Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës – dy hapat e bashkërenduar të lëvizjes kombëtare që shpëtuan Shqipërinë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Akademik prof. Dr. Marenglen Verli

Akademia e Studimeve Albanologjike

Lufta e Vlorës vlerësohet si një prej akteve më kulmore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të ndërmarrë në njërin prej momenteve më krucialë të historisë sonë të re. Duke iu rikthyer kësaj ngjarjeje të trajtuar gjerësisht, ne kemi rastin të reflektojmë për atë që ndodhi 100 vjet më parë, të japim vlerësime realiste e të vjelim mesazhet e vyera që na dërgon e kaluara. Përse duhej nisur kjo luftë që hyri në histori me emrin Lufta e Vlorës? Kush e organizoi dhe në ç’rrethana? Çfarë ndikimi pati Lufta e Vlorës për të ardhmen e Shqipërisë? Sa të qenësishme janë lidhjet midis Luftës së Vlorës dhe Kongresit të Lushnjës, që u zhvillua 4 muaj para saj, dhe përse këto dy momente janë kthyer gati në sinonime, apo janë lidhur pazgjidhshmërisht?

Këto pyetje natyrisht e kanë marrë përgjigjen nga historiografia. Unë do të ndalem shkurtimisht vetëm për të evidentuar atë moment madhështor të mirëkuptimit në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare që ngjizi në Lushnjë, në një Kongres monumental kombëtar, frytin që do të piqej plotësisht në Vlorë, në zjarrin e ndezur nga një popull atdhedashës.

Dhe, në këtë kuadër, mund të flitej shkurtimisht për rrethanat politike të brendshme dhe të jashtme, grupimet, aleancat, individët, motivet dhe faktorët nxitës e frenues dhe gjithçka tjetër që shpjegon binomin e shkëlqyer, Kongresi i Lushnjës – Lufta e Vlorës, i cili 100 vjet më parë na dha mundësinë t’i largohemi buzës së greminës, shpërbërjes dhe likuidimit si shtet dhe na siguroi të drejtën të hyjmë në radhën e shteteve dhe kombeve të konsoliduara, të drejtën të shpresojmë e të guxojmë për hapa të tjerë, që do të na çonin herët a vonë në zgjidhjen pozitive të çështjes sonë kombëtare, në emancipimin tonë, në ngritjen morale dhe në arritjen e të gjithë atyre parametrave socialë, politikë dhe ekonomikë, që do të na bënin partner të vërtetë në shoqërinë evropiane e botërore, pjesë e së cilës de jure u bëmë që më 17 dhjetor 1920, kur Shqipëria me hapin që u hodh në Lushnjë, me Luftën ngadhënjimtare në Vlorë dhe zhvillimet në vijim u kthye në një faktor me rëndësi në rajon, sa meritonte të pranohej anëtare e Lidhjes së Kombeve.

Evropa e kishte vëzhguar me vëmendje dhe nga afër Shqipërinë në kushtet anormale të Luftës së madhe dhe, fillimisht nuk kishte qenë e bindur për pjekurinë e popullit shqiptar. Ajo kishte bërë pazare të paprincipta mbi kurrizin e Shqipërisë (kujtoni Traktatin e Fshehtë të Londrës, të vitit 1915), por shqiptarët e pasluftës botërore kishin evoluar dukshëm. Duke fituar përvojë nga zhvillimet intensive të ngjarjeve dhe kontaktet shumëplanëshe të periudhës 1914-1918, ata kishin njohur e rivlerësuar realisht Evropën, fqinjët e tyre ballkanas, por edhe vetveten, dhe ishin më cilësorë se në vitin 1912, për të përballur si komb sfidën e paparë të qenies a të mosqenies, për të mbijetuar, duke manovruar në shtigjet e ngushta që linin të hapura kontradiktat ndërkombëtare të momentit, madje, këtë herë, të vetëm në vorbullën e kombinacioneve politike ndërkombëtare, pa një tutor pranë si Austro-Hungaria më 1912-1913.

Megjithatë, në fundin e vitit 1918 Lëvizja Kombëtare Shqiptare luhatej të zgjidhte midis dy opsioneve politike për të ardhmen e vendit: midis pavarësisë dhe protektoratit. Në këtë moment të rëndësishëm, Vlora e dha mesazhin e vet. Manifestimi i fuqishëm i 28 nëntorit 1918 dëshmoi se ajo nuk dëshironte të trajtohej si koloni italiane. Dhe mesazhi i Vlorës shkoi pa dyshim në Durrës, kur në një sprovë të parë shqiptarët, më 25 dhjetor 1918, në një Kongres të mbledhur me përfaqësues nga shumë vise, edhe pse pa praninë e delegatëve vlonjatë, që u penguan (si edhe përfaqësuesit e viseve verilindore e juglindore) të merrnin pjesë, morën disa vendime të rëndësishme.

