Ernest Koliqi, poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, dramaturg, albanolog, mësues dhe botues shqiptar. Së bashku me Mitrush Kutelin si cilësohet themelues i tregimit modern shqiptar…
…U lind në Shkodër. Pas mësimeve të para në Kolegjin Saverian, më 1918 u nis për të studiuar në Itali. Fillimisht në kolegjin jezuit “Cesare Arici” në Breshia e pastaj në Bergamo. Me nxënës të tjerë hapi gazetën “Noi giovani” (“Ne të rinjtë”), ku botoi poezitë e para në italisht. U kthye në Shqipëri pas Kongresit të Lushnjës. Falë njohjes me Gurakuqin njihet me të rinjtë Thaçi, L. Ashiku, Shuk e Karl Gurakuqi, Dom Shantoja, Kolë e Gjon Kamsi. Më 1921 fitoi çmimin e parë në një konkurs për himnin kombëtar, juria e të cilit qe e përbërë prej Fishtës, Nolit, Frashërit e Gurakuqit. Në mars-prill mori pjesë si përfaqësues i shoqërisë kulturore “Rozafa” në një mbledhje me Zef Harapin nga shoqëria “Bogdani” dhe P. Harapin në takimin që formoi grupimin “Ora e Maleve” nën dorën e Imzot Mjedjës. Mbas Lëvizjes së qershorit, Gurakuqi e thërret në Tiranë si sekretar personal. Aderon në shoqërinë “Bashkimi”. Kaloi më pas si sekretar në Ministrinë e Mbrendshme, ku ministër ishte kolonel Shala.
Me rikthimin e Zogut në pushtet në dhjetor të 1924, iku në mërgim drejt Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, ku studioi gjuhën dhe letërsinë serbo-kroate. Në Zara të Dalmacisë botoi më 1929 përmbledhjen e parë me novela “Hija e Maleve”. U kthye në Shqipëri dhe nisi punë si mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë dhe mandej në Gjimnazin e Shkodrës. Më 1933 dha dorëheqjen nga mësimdhënia për të nisur studimet universitare në Padova. Gjatë periudhës 1934-’36 ishte pjesëtar i grupit botues të së përkohshmes Illyria, ku do të botonte poemthin në prozë “Quattuor”. Në po të njëjtën të përkohshme me nxitje të Koliqit më 1935 u zbulua Migjeni me vjershën “Të lindet Njeriu”. Më 1936 e emërua lektor i shqipes në katedrën e Albanologjisë të drejtuar nga gjuhëtari Tagliavini. Më 1937 doktoroi po në Padova me tezën “Epica popolare albanese” (“Epika popullore shqipe”) falë mbledhjeve që kishte bërë P. Palaj, tezë doktorate e cila u vlerësua nga shumë albanologë si Jokli, Lambertz etj. Transferohet nga Padova në Romë tetorin e 1937 si lektor i gjuhës shqipe.
Pas pushtimit fashist të Shqipërisë në prill 1939, Koliqi u emërua Ministër i Arsimit në qeverinë kolaboracioniste të Shefqet Vërlacit. Koliqi mbylli pothuajse të gjitha shkollat e huaja joitaliane në Shqipëri. Liceu francez në Korçë, i cili ishte qendra kryesore e kulturës frënge në Shqipëri, u mbyll me arsyetimin e Koliqit se ishte çerdhe e përhapjes së ideve armiqësore ndaj fashizmit. Gjatë kohës sa qe ministër i arsimit, u bënë ndryshime në programet e tekstet shkollore; u futën lëndë të reja si: edukata fashiste, mësimi i fesë dhe kulturës romake, ndërsa gjuha italiane u bë e detyrueshme. Shkollat e mesme u mbushën me mësues dhe drejtues italianë, kurse drejtuesit shqiptarë pak nga pak u mënjanuan. Për të përforcuar kontrollin e fashistëve mbi shkollën, ministri Koliqi në tetor 1939 propozoi që emërimet e mësuesve dhe të drejtuesve të shkollave të kalonin nëpër filtrin e Partisë Fashiste. Me Mustafa Krujën dhe P. Valentinin në vitin 1940 thirri në Tiranë Kongresin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare. Themeloi e drejtoi të përkohshmen “Shkëndija” në korrik të 1940. Në shtatorin e vitit 1941 nis mbi 200 arsimtarë normalistë drejt Tokave të liruara. Në një letër dërguar më 16 tetor 1941 nga ministri i arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare Ernest Koliqi konsullit shqiptar Rrota në Vjenë thuhet se ka angazhuar Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Përpjekje kjo, si shumë të tjera për ta shpëtuar studiuesin e shumëçmuar, që nuk dha rezultat. Në funksion të edukimit fashist, u krijua fondacioni “Skënderbeu”, në gjirin e të cilit u mblodh Instituti i Studimeve Shqiptare. Me propozim të Koliqit në të u mblodhën emra të njohur të kulturës e shkencës, shqiptarë e italianë, si dhe ideologë fashistë të kohës. Ministria e Arsimit në qeverinë pasardhëse Kruja pati si pasues Xh. Kortshën. Duke dhënë dorëheqjen, Koliqi i kushtohet drejtimit të Institutit, prej ku filloi botimi i vëllimeve “Studime e tekste”. Martohet me arsimtaren Vangjelije Vuçani. Patën dy fëmijë: Markun dhe Elizabetën. Në prag e kapitullimit të Italisë fashiste, më 1942 zëvendëson Terenc Toçin në krye të Këshillit të Epërm Korporativ Fashist deri më 1943. Në vjeshtën e 1943 prej portit të Tivarit shkoi në Itali me familjen e tij.
