Artan Fuga posaçërisht për “Fjala”: Shumica e pakicave politike

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga akademiku Artan Fuga
https://youtu.be/kI4oOGHIQyY
Pas marrëveshjes të 5 qershorit, të firmosur në prani dhe me mbështetjen e diplomatëve të huaj që përfaqësojnë partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë të Shqipërisë, u duk se çështja e sistemit zgjedhor po merrte një zgjidhje. Por, pak ditë më vonë, papritur, shumica socialiste në Kuvend, në bashkëpunim dhe në mirëkuptim me deputetët që dikur kanë qenë të partive opozitare, sot jashtë Kuvendit, dhe me kandidatët nga listat e dikurshme për deputetë të këtyre partive, e “përmbysi” tavolinën e Pallatit të Kongreseve.

Marrëveshjes së 5 qershorit i vuri flakën, edhe partnerëve dhe aleatëtëve perëndimorë të Shqipërisë, pasi i vuri “prift” u rroi “mjekrën”!!! Siç duket, lidershipi qeveritar synon që duke “i hapur” listat e kandidatëve për deputetë të partive të ndryshme në garë elektorale, në fakt të mos i hapë realisht ato. Një e treta e kandidatëve caktohet nga partia, kurse dy të tretat konsiderohen të përbëra nga deputetë që radha e tyre në listë do të përcaktohet nga fakti se sa vota do të marrin.

Në fakt, kështu, gara bëhet “e hapur”, thjesht për ata kandidatë të çdo partie që dihet se pjesa dërrmuese e tyre nuk do të zgjidhen kurrë deputetë. Ata pak që do të zgjidhen në këtë mënyrë, ndofta në ndonjë zonë elektorale qyteti të madh, sigurisht që do të jenë nga kandidatët më të besuar të partisë. Pra, zgjedhja e deputetëve nga elektorati mbetet gjithmonë një farsë. Elektorati mbetet si ai fëmija që babai i vet i thotë në mënyrë autoritare: “Zgjidh, biri im, lirisht fare: Çfarë dëshiron të bësh sot? Të ruash pulat, apo të ruash derrat?”.

Biri mund të dojë të bëjë diçka tjetër, ta zëmë të shkojë në plazh, në kinema, të luajë me shokë. Por, babai “ia ka vënë kufirin te thana”: ose ruaj pulat, ose ruaj derrat! Ose jepja votën Benit, ose Gonit, ose, Gimit, ose Verës, ose Mirës, të gjithë janë të besuarit e mi, prandaj për partinë a del Beni para Mirës, a del Vera pas Gencit, apo Gimi “ia fut” Gonit, të gjitha këto nuk kanë pikë rëndësie. Prandaj, ata duhet të jenë militantë të besuar, në mënyrë që pavarësisht se kush del prej tyre si deputet para të tjerëve, për partinë dhe kryetarin e saj, Gimi, Goni, Vera, Genci, Beni janë në fakt i njëjti njeri në planin politik. Vetëm seksi, ngjyra e flokëve dhe ana biologjike u ndryshojnë.

Duke “hapur” listat, që në fakt vazhdojnë të jenë të mbyllura, shumica kryeministrore, në fakt, synoi të pengojë formimin e koalicioneve politike parazgjedhore opozitare. Pretendimi: përderisa partitë do të paraqiten edhe me emra kandidatësh për deputetë, atëherë nuk mundet që koalicionet e mëdha të kenë lista me qindra deputetë që të seleksionohen nga votuesi për pak minuta në kabinën ku shënon zgjedhjen e tij në fletën e votimit!!! Në këtë mënyrë, nëse kjo taktikë ecën, atëherë realizohen dy objektiva.

E para, në fakt dhe realisht “lista të hapura“ që elektorati të zgjedhë përtej “Gimit dhe Gencit” nuk ka, dhe e dyta, koalicionet parazgjedhore bëhen shumë të vështira ose të pamundura, sepse sikurse po thuhet partitë duhet të formojnë një listë të përbashkët koalicioni me kandidatët e përbashkët dhe jo të paraqiten me ngjyrat e tyre politike dalluese, me kandidatët e tyre për deputetë sipas listave të veçanta.

Thënë në këtë mënyrë, po tentohet drejt një piramidalizimi gjithnjë e më të madh të jetës politike dhe pikërisht të garës elektorale. Politika po bëhet edhe më piramidale sesa më parë, ashtu sikurse e kam argumentuar dhe paraqitur te botimi im i fundit, nxjerrë nga shtëpia botuese Papirus: “Origjinat e Pushtetit, Pronës, Pasurisë në Shqipërinë pastotalitare”. Përse procedurat elektorale bëhen edhe më piramidale, hierarkike sesa më parë? E para, sepse elektorati gjoja merr një thërrime për të vendosur radhën e deputetëve që janë në “bisht të listës”, por në fakt është një “lugë bosh”.

