Zëvendësoi të shkarkuarin Ismet Munishi, Blendi Shkëmbi prezantohet tek Ballkani

Sipas asaj që raportojnë mediat në Kosovë, Ballkani ka prezantuar të hënën trajnerin nga Shqipëria, Bledi Shkëmbi, prezantim të cilin klubi nga Suhareka e ka quajtur shumë të rëndësishëm. Në fakt, trajneri korçar ka ardhur te skuadra nga Suhareka vetë i treti. Në njoftimin e Ballkanit është theksuar se ndihmës të Shkëmbit do të jenë italiani Frankesko Vitobelo dhe përgatitësi atletik, Alban Shala.

Me italianin, Shkëmbi ka bashkëpunuar kur ishte trajner i Teutës, ndërkohë që Shala ishte në rolin e përgatitësit atletik te Laçi, deri para emërimit të Shpëtim Duros si trajner. “Në takimin e sotëm është bërë njoftimi formal ndërmjet stafit të ri dhe futbollistëve, si dhe është shpalosur dinamika e ardhshme për sa i përket fazës përgatitore”, – thuhet në njoftimin e Ballkanit.

Pas prezantimit, Shkëmbi i ka nisur menjëherë përgatitjet për pjesën pranverore të sezonit. Bledi Shkëmbi do të zëvendësojë në këtë detyrë të shkarkuarin, Ismet Munishi. Ky i fundi e la Ballkanin në garë për titull, pasi suharekasit renditen në vendin e dytë në Superligën e Kosovës, me 38 pikë, vetëm 3 më pak se Drita e Gjilanit, që është e para.