Miratohet “5 qershori”, listat e hapura sërish në tryezën e KP-së

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Miratimi i marrëveshjes së 5 qershorit në Kuvend nuk e ka shuar konfliktin politik, pasi debati mbetet i hapur për listat e hapura. Këshilli Politik u mblodh sërish dje në darkë, por nuk është gjetur një dakordësi dhe opozita jashtëparlamentare kërkon kohë për diskutimin e ndryshimeve kushtetuese.

 Nga Blerina Gjoka

“Një votë pa zemër” e cilësoi Edi Rama votën e djeshme në bllok të mazhorancës që ai drejton në Kuvend për marrëveshjen politike të 5 qershorit. Kjo marrëveshje, e përkthyer në ndryshimet e Kodit Zgjedhor që përcaktojnë kuadrin ligjor të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, mori 97 vota, nga 84 që i duheshin për t’u miratuar, edhe pse prej 1 muaji e gjysmë Rama nuk e hidhte në votim, pasi i frikësohej votës kundër të opozitës parlamentare.

Votimi i reformës zgjedhore, në fakt, nuk e ka mbyllur diskutimin për këtë çështje, pasi një nismë tjetër ligjore, e ndërmarrë nga PS-ja dhe opozita parlamentare, synon të ndryshojë Kushtetutën për sistemin zgjedhor, duke hapur listat e kandidatëve dhe riformatuar koalicionet. Kjo nismë që do të kalojë për votim pas një jave, nuk e ka konsensusin politik të gjithanshëm, si marrëveshja e 5 qerhsorit që u miratua dje.

Opozita jashtë Parlamentit dhe që njihet si opozita e e vërtetë në vend, nuk e ka pranuar këtë ndryshim, por ajo ka pranuar të ulet në tryezën e diskutimit në Këshillin Politik. Votimi i marrëveshjes u mbyll me rezultatin 97 vota pro, 6 kundër dhe 4 abstenime.

Votimi i marrëveshjes

Kryeministri Edi Rama ka mbizotëruar protagonizmin e djeshëm në seancën plenare ku po miratohej kodi i ri zgjedhor, sipas dakordësimit të të gjitha palëve në tryezën e Këhsillit Politik. “Vota e 5 qershorit nuk është votë zemre, por mendjeje.”- tha Rama para votimit, duke theksuar se “sot do të shtypim butonin për Lulzim Bashën“, referuar votës së tij në Kuvend dhe më “30 korrik do të shtypim butonin për veten”.

Kryeministri tha se më 30 korrik 2020, Kushtetuta do të ndryshojë dhe se listat do të hapen, dhe se për këtë qeveria shqiptare ka për detyrim vetëm t’i vërë në dijeni ndërkombëtarët, por jo të jetë e kushtëzuar prej tyre. “Se i hapim apo jo listat, këtë e vendosim ne”, – tha Rama dhe i ra tavolinës me grusht për t’i dhënë deklaratës së tij një përforcim më të madh. Një hapje dhe ndryshim që, sipas Ramës, nuk është në interesin e PS-së. Gjatë fjalës u kujdes që të dërgonte mesazhe “pajtimi” edhe mes socialistëve, kur tha se në 30 vite PS-ja është e vetmja parti që ka toleruar dhe është vetëlënduar duke marrë përsipër kosto e përgjegjësi për vendin, dhe akuzoi PD-në se ka disa momente kur ka punuar kundër interesit kombëtar.

Deputeti i opozitës së re, Myslym Murrizi, nuk e votoi marrëveshjen dhe në fjalën e tij ka zbuluar ndarjen e votave duke thënë se janë 74 deputetë nga mazhoranca dhe 23 nga opozita parlamentare që kanë votuar pro marrëveshjes së arritur nga Këshilli Politik për Kodin e ri Zgjedhor. “E vetmja deklaratë e sinqertë këtu ishte se keni shtypur butonin për Lulin. Shyqyr që 74 deputetë nga ju, 23 nga krahu tjetër i kanë dhënë 97 vota pro marrëveshjes së 5 qershorit. Kodi zgjedhor është një kod që u hyn në punë shqiptarëve. 5 qershori u hyn në punë vetëm politikanëve. Kodi Zgjedhor dhe 5 qershori janë larg njëri-tjetrit. 5 qershori është noterizim i 21 prillit të vitit 2008.”- tha ai.