Pra, humbet ideja e listave vërtet të hapura. E dyta, sepse tanimë, duke kërkuar që partitë politike të vogla të vendosen në një listë të përbashkët kandidatësh, kështu humbet çdo lloj nuance politike e diversifikuar politike. Elektorati minoritar, i copëzuar, që formon pasurinë e diversitetit politik, humbet përfaqësimin e vet në procesin e votimit. Si ta thjeshtojmë këtë që sapo thamë? Një republikan për shembull nuk do të votonte dot për partinë republikane, as për kandidatë republikanë specifikisht, por për një listë të përbashkët, ku do të kishte bie fjala edhe jorepublikanë, pra monarkistë!

Një minoritar grek nuk do të votonte për partinë që e ka përfaqësuar realisht, apo për kandidatë specifikë të saj, por do të votonte për një listë të përbashkët ku do të kishte ta zëmë edhe përfaqësues të ndonjë force nacionaliste të moderuar! Një person që do të donte të votonte ta zëmë për një parti që përfaqëson pronarët e vegjël do të duhej të votonte për një listë të përbashkët, jo të diferencuar, ku do të kishte edhe kandidatë që përfaqësojnë ta zëmë interesa të ish-pronarëve të mëdhenj të dikurshëm të tokave. Mirëpo, kjo nuk do të ishte një shoqëri politikisht demokratike e vërtetë.

Në këtë mënyrë diversiteti politik i shoqërisë nuk gjen shprehjen e vet në garën elektorale. Pakicat politike nuk përfaqësohen. Duke mos mundur shpeshherë të kalojnë pragun elektoral, partitë e tyre nuk arrijnë të zgjedhin asnjë deputet. Mirëpo këto pakica nëse mblidhen së bashku, nuk janë më segmente elektorale me nga 2, 3, 4 për qind, por mund të bëhen edhe segmente elektorale që sëbashku mund të shkojnë edhe më shumë se segmentet elektorale të partive të mëdha, ta zemë mund të arrijnë edhe 15 ose 20 për qind a më tepër të elektoratit.

Nga ana tjetër, për strukturimin e duhur të shoqërisë mund të mendohet se këto pakica politike të papërfaqësuara padrejtësisht mund të jenë dhe janë në fakt më të rëndësishme sesa edhe shumicat elektorale. Pse? Sepse ato kanë identitet politik, sepse kanë unitet interesash midis tyre, sepse janë të qëndrueshme, sepse manipulohen më pak, sepse jo rrallë kandidatët për deputet që i përfaqësojnë politikisht janë vetë antarë të këtyre grupeve shoqërore në pakicë. Janë ato që përbëjnë tharmin dhe sharmin e vërtetë të një shoqërie demokratike. Ndërkohë, nëse kodi ynë elektoral do të bënte që partitë në koalicion të mos ishin brenda një koalicioni me identitetin specifik të secilës prej tyre dhe të kishin të drejtën për të marrë vota të adresuara specifikisht te to, kjo do ta fshinte edhe atë pak pluralizëm politik që ende bulëzon nga pak në shoqërinë shqiptare.

Midis vullnetit politik autentik të grupeve identitare specifike, minoritare politikisht dhe të zgjedhurve deputetë do të rritej distanca politike, do të rritej tëhuajzimi, mosnjohja, midis të zgjedhurit dhe zgjedhësve. Kurse Kuvendi i Shqipërisë do të kishte shumë pak ose aspak ngjyrime politike që nuk do të përthyenin ngjyrat politike të shoqërisë shqiptare të fragmentuar politikisht si çdo shoqëri e vërtetë demokratike.

Lexo edhe :  A do të bëhen partitë e reja pengesë për 84 mandatet e Ramës?

Në Kuvend do të ishin shumicë deputetët që përfaqësojnë më shumë një elektorat gri, edhe ai i rëndësishëm, por shumë i luhatshëm dhe pa ndonjë identitet politik mirëfilltazi të qendrueshëm. Asnjë krahasim nuk mund të bëhet në këtë plan midis realitetit politik në Shqipëri dhe realitetit politik që ekziston në vende të tjera të Evropës. Përse? Për shumë arsye, por njëra prej tyre ka të bëjë me sistemin e qeverisjes që ndryshon katërcipërisht po të krahasohet Shqipëria me vende të tjera.

