UEFA “fik” Dritën e Kosovës, i jep fitoren në tavolinë Linfieldit


Drita e Gjilanit humb në tavolinë 3-0 ndeshjen finale të raundit paraeliminator të Champions League-s kundër Linfield.

UEFA ka njoftuar kampionen e Kosovës që Apeli ka vendosur që ndeshja e shtyrë për shkak të rezultimit pozitiv ta Namanit të mos zhvillohet por t’i jepet fitorja në tavolinë ekipit kundërshtar. Klubi i Dritës e konsideron të papranueshëm këtë vendim dhe se do ta ndjekë çështjen me përfaqësuesit e saj ligjorë.

Njoftimi i Dritës:

“Sapo jemi njoftuar nga organet e UEFA-se që shkalla e apelit ka vendosur që ne kemi humbur ndeshjen në tavolinë me rezultat zyrtare 3-0!

Një vendim i habitshëm nga nje institucion siç është UEFA, një vendim me kaq nxitim dhe pa kërkuar asnjë sqarim apo deklaratë shtesë nga klubi ynë!

Arsyeja kryesore e këtij vendimi është pamundësia e shtyrjes së ndeshjes më shumë se tri ditë (14 gusht), e ku sipas vendimit thuhet se autoritetet zvicërane kanë kerkuar karantinim për 10 ditët në vazhdim për ekipin tonë, e shumë arsye të tjera që nuk kanë të bëjnë me ne si klub, por me organizatorin e këtij kompeticioni e që ka qenë vetë UEFA organizatore!

Jemi thellësisht të indinjuar nga ky vendim i papritur dhe subjektiv.

Tani neve si klub na mbetet që këtë çeshtje ta dorëzojmë në duart e avokatëve për t’i ndjekur deri në fund të gjitha rrugët ligjore.”