Lexo edhe :  Kritikat e opozitës për Butrintin, Rama ironizon: Thonë se kemi përfituar para

“Listat e Hapura” – debati vijon

Tryeza e Këshillit Politik ka vijuar diskutimin dje pasdite pa praninë e kryeministrit Edi Rama, i cili dy ditë më parë e cilësoi të ezauruar misionin e këtij organizmi. Por, edhe pas presionit të ndërkombëtarëve që diskutimi të vijojë, ka vazhduar me formatin e mëparshëm të përfaqësimit që të diskutojë ndryshimet kushtetuese që lidhen me sistemin zgjedhor. Tryeza ka përfunduar pa ndonjë konsensus, edhe pse ky konsensus duhet gjetur në një afat kohor të shkurtër, deri më 30 korrik. Mazhoranca dhe opozita parlamentare kanë caktuar datën 30 korrik për votimin e këtyre ndryshimeve, por opozita jashtëparlamentare ka kërkuar më shumë kohë për një çështje kaq të rëndësishme.

Pas tryezës pozicionimet e kundërta të palëve ishin të dukshme. Përfaqësuesi i mazhorancës, Damian Gjiknuri, deklaroi se opozita nuk është dakord që të flasë për listat e hapura në Këshillin Politik. Krejt të kundërtën deklaroi përfaqësuesi i LSI-së, Petrit Vasili. Ai tha se opozita e bashkuar ishte njohur me çështjen e ndryshimeve kushtetuese para dy ditësh, ndërsa afati kohor i lënë në dispozicion ishte 6 ditë. Sipas Vasilit, Kushtetuta nuk mund të ndryshojë në 6 ditë.

“Një çështje tjetër që është hedhur në Këshillin Politik kanë qenë dhe ndryshimet kushtetuese. Kanë të bëjnë me të ashtuquajturat lista të hapura. Propozimi, fakt i kryer, është depozituar para 2 ditësh në Këshill. Dhe ky diskutim është imponuar të kryhet brenda 6 ditësh. Nëse për kodin elektoral, marrëveshjen e 5 qershorit, u deshën 6 muaj, kërkohet që Kushtetua e vendit të ndryshohet për 6 ditë. Këshilli Politik dhe opozita në Këshill mbetet e palëkundur që të diskutojë çdo çështje, por pa logjikën e faktimit të kryer, pa trysni dhe duke i dhënë hapësirë debatit. Keni parë që në emër të popullit, të vullnetit të tij, flasin hajdutët e votave të popullit.” – tha Vasili.

Përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi, akuzoi maxhorancën se kërkon t’u heqë mundësinë shqiptarëve që të votojnë një ofertë publike, pasi duan pazare me dyer të mbyllura. “Opozita, siç kishte deklaruar, zbatoi atë pjesë tjetër të marrëveshjes së 5 qershorit për trajtimin e rekomandimeve të ODIHR-it, çështjet që lidhen me shitblerjen e votës dhe çdo vepër penale që dëmton zgjedhjet.

Një paketë që sot u dakordësua. Ajo që është miratuar këtu, duhet miratuar pa ndryshime. Kjo nuk e përmbyll marrëveshjen e 5 qershorit, sepse është dhe një çështje tjetër për depolitizimin e administratës zgjedhore. Ata kërkojnë që t’u heqin mundësinë shqiptarëve që të votojnë një ofertë publike të partive politike, pasi duan të shkojnë te pazaret me dyer të mbyllura”, deklaroi Bylykbashi.  /Ra.My.Fjala.al/

 

Të fundit

Sot, tetë vite nga ndarja nga jeta e Dritëro Agollit

Sot shënohet 8-vjetori i ndarjes nga jeta të shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli. Kolosi i letërsisë shqiptare u shua në...

Beyonce bën historinë, fiton Grammy për albumin e vitit, çmimi që i mungonte

Beyoncé ka shkruar një tjetër faqe në historinë e muzikës, duke fituar për herë të parë çmimin Grammy për Albumin e Vitit, një nga...

“Ngrijnë” monedhat e huaja/ Kursi i këmbimit, 3 shkurt 2025

Sot, më datë 3 shkurt 2025, në tregun valutor, euro blihet me 98.6 lekë dhe shitet me 99.7 lekë. Dollari amerikan blihet me 95 lekë...

Frika nga tërmetet, njerëzit blejnë biletat e avionëve për t’u larguar nga Santorini

Aktiviteti sizmik i dy ditëve të fundit ka shkaktuar panik te banorët dhe turistët në ishullin e Santorinit, duke nxitur shumë prej tyre të...

Lajme të tjera

Web TV