Pogradeci, krismat e kallashit që “prishin” turizmin e paqtë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Fundjava e paqtë në qytetin e luleve dhe të liqerit. Atmosfera në ditët e ftohta të gushtit. Turizmi gjithëvjetor dhe çmimet që ofron oazi juglindor

Nga Leonard Veizi

Çadrat kanë ulur kokën në plazhin e Pogradecit. Temperaturat që në vendet e ulëta e bregdet vazhdojnë të bëjnë namin nën togfjalëshin e “të nxehtit afrikan” në juglindje të Shqipërisë janë ulur ndjeshëm. Ditët e plazhit padyshim që do kthehen në Pogradec, por banjat në ujin e ëmbël të liqenit mbeten me risk. Fundjava e dytë e gushtit nuk ishte aspak premtuese për pushuesit që zgjedhin në vazhdimësi këtë oaz për të kaluar ca ditë të qeta. Por gjithsesi, ata e dinë që Pogradeci është një vend me mundësi të kufizuara për plazh, që në totalin e tyre përbëjnë vetëm 45-50 ditë. Por gjithashtu, ky qytet i njohur ndryshe dhe si “qyteti i luleve” është nga të rrallët, i cili pret turistë në çdo ditë të vitit…

… “Gusht e gunë” nuk është thjesht një shprehje popullore, reminishenca e të cilës na çon në vite dritë prapa. Ajo mbetet aktuale, sepse me sa duket, qenka vërtetuar katërcipërisht se mesi i këtij muaji, plus-minus pesë ditë, po ia shkrepi moti e ranë ca pika shiu, deti e liqeni nuk e marrin veten më. Në fakt, specifikisht liqeni, sepse deti është ca më ndryshe dhe gjithçka varet nga kalimi i rrymave nënujore. Në fundjavë shi ra edhe në Tiranë, por kjo vetëm sa e ndezi më tepër atmosferën. Por shiu në Pogradec të plevitos.

Drejt juglindjes

Këtë fundjavë zgjodhëm Pogradecin për weekend. Buletini meteorologjik nuk tregonte ndonjë shenjë të mirë, por unë u sugjeroj familjarëve të marrin rrobat e banjës, sepse s’i dihej, po të na mbushej mendja kridheshim nga një herë në gjol e rruga nuk na shkonte bosh. Gruaja, disi më pragmatiste se optimizmi im i pakuptimtë, bëri të ditur me zë të lartë, – që të mos thoshim se nuk e kishim dëgjuar, – se po paketonte dhe ca veshje me mëngë të gjata. Unë tunda kokën, i mësuar tashmë me këtë alarm të përhershëm, dhe përsëri ngulmova te rrobat e banjës. “Qeni qepën ta hajë profesor, kemi ardhur për plazh dreqi ta marrë” – m’u kujtua batuta e shkruar nga Teodor Laço tek komedia brilante “Shi në plazh”, ku kasapi Çome u zhyt të lahej në det i mërzitur nga ditët e gjata të shiut në mes të verës.

Që në pikë të mëngjesit, të sikletosur nga vapa e kryeqytetit marrim rrugën. Andej afër Librazhdit ndalemi të marrim frymë. Unë i fus një “paçe-pilaf” duke u justifikuar në sy të kalamajve se këtë punë bënin shoferët e ngarkesave të mëdha kur merrnin rrugët e gjata e të vështira.

– Po ne në Pogradec po shkojmë, – më thotë vajza, duke më lënë të nënkuptuar se kishim dhe nja një orë rrugë për të mbërritur në destinacion dhe se tek e fundit unë nuk isha as shofer i ngarkesave të mëdha, sepse në bagazh të makinës kishte veç një valixhe e një çantë sporti mbushur me rroba vere e dimri bashkë.

Duke zbritur Qafën e Thanës, si bëmë një fotografi tek pika dominante nga dukej dhe liqeni, e pamë të udhës të mos e ndiznim më kondicionerin e makinës. Temperaturat nuk ishin si ato të Tiranës kur kishim dalë më mëngjes. Aty mishi na u bë mornica.

Rruga prej 18 kilometrash buzë liqenit e bënte dhe më relaksues udhëtimin. Hoteli ku bujtëm edhe më shumë.

– Keni turistë të huaj? – pyes administratorin, i ngacmuar nga gjuhët e gërshetuara që dëgjoja andej- këtej.

– Gjithmonë e më shumë të huaj, – ma kthen ai me një ndjenjë kënaqësie. – Situata nuk është ajo që duhet, por turistët nuk na kanë braktisur.

Bukuri, them me vete.

