Me rastin e 100-Vjetorit/ Kundërshtarët dhe miqtë e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve

Nga Av. Kastriot FRASHËRI

Në vitin 1914 Fuqitë e Mëdha firmosën një traktat duke përcaktuar kufijtë e Shqipërisë duke bërë kështu njohjen “de jure” të Shtetit Shqiptar. Pra për të gjithë ishte i qartë fakti se Shqipëria nuk e kishte humbur karakterin e saj shtetëror nga pikpamja legale dhe gjendja e saj ishte absolutisht e qartë. Një tjetër argument i cili ju paraqit kësaj asambleje mbi të cilin insistoi personalisht Lord Robert Cecil si përfaqësues brilant i perandorisë së madhe Britanike se Shqipëria është një vend muhamedan dhe Lidhja e Kombeve duhet të tregojë të njëjtat obligime si për muslimanët ashtu dhe për kristianët.

Duke shfrytëzuar këtë tribunë theksoi se: duhet të shfrytëzohet ky rast për t’i dhënë një vendi musliman po atë rëndësi që ka një shtet kristian. Në përfundim të fjalës së tij Lord Robert Cecil tha: Kush njeh historinë e Shqipërisë, njeh forcën dhe fuqinë e saj patriotike. Sepse populli shqiptar, ashtu si dhe mjaft popuj të tjerë në historinë e tyre kanë treguar nëpërmjet luftrave për liri dhe egzistencë këtë patriotizëm. Dhe patriotizmi shqiptar është po aq i fortë sa ai i zviceranëve apo francezëve.

Dhe shqiptarët e dëshirojnë me zjarr indipendencën e tyre dhe këtë e kanë mbrojtur me luftë. Zoti Newton Rowell përfaqësues i Kanadasë, i cili mori fjalën menjëherë pas Lord Robert Cecil tha se: “Shqipëria plotëson të gjitha kërkesat e paktit dhe ne (Lidhja -K.F) me plot besim duhet ta pranojmë këtë vend (Shqipërinë- K.F) në Shoqërinë e Kombeve”. Fill pas fjalës së dy të parëve edhe kundërshtarët që deri dje ishin shprehur kundër, pasuan njëri-tjetrin, duke shprehur pëlqimin e tyre Pro anëtarësimit të Shqipërisë në Shoqërinë e Kombeve.

Por si ndodhi kjo, si u përmbys kjo tabllo brenda më pak se dy javësh ku Shqipëria, njohu edhe refuzimin edhe pranimin? Përfaqësuesi i delegacionit britanik, The Right Honorable Herbert Albert Laurens Fisher, një historian i mirënjohur anglez, edukator, dhe politikan liberal duke pasuar diskutantët deklaroi menjëherë se: “delegacioni ynë pasi e studjoi edhe një herë gjendjen në Shqipëri pas paraqitjes së raportit ka arritur në të njëjtin konkluzion me Lord Robert Cecil dhe deklarojmë votën tonë Pro pranimit të Shqipërisë”. Menjëherë pas tij z. Ali Imam përfaqësues i Indisë u shpreh se mbështeste raportin e Lord Robert Cecil dhe duke qënë se Shqipëria përbëhet nga dy religjione fetare Muhamedane dhe Kristiane, ku muhamedanët janë në mazhorancë dhe kjo është një ogur i mirë për këtë popull, ku muhamedanët e kristianët bashkëjetojnë në harmoni me njëri- tjetrin dhe kjo është një provë e mirë për anëtarësimin në Lidhjen e Kombeve.

Pas tij zoti Vivian, në emër të delegacionit Francez u shpreh se e çmon elokuencën e delegatit britanik Herbert Fisher dhe bashkohet me propozimin e paraqitur me qartësi nga Lord Robert Cecil. Duke pasuar këtë, më poshtë delegati italian Schanzer, theksoi se Italia dëshiron lirinë, pavarësinë dhe progresin e Shqipërisë. Zoti Rowell – vijoi më poshtë ai,- na kujtoi këtu deklaratat e bëra nga Z. Giolitti, Kryetari i qeverisë Italiane në kohën e largimit tonë nga Vlora, të cilat kanë qenë të qarta e të thjeshta. Unë pata nderin dje të shpreh pikëpamjet tona mbi pranimin e shteteve të reja dhe nga kjo pikëpamje e them prapë duke u mbështetur në parimet tona të përgjithshme dhe me dëshirë që Shqipëria të jetë një element paqeje dhe rregulli në gadishullin e Ballkanit, ne jemi Pro pranimit të Shqipërisë në këtë Shoqëri.

