Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Edoardo Reja, ka dalë sot në një konferencë për shtyp, ku ka folur në lidhje me zgjedhjet e tij në prag të dy ndeshjeve të para të grupit të Ligës së Kombeve të Evropës, atë ndaj Bjellorusisë, që do të luhet më 4 shtator 2020, dhe ndaj Lituanisë, që do të luhet më 7 shtator 2020.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, italiani ka folur për listën e lojtarëve të përzgjedhur prej tij, për problematikat që ka hasur në këtë rikthim për shkak të epidemisë së Covid-19, si edhe objektivat e përfaqësueses kuqezi në Ligën e Kombeve.
Reja gjithashtu ka folur edhe për emrat e rinj të afruar në skuadër së fundmi.
– Mister, rikthehet skuadra përfaqësuese, rikthehet Kombëtarja, dy ndeshje të para në Ligën e Kombeve të Evropës. Si e gjen përfaqësuesen tonë ky rikthim i futbollit për ekipet përfaqësuesese?
– Po jetojmë një periudhë mjaft të vështirë dhe është një gjë e re. Lojtarët me të cilët kam pasur kontakt javën e fundit dhe ditë më parë, janë lojtarë që kanë filluar kampionatin dhe të tjerë që ende po përgatiten, nuk e di ende se në çfarë gjendje janë. Kur të vijnë, disa do të vijnë sot, disa nesër dhe pjesa tjetër të hënën, do të flas me ta, do të më thonë se në ç’gjendje fizike janë. Sepse është e rëndësishme që kush zbret në fushë të jetë në gjendje të mirë. Përballemi me skuadrën e një vendi ku kampionati ka nisur tashmë dhe në aspektin fizik është e përgatitur. Kemi një pikëpyetje të madhe.
– A është ky momenti më i mirë i juaji në Kombëtare duke pasur parasysh praninë e lojtarëve në Evropë, aktivizimin e tyre, golave të shënuar, apo edhe praninë e disa talenteve të reja?
– Është një moment shumë i mirë, sepse nuk e di nëse ka ndodhur më parë. Kemi katër skuadra (në Evropë) dhe më vjen keq për Tiranën, sepse e meritoi ta kalonte turin e dytë eliminator (në Ligën e Kampioneve), por ishte e pafat. Luajti shumë më mirë sesa skuadra kundërshtare. Është mëkat, sepse do të ishte një krenari e madhe për të gjithë. Është e qartë që futbolli në Shqipëri po rritet. Kam folur edhe me Presidentin Duka dje dhe pardje. Ai ka dëshirë t’i japë një impuls të rëndësishëm të gjithë lëvizjes futbollistike, edhe sa u përket akademive të moshave. Dhe, unë me të gjithë përvojën dhe pasionin që kam dhe do të përpiqem ta ndihmoj. Nuk e di nëse do t’ia dalim, sepse duhet pak kohë, por ndërkohë duhet të shijojmë këtë moment të këtyre skuadrave që vazhdojnë rrugëtimin në Evropë. Është diçka për të cilën duhet të ndiheni krenar të gjithë. Është kënaqësi ta shohësh Shqipërinë që ecën përpara në nivele ndërkombëtare me futbollin. Po i ndjekim të gjithë lojtarët në të gjitha kampionatet, edhe tani që kanë përvojë ndërkombëtare do t’i ndjekim të gjithë. Do të ishte bukur t’i grumbullonim të gjithë, kështu do t’i ndiqmin më nga afër. Kush luan në Shqipëri, ka mentalitetin shqiptar, pra mënyrën se si luajnë futboll, ndërkohë që njëri luan në Zvicër, tjetri në Francë, në Itali dhe kur i bën së bashku kanë filozofi të ndryshme dhe është më e vështirë. Do të ishte bukur sikur brenda pak vitesh të sillnim më shumë lojtarë që luajnë vetëm në Shqipëri. Por duhet të rritet edhe futbolli shqiptar.
– Fillojmë një fazë eliminatoresh apo ndeshjesh ku skuadra duket favorite me këtë grup. Nuk e di si e shihni ju. Na ngarkon kjo emocionalisht më tepër, na e vështirëson më tepër detyrën?
