nga Fatos Çoçoli
Winston Churchill shprehej për profesionin e audituesit publik se “Një auditues shtetëror i zoti dhe me integritet vlen më shumë se 100 punonjës karriere në shtet”. Në dhjetor 2011, kur Bujar Leskaj nisi punën si kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ky institucion për çdo lek të shpenzuar nga buxheti i shtetit për ta mbajtur në këmbë, zbulonte mesatarisht 21 lekë dëm ekonomik. Për tetë vite, 2012-2019, nën drejtimin e Leskajt, institucioni zbuloi një dëm ekonomik katër herë më të madh, ose 82 lekë për çdo lek të harxhuar për KLSH-në nga buxheti i shtetit. Ç’do të thotë kjo? Që institucioni në tetë vitet e fundit ka mundur të zbulojë parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera nga administrata publike, si dhe shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e institucioneve të audituara në nivel të 1,8 miliardë eurove, ose 14 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Zbulimi i dëmit ekonomik real dhe jo hipotetik, deklarimi i tij pa dorashka, me kurajë dhe përmes njoftimeve periodike për shtyp, çuarja përpara drejtësisë e personave shkaktarë të dëmit nëpërmjet kallëzimeve penale përbëjnë mjete për të mbajtur administratën publike nën presion pozitiv dhe të përgjegjshëm. Për dhjetë vitet 2002-2011, KLSH-ja realizoi vetëm 168 kallëzime penale. Për periudhën nën drejtimin e Leskajt 2012-2019, institucioni arriti të bënte një kallëzim penal në javë, ose në tërësi 337, dy herë më shumë se në dhjetë vitet e mëparshme.
Përpara se të merrte propozimin e ish-presidentit të Republikës, Bamir Topi, për emërimin si kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, zoti Leskaj ka punuar si pedagog i ekonomisë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Në vitet 2005-2009, si deputet në Kuvend, u bë mbrojtës i interesave të ekonomisë sonë, nëpërmjet diskutimeve pa anësi dhe materialeve e propozimeve, të përgatitura me seriozitet dhe përgjegjshmëri. Një personalitet i ekonomisë dhe financave tona publike, ish-deputeti dhe ish-ministri i Ekonomisë, Florjon Mima, shprehej se ”kur vinim në Kuvend ishin pyetjet e z. Leskaj që na bënin të djersitnim”, për shkak të thellësisë dhe paanshmërisë së tyre. Për kontributin e tij si ministër i Kulturës në vitet 2005-2007 flet një komunitet i tërë artistësh dhe personalitetesh të kulturës sonë, me anësi partiake e politike të ndryshme ose pa përkatësi partiake, pak vetë e dinë se ky ish-deputet i Vlorës, më i votuari si intelektual vlonjat nga një sondazh i gazetës “Vlora Imperial”, është promotori i ligjit të parë integral për turizmin, ligj i përgatitur në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit dhe organizatën holandeze të zhvillimit SNV. Bashkëpunim që e ideoi pikërisht ekonomisti nga Vlora.
Ligji u miratua, mes debatesh të shumta në qeveri e Kuvend, në maj 2007. Bujar Leskaj ka vënë po ashtu vulën e tij në strategjinë kombëtare për zhvillimin e turizmit kulturor, që ndihmoi në lidhjen e trashëgimisë sonë kulturore me industrinë e turizmit. Dhe nëse në këto 13 vitet e fundit ndodhi shndërrimi i turizmit shqiptar në industrinë e parë të vendit, për kontributin në Prodhimin e Brendshëm Bruto (dha në 2019 mbi 3,2 miliardë euro), kjo në një pjesë i dedikohet edhe kuadrit nxitës ligjor, të draftuar nga Leskaj. Po pak vetë e dinë se Leskaj ka dhënë kontributin e tij edhe për ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe për ligjin për dëmshpërblimet e të përndjekurve politikë.
Vlerat e qytetarisë dhe një punë e palodhur intelektuale bënë që z. Leskaj në vitet 2010-2011 t’i japë lexuesit shqiptar dhe kujtesës sonë kombëtare dy libra hulumtues voluminozë “Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë, 1912-2009” dhe “Brenda dhe jashtë… Parlamentit”.