Dalim të pimë një kafe. Vjen fatura bashkë me një gotë uji kristal, çmimi 50 lekë. S’e besoj ta kenë nga prishja e motit, mërmërita, gjithsesi jo fort i habitur. Natyrisht. Në juglindje nuk ka çmime si andej nga jug-perëndimi. Në Tiranë të rrasin një bidon uji 80 lekësh, nëse të shkon në mendje të kërkoj ujë Boville pa para.

Pelegrinazhi

Për drekë preferojmë të shkojmë andej nga Tushemishti. Volorekën e anashkalojmë vetëm me një shëtitje spontane. Nuk kishim nge as të shëtisnin me varka kësaj here. Rruga dytësore që të çon deri në Volorekë është shtruar për mrekulli. Le që i bëri reklamë ai i gjati, ku një dron me kamera vërdallosej nga sipër e mund ta shihje “Poradecin si në pëllëmbë të dorës”. Por ne proferuam të merrnim rrugën buzë liqenit.

Zhgënjim total. Vazhdonte të ishte asfalti që kishte hedhur “xhaxhi”, kur shkonte me pushime në Drilon, 1 korrik-31 gusht. Ishte periudha kur Pogradeci e Korça “ngopeshin” duke parë kanalet italiane, se ngrihej repetitori, pasi udhëheqësi informohej nëpërmjet lajmeve të RAI-t. Tani s’ka më nevojë. Internet “pa kufi” kudo që hidhje këmbët. Vetëm se rruga për në Volorekë e deri në Tushemisht ishte gjithë gropa. Hajd mo, 5 minuta gjë. Nuk prishej gjithë ai qejf për një fletë pras.

Tushemishti është rregulluar mirë. Gjynah ta quash fshat. Tani… as qytet nuk është. Por gjithsesi e ka një status të veçantë. Vetëm ca shtëpi të vjetra e të pambajtura, si magazina kooperative në të dalë të tij, kanë mbetur si në vitet ’80. Po dhe këto duket sikur qëndrojnë në këmbë vetëm për të thyer syrin e keq. Pjesa tjetër duket si e vizatuar me dorë. Ujët kristal rrjedh tek kanali ku Ollga hodhi Malon me këmbë përpjetë. “Më more më qafë moj Ollgë, më more më qafë… Po të paktën mos harro premtimin në qoftë se të kam sjellë sihariqin”. Gjithçka lidhet me episodet e filmit aq të njohur të regjisorit Piro Milkani me skenarin e Ruzhdi Pulahës. Një mik, që kishte bërë një tur në Francë e kishte shkuar nja dy ditë dhe në San Tropez, më tregonte se në qytetin e vogël francez buzë detit Mesdhe, gjithçka lidhej me aktorin e madh të humorit Lui de Fyne, dhe me personazhin e tij policin Krysho, vetëm e vetëm sepse seriali i famshëm ishte luajtur në atë qytet.

Lexo edhe :  SPAK-u nis kundërsulmin!

Voloreka e Tushemishti duken si vend pelegrinazhi. Në çdo çep mund të bëje foto dhe nuk dilje bosh. Aty te “teto Ollga” një tabelë të ftonte: “Kanë shitur gomerët e kanë blerë biçikleta”. Edhe aty shkrepet një resme para se të merrje në konsideratë lakrorin e trevës. Pak më tutje mund të blesh libra gjithëfarëllojesh dhe piktura me pamje nga qyteti.

– Vazhdojnë blihen libra? – pyes unë, sepse prej disa kohësh më është dukur sikur tregu i librave ka marrë fund.

– Blejnë që ç’ke me të, njerëzit me pushime janë edhe do lexojnë, – ma kthen shitësi ambulant.

E marrim një libër sa për nishan, edhe pse biblioteka imë është gati të bjerë të tokë nga pesha. Gjende mirë, thashë se kishin harruar të lexonin. Jo, se po të mos lexosh nja gjashtë muaj a një vit, duhet të rifutesh në testim, të japësh provim abetaren. Se me siguri do çedosh në ndonjë faqe a ndonjë germë. Nuk po flas për gjuhën se aty s’ka burrë që e kalon testin.

Ulemi tek një restorant ku mezi e gjejmë një tavolinë bosh. Gatime të zonës janë që të lëpije gishtat dhe vijnë bashkë me një faturë ekonomike që e paguaje me qejf të madh. Ky është turizëm.

Kthehemi në hotel. Hapim televizorin të njihemi me të rejat e ditës. Këtë herë titrat nuk njoftonin për Covidin. Lajmet na bënin të ditur se diku andej nga Tushemishti kishte kërcitur kallashnikovi.

