Laçi eliminon Partizanin nga pika e bardhë, kualifikohet edhe Skënderbeu, Vllaznia dhe Teuta. Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka luajtur të mërkurën duelet e çerekfinaleve, që janë vendur në një përballje të vetme. Laçi, Skënderbeu, Teuta dhe Vllaznia janë skuadrat që janë kualifikuar për në gjysmëfinale. Kupa e Shqipërisë ka zhvilluar të enjten 4 duelet e çerekfinaleve dhe Laçi ka eliminuar Partizanin, ndërsa kualifikohet edhe Skënderbeu. Në dy takimet e para, të zhvilluara pasdreke, kurbinasit kanë arritur në gjysmëfinale duke eliminuar të kuqtë, por vetëm pas goditje së 11-metërshave, pasi koha e rregullt dhe ajo shtesë janë mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa Skënderbeu mundi Dinamon 3-1.
Kështu, Laçi dhe Skënderbeu ishin dy skuadrat e para që kanë arritur të presin biletën për në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Në çerekfinale, ku gjithçka u diskutua në një ndeshje të vetme, kurbinasit kanë arritur të eliminojnë Partizanin pas goditjeve të 11-metërshave. 120 minuta lojë prodhuan një barazim 0-0, ndërkohë që nga pika e bardhë të besuarit e trajnerit Shpëtim Duro kanë arritur të fitojnë me rezultatin 4-3. Për Partizanin gabuan nga pika e bardhë, Cara dhe Bardhi, ndërsa për Laçin gaboi Musta. Ndërkohë, në sfidën tjetër të luajtur në orën 13:00, Skënderbeu ka arritur të kalojë Dinamon, një nga dy ekipet e Kategorisë së Parë që kishin mbetur ende në lojë në Kupë, duke marrë një fitore 3-1 në përballjen e luajtur në Stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit.
Korçarët në asnjë moment nuk e vunë në diskutim fitoren, ndërsa shënuan me anë të Mensasë, në minutën e 22-të, Berishës, në të 43-ën dhe Pusit, në të 60-ën. Për Dinamon, goli i vetëm u shënua nga Uelber, në minutën e 63-të, por që shërbeu vetëm si statistikë, sepse nuk arriti dot të rizgjojë shpresën e bluve të kryeqytetit. Ndërkaq, në dy ndeshjet që u luajtën duke nisur nga ora 16:00, kanë korrur fitore minimale në shtëpi, por edhe Teuta dhe Vllaznia kanë siguruar në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Durrsakët dhe shkodranët janë dy skuadrat e fundit që sigurojnë kualifikimin në gjysmëfinalet, aty ku do i bashkohen Laçit dhe Skënderbeut.
Skuadra bregdetare fitoi 1-0 përballë Kukësit, aty Emiliano Vila realizoi golin e vetëm të ndeshjes që u luajt në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. 33-vjeçari shfrytëzoi një krosim të Teodorovskit në minutën e dhjetë dhe gjeti rrjetën kundërshtare pas goditjes me kokë. Verilindorët e trajnerit Mirel Josa reaguan dhe tentuan barazimin, por portieri Stivi Frashëri ishte në një ditë pozitive dhe bllokoi Ezenë dhe Baravikasin. Mbyllet kështu 1-0 për Teutën, që gjithashtu mbetet në luftë për trofe në të dy frontet e futbollit shqiptar.
Ashtu sikundër ka bërë edhe Vllaznia, pasi i njëjti rezultat u regjistrua edhe në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Kuqeblutë mposhtën minimalisht Korabin e Kategorisë së Parë falë golit të Arsid Krujës në minutën e 16-të. 27-vjeçari ekzekutoi fort një goditje të bukur, por pati edhe fat pasi topi u devijua përpara se të përfundonte në rrjetë. Një rikthim te fitorja pas 5 ndeshjesh për ekipin e trajnerit Tomas Brdariç. Ndërkohë, duhet theksuar se Vllaznia e mbylli takimin me 10 lojtarë, pas daljes me të kuq të Herald Markut katër minuta përpara fundit të ndeshjes.
Po kështu, skuadra dibrane humbi një shans të artë në minutën e fundit të takimit. Por, në fund festoi Vllaznia kalimin në katër ekipet më të mira të Kupës së Shqipërisë.
KUPA E SHQIPËRISË
Çerekfinalet
LAÇI – PARTIZANI 0-0 (4-3 pas 11-m,.)
DINAMO – SKËNDERBEU 1-3
Shënues: Uelber 63′ / Mensah 22′, Berisha 43′, Pusi 60′
VLLAZNIA – KORABI 1-0
Shënues: Kalaja 16’
TEUTA – KUKËSI 1-0
Shënues: E. Vila 9’