Në profesionin e pedagogut për ekonominë, Leskaj thelloi udhëtimin e tij në botën financiare, nëpërmjet përkthimit “Leksione në Financë”, të përshtatur sipas tekstit të nobelistëve të njohur të ekonomisë, Zvi Bodie dhe Robert C. Merton, si dhe botimit “Paraja dhe Banka”. Ky ekonomist, i cilësuar nga prof. Omer Stringa si “me kurajë karakteri dhe mprehtësi të pashoqe vëzhgimi”, duke lexuar mesatarisht 180 faqe raporte auditimi në ditë, realizoi modernizimin e KLSH-së, të pranuar dhe vlerësuar nga personalitete botërore të auditimit më të lartë publik.
KLSH: metamorfoza 2012-2019
Në janar 2012, në korridoret e ngushta dhe të errta të katit të tretë të godinës së ish-Komitetit Qendror nga përballë (në atë kohë mjediset e Kontrollit të Lartë të Shtetit) zhvilloheshin analizat vjetore të departamenteve të auditimit. Për herë të parë në këto analiza ishin të ftuar gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. I ftuar si gazetar shihja me kërshëri derën e madhe prej hekuri ku hynim në katin e katërt. Si dhe korridoret e ngushta e të zymta, ku ishin vënë rrjesht karrige për të ulur pjesëmarrësit në këto takime. Në prani të gazetarëve, audituesit diskutonin disi të ndrojtur për problemet e tyre, duke parë herë gazetarët e herë njeri-tjetrin. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë. Bujar Leskaj, kryetari i sapozgjedhur i KLSH-së, u jepte zemër të flisnin hapur. Që nga ajo kohë, ky institucion i shtetit shqiptar ndryshoi. Nga ardhja e demokracisë në vitin 1991 e deri atëherë, edhe pse një nga institucionet shtetërore më të rëndësishme në vend, KLSH-ja kishte folur shumë pak në mënyrë profesionale. Në gati dy dekada, zyra e kontrollit më të lartë shtetëror u shërbeu mazhorancave që u alternuan. Ose, në rastin më të mirë, nuk u ndesh me to.
Në fund të vitit 2011, institucioni kishte vetëm 4 ose pesë auditues, që kishin dëgjuar apo dinin diçka për standardet ndërkombëtare të auditimit më të lartë publik, ISSAI-t. Brenda vitit 2012, u realizuan 25 ditë trajnimi në vit për çdo auditues, me trajnime brenda dhe jashtë vendit. Për herë të parë në jetën e tyre, auditues me 20, 25 dhe madje 30 vite eksperiencë pune, dolën jashtë shtetit dhe takonin kolegë auditues të institucioneve të zhvilluara të auditimit publik të Evropës.
Dijet për auditimin u shndërruan në lajtmotivin e institucionit, në asetin më të rëndësishëm dhe krenarinë e KLSH-së. Kolana e librave dhe manualeve, nga 11 tituj të periudhës 1991-2011, u dhjetëfishua në periudhën 2012-2019, me 113 tituj të rinj. Me leximin dhe dijet e shtuara, puna mori thellësi. Në vitet 2012-2018, KLSH-ja i kërkoi Kuvendit të vendoste me ligj një tavan në 60 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit për borxhin publik. Ishte institucioni i parë në vitin 2012 që foli për riskun e detyrimeve të prapambetura dhe kërkoi shlyerjen e menjëhershme të tyre nga buxheti i shtetit. Kërkoi për gjashtë vite rresht përgatitjen dhe miratimin nga Parlamenti të ligjit mbi përgjegjësinë materiale të nëpunësit publik, që do shërbente si një digë e madhe kundër abuzimeve dhe korrupsionit. Kërkoi hartimin e një buxheti realist dhe të besueshëm dhe, sidomos, në dy vitet e fundit, mosdeformimin e treguesve kryesorë të tij, si deficiti vjetor dhe borxhi publik. Një institucion auditimi suprem publik, për shkak të natyrës së punës së tij, është gjithnjë mes tallazeve të politikës dhe përpjekjeve të saj për ndërhyrje.
Në vitet 2012-2019, asnjë auditues i institucionit nuk është ndier i shantazhuar apo i pambrojtur, gjatë ushtrimit të detyrës së vet. Kryetari i KLSH-së ka përballuar çdo presion politik mbi punën e audituesve. Sidomos sfidues ka qenë viti 2014, kur segmente të caktuara të pozitës u përpoqën të denatyronin karakterin reformues dhe progresiv të projektligjit për Kontrollin e Lartë të Shtetit, në përputhje të plotë me standardet ISSAI, të vërtetuar si i tillë nga SIGMA dhe DG-Budget (Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit e Komisionit Evropian) në Bruksel. Kreu i KLSH-së mori parasysh të jepte dorëheqjen, vetëm që projektligji të mos cenohej dhe pavarësia e institucionit të mos dëmtohej.