Duke mbyllur këtë diskutim, i cili do të çelte një faqe të re në historinë e Shqipërisë, përfaqësuesi i delegacionit Rumun ndër të tjera tha: “Ne mendojmë se çështja e pranimit të Shqipërisë duhet të meret në konsideratë. Për këto arsye dhe të tjera të cilat ekspozoi zoti Cecil, ne jemi të kënaqur të deklarojmë votën e Rumanisë Pro anëtarësimit të Shqipërisë”. Më mirë se kaq për shqiptarët nuk kishte si të përfundonte kjo çështje e shumëdëshiruar për ta, kur kryetari i Asamblesë, i nderuari Paul Hyman, deklaroi përfundimin e këtij debati, duke ftuar anëtarët e kësaj asambleje të japin votën e tyre mbi kërkesën e anëtarësimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.

Votimi ishte unanim për Shqipërinë, e cila nuk u zhgënjye këtë herë nga Komuniteti Ndërkombëtar. Me 35 vota Pro, 7 vota Abstenime dhe asnjë Kundër Shqipëria më 17 Dhjetor 1920 u pranua anëtarja më e re e Lidhjes së Kombeve. Të nesërmen kryetari i delegacionit shqiptar Fan S. Noli u ftua të zinte vendin e rezervuar në Asamblenë e Lidhjes. Vlen të theksohet se pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, qe rezultat i punës dhe përpjekjeve të vazhdueshme të patriotëve, intelektualëve e miqve të Shqipërisë kudo në botë ku ndër ta shquhej miku i madh britanik i shqiptarëve deputeti Aubery Herbert. Një vend të veçantë në këto përpjekje për t’iu bashkuar qytetërimit botëror luajtën dhe shoqëritë shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, sidomos Shoqëria e shqiptarëve të Amerikës “Vatra”, dhe shtypi i kohës, të cilët dhanë një kontribut të rëndësishëm në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar në lidhje me çështjen shqiptare.

Ne duhet të themi se rëndësia e veçantë e kësaj faqe të historisë politike të Shqipërisë do të kuptohet kur të mendojmë se fillimi i marrëdhënieve tona me Lidhjen e Kombeve përputhej me kohëra të rrezikshme për fatet e Shqipërisë, sepse ishte koha kur Konferenca e Ambasadorëve në Paris kishte marrë sërisht në shqyrtim vendimet ndërkombëtare që kishin të bënin me krijimin e shtetit shqiptar.

Viktor Hygo në librin e tij “Të mjerët” thotë se mbas një lufte, mbas një revolucioni të madh në kombe, lind një periudhë e re, një zhvillim e një përparim në jetë të kombeve, një ndriçim i madh në të drejtat e njerëzve e të Shoqërive Shtetërore. Lufta e përbotëshme që trazoi e prishi gjithë botën, bëri mjaft dëme në qytetërimin e njerëzisë, por zgjidhi mjaft çështje shoqërore të rëndësishme, kështu që u bë një hap tjetër përparimi e qytetërimi duke u mbështetur në themele të forta e jo pas idealeve dhe utopive të kota. Zhvillimi i madh i kombeve në këtë luftë rrënuese lindi në vendet e qytetëruar idenë e Shoqërisë së Kombeve, idenë e demokracisë që njerëzit të rrojnë të mbrojtur në një ligj e në një gjykatë të përbashkët. Ky do të ishte morali politik nëpërmjet të cilit do të krijohej Shoqëria e Kombeve.

Shoqëria e Kombeve ishte për atë kohë një shtet i përgjithshëm me ligje e gjykata, me principe të drejta që të mbronte ato, të zgjidhte konfliktet dhe mosmarrëveshjet ndërmjet Kombeve të vegjël e të mëdhenj, midis të fuqishmëve dhe të dobtëve e të prapësonte të gjitha shkaqet për luftra midis tyre. Pra, si përfundim mund të themi se Lidhja e Kombeve (1919-1946) ishte i pari organizëm që i dëgjoi shqiptarët. Vetëm në atmosferën e Asamblesë së Gjenevës mund të dëgjohej me kujdes zëri i Shqipërisë që kërkonte të qasej në mes të kombeve të qytetëruar e të rrinte pranë tyre si shtet më vete dhe i pavarur. Shqiptarët, natyrisht, gjetën atje edhe kundërshtarë, por edhe miq të së drejtës që u bënë menjëherë miqtë tanë të vërtetë, të cilët morën në dorë çështjen tonë dhe e mbrojtën ashtu siç ju ka hije misionarëve të paqes dhe të së drejtës së kombeve e popujve. Dhe avokatëve të tillë si Mbretëria e Bashkuar, dhe përfaqësuesit e saj Hon. Lord Robert Cecil, The Right Honorable Herbert Fisher dhe Hon. Newton Wesley Rowell, etj.,  shqiptarët duhet t’u jenë përherë mirënjohës.