– Nëse flasim për atë që kemi bërë herën e fundit, që kemi treguar se niveli ndërkombëtar, sidomos me Islandën, Turqinë dhe skuadrat e tjera, është sigurisht një skuadër që po rritet. Por është një pikëpyetje e madhe, sepse unë kam lojtarë që nuk e di se si do më vijnë. Ajo që thashë në fillim, do të përballemi me Bjellorusinë, që është një nga më të mirat në grup dhe në formë të mirë fizike. Por nuk më interesojnë skuadrat e tjera, më intereson ekipi im, sepse nuk e di se si do të jenë lojtarët. Nuk do të bëj ndryshime të mëdha, do të vazhdoj përpara me programin që kisha përgatitur për grupin dhe për skuadrën. Kam grumbulluar disa të rinj, që për “Euro 2024”-ën që është objektivi ynë, në mënyrë që të kompletohet ky program i yni. Kemi nevojë edhe disa të rinj të tjerë, por për momentin nuk mund të bëj ndryshime të mëdha. Unë e kam tashmë një mënyrë loje, kam siguritë e mia, por pikëpyetja është gjendja fizike.
– Ne kemi parë pjesët e fundit të sezoneve në kampionate të ndryshme, por nuk kemi parë ekipet përfaqësuese pas kësaj periudhe të veçantë dhe shumë të rëndë. Ju keni një listë shumë të zgjeruar, do të thotë që Shqipëria tashmë ka mundësi zgjedhje më të shumta?
– Më është dashur të thërras këto lojtarë, sepse nuk e di se si do të shkojë për shkak të pandemisë. Të gjithë do t’u nënshtrohen testeve dhe mund të dalë ndonjë lojtar me virus, urojmë që jo, sepse do të ishte një katastrofë. Nëse ndodh një situatë e tillë gjërat do të komplikoheshin. Kështu i dhashë mundësi Federatës, që të kisha një numër më të madh lojtarësh, në mënyrë që të kem mundësi të kompensoj eventualisht, përtej aspekti fizik, por edhe ndonjë lojtar, shpresoj që jo, që mund të ketë marrë virusin. Këto ditë do të shohim formën e tyre dhe do të bëjmë të gjithë testet para se të nisemi dhe do të bëj pastaj edhe një përzgjedhje tjetër. Ndonjë do të mbetet në dispozicion dhe më vjen keq, pasi janë të gjithë lojtarë të cilët i kam vëzhguar në këtë periudhë dhe vazhdojmë kështu programin tonë të rritjes.
– Si e prisni Kombëtaren pasi ka disa muaj që nuk luan?
– Po jetojmë një periudhë që nuk ka ndodhur më parë. Ne mund të bënim disa eksperimente në miqësoret e marsit, pastaj në qershor për të parë disa lojtarë të tjerë, por kjo nuk ndodhi. Për këtë thashë në filllim që ne duhet të ecim në ato pika të sigurta që kemi patur kur mbaruam, duke uruar që lojtarët janë në të njëjtën gjendje fizike. Por është e vështirë që pas kaq shumë kohësh të parashikosh atë që mund të ndodhë. Unë uroj të bëjmë mirë në fushë, uroj të bëj zgjedhjet e duhura për formacionin, por mbetet një pikëpyetje e madhe, sepse nuk e dimë se çfarë rendimenti mund të ketë kjo skuadër.
– Shikojmë 3 emra të rinj por mbi të gjitha një 17-vjeçar. Pyetja është kjo, prurje të reja janë pjesë e projektit 4-vjeçar që ju keni për të rifreskuar Kombëtaren apo këto 3 prurje të reja janë lojtarë që realisht mund t’i bëjnë punë ekipit kuqezi?