Protesta e dalë nga atdhetarët e mbledhur në Durrës, kundër ndalimit të delegatëve të Vlorës nga komanda italiane, u shoqërua me deklaratën se Vlora ishte pjesë e pandarë e shtetit shqiptar, dhe që nga ky moment Vlora u bë për një vit e gjysmë nyja gordiane për trajtimin dhe zgjidhjen ose varrosjen e çështjes shqiptare, pika e vdekjes apo e vijimit të jetës për shtetin shqiptar. Shkëputja e Vlorës nga shteti shqiptar dhe protektorati italian mbi pjesën e mbetur nga cungimi i tij, që duhej, sipas Traktatit të Fshehtë famëkeq (të Londrës) të 1915-s, të reduktohej dukshëm, duke lëshuar territoret e veta edhe për Greqinë dhe Jugosllavinë (zyrtarisht shteti Serbo-Kroato-Slloven) në jug e në veri, do të thoshte asgjësimi i Shqipërisë politike me pasoja të pallogaritshme deri në situatën demografike etnike.

Paaftësia e Qeverisë së Durrësit për të përballuar sfidën e kohës, për shkak të dominimit nga përkrahësit e idesë së protektoratit, veçanërisht atyre të orientimit filoitalian, shënoi fundin e saj. Atdhetarët që gjykuan drejt situatën dhe kontradiktat rajonale e evropiane të kohës, që ditën të kuptojnë se fqinjët ballkanas dhe diplomacia franceze nuk e dëshironte daljen e Italisë në bregun lindor të Adriatikut, që vlerësuan drejt interesat britanikë të momentit në rajon, si edhe shfaqjen e një Fuqie tjetër të Madhe nga përtej Atlantikut, e cila me parime të reja po rivalizonte politikën e vjetër koloniale evropiane, që llogaritën ndoshta edhe problemet e brendshme dhe destabilitetin social në Itali, këta atdhetarë, që gjithashtu patën besim se aktivizimi i faktorit shqiptar do të diktonte në ndryshimin e raportit të forcave, vendosën se duhej kundërshtuar me çdo mjet e me çdo sakrificë lëshimi i Vlorës dhe protektorati vrasës.

Vetëm ideja dhe përpjekjet për pavarësinë e plotë të Shqipërisë mund të sillnin shpëtimin dhe t’u jepnin fund projekteve shkatërruese, si marrëveshja e fshehtë Titoni-Venizellos, e 29 korrikut 1919, memorandumi anglo-franko-amerikan i 9 dhjetorit të po atij viti, apo kompromisi anglo-franko-italian i 13 janarit 1920, që, në një mënyrë ose në një tjetër e copëtonin Shqipërinë.

Trajtimi i Shqipërisë si plaçkë tregu në Konferencën e Paqes, jo vetëm i dha të kuptojë grupimit politik që kundërshtonte idenë e protektoratit se duhej vepruar me çdo mjet për të siguruar pavarësinë e plotë të vendit, por sollën një ndërgjegjësim si asnjëherë në shtresa të gjera të popullsisë. Kështu, paralel me rivalitetin italo-francez dhe luftën e lobeve në qarqet e larta të politikës shqiptare, që shfaqej hera-herës me ngjarje të bujshme, në popull filloi të mbizotërojë pikëpamja se duhej siguruar domosdo pavarësia e plotë e vendit dhe kufijtë e njohur më 1913.

Në gjysmën e dytë të vitit 1919, raportet u përmbysën gradualisht, çka përgatiti terrenin për thirrjen e Kongresit të Lushnjës në janarin e vitit 1920. Kur për të u prononcuan pozitivisht edhe forcat e armatosura të organizuara nga italianët (milicia e Gjirokastrës me një efektiv prei 2500-2800 vetash, një pjesë e komandës së të cilës, rreth 45 oficerë e nënoficerë ishin shqiptarë) Kongresi Lushnjës, fryma dhe vendimet e tij nuk mund të pengoheshin më.

Lexo edhe :  Toyota Yaris/ Kreu i SPAK “kërcënon” Berishën për prishje hetimi

Ndër organizatorët përkrahësit e Kongresit, që u hap më 20 janar 1920 dhe i zhvilloi punimet më 28-31 janar 1920, bënin pjesë edhe figura të njohura të Vlorës, si Qazim Kokoshi dhe vlonjatë të tjerë. Bllokada italiane nuk i pengoi vlonjatët të përfaqësoheshin në këtë kongres, ku u përfaqësua gjithë Shqipëria (përveç Krujës, për shkak të pengesave të shkaktuara nga Mustafa Kruja) me delegatët e vet Qazim Kokoshi, Omer Radhima e Myqerem Hamzaraj. Madje, Qazim Koculi, Spiro Koleka, Sadulla Tepelena dhe Myqerem Hamzaraj bënin pjesë ndër 36 senatorët e zgjedhur në Kongres në përbërje të Këshillit Kombëtar. Vendosmëria për ta shpëtuar me çdo kusht Shqipërinë i kishte përfshirë të gjithë.

