Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja ka deklaruar se shpreson shumë që lojtarët kuqezi të jenë në formë të mirë në muajin mars, kur nisin edhe eliminatoret e Botërorit 2022. Shorti i vendosi Shqipërinë në Grupin I së bashku me Anglinë, Poloninë, Hungarinë, Andorrën dhe San Marinon, teksa kuqezinjtë e nisin këtë aventurë më 25 mars në vizitën që do t’i bëjnë Andorrës. Duke folur për një emision sportiv shqiptar, trajneri italian analizoi situatën e lojtarëve kryesorë të ekipit kuqezi dhe objektivat e tij deri në mars, teksa shpreson që gjendja të përmirësohet deri në nisjen e Eliminatoreve. Gjithashtu, Reja foli edhe për cilësinë e kampionatit shqiptar, talenteve të reja që dalin nga Kategoria Superiore, por edhe objektivat kuqezi në të ardhmen.
“Pritshmëritë janë të shumta këtë vit për ekipin tonë, sepse me këtë nisje të eliminatoreve të Botërorit ka shumë entuziazëm, ndonëse jemi në një grup me Anglinë, Poloninë dhe Hungarinë, – ka deklaruar fillimisht ai. – Unë po shpresoja të ishim në grupin e Kroacisë, ku do të kishim më shumë, por shorti na dha këtë rezultat. Sidoqoftë, pres që skuadra të rritet. Uroj shumë që lojtarët, në mënyrë të veçantë Strakosha e Berisha, që nuk po luajnë, Hysaj, që nuk po gjen hapësirë në formacion, Kumbulla që nisi mirë dhe tashmë nuk e ka më këtë situatë, pra lojtarët që unë i cilësoj si vendimtarë të mund të luajnë vazhdimisht që të jenë në formë për muajin mars. Sidoqoftë, është ende herët të flasim sepse jemi në ditët e para të janarit.”
“Por uroj që nga tani e deri në mars këta lojtarë nëse nuk luajnë si titullarë, të paktën të rrisin prezencën e tyre të fushë, të marrin minuta më shumë, – ka vijuar trajneri kuqezi. – Kush luan natyrisht që do të arrijë në formën më të mirë. Për shembull, Gjimshiti, luan gjithmonë, madje luan tre ndeshje në javë dhe ka arritur në atë pikë maturie sa nuk lodhet fare dhe unë e them që luan me cigare në gojë, në aspektin metaforik. Është përmirësuar shumë kohët e fundit dhe të luash në Ligën e Kampioneve, natyrisht që ke rritje në kondicionin fizik dhe teknik dhe bën paraqitje të mira. Shpresoj që të gjithë të tjerët të luajnë dhe kjo është një çështje që në fakt më tremb shumë aktualisht. Abrashi ka fare pak minuta, e hedhin në fushë në minutat e fundit.”
“Ismajli te Spezia s’ka aktivizim, përjashto javën e kaluar, ku luajti vetëm 20 minuta, – ka pohuar 75-vjeçari. – Shpresoj shumë që të marrin minutat për marsin, sepse ky është një aspekt thelbësor për ne.” Veterani italian i stolit kuqezi ka folur më tej edhe për prurjet e reja, duke u shprehur i kënaqur me reagimin që ka marrë prej tyre, duke thënë: “Natyrisht kemi kaluar edhe në planin B, pasi kishte disa arsye, epidemia e “Covid-19”, klubet që nuk na i lejonin lojtarët, apo edhe dëmtimet e kështu kam qenë i detyruar të hedh në fushë lojtarë të rinj dhe kam marrë ‘feed-back’ shumë të mirë prej tyre. I kam grumbulluar dhe janë përgjigjur në stërvitje dhe ndeshje në mënyrë të shkëlqyer të themi.”
“Sepse ku u nisëm për dy vizitat ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë një lloj ankthi e stepje e kishim për shkak të elementit të ri, – ka kujtuar Reja. – Madje, edhe në ndeshjen ndaj Bjellorusisë ku ne fituam kishim debutues. Kur kemi të bëjmë me një lojtar të ri, i cili e ka ndeshjen e parë me kombëtaren, ka vend për shumë diskutime. Sidoqoftë morëm përgjigje të mira. Personalisht jam shumë i kënaqur nga këta të rinj, dhe mendoj që ata do të kenë një të ardhme të mirë. Doka, Kallaku e Broja kanë dhënë përgjigje tepër pozitive në fushë. Kështu që kemi në dispozicion lojtarë që nga tani dhe në Botëror e Europian mund t’i japin një shtysë të mirë ekipit.” Trajneri i Kombëtares nuk ka lënë pa prekur as cilësinë e kampionatit shqiptar, për të cilën kujdeset.
