Dita e sotme ka shënuar një ulje të ndjeshme të numrit të rasteve me Covid-19 dhe të viktimave të shkaktuara prej saj. Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se kanë humbur jetën 8 qytetarë, ndërkohë janë evidentuar 193 raste, nga 491 teste të bëra në total.
Që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 10 988 raste infektimesh, ndërsa 373 qytetarë nuk arritën dot të fitonin betejën me coronavirusin. Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit, sipas IKSHPK-së, janë shëruar 205 pacientë, kurse numri i përgjithshëm i të shëruarve ka shkuar në 6.616 raste, ndërsa numri i rasteve aktive është 3.999.
Duke analizuar numrin e vdekjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, themeluesi i institutit kërkimor “Scripps” renditi listën e vendeve me numrin më të madh të vdekjeve për një milion banorë, gjatë kësaj periudhe.
Sipas listës së publikuar nga Topol, para dy ditësh, Kosova ka numrin më të madh të vdekjeve me COVID-19 për një milion banorë, për periudhën e lartëpërmendur. Pas saj renditen Peruja, Bolivia, Meksiko, Panamaja, Brazili, Mali i Zi, Bosnja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjithsesi, sot kreu i IKSHPK-së, Naser Ramadani, pohoi se aktualisht në Kosovë është konstatuar një ulje graduale e kurbës që pasqyron tabelën epidemiologjike.
ru.do/ Fjala