-Qyqja, – ia pat gruaja, – po ne aty ishin si nuk dëgjuam gjë.

Se mos vetëm ne. Aty vetëm hahej e pihej, kush ia kishte ngenë kallashit.

Lajmi pasardhës jepte pikën e ngjarjes, m’u në qendër të fshatit. Vetëm se disa orë përpara se ne të mbërrinim atje. Pra në orën 04.40 të mëngjesit.

“Ç’bohet kshtu mor jahu, kallashnikov dhe në Pogradec, pse s’thu”, fola me vete duke shqyer sytë.

-Epo kështu ëhstë kur e ke mendjen tek tava e peshkut, e i shkon rrezikut m’u te tenxherja – i kthej unë, që në ato çaste vetja po më dukej si UFO. Le po jemi dhe çift gazetarësh, unë dhe ime shoqe. Dhe gazetari shkon atje ku është lajmi. Ne ishim m’u në vatrën e lajmit dhe aha… Gjithsesi ishim jashtë shërbimit, sa për justifikim jo për gjë. Dhe vazhdova të justifikohem dike thënë: – Shyqyr që qenka ndarë mirë kjo punë, pa viktima.

Kallashi i Tushemishtit harrohet sakaq. Nis Covidi. Të prekur, viktima, të intubuar… Ky është se ç’është. Të keqen e kallashit. Duket si lodër për Vitin e Ri.

Epilogu

Në darkë marrim shëtitoren pranë liqenit. Kallaballëk i madh. Ngjasonte me “Dëshmorët e Kombit” të para viteve ’90. Jo thjesht nga turma e njerëzve, por nga të njohurit e shumtë. Tako njërin, përshëndet tjetrin… “Paskeni ardhur me pushime, o sa mirë. Edhe ne… ja ashtu”. Më dukej sikur isha te “Komuna e Parisit”. Tirana kishte zbarkuar në Pogradec.

Natën flemë si qengja, me bluzë më mëngë të shkurtra dhe mbuluar me një batanije. Ka nja katër muaj që nuk e kam provuar këtë ndjesi.

Mëngjesi gdhin me pak më shumë diell. Liqeni dukej më i qetë krahasuar me një natë më parë kur ishte egërsuar, e përplaste dallgët si në një fortunal detar.

Rituali i parë i mëngjesit: kafeja. Vjen fatura: 50 lek. Fëmijët si fëmijë, marrin nga një ëmbëlsirë. Vjen fatura tjetër: 100 lekë. S’ka faj gjysma e Tiranës që ka blerë apartamente në Pogradec. Jarebi të shkosh andej nga jugperëndimi e paguan kafen sa frëngu pulën. Jallah të kërkosh pulën…

Në kthim

Nga mesdita marrim rrugën e kthimit. Pas Përrenjasit e deri në Elbasan nëpërmjet pasqyrave dhe xhamit të parmë të makinës u njohëm me parakalimet më spektakolare që mund të ndodhin në një rrugë plot kthesa, ku mungon fushëpamja, por jo që mungon guximi i drejtuesve të automjeteve. Të pirë nga dreka a bollshme a të droguar nuk di ta them, por mund të them se për një kohë të shkurtër vura re disa precedentë për aksidente, por që në të gjitha rastet shpëtuan në fije të perit. Zoti i ruajt shqiptarët e “dehur”!

la.mi/Fjala.al

Të fundit

Me valixhen mbushur me drogë, pranga 3 të rinjve në Tiranë

Policia ka vendosur në pranga 3 të rinj pasi akuzohet se shpërndanin doza kokaine dhe kanabisi, ndërsa në pamjet...

Zgjedhjet e 11 majit/ VOA: Interesim i ulët i shqiptarëve të Greqisë për t’u regjistruar

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri të martën e 24 shkurtit, mbi 80 mijë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi...

VOA analizë: Interesim ende i ulët i shqiptarëve të Greqisë për t’u regjistruar

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri të martën e 24 shkurtit, mbi 80 mijë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi...

Rruga e Arbrit, pa pagesë/ Rama: Sa të jem unë kryeministër nuk do të paguani

Të gjithë drejtuesit e mjeteve që do të kalojnë në rrugën e Arbrit pas hapjes së tunelit të Murrizit nuk do të paguajnë asnjë...

Shkurti mbyllet me reshje! Meteorologia: Në mars rikthehen temperaturat – 0°C

Dita e sotme ka nisur e vrenjtur dhe me prezencë shiu, kryesisht në jug dhe në qendër, ndërsa në veri reshjet e shiut janë...

Lajme të tjera

Web TV