Kjo sepse ndikon edhe në punën e tij, por ai shpreh gjithashtu keqardhje për nivelin që, sipas tij, nuk është ende aty ku duhet. “Më vjen keq për Ismajlgecin, të cilin e grumbullova e më pas u dëmtua, – thotë italiani. – Sepse nëse nuk do të ishte dëmtuar, sigurisht që do të luante ndaj Kosovës, por kishte mundësi shumë të mira, nisur nga mungesat që kisha që të luante titullar edhe ndaj Bjellorusisë. Unë i shoh të tërë, por më bën përshtypje diçka dhe kam arritur në një konstatim: Si ka mundësi që lojtarët kampionatit shqiptar, si Doka që ikën jashtë Shqipërie dhe luan mirë. Më tej të njëjtën gjë bëjnë Kallaku, Çokaj, Uzuni, Mersinaj, të cilët po bëjnë paraqitje të mira. Kam dilemë dhe një pikëpyetje të madhe në këtë drejtim.”
“Nuk di çfarë ndodh në Shqipëri, që nuk merren në konsideratë të tillë lojtarë? – ka shtruar ai pyetjen. – Apo nuk vijnë në formën e tyre më të mirë? Sipas meje duhet të ngrihen strukturat në klube, por kam parë edhe fushat, që lënë për të dëshiruar në aspektin e kondicionit të terreneve. Gjithashtu, duhet të nisim të ndryshojmë mbi të gjitha mentalitetin dhe strukturat. Duhet t’i risim mirë lojtarët, që të kuptojnë se çfarë do të thotë të luash futboll edhe në aspektin taktik. Më vjen një pikëpyetje madhe rreth kampionatit në Shqipëri që mendoj që nuk është konkurrues në veçanti.” Për këtë arsye, trajneri kuqezi beson se lipset një ndryshim i mendësisë. “Nuk di shkaqet, sepse sapo lojtarët ikin prej kampionatit shqiptar bëhen menjëherë lojtarë të mirë kudo që shkojnë”, – thotë ai.
“Të paktën kjo është ajo që ka ndodhur në vitet e fundit, – ka vijuar Reja. – Nuk e di sa e vërtetë mund të jetë ky konstatim i imi. – Nuk mundem në këtë pikë të fajësoj trajnerët. Aspak. Kam njohur trajnerë në Shqipëri që janë shumë të mirë. Por në përgjithësi, është një mentalitet që duhet ndryshuar me shpejtësi. Ndërkaq, ndiej keqardhje për këtë situatë bllokuese nga “Covid-19”, pasi kisha marrë angazhim të vija më shpesh në Shqipëri për të folur me klubet, me lojtarët, me drejtuesit. Kemi ndërmarrë dhe një iniciativë të re, sepse Febrari ka organizuar një kurs për përgatitësit atletik, Stesina po shqyrton edhe mundësitë e trajnimit të mjekëve sportivë. Shqipëria duhet të rritet, sepse sipas meje ka lojtarë të mirë dhe aty.
“Por lojtarëve u duhet dhënë mundësia dhe instrumenti përkatës për rritjen e gjithsecilit, por në terma të përgjithshme flas, pasi kjo s’ka të bëjë me pjesën e trajnerit, – ka theksuar Reja. – Mendësia duhet ndryshuar sipas meje.” Në mbyllje, trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja, ka folur edhe për synimin në Eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. “Anglia dihet që është e fortë, sikundër edhe Polonia me lojtarë tepër cilësorë, apo edhe Hungaria është po ashtu një nga skuadrat e momentit për formën që ka, – pohon ai. – Por më pëlqen që të përballem me këta rivalë, sepse janë skuadra, si Anglia në veçanti, që stimulojnë maksimalisht skuadrën e kështu ndaj tyre do të shohim nëse jemi rritur apo jo.”
“Janë ndeshje tepër konkurruese, skuadra shumë të forta, por nëse arrijmë të bëjmë paraqitje të mira dhe mbase fitojmë ndeshje me rivalë të tillë, atëherë do të thotë që kemi rritje në planin personal dhe profesional. Kjo do të konfirmonte rritjen e Kombëtares shqiptare. Një vit të mbarë të gjithëve! Shpresojmë që Federata të rritet, që futbolli në vend të rritet dhe mbi të gjitha ekipi kombëtar të rritet dhe të përballet në mënyrë konkurruese me të tilla skuadra që ka në grup”, – ka përfunduar Reja.
Fjala është e lirë. Liria është fuqi!
E-mail : info@fjala.al
Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Fjala.al. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e FJALA.al, është shkelje e të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi.
FJALA MEDIA GROUP
NUIS/NIPT : L92423005H