Le të marrin për shembull Gjermaninë. Sado që Gjermania qeveriset prej shumë vitesh nga një koalicion midis të djathtëve të Merkelit etj. dhe social-demokratëve, kjo nuk do të thotë aspak që pluralizimi politik atje realizohet vetëm nga mekanizmat që formojnë dhomën e ulët dhe qeverinë. Sepse në Gjermani veç Bundestag-ut ka edhe Bundesrat, pra janë edhe përfaqësuesit e landeve të ndryshme, të cilët së bashku me deputetët e Dhomës të Ulët, formësojnë pushtetin legjislativ. Pastaj të mos harrojmë që në Gjermani pushteti i landeve ka një autonomi të theksuar në krahasim me qeverinë federale.

Ndërkaq në Shqipëri laj e thaj ka vetëm një dhomë përfaqësuesish, Kuvendin e Shqipërisë. Zgjedhjet për në Kuvend bëhen brenda një dite, prandaj Kuvendi ka një shumicë e cila ushtron një “diktaturë të shumicës”, ndërkaq jo partitë e vogla, por as edhe opozita e bashkuar nuk ka më zë atje. E kundërta ndodh në vendet ku ka dy dhoma. Meqë atje zgjedhjet për secilën prej tyre bëhen sipas kalendarëve të ndryshëm elektoralë, përgjithësisht dhoma e ulët dhe dhoma e lartë kanë ngjyresa politike të ndryshme, për sa i përket shumicës të përbërjes së tyre. Pluralizmi politik në një farë mënyre është i siguruar. E njëjta gjë ndodh edhe në shoqëritë me kod elektoral mazhoritar.

Duket se atje ku funksionon ky kod elektoral, si për shembull, në Francë, atje grupet politike në minorancë, pakicat politike të shoqërisë, duket sikur nuk kanë asnjë mundësi të shprehen si të përfaqësuara politikisht. Por, në fakt, nuk është kështu fare. Në sistemin mazhoritar sigurisht që deputeti që ka shumicën zgjidhet dhe votat në pakicë nuk arrijnë të përfaqësohen. Mirëpo, edhe kësaj ia kanë gjetur zgjidhjen, duke i bërë zgjedhjet me dy raunde.

Në raundin e parë, çdo pakicë politike voton për përfaqësuesin e vet politik që mund të jetë i pavarur ose t’i përkasë një partie politike, kurse në raundin e dytë, pasi njihen të gjitha peshat elektorale të gjithkujt, votuesi në pakicë politike, i negocion interesat e tij me partinë ose kandidatin në shumicë që mendon t’i japë votën. Në këtë mënyrë kandidatët e zgjedhur bëjnë kujdes që të mbajnë parasysh edhe interesat e pakicave politike të zonës të tyre, sepse ata janë të ndërgjegjshëm se nga sjellja politike e këtyre të fundit varet edhe fati i tyre politik në të ardhmen. Në mendimin politik perëndimor është theksuar që një shoqëri e vërtetë demokratike bëhet e qëndrueshme atëherë kur ajo është edhe unike, por edhe kur është e fragmentarizuar politikisht, si shenjë e shprehjes pluraliste të interesave në politikë. Është vendosur në dukje se nga pikëpamja e strukturimit të brendshëm, dy janë rreziqet e mëdha që mund të përjetojë shoqëria demokratike.

Rreziku i parë ka të bëjë me atë që komunitetet politike në pakicë të kthehen në “grupe dhe bashkësi totalitare”. Kjo do të thotë që këto grupe të kenë në brendësi të tyre individë që nuk kanë asgjë të përbashkët me individë që bëjnë pjesë në grupet e tjera shoqërore. Në këtë mënyrë pakicat politike kthehen në segmente përçarëse të shoqërisë dhe rrezikojnë të radikalizohen.

Nga ana tjetër, po aq e rrezikshme, është kur duke injoruar çdo fragmentim social në grupe pakicash politike, shoqëria ndahet në dy kampe politike kundërshtare. Në këtë rast të fundit konflikti politik merr përmasa që mund të jenë ato të një lufte civile, ose paraqitet si një përmbysje nëse grupi i qeverisur fiton përballë grupit në qeverisje.

Në të gjitha rastet, shumica që ka pushtetin synon që përballë saj në garën elektorale apo në përballjen elektorale më mirë të ketë një koalicion që përmban të gjitha ngjyrat politike të fragmentarizuara sesa një front të bashkuar popullor pa ngjyresa politike të fragmentarizuara. Historia na tregon se koalicionet e përbashkëta parazgjedhore kanë formuar një masë elektorale uniforme atëherë kur ka pasur një betejë politike midis qeverisjes dhe masës së gjerë popullore. Kështu ndodhi sidomos në periudhën e rrëzimit të regjimeve totalitare të Lindjes në vitet 1989 dhe 1990.

