Nga Luftar Cakrani
Përse dhe pas 100 vjetësh ju tremb lavdia e komandantit të luftës së Vlorës Qazim Koculi?
Pas disa ditësh do festohet 100 vjetori i luftës së Vlorës. Në kujtim të kësaj ngjarje ndoshta nga më të rëndësishmet e historisë së Shqipërisë, përgatitjet kanë nisur prej muajsh, ndoshta në fillim të vitit nga ku është ngritur edhe një komision për organizimin dhe mbarvajtjen e kësaj ngjarjeje, i cili drejtohet nga prefekti i Vlorës Z. Flamur Mamo. Në këtë shkrim nuk kam për qëllim të flas si nisi dhe çka ndodhi në ato 3-4 muaj të nxehtë që pas ngjarjes më të madhe, Kongresit të Lushnjës, filloi menjëherë organizimi për Luftën e Vlorës, dhe nga ku ndodhi ajo që nuk parashikohej, mposhtja dhe kapitullimi një ushtrie prej 25 mijë trupash. Por në këtë shkrim dua të sqaroj dhe të vë në dukje rolin e ideatorëve dhe strategëve ushtarakë të kësaj lufte, që qëllimisht nga historia komuniste por edhe nga pseudo historianë të sotëm që gradat dhe titujt shkencorë i kanë mbrojtur pikërisht nduke hedhur baltë dhe transkuruar personazhet e rëndësishëm, jo vetëm të luftës së Vlorës por të tërë Shqipërisë.
Organizimi i centralizuar
Lufta e Vlorës pati një organizim të centralizuar që nënkupton kishte shtabin e saj nga ku dilnin urdhërat dhe të gjitha vendimet, për tu zbatuar më pas nga komandantët e çetave, që përfaqësonin krahinat e ndryshme. Komandanti apo siç thuhet nga bashkëkohësit truri i kësaj lufte dhe i fitores ndaj një ushtrie shumë herë më e madhe dhe organizuar, ka qënë padyshim Qazim Koculi, i cili pas tërheqjes së Majorit Ahmet Lepenica gjashtë ditë pasi filloi lufta, si ushtarak mori në dorë drejtimin e luftës.
Qazim Koculi, djali i Muhamet Koculit i lindur në fshatin Kocul, mbaron shkollën fillore turke (ibtidaje) dhe më pas atë plotoren (ruzhdije) në Vlorë, ku u dërgua në Stamboll në shkollën detare (ters hane), dhe prej andej hyri në marinën turke. Jetën politike e nisi më 1920 me Kongresin e Lushnjës, jo si pjesëmarrës në të, por më pas si Senator duke përfaqësuar Vlorën. Përpara nisjes së Luftës së Vlorë ai ishte nënprefekt i Tepelenës. Kjo i dha mundësinë që ky ta zgjeronte shumë veprimin administrative, njëkohësisht dhe politike, por këtë të fundit fshehtas dhe pa u kuptuar prej armikut. Merret vesh më parësinë, shton e zgjon shpresat e një lirimi nga zgjedha e huaj.
Shtylla e fortë e tij në nënprefekturën e Tepelenës është Ahmet Tuhrani, kryetar i teqes bektashiane në Turan. Qazimi Koculi duke shfrytëzuar miqësinë me Baba Turanin, se sipas zakonit në teqetë bektashiane venin e vinin plot njerëz pasi ato ishin shumë mikpritëse, kështu që në këtë mënyrë ndanin mendimet e ndryshme. Duke përfituar nga kjo Qazimi ngriti një rrjetë në të gjithë Labërinë e Tepelenës. Por në Kurvelesh të Sipërm nuk kishte nevojë, pasi atje ndodheshin dy burra, dy vëllëzër, dy patriotë, si rrallë njërëz Kulveleshi: Riza dhe Vehip Runa.
Strategjia e Koculit
Në Vlorë sofra ishte e shtruar dhe përgatitur me kohë por, Qazimit i duhej t’i afrohej parësisë konservatore, me plot njerëz të gjallë, të zgjuar dhe krenarë me një të shkuar plot lavdi. Në qytetin e Vlorës e përkrah Qazim Kokoshi, si dhe afrohet me Ali Beqirin, Duro Shaskën, Shero Eminin, Osman Haxhinë apo Alem Mehmetin. Pas kësaj Qazimi Koculi tepër enigmatik në veprimet e tij të nëndheshme, shton aktivitetin e tij, duke përfituar dhe nga posti administrativ që ushtronte, ku shkon në fshatrat e Vlorës si për punë zyrtare dhe aty takon Hysni Shehun, Rexhep Sulejmanin, Shero Emionin, Mane Aliun etj.
Gjithashtu kryen takime në Gjirtokastër, Përmet dhe Korçë duke u bërë kështu zëri Vlorës. Këtu përfaqëson mendimet e atyre që përmendëm më sipër dhe në Vlorë sjell mendimin e patriotëve të qarqeve të tjera të vendit. Pas Kongresit të Lushnjës kthehet fuqishëm, kordinon veprimet përgatitore në mënyrë që kur të nis lufta, çdokush të jetë në vendin e duhur dhe vepron në një koherencë organizative të rrallë.