– Kumbullën sigurisht e njihni tani, sepse është një lojtar i rëndësishëm dhe mund t’i besoj që tani. Dhe pastaj lojtarët e rinj, siç është rasti i 17-vjeçarit që kam thirrur, kam folur me prindërit e tij, sepse ai ishte pjesë e kombëtares italiane dhe kemi pasur pak vështirësi që ta bindnim. Por Çepele është një lojtar që në të ardhmen mund të jetë i rëndësishëm për Shqipërinë. Kam kërkuar dhe ende po kërkoj dhe kemi monitoruar në arenën ndërkombëtare edhe lojtarë të datëlindjeve 2004, 2005 edhe të 2006 që mund të jenë eventualisht pjesë e kombëtares. Por, dikush luan në Itali, dikush në Francë dhe lindin në këto vende, bëhet e vështirë kur i kërkohet nëse duan të bëhen pjesë e Kombëtares shqiptare. Sepse presin fillimisht ftesën e vendit ku janë lindur. Por unë po punoj dhe mungon ende ndonjë emër tjetër në listë, sepse kam folur me disa prindër dhe me disa djem që luajnë në Itali dhe janë pjesë e kombëtareve italiane të moshave, të cilit nuk ua them dot emrat. Po punoj për momentin me këto emra dhe për të ardhmen disa edhe më të rinj. Ka shumë shqiptarë të rinj që luajnë në Itali, por jo vetëm. Edhe në Zvicër edhe në Gjermani, edhe në Angli ka lojtarë të mirë, të cilët kanë kombësi shqiptare dhe këto duhet t’ia afrojmë gradualisht me Kombëtaret tona.
– Që nga ndeshja e fundit e kombëtares kanë kaluar 9 muaj. A do të jetë ky si një fillim i ri? Dhe për kundërshtarët e Shqipërisë në grup i konsideroni si të kalueshëm?
– Ndeshjet janë gjithmonë të vështira, por unë duhet të shikoj shtëpinë time, skuadrën time dhe shpresoj t’i gjej në formë të mirë, sepse nuk mund të neglizhojmë asnjë ndeshje. Ndeshja e parë është e rëndësishme. Nëse ti hyn në fushë me mendësinë e duhur, bën një lojë të mirë dhe ia del ta fitosh këtë lojë, është e qartë që rruga bëhet më e lehtë, sepse krijon entuziazëm dhe rezultatet pozitive bëjnë që ekipi të fillojë të besojë. Unë shpresoj të gjej këtë javë këtu vërtetë harmoni në këtë grup, sepse kjo është shumë e rëndësishme sidomos për një ndeshje. Nuk mund të gabohet që në nisje. Nuk e di sepse luhet pa tifozë, duhet të shohim lojtarët se kush mund të ndjejë më shumë presion, por duken si ndeshje miqësore ndonjëherë. Nuk ka tifozë, nuk ka pjesëmarrje, nuk e dimë se si mund të reagojë skuadra në këtë moment, në këtë situatë. Nuk kemi parë ndonjëherë ndonjë situatë të tillë. Besoj shumë te kjo skuadër, kemi karakter të fortë. Kujdesem vetëm për skuadrën time, sepse e di që është një skuadër që mund të rritet dhe mund të përmirësohet, jam i bindur për këtë. Por nuk e di në këto kushte. Është diçka jashtë normalitet, nuk e dimë se çfarë reagimi mund të kenë lojtarët me këtë realitet të ri. Futbolli pa publik, nuk është futboll, nuk është diçka reale. Sigurisht presim vështirësi, por mua më duhet të punoj fort me psikologjinë e lojtarëve, sikur në fushë do t’u duhet të luajnë ndeshjen e jetës, në këtë pikëpamje, të kenë karikimin e duhur, inteligjencën për të shfrytëzuar momentin, të kapin situatën. Sepse një lojtar i mirë e di që është i mirë, por nuk mjafton të jesh i mirë. Ka nevojë të jetojë momentin, t’i bëjë ballë rrezikut në këto momente të vështira.
– Është e vërtetë që situata është e pazakontë, luhet futboll në një moment shumë të veçantë por realisht, cili do të jetë objektivi i Shqipërisë për këto dy ndeshje, në Bjellorusi dhe më pas me Lituaninë, por edhe për të gjithë këtë Ligën e Kombeve të Evropës? A synojmë ta fitojmë? Presidenti Duka nuk e ka shprehur objektivin që Shqipëria të jetë fituese.
– Objektivi ynë është që të fitojmë grupin, sepse ne, duke folur edhe me Presidentin, kemi nevojë t’i bëjmë gjërat 100%. Nuk duhet të marrim asgjë për të mirëqenë. Kemi nevojë të hymë në psikologjinë e lojtarëve, nevojitet të kemi bindjen e duhur për atë që do të bëjmë. Do të kemi vështirësi nëse nuk hymë me vendosmërinë e duhur në fushë.
