Kupa e Spanjës hedh shortin e gjysmëfinaleve, Sevilja-Barcelona dhe Levante-Atletik Bilbao, dy duelet

Sevilja-Barcelona dhe Levante Atletik Bilbao, dy duelet e mëdha për finalen. Një tjetër ekskluzivitet madhor i Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, është edhe Kupa e Spanjës. Dhe transmetuesit publik, ka sjellë nga e marta, deri të enjten, tri përballjet më të spikatura të çerekfinaleve. Ndërkaq, sa u përket gjysmëfinaleve Sevilja do të sfidojë Barcelonën, ndërsa Levante do të ndeshet me Atletik të Bilbaos. Pas ka mbyllur fazën e çerekfinaleve, Kupa e Spanjës, e njohur ndryshe edhe si Kupa e Mbretit, ka njohur edhe 4 gjysmëfinalistet, teksa është hedhur edhe shorti i aktit të parafundit të kësaj veprimtarie, që ka dhuruar dy çifte interesante.

Siç dihet, kjo veprimtari historike, që po zhvillon edicionin e saj të 118-të, është një tjetër ekskluzivitet madhor i Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, i cili ka sjellë përballjet më të spikatura të çdo faze. Në duelin e parë gjysmëfinal, Sevilja, 5 herë fituese dhe 4 herë finaliste e mundur do të përballet me Barcelonën, e cila është në fakt rekordmbajtësja e këtij trofeu, duke e fituar atë plot 30 herë dhe duke dështuar në 11 finale të tjera. Sevilja erdhi në gjysmëfinale pasi mundi me një gol të vetëm në pjesën e dytë skuadrën e vetme që kishte mbetur nga niveli i dytë i futbollit spanjoll, Almerian.

Kurse katalanët e siguruan vendin midis 4 më të mirave të Kupës, pas asaj fitoreje dramatike, 5-3, të siguruar në duelin çerekfinal në fushën e Granadës, kryesuar me dy gola deri në minutën e 88-të. Por Barcelona ka barazuar gjithçka brenda pak minutash të mbetura të kohës së rregullt dhe ato shtesë, duke e çuar gjithçka në dy pjesët shtesë nga 15 minuta secila. Një gjysmëorësh që ka rezultuar po aq dramatik, pasi janë shënuar edhe 4 gola të tjerë, një për vendasit dhe 3 për Barcelonën, që fiton me shifrat 5-3 dhe siguron vendin në gjysmëfinale.

Lexo edhe :  Nasri kritikon Mbappé: I mungon pavarësia personale, ka mbetur nën hyqmin e prindërve

Ndërkaq, në duelin tjetër gjysmëfinal, Levante, e cila zyrtarisht nuk e ka fituar asnjëherë këtë trofe, sfidon një tjetër specialist të Kupës së Spanjës, Atletik të Bilbaos, e cila me 23 trofe të fituara dhe 14 finale të humbura është e dyta, pas Barcelonës, sa i përket sukseseve të arritura në këtë veprimtari. Në fakt, Levante e ka fituar një Kupë të Spanjës së Lirë më 1937-ën, duke mundur 1-0 rivalen bashkëqytetase, Valencian, gjatë periudhës së Luftës Civile, ku janë zhvilluar në fakt dy Kupa të veçanta.

Ndonëse në 2007-ën Kongresi i Deputetëve të Spanjës i ka bërë thirrje Federatës Spanjolle të futbollit ta njohë këtë fitore të Kupës nga Levante, organizmi që qeveris futbollin në vend nuk ka marrë ende një vendim. Në duelin çerekfinal, Levante-Vijareal, skuadra vendase ka fituar me një gol të vetëm të shënuar në skajet e 120 minutave, teksa gjithçka po i drejtohej lotarisë së 11-metërshave. Kurse Atletik i Bilbaos ka triumfuar në duelin çerekfinale ndaj Real Betisit, por vetëm pas lotarisë së 11-metërshave, pasi koha e rregullt dhe ajo shtesë u mbyll në barazim 1-1,.

Kupa e Spanjës

Gjysmëfinalet:

Të mërkurën, 10 shkurt 2021:
Sevilja – Barcelona (21:00)

Të enjten, 11 shkurt 2021:

Atletik i Bilbaos – Levante (21:00)

Të mërkurën, 3 mars 2021:
Barcelona – Sevilja (21:00)

Të enjten, 3 mars 2021:
Levante – Atletik i Bilbaos (21:00)