Pas arsyeve që përmendëm, merr në dorë drejtimin si Komandanti i luftës dhe drejton atë deri në një fitore, unike në historime. Qënia e veprimtarisë së Qazim Kozulit enigmatik si natyrë, nxori papritur në pah që ai ishte një njeri i zgjuar, energjik, trim, organizuas si askush, ku qysh në fillim hartoi një plan dhe e vuri në veprim. Por të zgjuar ishin të gjithë ata burra e prijësa të asaj kohe, trima të provuar e të njohur ndoshta më shumë se Qazim Koculi. Por për të vënë një plan në veprim duhen mjete të shëndosha si armë morale ashtu edhe materiale, prestigji madh në të kaluarën, qoftë e fituar me zotësi vetjake, qoftë e trashëguar si familje e madhe, pasuri, lidhje familjare, oratori e fuqi bindëse të fjalës, ndoshta edhe një parti që mban e të shtyn e t`i vë gjitha mjetet nën urdhër.
Qazimi nuk kishte asnjë prej tyre, armët e tij ishin, përveç trimërisë dhe energjisë që si mungonin as atij as shokëve të tij, psikologjia e thellë dhe mendimi i shpejtë, dhe veprimi i rrufeshëm. Ishte si të thuash një psikolog i përsosur, ku i kuptonte mendimet e prapamendimet e të tjerëve pa hapur ata gojën, përllogariste shpejt objektivin dhe godiste atje ku duhet. Çdo lëvizje strategjike e Qazim Koculit shfaqej e rrezikshme si për të, ashtu edhe për shokët dhe mbështetësit e tij, thënë kjo duke patur parasysh fuqinë ushtarake dhe burimet e informacionit të fshehtë të armikut, që ishin shtrirë në të gjithë zonat e influencës së tyre.
Dëshira për liri
Po çfarë e shtyti, kush e futi Qazimin në këto veprime të rrezikshme? Ajo ishte një ndjenjë e cila i shtynte të gjithë: patriotizmi dhe dëshira për liri, për të qënë zot në atë vend që kishin qysh varrezat e të parëve. Por dhe diçka më tepër nga të tjerët: ambicja për aspiratat më të larta, të cilat i ndiente fuqishëm në veten e tij. Kjo bindje, kjo vetëdije dhe aspak fama e mëvonshme, nuk ja mjegulluan mendjmin njerëzor, por mbeti gjithnjë ai me sjellje serioze të thjeshta, rigoroz dhe i përkushtuar, duke u kujdesur të mos përdorte komplimente për të tjerët, natyrshëm as vetëlavdërim, qoftë me fjalë, sjellje ose qëndrim.
Qëndrimi që është mbajtur ndaj tij, si gjatë diktaturës por edhe pas viteve 1990 nga historiografia e shkruar por jo vetëm ndaj figurës së Qazim Koculit, ka qënë me tendenca thellësisht politike, baltosëse, errësuesë, deri në kriminale, e bërë kjo nga të ashtuquajturit “historianë” që karrierën e tyre pseudoakademikle e kanë ndërtuar me temat duke mbrojtur krimin dhe lartësuar kriminelët. Kjo frymë po vazhdon ende sot shumë më fuqishëm ndaj komandantit të Luftës së Vlorës Qazim Koculi.
Edhe pas një shekulli diçka i shqetëson pseudohistorianët dhe të gjithë që e nxijnë veprën e tij të pamatshme luftarake e politike në shërbim të atdheut; Ajo e ka emrin lavdi, që gjigandët me kokën tek retë nuk mund ta kërkojnë kurrë nga llumi i historisë së një kombi, pasi ky i fundit vetëm të bëj pis, ka si mission. Kjo sjellje thellësisht diskriminuese ndaj komandantit të padiskutueshëm të luftës së Vlorës, Qazim Koculi po reflektohet ende sot pas 100 vjetësh nga ata që kanë marë përsiper të organizojnë dhe të promovojnë personazhet e luftës së Vlorës, Emri komandantit Qazimi Koculi nuk figuron fare në listën e atyre që do të nderohen qoftë me buste, qoftë me dekorata, apo vlerësime të tjera, sepse kështu kanë vendosur historianët bashkë me shokët e partisë…
Gjithsesi Qazim Koculi dhe emri i tij është i pazgjidhshëm si me luftën e Vlorës ashtu dhe me historinë e Shqipërisë sepse ai i shërbeu vendit të tij, pa kushte dhe siç tregojnë edhe bashkëkohësit, atij nuk i pëlqenin lëvdatat, pasi edhe ai vetë thoshte: “Jemi të gjithë shërbestar të kombit, dhe si të tillë për të nuk duhet të kursejm as jetën”./Bl.Ba/Fjala.al