E thashë në fillim, jam i bindur që kemi një skuadër të mirë, kemi cilësi, e rëndësishme është të jemi mirë psikologjikisht dhe fizikisht dhe ne mund të luajmë kundër të gjithëve dhe e kemi treguar këtë kundër Turqisë, kundër Islandës që mendonim se ishim inferiorë. Jo vetëm në këtë veprimtari, por edhe në turne të tjera, me skuadra edhe më të forta mund të luftojmë si të barabartë. Por për ta bërë këtë duhet të kemi synim të përbashkët, të punojmë mirë, të hyjmë në fushë me mentalitetin e duhur, me vendosmërinë dhe me inteligjencën e duhur. Kjo varet nga aftësia e lojtarëve, sepse aftësia është një aspekt thelbësor në këtë drejtim. Por ka shumë pikëpyetje. Për shembull fola me Hysajn dhe më ka thënë që është mirë, Gjimshiti pas Ligës së Kampioneve ka shkuar me pushime, sepse ishte i lodhur. Ismajli po luan tani në Austri, dikush tjetër mund të mos e ketë filluar ende kampionatin. Është një pikëpyetje e madhe. Uroj që në një kohë sa më të shpejtë të gjej ato lojtarë që janë të gatshëm fizikisht, psikologjikisht. Nuk është një moment si në vitet e tjera kur lojtarët vijnë nga kampionatet dhe i kanë kushtet dhe ne e dimë se në çfarë gjendje janë. Unë uroj që të gjej lojtarë që janë mirë fizikisht dhe psikologjikisht. Duhet t’i mbrojmë këto lojtarë, sepse edhe klubet kanë frikë se mos dëmtohen apo sëmuren, sepse duhet të luajnë 90 minuta dhe ne kemi një përgjegjësi të madhe. Për këtë them që është një situatë e veçantë. Jo thjesht duhet të shohësh një ndeshje që luhet. Duhet kujdesur që lojtarët të ndihen të sigurt e të mos dëmtohen. Për ne është e rëndësishme që të fitojmë, të paraqitemi mirë, të vazhdojmë në rrugën që kemi nisur dhe skuadra të jetë kompakte bashkë dhe duke uruar që gjërat të shkojnë mirë dhe mos të ndodhin probleme. Objektivi ynë është të fitojmë grupin, por ka pikëpyetje të shumta. Sepse kur shkon në fushë, nuk luan veç për të luajtur. Dua të shoh një skuadër agresive, që të bindë, të sakrifikojë. Këtë do të doja të shikoja në 90 minuta.
– Thatë se i trembeni dëmtimeve, në fakt Memolla gjatë ditës së djeshme është larguar nga fusha dhe me gjasa mund të jetë i dëmtuar. Gjithashtu, a rrezikojnë lojtarë si Kamberi apo dhe Lenjani paraqitjen në Kombëtare për shkak të rregullave kufizuese për të respektuar karantinën? Sa i përkon të rinjve, këto dy ndeshje a do të shërbejnë për të debutuar lojtarë si Kamberi, Broja apo edhe Çepele, lojtarë të cilët Shqipëria i ka afruar me vështirësi? Broja është shprehur se mund të luajë me Anglinë, Çepele ka aletrnativë Italinë, ndërkohë që Kamberi ka alternativë Zvicrën.