Nga partnerët dhe miqtë e institucioneve të auditimit suprem publik të disa vendeve të zhvilluara evropiane, Kryetari i KLSH-së u quajt “Njeriu i fortë i auditimit publik në Shqipëri”. Në Spanjë në vitin 2018 u thirr të jepte eksperiencën e KLSH-së në ruajtjen e pavarësisë së institucionit. Kontrollori i Përgjithshëm i SHBA-së, Gene L. Dodaro, personaliteti numër një i auditimit publik suprem në botë dhe lider i komunitetit INTOSAI (organizatës botërore të institucioneve supreme te auditimit) e ka takuar tri herë zyrtarisht (dy herë në zyrën e tij në Uashington) në një interval të shkurtër kohor (2016-2018). Përfaqësuesit e KLSH-së në Kongresin XXIII të INTOSAI-t në Moskë, në shtator 2019, z. Dodaro i pyeti :”Si është z. Leskaj? Ai punon aq shumë”.
Nga të 1262 auditimet e kryera për periudhën janar 2012 – dhjetor 2019, KLSH-ja ka identifikuar mungesë përgjegjshmërie nga titullarët e institucioneve publike të çdo niveli, mosnjohje të kërkesave të ligjit të menaxhimit financiar, nivele të ulta dhe inefiçencë të sistemeve të kontrollit të brendshëm, duke krijuar risqe për shpenzime jo në përputhje me kërkesat ligjore dhe efektivitet të ulët në shpenzimin e fondeve buxhetore.
Çdo raport auditimi është lexuar dhe trajtuar me shënime përbri nga kreu i institucionit. Shumë mund ta kenë të vështirë për ta besuar, por në gati tetë vjet, nga kreu i KLSH-së janë lexuar mesatarisht 150-160 faqe raporte auditimi në ditë, përveç korrespondencës së përditshme dhe raporteve të njësive ndihmuese në institucion.
Për vitet 2012-2018, KLSH-ja ka zbuluar një dëm ekonomik 1,78 miliardë euro dhe kërkuar shlyerjen e tij, si dhe shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në rezultatet e institucioneve shtetërore të kontrolluara në nivelin 3 miliardë euro. Në po këto vite, insitucioni ka kryer 337 kallëzime penale ose mesatarisht një kallëzim penal në javë. Duke vënë përpara përgjegjësisë për shkeljet e kryera dhe dëmin ndaj fondeve dhe pronave shtetërore 999 nëpunës të lartë, të mesëm dhe të ulët të administratës shtetërore.
Për z. Leskaj, korrupsioni nuk është as blu, as vjollcë, por i zi. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe interesat e shenjtë të qytetarit shqiptar. Në raportin për zbatimin e buxhetit të konsoliduar të shtetit për vitin 2018, KLSH-ja thekson se institucionet buxhetore kanë vepruar në shumë raste jo në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Ato nuk kanë respektuar radhën prioritare për buxhetimin e projekteve në vazhdim, kanë kryer shpenzime të pambështetura me plan buxhetor dhe nuk kanë lejuar përdorimin e fondeve buxhetore të miratuara nga Kuvendi për njësitë e pushtetit vendor (bashkitë). Jo pak prej tyre kanë kryer raportim të pjesshëm të shpenzimeve për disa zëra buxhetorë, me qëllim raportimin e treguesit të deficitit dhe disa zërave buxhetorë brenda kufijve të miratuar. Detyrimet e prapambetura dhe stoku në rritje i rimbursimit të TVSH-së, në vlera qindra milionë euro nuk reflektohen në treguesit e konsoliduar fiskalë, në treguesin e deficitit dhe në treguesin e borxhit publik për vitin 2018.
Këto janë problematika të mprehta që uroj të trajtohen thellësisht edhe në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për zbatimin e buxhetit të konsoliduar të shtetit për vitin 2019, vitin e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit. Ky raport do të dërgohet në Kuvend në tetor të këtij viti. “Trashëgimia” Leskaj e ka aftësuar tërësisht trupën audituese të KLSH-së të prodhojë raporte sa analitike, aq edhe të mbarsura me propozime dhe sugjerime konkrete për përmirësimin e menazhimit të buxhetit tonë publik dhe përdorimit me efektivitet, efiçencë dhe ekonomicitet të parasë së taksapaguesve shqiptarë. /Ra.My.Fjala.al/