Nga Dardan Mustafaj: Na e futën përsëri dorën në xhep!

Nga Dardan Mustafaj

Na e futën përsëri dorën në xhep! 110 milionë euro nga taksat tona do të shkojnë për të shlyer dëmin që shteti jonë i ka shkaktuar investitorit italian Beccheti! Këtu duhet të shtojmë edhe kostot financiare procedurale për avokatët, gjykatën, ekspertët etj… dhe kjo shifër arrin lehtësisht në 120 milionë euro! Pa llogaritur aspektin e dytë të kësaj çështjeje (çështja Valeria Italia) që është ende në pritje të vendimit të Arbitrazhit! Një disfatë e radhës, e cila nuk shkaktoi indinjatën publike dhe interesimin që shkaktoi, fjala vjen, skandali me “vetëm” 40 milionë euro për 2 km Unazë të Re.

Kjo katastrofë për financat publike, për taksat tona, për ne si popull, shkoi pothuajse në heshtje… Përse kjo indiferencë? Ndoshta është simptomë e gangrenës që po kalb shoqërinë tonë gradualisht. Si shqiptarë po përballemi me një inflacion shifrash në denoncimet e abuzimeve, tenderëve dhe skandaleve.

Dita-ditës skandali ndjek këmba këmbës skandalin dhe, me sa duket, u mësuam si popull, nuk na bën më përshtypje. Milionat e eurove kanë humbur kuptimin, janë kthyer në koncepte, mbase edhe thjesht në letra tashmë. Ndoshta jemi pajtuar me faktin që si popull duhet të kënaqemi me kockat që na hedhin.

Thela, “pjesa e luanit”, i takon tjetërkujt, nuk është kurrë për ne. Kur harxhohet mbi 1 milion euro për të lyer Ministrinë e Arsimit, 20 milionë euro për 1 km autostradë, qindra milionat e inceneratorëve, check-up etj… 1,2 mld euro për Milot-Fier, ndoshta kalohet në anën tjetër të pasqyrës dhe anormaliteti kthehet në normalitet. Ndoshta si shoqëri jemi mësuar me të keqen, jemi përshtatur dhe e kemi pranuar si një funksionalitet të sistemit që kemi ndërtuar dhe nga dëshira për ta luftuar kemi kaluar në indiferencë.

Mirëpo, indiferenca ndaj të keqes në një shoqëri çon pashmangshëm në krijimin e modeleve negative të suksesit, ku i zoti është ai që pajtohet, bashkëpunon dhe përfiton nga e keqja, duke thelluar kalbëzimin e shoqërisë. Prandaj, për t’u shkundur nga kjo indiferencë, le të vendosim sado pak në kontekst çfarë përfaqësojnë këto 110-120 milionë euro në botën reale. Me kaq para mund të kishim krijuar një skuadron prej 4 avionësh modernë të gjeneratës së fundit F-16 ose JAS 39 Grippen.

Një veprim i tillë do të siguronte jo vetëm një mbrojtje më të sigurt të vendit tonë, por edhe ngritjen e krenarisë kombëtare të bjerrë kur shohim që forcat tona ajrore nuk kanë as edhe një avion reaktiv në shërbim aktiv, apo ndonjë tank modern. Do të na mundësonte diplomacinë ushtarake, ku në këmbim të pjesëmarrjes tonë në krah të një aleati, do të mund të gëzonim mbështetje më të fortë për mbrojtjen e interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve në vend dhe më gjerë. Shkurt, të na e kishin nevojën.

Mbi të gjitha, do të ngjallte një respekt më të madh tek ata që e shohin vendin tonë si të dobët dhe ka një rregull që është konfirmuar historikisht në gjeopolitikë: dobësia është thirrje për t’u sulmuar (“weakness calls for aggression”). Edhe sikur të mos dëshironim ngritjen e aftësive tona ushtarake, por të privilegjonim industrinë apo ekonominë, me aq para mund të kishim ndërtuar 4 hidrocentrale si ato të Ulzës, Shkopetit, apo Bistricës.

Mund të kishim ndërtuar aeroportin e Vlorës dhe me kusurin do të kishim blerë edhe një ose dy avionë pasagjerësh. Mund të kishim ngritur një fabrikë për prodhimin e pjesëve të makinave elektrike, ose ngritur në të gjithë vendin infrastrukturën e nevojshme karikuese që automjetet elektrike të mund të përgjithësohen më në fund. Kur mendon që një makinë elektrike standarde sot mund të udhëtojë, me një karikim, në një distancë prej afro 200 km, është absurde se si vendi ynë, me distanca mesatare ndërmjet Tiranës dhe rretheve prej 150 km, vijon të jetë i varur nga nafta!

Ulja e varësisë nga nafta do të rriste pavarësinë e Shqipërisë në arenën botërore dhe do ta çlironte vendin nga burimi i korrupsionit, kontrabandës dhe vjedhjes, në të cilin është kthyer tashmë ky produkt. Kjo humbje bëhet edhe më revoltuese kur sheh që ne, si qytetarë, që jemi të parët që dëmtohemi nga ky vendim, na mohohet mundësia për t’u njohur me vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit pasi, sipas thënieve të qeverisë, “qenka konfidencial”! Mashtrim haptazi!