– Kemi një problem me Zvicrën, sepse nuk është vendosur akoma nëse do t’i lejojë lojtarët të vijnë në Kombëtare. Kjo pasi klubet nuk i lënë nëse nuk marrin garancinë e duhura. Është e vetmja me të cilën kemi këtë problem, sepse Holanda na ka dhënë leje dje për Selahin dhe Brojën. Por është e çuditshme, sepse edhe Zvicra ka ndeshje të përfaqësueses dhe do të grumbullojë lojtarë që luajnë kudo nëpër botë. Nuk e kuptoj përse nuk është në linjë me vendet e tjera, nuk është e drejtë. UEFA nuk ka të drejtën të ndërhyjë te rregullat e qeverisë, sepse nëse qeveria vendos që ata të cilët janë në Zvicër nuk mund të dalin jashtë kufijve ne nuk mund të bëjmë asgjë, por kemi një skuadër të përshtatshme. Kamberi është një nga të rinjtë, doja ta shikoja nga afër, sepse nuk e njoh shumë mirë. E kam parë të luajë në Skoci më parë, por tani nuk e di se në ç’gjendje është. Dua ta shoh në kombëtare dhe shpresoj të jetë pjesë e projekti për të ardhme, sepse është një lojtar që ka mjetet dhe cilësitë e duhura. Pastaj është edhe Mersinaj, të cilin e kisha thirrur, por tani është i detyruar të bëjë karantinë. Mbase sot ose nesër mund të marrim një përgjigje për të. Pra janë këto problem, unë përpiqem të punoj për të ardhmen, por duhet të kem parasysh edhe situatën aktuale. Kam Bjellorusinë, Lituaninë dhe ndeshje të tjera, por deri në nëntor duhet të mbështetem te lojtarët që njoh, ndërkohë që me kalimin e kohës do të integroj edhe lojtarët e tjerë. Më tej kemi miqësore dhe ne po punojmë, por mua më intereson të formoj grupin prej 23 lojtarësh me të cilët do të vazhdoj deri në nëntor. Më pas për të bërë eksperimente, duke shpresuar që kjo situatë të mund të mbarojë mund të punojmë normalisht siç kemi bërë gjithmonë. Dhe me ardhjen e vitit të ri mund të bëjmë plane edhe për të rinj të tjerë. Për Memollën nuk do të ketë probleme fizike, mesa di unë është në gjendje të mirë. Për momentin nuk kam asnjë informacion të tillë, ndërsa për Lenjanin ka një problem. Kam folur dje me të, aktualisht ai është pa skuadër dhe duhet të gjejë një klub të ri. Do të flasim sot dhe nesër e të shohim se çfarë do të ndodhë me të, por unë duhet të formoj një skuadër me dy lojtarë për çdo rol.
– Me gjithë këto pikëpyetje që kemi, pra epidemia, lojtarë që vijnë nga pushimet, disa që që janë pa skuadër, disa që nuk kanë luajtur. Të gjitha këto shqetësime që keni përpara, tani pa filluar akoma stërvitjen, çfarë mendoni se do t’iu takojë të bëni më shumë, psikologun apo trajnerin e skuadrës?
– Trajneri i skuadrave përfaqësueses është sigurisht i rëndësishëm sepse është pika e referimit për të gjithë lojtarët. Por varet nga lojtarët, duhet të kesh lojtarë që të jenë në gjendje të mirë psikologjike. Psikologjikisht, trajneri i një ekipi kombëtar është një pikë thelbësore. Nuk mund të jesh një trajner i mirë për të drejtuar një skuadër kombëtare, një trajner i mirë duhet në një klub. Trajneri i kombëtares duhet të jetë një filozof, pra duhet të kuptojë në aspektin psikologjik dhe të njohë mirë të gjithë lojtarët, përtej aspekti taktik ose teknik. Është e rëndësishme edhe kjo, por është vendimtar raporti që vihet me lojtarët, të cilët duhet të kenë besim tek ti. Sepse një lojtar nuk beson te puna juaj, nuk beson te trajneri, projekti nuk mund të vazhdojë. Është mirë ta ndërpresësh sa je në kohë. Ndërsa një trajner i një Kombëtareje duhet të ketë një raport direkt dhe besueshmëri te skuadra.
– Kemi në informacion që bashkë me ju ka ardhur edhe një drejtor teknik i Kombëtares. Mund ta na tregoni diçka më tepër rreth këtij projekti të Kombëtares?
