Ismail Kadare: Migjeni, Poradeci dhe Noli përballë Ahmet Zogut

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Migjeni nuk e ka zënë në gojë asnjëherë monarkun në veprën e tij . As Poradeci. Noli e ka përmendur vetëm për keq. Ndërkaq, marrëdhëniet e të treve me tiranin kanë qenë tejet të ndryshme.

Fan Noli ka qenë armiku i tij i shpallur në gjithçka, fantazma e tij e zezë, helmi i tij. Në përleshjen me të kishte fituar, e kishte përmbysur, e kishte dëbuar dhe kjo gjë, me siguri, i jepte herë-herë qetësi, e shëronte prej ankthit.

Por, sado të ngushtë ta kishte pasur vizionin e gjërave, turbull duhet ta ketë ndier tmenin që i shkakton përherë fitimtarit mendjengushtë mendja e ndritur e të mundurit. E kishte dënuar me vdekje në mungesë ose, më saktë, të dy e kishin dënuar me vdekje njëri-tjetrin, njëri me një juri gjyqësore, me nene të kodit penal, me plumb e konop tjetri me rrjetën e rëndë të vjershave.

Dihet se në një dyluftim të tillë të tiranit me poetin është gjithmonë poeti ai që fiton, ndonëse përkohësisht mund të duket i humbur. Noli e fitoi dyluftimin para kohe, në gjallje të të dyve (Zogu e humbi fronin, më 1939), pa pritur kohën eterne, atë që është përherë e poetëve.

Disa herë qe përpjekur ta afronte Lasgush Poradecin, këtë nosit sqimatar të poezisë shqipe, por nositi qëndronte larg. Merrej me qiejt e tij, me dashuritë, me ndërrimin e stinëve, yjet, vdekjen, pavdekësinë, duke u treguar shqiptarëve se ç`mrekullira mund të bëheshin në letërsi me gjuhën shqipe.

Universi poetik, që ai kishte krijuar, s’kishte të bënte fare me mbretërinë e zymtë arkaike, përbuzshëm ndahej prej saj, si për të pritur një kohë më të butë, çka zgjonte admirim te disa e një qortim te të tjerët. Mbreti Zog, si një pjesë e tiranëve, e kishte vështirë të kuptonte rrezikun e bukurisë. Së paku, ky s’më nget, do të ketë thënë shumë herë me vete. Ndaj as unë s’kam pse ta ngas.

Lexo edhe :  Masakra e 15 korrikut 1927 në Vjenë, kur përplasja politike u kthye në gjakderdhje

Mbreti, me siguri, nuk e ka njohur Migjenin. Mundet as e ka lexuar, veç në qoftë se ka parë raportin e censurës për ndalimin e tij. Por edhe sikur ta kishte njohur djaloshin e hajthëm nga Shkodra, do t’i dukej më pak i rrezikshëm nga të tre, ai që në të vërtetë ishte kundërshtari më total i tij.

Ndonëse nuk e kërcënonte drejtpërdrejt me shfronësim, si Noli (qershori i vitit 1924, kur poeti e kishte përmbysur tiranin, ende e tromakste në gjumë), ndonëse nuk e sfidonte tërthorazi, si Poradeci, që e kishte krijuar, ndërkaq, fronin e tij në mbretërinë e poezisë, Migjeni ishte shkrimtar që e rrezikonte më vdekshëm nga të gjithë. Sepse ai nuk synonte vetëm fronin, institucionet e rrangallat e tjera të regjimit, ai synonte fundajën mbi të cilën mbështetej ky regjim: mjerimin, injorancën, moralin, dogmat, maskat, idolet, gjithçka.

Sikur t’i njihte mirë që të tre, e kryesorja, sikur ta kapte saktë artin e fjalës, monarku do të kuptonte se nga mallkimet apokaliptike të Nolit mund të mos pësonte gjë (a s’kishte plot pesëmbëdhjetë vjet që ai veç e mallkonte?) e, aq më pak, mund të dëmtohej nga mospërfillja elegante e Poradecit. Kurse nga gërryerja e përgjithshme, e ditëpërditshme e Migjenit ai do të mbetej shumë shpejt pa fron, pa mbretëri, pa histori, shkurt, pa asgjë.

Të tillë shkrimtarë të tipit të ri po vinin, për fatkeqësinë e tij e të mbretërisë së tij, në letërsinë shqipe.
________
*Pjesë nga: ARDHJA E MIGJENIT NË LETERSINE SHQIPE, e shkruar nga shkrimtari Ismail Kadare, Tiranë, 1988-1989.

 

Të fundit

Shein dhe Temu rrezikojnë sigurinë e konsumatorëve? BE: Produktet janë toksike

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Drejtësinë ka shprehur tronditje për nivelin e toksicitetit dhe rreziqeve që paraqesin disa nga...

Mimoza Ahmeti refuzon t’i dhurojë libër dhe t’i japë autograf Egla Cenos

Shkrimtarja Mimoza Ahmeti është e ftuara e kësaj mbrëmjeje në “Goca & Gra”. Intervista nisi me një moment të sikletshëm për Egla Cenon, e cila...

“Kandidati Mancurian” dhe kontrolli i mendjes, kur paranoja kthehet në fakt

Nga Leonard Veizi Kontrolli i mendjes është forma më brutale e dhunës pa gjak. Është dhe akti më i skajshëm i zhveshjes së njeriut nga...

Historia e Bardha Nesturajt, ish-kandidates së PS vite më parë

Bardha Nesturaj, tregtarja e njohur nga tregu i Sarandës e cila përgjatë javës që po lëmë pas ka qenë një ndër më të komentuarat,...

Temperatura deri në 38 gradë Celcius, parashikimi i motit

Ditën e diel moti parashikohet i qëndrueshëm dhe i kthjellët në të gjithë territorin. Vranësirat do të jenë të pakta kalimtare në male, nga ku edhe...

Lajme të tjera

Web TV