Tipik sidomos rasti i lëvizjes Solidarnost, që si një lëvizje sindikaliste dhe pastaj si një front politik që bashkoi rreth vetes shumicën e elektoratit polak, iu imponua qeverisjes. Vetëm më pas, Solidarnosti e humbi fuqinë e vet tërheqëse për elektoratin dhe dalëngadalë doli nga skena politike, duke ua lënë vendin partive politike të strukturuara sipas ngjyrimeve politike të veçanta. Edhe në Shqipëri, në vitin 1990, sado që Partia Demokratike, me një program të vetin politik, organizonte mitingje të mëdha në sheshet e qyteteve dhe në mbarë Shqipërinë. Në këto mitingje kishte pjesëmarrës, të cilët mund t’u përkisnin bindjeve dhe pozicioneve të ndryshme politike.

Por, përpara një kërkese masive për demokratizimin e vendit, trupi politik i shoqërisë opozitare kishte një program politik të përbashkët. Ky objektiv i përbashkët përbëhej nga kërkesa për një shtet të së drejtës, për hapje politike të vendit, për integrimin evropian, etj. Në këtë mënyrë lëvizja e pafragmentuar politike, fronti i përbashkët që kishte lënë mënjanë përkohësisht dallimet politike midis forcave që e përbënin pati një energji të rritur politike, dhe përballja elektorale mori më shumë pamjen e një konflikti politik midis popullit dhe qeverisjes.

Një situatë e tillë u krijua edhe në vitin 1997, pas rënies së piramidave financiare. Në sheshe dhe anëmbanë vendit protestonin njerëz që kishin humbur paratë e tyre në këto organizime financiare mashtruese. Pavarësisht se politikisht ishte Partia Socialiste që artikulonte kërkesat kundër qeverisë, njerëzit në sheshe nuk shihnin asnjë dallim politik midis tyre. Ata kishin vendosur një objektiv të përbashkët dhe synonin vetëm arritjen e tij. Edhe në këtë rast u vunë re të njëjtat karakteristika të fronteve të bashkuara të popullit opozitar dhe pastaj edhe të institucioneve përfaqësuese të shtetit:

  1. Radikalizim i kërkesave politike të çastit.
  2. Rritje e energjisë elektorale opozitare.
  3. Beteja politike merr përmasën dhe pamjen e një konflikti midis popullit dhe qeverisë, si i vetmi program që mbetet në fuqi.
  4. Shkalla e përfaqësimit të nuancave politike të shoqërisë te lidershipi politik udhëheqës është relativisht e dobët. Në këtë mënyrë midis institucioneve përfaqësuese të shtetit dhe shoqërisë së fragmentarizuar politikisht ka një mospërputhje të rritur, e cila rrit distancën midis shtetit dhe qytetarit. Ajo që thamë në fillim: shoqëria i ngjan një piramide ku maja e saj, institucionet politike qeverisëse, i largohen gjithnjë e më shumë bazës të saj, qytetarëve.

Të fundit

“Hotelet janë 100% të rezervuar”/ Juglindja destinacioni i preferuar për të kaluar festat

Në Korçë e Pogradec operatorët turistikë bëjnë të ditur se hotelet, bujtinat e shtëpitë pritëse janë të rezervuara ne...

“Ai është e vetmja shpresë”/ Elton Ilirjani ka gjetur djalin e Parashqevi Simakut?

Një tjetër lajm i mirë për këngëtaren e mirënjohur shqiptare, Parshqevi Simaku. Pasi vendosi kontakte me vëllain dhe nipërit, biznesmeni Elton Ilirjani thotë se...

Kafe apo makiato?/ Shkenca i jep fund dilemës, ja cilën duhet të zgjidhni

Kafeja është një nga pijet që konsumohet më shumë në botë dhe në vendin tonë gjithashtu. Për disa njerët kafja është e rëndë dhe zgjedhin...

Bonusi i pranverës për pensionistët, Rama: Po shihet mundësia që të jetë i përvitshëm

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se si rezultat i rritjes ekonomike të vendit, po shikohet mundësia që bonusi i pranverës për pensionistët të jetë...

Hapja e grupkapitullit 6/Marta Kos: Njohje e harmonizimit të Shqipërisë me politikat e BE

Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Rama, Komisionerja për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos përgëzoi vendin tonë për hapjen e grupkapitullit të...

Lajme të tjera

Web TV