Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, u shpreh i bindur në fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit. Ai tha se mazhoranca synon 74 mandate duke mbajtur nivelin e vitit 2017. “Ne diskutojmë cilësinë e fitores së PS në 25 prill për të qeverisur e çuar në fund reformat tona, objektivi ynë është të mbajmë 74 mandate, por që PS është mazhorancë, këtë nuk e diskuton asnjë seli e opozitës.
Duam të marrim mandatet e 2017-s”. Besimin në fitoren e zgjedhjeve, Manja e bazon me reformat e ndërmarra nga qeveria, por edhe nga fakti që, sipas tij, nuk ka asnjë kundërshtar dhe alternativë përballë. Duke e konsideruar sfidë me vetveten ai thotë se në mandatin e tretë Shqipëria do të hyjë në rrugën e integrimit. “Ne do ta marrim mandatin e tretë. Ne nuk kemi kundërshtar përballë, por unë besoj që mandati i tretë është sfidë me vetveten dhe është fryt i punëve të mira që kemi bërë dhe do përfundojmë ato punë që kemi nisur dhe janë të hapura dhe ky është mandati ynë i tretë dhe nga pikëpamja e reformës në drejtësi dhe zhvillimit ekonomik.
Në mandatin e tretë, Shqipëria do hyjë në rrugën e integrimit, unë nuk kam sfidë me kundërshtarin, por me vetveten. Të qasemi te qytetari me gjuhë të thjeshtë se çfarë kemi bërë mirë dhe çfarë nuk kemi bërë mirë. Nuk ka alternativë. Një opozitë me vizion e vendos edhe mazhorancën në pozitë të fortë elektorale, ne sfidën e kemi me vetveten. PD me përjashtim të zgjedhjeve të 92 ka qeverisur falë manovrave politike e elektorale për shkak të problemeve që kishte e majta”, tha ai.