Prandaj edhe vendimet e Kongresit (rrëzimi i Qeverisë së Durrësit, mosnjohja e Traktatit të Fshehtë të Londrës, respektimi i kufijve të 1913-s, formimi i Këshillit të Lartë, i qeverisë kombëtare dhe i senatit), thelbi i të cilave ishte kundërshtimi i çdo copëtimi e protektorati dhe garantimi i pavarësisë dhe i sovranitetit të plotë të Shqipërisë, ishin detyra për të gjithë. Por, rrethanat i dhanë popullit të prefekturës së Vlorës një rol veçantë. Ai duhej të priste nyjën gordiane që mbante peng fatet e vendit, duhej të flakte në det pushtuesit, që nuk mendonin kurrsesi ta lëshonin Vlorën. Ai duhej të vinte në jetë shpirtin e Kongresit, aty ku rreziku ishte i paevitueshëm dhe të bëhej promotori i shpëtimit.

Në një telegram të protestës që Kongresi i Lushnjës i dërgonte kryetarit të Konferencës së Paqes theksohej ndër të tjera se shqiptarët ishin gati të bënin “të gjitha sakrificat, të derdhnin edhe pikën e fundit të gjakut të tyre kundër çdo vendimi që do të vinte në rrezik tërësinë tokësore dhe pavarësinë e tyre të plotë”. Por këtë, së pari, do të duhej ta bënte populli i prefekturës së Vlorës.

Shqiptarët e kishin seriozisht për ato që deklaronin. Shqipëria, edhe pse jo pa zigzage e sakrifica, ishte drejtuar në rrugën e konsolidimit. Ata që e donin kombin shqiptar të copëtuar dhe të asgjësuar e kishin humbur shansin. Vetëm 3-4 muajt që ndanë Kongresin e Lushnjës nga Lufta e Vlorës mjaftuan për t’i treguar botës vendosmërinë e shqiptarëve. Me vendimet dhe masat e marra, qeveria e Sulejman Delvinës e shtriu kontrollin mbi shumë vise të vendit, neutralizoi grekët në Kapshticë, pasivizoi e pastaj shpartalloi esadistët në Shqipërinë e Mesme, siguroi neutralitetin e përkohshëm të Jugosllavisë, sensibilizoi për çështjen shqiptare organizmat ndërkombëtarë dhe u përgatit të mbështeste aksionin për çlirimin e Vlorës. Vetëm 3-4 muaj uniteti e vendosmërie mjaftuan pra, që të përballoheshin presione, provokacione, rebelime, dhe, madje, të përgatitej lufta çlirimtare për Vlorën. Por atë do ta bënte në radhë të parë populli i asaj treve.

Sipas konsultimeve të bëra qysh në Kongresin e Lushnjës, në Jug kishin marrë jetë disa komitete të “Mbrojtjes Kombëtare”, ku rolin kryesor e kishte Komiteti i Vlorës, i krijuar në mars nën drejtimin e Osman Haxhiut. Dy vjet përpjekje të atdhetarëve vlonjatë, ku u shquan Jani Minga, Osman Haxhiu, Hamza Isai, Ibrahim Abdullai, Abaz Mezini, Ali Asllani, Sali Hallkokondi, Avni Rustemi, Halim Xhelo, Ymer Radhima, Jorgji Ceko, Bajram Hallkokondi, Qazim Kokoshi, Qazim Radhima, Ahmet Lepenica (caktuar komandant i Përgjithshëm i Luftës së Vlorës) etj., dy vjet veprimtari e shoqërive patriotike si “Djalëria e Vlorës” etj., “Opinga”, “Vëllazëria”, dy vjet protesta (demonstrime me rastin e 28 Nëntorit 1918, 1919) sakrifica, përballje me dhunën dhe terrorin, natyrisht e kishin ndezur popullin e qytetit dhe të prefekturës së Vlorës, që treguan pjekuri për të vlerësuar se i duhej dalë zot një çështjeje të madhe. “Toka e bekuar e Vlorës dhe e tërë Shqipërisë është e jona, në të duhet të rrojmë të lirë dhe asnjë fuqi nuk mund të na ndalojë nga ky qëllim…”, ishte deklaruar qysh më 28 Nëntor 1918 në sheshin e Flamurit përplot me manifestues vlonjatë. Kishte ardhur koha të vihej qëllimi në jetë, kishte ardhur koha të krisnin dyfekët “që do të tronditnin Evropën dhe do të shkruanin një faqe të re në historinë e Shqipërinë” (siç u shpreh në Barçalla Hallkokondi).