Lexo edhe :  Një debat për patat dhe një dëshirë evoluimi dhe për PD-në

Neni 48, paragrafi 5 i konventës së ICSID-së e kushtëzon botimin e vendimit të Arbitrazhit me pëlqimin e palës, pra është qeveria jonë që nuk dëshiron që ky vendim të botohet! Kjo gjë është thellësisht antidemokraktike! Si qytetarë të këtij vendi gëzojmë lirinë e shprehjes, e cila si në Kushtetutën tonë (neni 22), por edhe në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, parashikon jo vetëm të drejtën për të dhënë informacione, por edhe të drejtën për të marrë informacione! Prandaj, si Gjykata jonë Kushtetuese, ashtu edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kanë vendosur që liria e shprehjes është guri i themelit të një shoqërie demokratike.

Dhe kuptohet, nëse ne si qytetarë nuk mund të marrim informacion rreth punës dhe veprimeve të atyre që na qeverisin, atëherë si mund të votojmë? Si mund të mbajmë përgjegjës ata që na qeverisin? Të votojmë qorrazi? Në mungesë të informacionit mbi substancën dhe meritat e gjithsecilit, ngelet vetëm aparenca për të gjykuar qeveritarët dhe besoj këtu është synimi. Duhet që ne të vendosim se kush do të na qeverisë duke u bazuar në testin se kush flet më bukur, apo duket më bukur. Ata që kërkojnë të gjykojnë mbi thelbin janë të këqinjtë. Na serviret gjella e ftohtë që u servirej deleve këtu e 70 vjet më parë në “Fermën e Kafshëve” të George Orwell-it.

Të jemi të qartë, udhëheqësit tanë kanë ngritur një sistem ku votimet po kthehen në formalitet si dikur, ku udhëheqësit kanë nevojë për popullin vetëm sa për të noterizuar plotfuqinë e tyre! Këta udhëheqës janë aq të shkëputur nga populli, saqë edhe kur e kishin humbur gjyqin, deklaronin në televizion me arrogancë që nuk do të paguajnë “asnjë kokërr leku”, duke harruar që këtë e bëjnë me vendimet e gjykatave shqiptare, por zor se e bëjnë me ato ndërkombëtare. ICSID-ja, që ka dhënë vendimin, është pjesë e Bankës Botërore, dhe një vendim i tillë, në zbatim të rregullave të ICSID-së, është i barabartë me vendimin e gjykatës më të lartë të çdo shteti që është antar i Bankës Botërore.

Ndaj, edhe nëse Shqipëria do të ndërmerrte hapin e çmendur për të mos paguar “asnjë kokërr leku”, ky vendim është menjëherë i ekzekutueshëm praktikisht të gjithë botën, dhe Beccheti jo vetëm që do të marrë paratë e tij, por reputacioni dhe besueshmëria e shtetit tonë do të degradonte edhe më shumë, duke rënduar edhe normat e interesit për huatë që marrim në tregjet ndërkombëtare dhe rrënuar më tej ekonominë.

Tanimë jemi në kohën kur duhet të paguajmë faturën dhe të bëjmë bilancin: çfarë përfituam në këmbim të 110-120 milionë eurove? Kush mban përgjegjësi për këtë humbje katastrofike për financat tona? Kush janë ata që me shkeljet e tyre na çuan një hap më larg aeroportit të Vlorës, shkollave, spitaleve, fabrikave të reja? Kush janë ata që na çuan një hap prapa, në skëterrë dhe skamje? Këtë pyetje, me guxim, e shtroi publikisht edhe Konfindustria, para pak ditësh.

Kodi Penal parashikon që prokuroria ose SPAK-u mund të fillojë hetimet edhe kryesisht, për fakte me të cilat njihet nga media apo publiku. A e kanë bërë një gjë të tillë? Po Avokatura e Shtetit përse nuk e boton vendimin e Arbitrazhit të ICSID-së, që të mund të njihet publiku me arsyet e kësaj disfate dhe varfërimi? Të njihemi me shkaktarët?

Meqenëse këto institucione po i fshihen përgjegjësisë, atëherë na takon neve, si qytetarë që të bëjmë detyrën tonë, duke i dërguar një letër SPAK-ut dhe kërkesë Avokaturës së Shtetit, për të kërkuar atë që na takon: të drejtën e informimit me vendimin e ICSID-së dhe hetimin e këtij rasti për të nxjerrë përgjegjësitë.

Nëse bëhemi qindra apo mijëra qytetarë që ngremë zërin për zbulimin e të vërtetës, Avokatura e Shtetit dhe SPAK-u nuk do të mund ta bëjnë gjatë veshin të shurdhër! Të mos pajtohemi me indiferencën, të gjithë mund të hartojmë një faqe letër dhe ta dërgojmë me postë. Edhe nëse këto letra do të priten me indiferencën me të cilën përballemi ne sot si publik nëpër institucione, të paktën do të kemi bërë detyrën si qytetarë të këtij vendi.