– Është një bashkëpunëtor i imi, ka qenë ndihmësi im te Torino, ai ka një detyrë në Federatën Italiane të Futbollit. Do të bashkëpunojë me mua deri në nëntor. Ai është i impenjuar në Federatën Italiane dhe jep leksione për teknikën e futbollit në Universitetin e Torinos dhe, si rrjedhojë, është i impenjuar. Ndoshta më pas në një moment të dytë, duke njohur edhe situatën këtu do të shohim e do të flasim edhe me Presidentin Duka. Por nuk ka asgjë zyrtare, thjesht bashkëpunon me mua dhe të shohim se sa mund të më ndihmojë, duke parë perspektivën e futbollit. Epidemia bllokoi gjithçka praktikisht, ne nuk kemi arritur të bëjmë asgjë, as të punojmë për të ardhmen, as për të ndjekur kampionatet. Kemi parë ndeshjet në TV të lojtarëve që njihnim, por ka qenë një periudhë e vështirë. Jo vetëm për futbollin, por për do fushë të jetës. Kemi jetuar një moment me vështirësi të mëdha dhe kjo situatë vazhdon. Mendonim se gjithçka do të zgjidhej brenda 3-4 muajve, por jemi akoma në mesin e epidemisë që ka shkaktuar probleme. Kësisoj, kemi ngecur me programin që kishim planifikuar. Tani me ngadalë do të fillojmë të rifillojmë nga puna.
– Përse nuk është ftuar Endri Çekiçi për këto dy ndeshje? Sezonin e fundit e mbylli me të paktën 10 gola në kampionat.
– Nuk mund t’i grumbulloj të gjithë. Tani do të provoj Laçin, ndeshjen tjetër mund të provoj Çekiçin. E njoh, është lojtar me vlera, por janë lojtarë që kanë të njëjtin rol, nuk mund të thërras 3 lojtarë për një rol. Ndërkohë ne po e monitorojmë, janë lojtarë të rinj që mund të bëhen lojtarë të rëndësishëm për ne, por unë mendoja të kisha miqësore në dispozicion që t’i provoja disa lojtarë në mars. Sidoqoftë, ne tani kemi ndeshje zyrtare, nuk mund të bëj eksperimente, por në këtë këndvështrim janë lojtarë që bëjnë pjesë në programin e Kombëtares. Aktualisht preferoj të zgjedh lojtarët që i kam pasur më parë nën urdhra dhe i njoh më mirë. Megjithatë, në një moment të dytë, do të ketë hapësira edhe për të. Nuk është e thënë që të mos vijë edhe këtë herë, sepse është në listën e pritjeve. Nëse ndodh ndonjë surprizë këto ditë mund edhe të grumbullohet që tani.
– Ju përmendët objektivin e Euro 2024, por a është Botërori objektiv real për Shqipërinë për ta synuar?
– Sa bukur do të ishte të shkonim në Botëror, por nëse i hedh një sy rrotull dhe shikon Portugalinë, Francën, Spanjën, Holandën, Belgjikën, Anglinë është e qartë se janë 13 skuadra. Do të ishte e bukur të kishim mundësinë dhe të ishim konkurrues me këto skuadra, unë përmenda vetëm disa por është edhe Kroacia apo shumë skuadra të tjera të rëndësishme, që janë shumë më përpara nesh. Në perspektivën e të ardhmes, edhe mua do të më pëlqente si synim, sepse mua nuk më pëlqen thjesht të marr pjesë, por dua të marr pjesë e të fitoj mundësisht. Kur të jenë mundësitë për ta bërë do të luajmë edhe për të qenë konkurrues në eliminatoret e Botërorit, por jam i ndërgjegjshëm se është shumë e vështirë. Sidoqoftë, në futboll nuk i dihet kurrë, nëse gjen një grup të mirë lojtarësh që mbulon edhe ndonjë mangësi teknike me vullnetin dhe vendosmërinë e duhur, mund të kesh objektiva të rëndësishëm siç është kualifikimi në Botëror. Ne nuk luajmë thjesht për pjesëmarrje. E di që bëhet shumë e vështirë pra.
– A mund të quhet i mbyllur cikli i Grezdës dhe Xhakës në Kombëtare dhe a bën pjesë Memushaj te revolucioni i brezit të ndryshimeve?
