Rama “të lante duart” si Ponc Pilati, duke u fshehur pas së ashtuquajturës “opozitë parlamentare”.

Lexo edhe :  Një hakmarrje ndaj qytetarëve që e kanë braktisur

Ndaj në këtë mes, mbetet detyrë e PD-së më së pari që të luftojë fort me të gjitha mjetet demokratike që propozimi të mos kalojë në Parlament. Madje, parë deri në detaje, ky lloj ndryshimi do t’i sillte më shumë probleme Partisë Demokratike, pasi me shumë gjasa mund edhe të humbiste pjesë nga aleatët opozitarë. Nëse i referohemi kryetarit të Partisë Agrare Ambientaliste, z. Agron Duka, ky i fundit, disa herë e ka thënë qartazi se do të futet me siglën e partisë së tij në zgjedhje.

Pra, nuk do të pranojë që ai dhe elementë të tjerë të PAA-së të bëhen pjesë integrale e litës së PD-së për në Kuvendin e Shqipërisë. Por nëse PAA, LSI, SFIDA, BD, PR, PDIU etj., parti këto të frontit opozitar do të dalin të vetme në zgjedhje, sikundër ndodhi në 2017-n, atëherë ekziston rreziku real që këto të fundit të futen qartazi “në pazar” me partinë që do të marrë më shumë vota në zgjedhjet e radhës, e cila, sipas Kushtetutës, ka të drejtën e mandatimit për formimin e qeverisë.

Dhe në një skenar të thjeshtë matematikor, edhe nëse Partia Socialiste nuk do të mund të siguronte 71 mandate e vetme, do të mjaftonte që ajo të dilte e para, pra të merrte më shumë vota sesa Partia Demokratike (gjë që është shumë e mundur), që të niste “ofensivën e joshjes” ndaj partive të vogla. Dhe në një skenar të tillë, historia na ka treguar se në politikën shqiptare ka gjithçka, por vetëm MORAL JO.

Mjafton të kujtosh përplasjen epike plot sharje dhe ofendime deri te familja dhe fëmijët mes Ramës dhe Metës në 2011-n dhe vetëm 2 vite më vonë “puthjen” e tyre në Shkodër, me celebrimin në martesën e 1 prillit, për të besuar se kur vjen puna për pak pushtet “të vegjlit” e shesin veten shtrenjt. Madje, aq shtrenjt, sa në 2009-n Berisha pranoi t’i jepte LSI-së 5 ministri, vetëm e vetëm që Meta të bënte koalicion me PD-në, edhe pse kjo e fundit nuk kishte më shumë sesa 4 deputetë.

Nisur nga të gjitha këto, PD-së, më shumë se cilësdo forcë politike i intereson që ky lloj ndryshimi të mos kalojë në Parlament dhe të bëjë me patjetër koalicion parazgjedhor, për të pasur shanse reale që Lulzim Basha të mund të mandatohet si kryeministër i ardhshëm i vendit. Në të kundërt, përpos konsumimit politik dhe problemeve të shumta që po kalon vendi, për shkak të keqqeverisjes, Rama do të shkonte serbes-serbes drejt mandatit të tretë qeverisës.

Zgjedhjet e 2017-s

1 – PS     764750 vota

2 – PD     456413 vota

3 – LSI    225901 vota

4 – PDIU   76069 vota

5 – LIBRA  19806 vota

6 – PSD    14993 vota

7 – FRD    5146 vota

8 – SFIDA  3546 vota

9 – PR     3225 vota

10 – PDS   2473 vota

Koalicioni i mundshëm i mazhorancës

1 – Partia Socialiste

2 – Grupimi G-99

3 – PSV ‘91

4 – Partia Social Demokrate

5 – Partia Demokracia Sociale

6 – MEGA

7 – Parti të vogla me nga 0-1000 vota

Koalicioni i mundshëm i opozitës

1 – Partia Demokratike

2 – Lëvizja Socialiste për Integrim

3 – Partia Agare Ambientaliste

4 – Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet

5 – Partia Barazi, Të drejtat e Njeriut

6 – Lëvizja për Zhvillim Kombëtar

7 – Partia Demokristiane

8 – SFIDA

9 – Partia Republikane

Ende jashtë koalicioneve

1 – Fryma e re Demokratike

2 – Bindja Demokratike

3 – LIBRA

 

Të fundit

Cilat janë planet e administratës Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza?

Presidenti i zgjedhur Donald Trump është zotuar se do t’i japë fund shumë shpejt luftës në Rripin e Gazës,...

Berisha këtë vit humbi betejën për monopolin e opozitës

Nga Mero Baze Brenda një viti, Berisha jo vetëm që nuk arriti të bashkojë opozitën dhe të marrë monopolin e saj, por e copëzoi atë,...

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes

Periudha e festave të fundvitit është një nga më të bukurat, jo vetëm për të vendosur dekorimet tradicionale, por edhe për të reflektuar për...

Elon Musk sulmon Wikipedia-n: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për të

Kjo nuk është hera e parë që themeluesi i Tesla dhe SpaceX ka sulmuar Wikipedia-n duke e akuzuar për drejtimin e narrativave të majta. Musk,...

Rrotullimi i… lumturisë/ Paraja dhe një dilemë e përjetshme

Sa lumturi blen paratë? The Economist, në frymën e Krishtlindjes, i përgjigjet dilemës së përjetshme me një mësim të thjeshtë të probabilitetit duke luajtur "lojëra me zare" në...

Lajme të tjera

Web TV