Luhet java e 7-të e Kategorisë Superiore, shkëputet Vllaznia, e ndjek Kukësi

Fiksohen 3 fitore të ekipeve udhëtuese, një barazim dhe një fitore e vendaseve. Janë luajtur të mërkurën të gjitha takimet e javës së 7-të të Kategorisë Superiore, të cilat dhuruan 1 fitore të vendaseve, një barazim dhe 3 fitore të skuadrave udhëtuese.

Vllaznia e thellon tanimë kryesimin, në kuotën e 16 pikëve, e ndjekur nga Kukësi, me 3 pikë më pak sesa shkodranët.

Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategoria Superiore, ka luajtur të mërkurën të 5 përballjet e vlefshme për javën e 7-të të saj. Katër prej këtyre janë zhvilluar pasdreke dhe spikati fitorja me 3 gola që Vllaznia korri në Kamëz ndaj Kastriotit. Duhet theksuar se fati i kësaj ndeshjeje është vulosur që në pjesën e parë, pasi të 3 golat u realizuan brenda 43 minutave të para, me autorë Dungën, Dilaverin dhe Imerin.

Vllaznia e thellon tanimë kryesimin, në kuotën e 16 pikëve, ndërsa fitore me 3 gola korri në Ballsh edhe Kukësi, që mundi Bylisin dhe u ngjit në vendin e dytë, me 3 pikë më pak sesa shkodranët. Verilindorët kanë shënuar dy herë në pjesën e parë, me Ezenë dhe Ibrahimin, dhe një herë në të dytën, me 11-metërshin e saktë të Limajt. Ndërkohë në dy sfidat e tjera të pasdrekes, Tirana dhe Apolonia korrën fitore minimale, përkatësisht në Laç përballë skuadrës vendase, dhe në shtëpi ndaj Skënderbeut, duke siguruar 3 pikë të vyera.

Për bardheblutë, kjo ishte fitorja e dytë, kurse për fierakët, e para në këto në 7 javë të këtij fillimsezoni. Ndërkaq, në takimin e fundit, që u luajt në mbrëmje, Partizani dhe Teuta janë ndarë me rrjeta të paprekura, por duhet theksuar se durrsakët shkuan dëm një 11-metërsh në minutat e fundit të ndeshjes. Partizani zbret në vendin e 3-të të renditjes, me 12 pikë, 4 më pak se Vllaznia kryesuese, ndërsa Teuta dhe Tirana ndajnë vendin e 5-të dhe të 6-të të renditjes, me nga 9 pikë, një më pak sesa Kastrioti i vendit të 4-t.

Lexo edhe :  FSHF nënshkruan Memorandumin për të përmirësuar jetën e refugjatëve përmes futbollit

Pa.Va/Fjala.al