Në mbledhjen e përbashkët mes qeverisë së Kosovës e të Shqipërisë u firmosën 14 marrëveshje ekonomike.
Kryeministri Rama tha se ambicia është që të hiqen kufijtë mes dy shteteve dhe porti i Durrësit të jetë strategjik për të gjithë rajonin.
Gjithashtu Kryeministri Rama komentoi edhe marrëveshjen që u arrit në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë, më konkretisht një pikë të saj.
Ajo që ka të bëjë me mundësinë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në detin Adriatik.
Krahas këtyre Rama ka thumbuar dhe Albin Kurtin i cili është shprehur më parë se nga kjo marrëveshje përfiton Serbia.
“Kosova nuk ia ka borxh asnjë revolucionari që përdor dhimbjen e plagëve të Kosovës në interes të politikës së tij. Unë e di si i bën Albini llogaritë nga pikëpamja ekonomike, por si mund të thuash që nga hekurudha nuk përfiton ai që ka portin dhe kryen gjithë atë volum tregtar dhe përfiton një nga aktorët që shfrytëzon portin me siguri këtë e gjen vetë Albini”,- tha Rama.
Një tjetër çështje me rëndësi e cila u diskutua në mbledhjen e sotme të dy qeverive ishte edhe hapja e plotë e kufirit me Kosovën, ku sipas Ramës më parë vendet duhet të bëhen pjesë e minishengenit ballkanik.
Kjo për të mos i lënë hapësirë dhe vendeve si Uashington, Bruksel apo Beograd për ta konsideruar këtë hapje si projekti i “Shqipërisë së Madhe”.
Ajo që ra në sy krahas gjithë çështjeve të rëndësishme ishte edhe fakti se Kryeministri Edi Rama edhe këtë herë zgjodhi të flasë me detaje. Vëmendje tërhoqi kravata e tij , ku niste ” Buxheti në lekë (FB+FH)” dhe më pas vijon me projekte të realizuara, ndoshta mes dy vendeve, Shqipëri-Kosovë.
Nuk dihet nga ku është frymëzuar Rama për kravatën, por prej ditësh ai ka publikuar taksat që kanë paguar “oligarkët” gjatë viteve të tij të qeverisjes./Blerina Balliu/Fjala.al