Shumë shpejt pjesa më e bukur e Parkut Kombëtar të Shebenikut, do të ketë infrastrukturë rrugore dhe do të jetë e aksesueshme nga të gjithë.
Bashkia e Përrenjasit me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare është duke investuar në rikonstruksionin e rrugës Rrajcë Sutaj, e cila u shërben, jo vetëm banorëve të këtyre zonave, por edhe zhvillimit të agroturizmit në Parkun Kombëtar Shebenik Jabllanicë.
Faza e parë e këtij investimi parashikon rikonstruksionin e rrugës deri në fshatin Rrajcë Sutaj, ndërsa faza e dytë, vitin e ardhshëm parashikon lidhjen e fshatrave fundorë Rrajcë Skëndërbe dhe Bardhaj.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe Kryetari i Bashkisë Prrenjas Nuri Belba inspektuan ecurinë e punimeve.
Balla në fjalën e tij theksoi se pas ujësjellësit, qendrës shëndetësore dhe rrugës, tashmë mbetet për t’u investuar vetëm në shkollën e mesme.
“Rrajca është një krahinë shumë e madhe, por që Zoti i ka falur bukuritë natyrore që lidhen edhe me parkun kombëtar. Ky investim i sotëm është një investim i madh që u vjen në ndihmë të gjithë banorëve të zonës me infrastrukturë rrugore.
Dua të kujtoj se falë mbështetjes së Qeverisë Gjermane, Qeverisë Zvicerane, Bashkimit Europian dhe nën kujdesin e veçantë të Qeverisë Shqiptare, ne kemi sot në Rrajcë një prej rrjetit të ujit të pijshëm më të mirë në vend.
Pas këtij investimi filluam edhe rrjetin rrugor të kësaj zone. Faza e parë lidh qendrën me Sutajn dhe vitin e ardhshëm synojmë të lidhim dy fshatrat e fundit Skëndërbe dhe Bardhaj. Në këtë mënyrë rrisim aksesimin me rrugë të të gjithë fshatrave të kësaj zone të cilat do të shndërrohen në destinacione shumë të rëndësishme agroturizmi.
Ky është vetëm fillimi i një pune intensive. Ne kemi vetëm 16 muaj që kemi marrë drejtimin e Bashkisë Prrenjas dhe kushdo di të vlerësojë punën tonë në këto muaj me gjithçka që ka qenë më parë. Transformimi i Rrajcës do të vazhdojë. Jemi duke investuar edhe në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike.
Qershia mbi tortë është edhe shkolla e mesme e përgjithshme në të cilën nis investimi shumë shpejt. Pa harruar investimin e rëndësishëm që ka përfunduar për rikontruksionin e qendrës shëndetësore.
Përfitoj nga rasti t’u uroj banorëve të Rrajcës Gëzuar Festat, shëndet e mbarësi në familje”, deklaroi Balla.
Ndërsa kyebashkiaku, Belba në fjalën e tij vuri në dukje se, pavarësisht vitit të vështirë, investimet kanë vijuar, falë mbështetjes së Qeverisë Shqiptare.