– Me Memushajn fola sot në mëngjes dhe ecën me paterica, sepse i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. Është e qartë se ai është pak i madh në moshë, por në këtë rast ka edhe probleme fizike. Më tha: “Mister, nëse mendoni se und mund t’iu ndihmoj jam i gatshëm!” Xhaka ka probleme fizike dhe na ka ardhur dokumenti mjekësor, që e konfirmon këtë gjë. Ndërsa për Grezdën, le të themi që është larguar vetë. Për mua ishte një lojtar me vlera dhe mund të na ndihmonte, por kjo është një zgjedhje e tij, jo e imja. Më vjen keq, unë jam shumë i ashpër ndaj sjelljeve jo të përshtatshme, që një lojtar shfaq kur vjen në Kombëtare dhe jo vetëm. Ai ka pasur një një sjellje që nuk është e përshtatshme për një lojtar profesionist që është pjesë e një ekipit kombëtar. Për momentin situata është e tillë, unë e ndjek gjithmonë, sepse ai po luan me klubin dhe ka bërë disa paraqitje të mira. Tani për tani nuk ka ardhur momenti i duhur për ta rikthyer në Kombëtare.
– Sa persona ju kanë këshilluar që të mos udhëtoni gjatë epidemisë, sepse përfshiheni edhe te mosha e rrezikut më të lartë për t’u infektuar?
– Unë doja të udhëtoja, por nuk ma kanë lejuar, sepse duhet të bëjë karantinën. Duhet të vija më parë, por unë nuk kam frikë nga virusi, nëse është e thënë që do të infektosh nuk ke çfarë bën. Nuk ka patur kurrë frikë. Nuk them se jam i fortë fizikisht, sepse disa kolegë të mi e kanë kaluar këtë sëmundje dhe kanë qenë rëndë madje, por kjo është një situatë që nuk mund të parashikohet. Por nëse nuk do të duhej të bëjë 15 ditët e karantinës kur të kthehesha në Itali do të kisha ardhur edhe më parë. Është e qartë që duhet të jemi të kujdesshëm, të mbajmë maskën, të lajmë duart dhe të shmangim kontaktet e grumbullimet. Nuk është se më të vjetrit janë më të rrezikuar, të gjithë jemi të rrezikuar. Në Itali për shembull aktualisht mosha mesatare e rrezikuar është nga 40 deri 60 vjeç, ndryshe nga sa ishte më parë. Ka njerëz që kthehen nga pushimet dhe kanë marrë virusin. Fola me Ndojin një ditë më parë dhe më tha që nuk mund të vinte. Kishte qenë së bashku me një grup për darkë në një restorant në Sardenjë, ku disa prej tyre kishin rezultuar pozitivë. Gjërat bëhen me kujdes, problem janë personat e infektuar e që dalin normalisht nga banesat. Nëse ndodh që dikush në dhomat e zhveshjeve ka virusin, hedh në erë gjithçka. Është diçka shumë delikate dhe çdokush duhet të jetë i vetëdijshëm kur lëviz rrotull. Ja, sapo më njoftuan që është dëmtuar Kumbulla. Pra, po ju thoja që mund të ndodhë gjithçka. Çfarë mund të bësh në një situatë të tillë? Lojtarët janë të gjithë të rrezikuar. Gjendja e Laçit? Po, ka patur një problem të vogël fizik, do ta shohim sot nëse do të jetë i gatshëm për lojë. Nëse ai nuk do t’ia dalë, do të vijë Çekiçi. Po e them shpesh, jemi në një situatë tejet të pazakontë, por ne duhet të shohim përpara. Do të bëjmë gjithçka të mundur për të patur rezultate sa më të mira.
– U mbyll një cikël i Mërgim Mavrajt, i cili u tërhoq nga Kombëtarja. Doja një opinion tëndin për futbollistin dhe njeriun Mërgim Mavraj?
– Mavrajn unë e kam cilësuar gjithmonë një lojtar të madh dhe një njeri të madh. Doja ta grumbullonim për herë të fundit kur të luanim në stadiumin e ri në një ndeshje zyrtare në mënyrë që t’i bënim respektin e duhur këtij lojtari. Të shpresojmë që kur situata të normalizohet të bëjmë një ceremoni lamtumire për të. Do të ishte diçka e bukur të bënim një festë për të në mënyrë që ai të merrte mirënjohjen që i takon. Në fakt e kishim në program këtë, kishim folur me Mavrajn lidhur me këtë çështje. Dua ta grumbulloj në një ndeshje kur të luhet këtu në Shqipëri në stadiumin e ri, por nuk kemi patur mundësi ta bënim këtë dhe shumë gjëra të tjera. Por do ta bëjmë.
La.Mi/Fjala.al