Pas takimit në ditët e fundit të majit të Osman Haxhiut me Sulejman Delvinën në Tiranë, qeveria shqiptare e aprovoi programin e atdhetarëve vlonjatë, për të filluar kryengritjen si një luftë popullore, që nuk duhej të merrte ngjyrat e konfliktit midis dy shteteve, por që do të përkrahej e ndihmohej nga qeveria e Kongresit të Lushnjës me materiale, armë dhe ushtarakë profesionistë. (Për çka bëri për Vlorën, më 28 nëntor 1920, me propozim të shoqërisë “Mbrojtja Kombëtare”, Bashkia e Vlorës i akordoi Sulejman Delvinës titullin “Qytetar Nderi i Vlorës”).

Pasoi Kuvendi i njohur i Barçallasë, i 29 majit, dhe vijuan ngjarjet spektakolare: ultimatumi për Piaçentinin i 3 qershorit, sulmi i mbrëmjes së 5 qershorit, sukseset ushtarake mahnitëse me jehonë ndërkombëtare të 5 ditëve, goditjet për çlirimin e qytetit, në 11 dhe 23 qershor (në 21 qershor u çlirua Tepelena) dhe bisedimet, që me protokollin e 2 gushtit, konkretizuan triumfin e një përpjekjeje, e cila edhe një herë në Vlorë, gati 8 vjet pas ngritjes së flamurit nga Ismail Qemali, e ribëri sërish Shqipërinë. Bashkimi kombëtar i arritur në Lushnjë në janar, i përforcuar me 3 muaj përgatitje mbarëkombëtare dhe i finalizuar me 2 muaj të luftës së paimagjinueshme të 4 mijë vullnetarëve, kryesisht të prefekturës së Vlorës, kishin sjellë suksesin dhe kishte gdhendur për brezat mesazhin e paçmuar për vendosmërinë që duhej treguar për ta ruajtur, forcuar dhe përparuar Shqipërinë.

Dhe ndonëse ndërhyrja e huaj do të vijonte edhe më pas për ta destabilizuar Shqipërinë, për të kafshuar sërish në kufijtë e saj, apo për të vënë në gjunjë e për të lëkundur prestigjin dhe pavarësinë e qeverisë së Tiranës, kuptimi i drejtë i këtij mesazhi solli një varg suksesesh. Shqipëria u ribashkua nën drejtimin e qeverisë së saj kombëtare, përballoi provokacione, prapsoi intervencionin jugosllav në Koplik e Peshkopi, likuidoi rebelimin separatist të kapidanit të Mirditës, mbrojti kufijtë dhe, më 17 dhjetor 1920, siguroi anëtarësimin e merituar në Lidhjen e Kombeve. Kanë kaluar 100 vjet nga ai vit i papërsëritshëm kur funksionoi binomi Kongresi i Lushnjës – Lufta e Vlorës; dhe sa herë gjatë kësaj periudhe mesazhi i madh i atyre ngjarjeve është lexuar drejt, Shqipëria i ka kaluar më lehtë sfidat që i është dashur të kapërcejë në rrugën e saj. /Ra.My.Fjala.al/

Të fundit

Përfshihet nga zjarri kati i katërt i një pallati, transportohen në spital 6 persona

Një zjarr ka rënë këtë të diel në katin e katërt të një pallati në lagjen nr. 7 në...

Trump jep njoftimin e rëndësishëm: Për 30 ditë marr vendim për të ardhmen e TikTok

Presidenti Donald Trump tha të shtunën se ishte në bisedime me shumë individë për blerjen e platformës TikTok dhe ka të ngjarë të marrë...

Vdekja e 6-vjeçarit në spital, mjekja: Ja përse i ishte krijuar bronkoplomonia

Fëmija 6-vjeçar që ndërroi jetë në spitalin e Lushnjës pas rreth gjashtë ditësh trajtimi në kushte shtëpie nga gjyshi, vuante nga bronkopneumonia bilaterale. Mjekët...

Ndarja nga jeta e Janullatos, politologu: Ringriti kishën ortodokse në këto 3 dekada

Anastas Janullatos ndërroi jetë të shtunën, pas disa javësh shtrimi në spitalin “Evangelismos”, në Athinë ku ishte dërguar me urgjencë nga Tirana. Lidhur me këtë...

CIA publikon të dhënat: Covid-19 me shumë gjasa doli nga një laborator në Wuhan

CIA ofroi dje një vlerësim të ri mbi origjinën e shpërthimit të Covid-19, duke thënë se koronavirusi ka “më shumë gjasa” të ketë rrjedhur...

Lajme të tjera

Web TV