Lexo edhe :  3 tetor 1990 – Bie Republika Demokratike, ribashkohet Gjermania

Tre Mbështetësit e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve

Hon. Robert Cecil

Edgar Algernon Robert Gascoyne-Cecil, Viscount I (Vikonti i Parë (14 shtator 1864 – 24 nëntor 1958), i njohur si zoti Robert Cecil 1868-1923, ishte jurist, politikan dhe diplomat në Mbretërinë e Bashkuar. Ai ishte një nga arkitektët e Lidhjes së Kombeve dhe një mbrojtës aktiv i saj, lauruar me Çmimin Nobel të Paqes në vitin 1937. Robert Cecil ka lindur në Cavendish Square, London, fëmija i gjashtë dhe djali i tretë i Robert Gascoyne-Cecil, Markez i 3-të i Salisbury, tre herë kryeminister, dhe Georgina, bija e Sir Edward Alderson Hall. Ai ishte vëllai i Jakobit Gascoyne-Cecil, Markez i 4 i Salisbury, Lord William Cecil, Lord Edward Cecil dhe Lord Quickswood dhe kushëri i Arthur Balfour. Ai ishte arsimuar në shtëpi, derisa ai ishte trembëdhjetë vjeç dhe pastaj kaloi katër vjet në Kolegjin Etoni. Ai pohoi në autobiografinë e tij që e ka shijuar shkollimin e tij në shtëpi. Ai studioi për drejtësi në University College, Oxford, ku u bë një referues i mirënjohur.

Në 1887, ai u pranua në Bar (lejohet praktika e avokatit). Ai u martua me Lady Eleanor Lambton në vitin 1889. Nga viti 1887-1906, Robetrt Cecil ka ushtruar ligjin civil, duke përfshirë punën dhe praktikën parlamentare. Më 15 qershor 1899, ai u emërua si Queen’s Counsel (QC). Ai gjithashtu bashkëpunoi për hartimin e librit “Parimet e të Drejtës Tregtare”. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1906, Robert Cecil u zgjodh si anëtar Konservator i  Parlamentit Britanik. Pas formimit të qeverisë së koalicionit të 1915, ai u bë Nën-Sekretar i Shtetit për Punët e Jashtme më 30 maj 1915. Ai shërbeu në këtë post deri në 10 janar 1919, duke shërbyer edhe si Ministër i Falenderimeve nga 23 shkurt 1916 deri 18 korrik 1918.  Më 25 maj 1923, Robert Cecil u rikthye në qeveri.

Në zgjedhjet e përgjithshme të dhjetorit 1923, pasi Konservatorët humbën shumicën e mandateve të tyre, ai hyri në fisnikët e vendit, si Viscount Cecil i Chelwood, i East Grinstead në qarkun e Sussex-it, më 28 dhjetor 1923. Kur Konservatorët u rikthyen në pushtet në zgjedhjet e përgjithshme të tetorit 1924 Robert Cecil u bë kancelar i Dukatit të Lancaster.  Në shtator të vitit 1916, ai paraqiti një memorandum, duke bërë propozime konkrete për shmangien e luftës. Robert Cecil ishte një Esperantist i njohur, dhe, në 1921, ai propozoi që Lidhja e Kombeve të miratojë Esperanto-n si zgjidhje për problemin e gjuhës.

Nga fillimi i Lidhjes së Kombeve, pas Luftës së Parë Botërore, deri në dështimin e saj në 1946, Robert Cecil ishte i përkushtuar tërësisht për Lidhjen. Në Konferencën e Paqes në Paris, ai ishte përfaqësuesi britanik në krye të negociatave për Lidhjen e Kombeve. Nga 1920 deri më 1922, ai përfaqësoi Afrikën e Jugut në Asamblenë e Lidhjes. Në vitin 1923 ai bëri një turne pesë javor në Shtetet e Bashkuara, duke shpjeguar Lidhjen për  amerikanët. Në administratat e qeverisjes konservatore në Mbretërinë e Bashkuar gjatë viteve 1923-1924, dhe 1924-1927 ishte ministër përgjegjës, nën juridiksionin e Sekretarit të Jashtëm, për aktivitetet britanike në punët e Lidhjes së Kombeve.

Në pranverën e vitit 1946, ai ishte  pjesëmarrës në takimet e fundit të kësaj organizate në Gjenevë, duke i dhënë fund fjalimit të tij me fjalinë e njohur: “Lidhja është e vdekur, jetë të gjatë  Kombeve të Bashkuara”. Ai jetoi për trembëdhjetë vjet të tjera, herë pas here duke qenë anëtar në Dhomën e Lordëve, dhe mbështetetës i përpjekjeve ndërkombëtare për paqe me anë të presidencës së tij si nderi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ai vdiq më 24 nëntor 1958 në shtëpinë e tij në Chelwood Gate, Danehill pranë Haywards Heath. Ai nuk la trashëgimtarë dhe titulli Viscountcy i tij u shua.

