Visual Art Galley/Pikturat e Louvre-it dhe Musee D’Orsay në qendër të Tiranës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Një ekspozitë me 240 vepra të disa prej mjeshtrave botërorë të pikturës, mbushi me ngjyra dhe personazhe, sheshin Skëndërbej. Të projektuara në 5 ekrane të mëdha, nga krijuesit e eventit, “Dardan Studio”, pikturat e njohura sollën pak Louvre dhe Musee D’Orsay në Tiranë.

Nga Alessia Selimi

Shpirtrat e tablove kishin dalë nga shtëpitë e mbyllura, apo të tjetërsuara, të artit. Kishin marrë përmasa të stërmëdha, fërgëllonin në trajta të reja, ndriçonin me një dritë fantazmagorike. Era lëvizte fustanin dhe çadrën e madame Monet. Një erë që ti e dije që nuk kishte ndalur kurrë.

Buzëqeshja më mistike e botës lëvizte në buzët e Mona Lizës.

Duart e Dantellabërëses vazhdonin të punonin me precision të pashqetësuar pavarësisht miliona syve që i ishin ngulur në shekuj.

Dikush ra në dashuri me vetë Venusin, ditën që ajo u lind.

Mbi fashën  e veshit të plagosur të Vinsentit u duk hija e një dore të dhembsur.

Ishte ëndrra e një nate vere. E përjetuar, asnjëherë njëlloj, më 4, 5, 6 dhe 7 gusht nga ora 21.00 deri në mesnatë në Tiranë, për ata që u kishte munguar kontakti përtëritës me artin, apo që kaluan rastësisht në sheshin Skëndërbej dhe e panë veten mes personazheve dhe skenave që vinin nga epoka të ndryshme të botës dhe të artit.

Net në muze

Dardan Studio solli VAG, Visual Art Galley, një ekspozitë të lëvizshme të artit digjital që shpërfaqi, në qendër të Tiranës, vepra të njohura të mjeshtrave të mëdhenj të pikturës.  Nën qiellin e hapur të Tiranës  u ekpsozuan në 5 ekrane të mëdhenj, shumë nga veprat e Van Gogh, Monet, Renoir, Cezanne, Da Vinci, Manet, Klimt, Rembrandt, Goya, Vermeer, Botticelli, Bosch, Seurat etj. të cilat, siç shpjegojnë organizatorët, vinin të përpunuara grafikisht duke bërë që objektet brenda veprës të jenë në lëvizje.

“Duke qenë se ky event vjen në një format unik të shfaqjes së mbi 240 veprave të piktorëve më të famshëm botëror në variantin me projeksion, ishte një risi për ne dhe për gjithë publikun që pikërisht këto piktura për të cilat duhet të shpenzosh për t’i parë në muzetë më të mëdhenj në botë si muzeu i Louvre-it apo Musee d’Orsay, të vinin në qendër të Tiranës në variantin 3d mapping në një sipërfaqe projeksioni gjigande mbi 400m2, ku secila vepër mund të shihet me 10-fishin e përmasave normale në një muze. Komentet e artdashesve dhe publikut sikurse edhe prania e tyre gjatë këtyre 4 netëve ishin kënaqësia më e madhe që morëm si organizatorë, kjo kuptohet edhe falë mbështetjes së Bashkisë Tiranë”, thotë Raelva Shabanaj që bashkë me Gent Prizrenin dhe Agim Poçarin patën idenë për të organizuar një event të tillë, të nxitur nga rrethanat që ka imponuar pandemia.

Lexo edhe :  “Në Tiranë, kemi një situatë jo të zakonshme”/ Rama flet për Veliajn në “Sy më sy”

Arti si ilaç

Prej muajsh, të gjithë jetojmë kohë që, kur flitet me kuptim të figurshëm, thuhet luftë, ndërsa kur thuhet jetë, flitet vetëm për kuptimin fiziologjik të saj.  Arti është një ndër fushat që po vuan më shumë kufizimet, me muzetë e mbyllura për javë me radhë e më pas të çelura me protokolle të rrepta, me kinematë e zbrazëta, koncertet e shfaqjet e anuluara dhe udhëtimet e ndaluara: dikush mund ta ketë nxjerrë nga sirtari ëndrrën për Parisin, Louvre-in dhe Musee d’Orsay e t’i ketë mbetur në valixhe. Sigurisht që jetohet edhe pa këtë dozë arti, por jeta bëhet më pak jetë. Megjithatë shumë artistë e kompani artistike janë përpjekur të gjejnë mënyra alternative për të shfaqur artin e tyre dhe për të arritur publikun. Me artin figurativ, misioni është pak më i vështirë, por jo i pamundur. Me ndihmën e teknologjisë, Dardan Studio, realizoi VAG, këtë ekspozitë të lëvizshme të artit digjital, që hapi ekranet dhe njerëzit hynë.

“Ideja e projektit lindi në kushtet e pandemisë kur, prej protokollit, nuk mund të merret pjesë në shfaqje artistike në ambjente të mbyllura. Menduam si organizatorë të eventit, unë, bashkë me Gent Prizrenin dhe Agim Poçarin, se njerëzit kanë nevojë për pak art, sidomon në kushte të tilla ku presioni psikologjik është shumë i fortë. Fuqia e artit shpesh shërben si ilaç, për të kaluar situata të vështira sidomos nga tejngopja me informacione dhe lajme që gjatë gjithë kohës flasin për pandeminë”, thotë Raelva Shabanaj.

E thekson këtë edhe fakti që ky event nuk pati jehonën e merituar mediatike, megjithë veçantinë dhe përmasat e tij, por kjo nuk ishte hera e fundit. Organizatorët premtojnë që do të organizojnë edhe ekspozita të tjera të këtij lloji.

la.mi/Fjala.a

Të fundit

Projektrregullorja, ulen komisionet edhe për transfertat kombëtare në Euro

Banka e Shqipërisë ka përgatitur disa ndryshime në rregulloren “Për funksionimin e sistemit AIPS EURO për shlyerjen e transfertave vendase për...

Një fjalëkalim i dobët rrëzon një kompani 158-vjeçare dhe la pa punë qindra njerëz

Një gabim i vetëm, një fjalëkalim i pambrojtur, dyshohet se është bërë shkaku i shkatërrimit të një kompanie britanike me një histori prej 158...

Media britanike “Mirror”: Vizitoni qytetin e bukur evropian, Tiranën

Ekspertja e udhëtimeve Chelsea Dickenson është gjithmonë në kërkim të destinacioneve më pak të njohura. Kohët e fundit, ajo zbuloi një qytet evropian të vendosur...

Gjermania ndan pushimet verore me rotacion, ja pse dhe si funksionon sistemi

Pse nuk i kanë të gjithë nxënësit dhe shkollat në Gjermani pushimet verore në të njëjtën kohë? Rreth 11.4 milionë fëmijë dhe të rinj ndjekin...

Vijon zjarri në malin e fshatit Dukat, rinisin punën për shuarjen e flakëve

Zjarri në malin e fshatit Dukat po vijon ende. Dy avionët e ardhur nga Greqia kanë rinisur punën sot për të shuar flakët, të cilat...

Lajme të tjera

Web TV