Hon. Newton Wesley Rowell    

Ishte një avokat dhe politikan i njohur Kanadez, një udhëheqës, figurë në Kishën Metodiste. Newton Rowell udhëhoqi Partinë Liberale të Ontarios nga 1911-1917.

Ai ka lindur në Ontario, Kanada. Në vitin 1917, Rowell, si një mbështetës i rekrutimit gjatë Luftës së Parë Botërore, la mënjanë legjislaturën e  Ontarios dhe u shkëput nga Sir Wilfrid Laurier dhe Partia Liberale e Kanadasë për t’u bashkuar me qeverinë kombëtare të lëvizjes sindikale të Sir Robert Borden. Ai shërbeu në qeverinë “Borden” si Kryetar i Këshillit  te  Kanadasë dhe, më pas, si Ministër i parë Shëndetësisë në Kanada. Pas luftës zoti Rowell shërbeu si delegat i Kanadasë në Lidhjen e Kombeve, ku dhe u përfshi në çështjet ndërkombëtare.

Ai ndihmoi edhe në formimin e Kishës së Bashkuar të Kanadasë. Si avokat ai pati një nga praktikat e procesit gjyqësor me të fortë në Toronto, duke argumentuar shumë raste në Gjykatën e Lartë të Kanadasë dhe të Komitetit të Këshillit Gjyqësor, duke përfshirë Edwards v. Kanada (Prokurori i Përgjithshëm). Në vitin 1903, themeloi firmën ligjore që është e njohur edhe sot “McMillan-LLP”. Në vitin 1929 ai argumentoi dhe fitoi çështjen në lidhje me faktin nëse gratë kishin të drejtën e emërimit në Senatin e Kanadasë. Në 1936 ai u emërua në Gjykatën e Lartë te Ontarios. Gjithashtu ai është shquar edhe si kryetari i parë i Komisionit Rowell-Sirois  në vitin 1937  në lidhje me marrëdhëniet ekonomike.

The Right Hon. Herbert Fisher

The Right Honorable Herbert Albert Laurens Fisher, ishte një historian anglez, edukator, dhe politikan liberal. Ai shërbeu si President i Bordit të Arsimit në 1916-1922 në qeverine e David Lloyd George. Herbert Fisher lindi në Londër, djali i madh i Herbert William Fisher (1826-1903), Motra e tij Maria Adeline Fisher ishte gruaja e parë e kompozitorit  Williams Ralph Vaughan, motra tjetër Firence Henrietta Fisher u martua me të dy William Frederik Maitland dhe Francis Darwin. Herbert Fisher ishte kushëri i parë i Virginia Woolf dhe motra e saj Vanessa Bell. Ai ishte arsimuar në Winchester dhe New College, Oxford, ku u diplomua me një shkallë të klasit të parë në 1888. Herbert Fisher ishte mësues privat i Historisë Moderne në Universitetin e Oksfordit.

Botimet e tij përfshijnë “Bonapartism” (1908), “Tradita Republikane në Evropë” (1911) dhe “Napoleoni” (1913). Në shtator 1912, ai u emërua anëtar i Komisionit Mbretëror për Shërbime Publike në Indi.  Në vitet 1913 dhe 1917 ai ishte zëvendës-kancelari i University të Sheffield. Në dhjetor 1916 Robert  Fisher u zgjodh anëtar i Parlamentit Britanik për Sheffield Hallam dhe u bashkua me qeverinë e David Lloyd George, si Kryetar i Bordit të Arsimit. Në këtë post ai ishte instrumenti kryesor në formulimin e Ligjit të Arsimit më 1918, i cili bëri të mundur frekuentimin e detyrueshëm shkollor për fëmijët deri në moshën 14 vjeçare.

Fisher dha dorëheqjen në parlament, përmes emërimit si Steward Hundred Chiltern më 15 shkurt 1926, duke u tërhequr nga politika për të marrë postin e këshillit drejtues të New College, Oxford, të cilin ai e mbajti deri në vdekjen e tij. Atje ai botoi tre vëllime të “History of Europe” (Historia e Europës) në 1935. Në vitin 1927, ju dha titulli James Tait Black Memorial Prize për biografinë e tij “James Bryce, Viscoont Bryce of Dechmont”, si dhe ka marrë Order of Merit (Urdhërin e Meritës) në vitin 1937. Fisher u martua me ekonomisten dhe historianen Lettice Ilbert (1875-1956) në vitin 1899. Fëmija i tyre i vetëm ishte akademiku britanik, Mary Bennett. Fisher vdiq në prill 1940, në moshën 75 vjeçare i goditur nga një autobus.

l.m/Fjala.al