Më 1943 në Romë vazhdoi punën si ordinar në universitet dhe u emërua ambasador në Vatikan. Në Itali, themeloi të përkohshmen “Shêjzat” (it. “Le Pleiadi”) që e drejtoi për 18 vjet. Kjo revistë qe vijimësi e traditës publicistike që la në Shqipëri me “Shkëndijat”, penat e hershme dhe ato të reja gjetën vend ku të kultivonin kulturën shqiptare në Itali. Koliqi ndihmoi talente të shumë fushave të ikur nga ish-Jugosllavia duke iu dhënë hapësirë ndër faqet e revistës, ndër ta piktori Lin Delija, shkrimtarët Camaj e Karakaçi dhe etnologu Malaj. Me dekret të Presidentit të Republikës së Italisë, më 2 shtator 1957, për njohje të prestigjit, Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e Universitetit të Romës, nderohet duke u bërë Institut i Studimeve Shqiptare dhe Koliqi u emërua presidenti. Koliqi u lidh shumë me komunitetet arbëreshe të Italisë, me të cilët mbajti një marrëdhënie të ngushtë akademike dhe miqësie. Ai shpesh shkonte në Palermo dhe Kozencë. Më 4 maj të 1969 i vdes bashkëshortja Vangjelija. Vdekja e saj i shkaktoi një mungesë të pazëvëndësueshme dhe shpejtoi edhe vdekjen e tij. Ndahet nga jeta në shtëpinë e tij në Romë më 15 janar 1975 dhe u varros me datën 18. Në ceremoni kishin ardhur personalitete të ndryshme, kolegë, shqiptarë, arbëreshë, miq nga vende të ndryshme.
Poezi
Megjithëse poezitë e para i shkroi në italisht në fletoren e liceut, vepra e tij e parë qe poemthi dramatik Kushtrim i Skanderbegut, të cilin ia kushtoi shokëve të shoqërisë “Bashkimi” pjesë e të cilëve ishte edhe ai vetë. Poemthi artikulon idetë kombëtare të autorit që shtjellon një dialog për të kaluarën dhe aktualitetin e kohës në Shqipëri. Me veprën poetike Symfonija e Shqipevet mëton të evokojë kulturën si esencën e themelimit të një kombi, kulturë e evokon që nga thellësitë e antikitetit në katër kohët e veprës. Kangjelet e Rilindjes është një poemë e kënduar në shtatë pjesë, me temër arbëreshe e krijuar me idetë rilindëse duke iu referuar Këngëve të Milosaos të De Radës. Në këtë poemë autori kërkon të dëshmojë se si ruhet veçantia arbërore në kohë, edhe e shkëputur nga trungu, përmes arbëreshëve të Italisë. Vepra poetike më me preteza letrare e Koliqit është Gjurmat e Stinve, botuar më 1933. Në këtë vepër kërkon të manifestojë vetëdijen e vet poetike në kohën e pjekurisë.
Prozë
Kulmin e vet letrar e arrin me librat e tregimeve Hija e Maleve (1929), Tregtar flamujsh (1935) dhe Pasqyrat e Narçizit (1936); me këta tituj u bë themeluesi i prozës moderne shqipe qoftë në nivel tematike, ashtu edhe stili. Libri i parë trajton tema për moralin e Malësisë, tragjiken e vet dhe mpleksjen me mjedisin qytetar, i dyti merret më shumë me jetën në mjedisin qytetar shkodran, mendësia, karakteret dhe paraqitje ironike të tipareve sociale të mjedisit qytetar; i treti është një biografi poetike e autorit me shtresëzim të shkollës simboliste. Më 1960 botoi romanin Shija e bukës mbrûme, që flet për nostalgjinë e emigrantëve.
Përkthime
Më 1932 vëllimin e parë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie të Fishtës, një antologji me 280 faqe që u përdor menjëherë si tekst letërsie në gjimnazin klerik të Shkodrës dhe përmban katër poetët më të mëdhenj të Italisë: Danten, Petrarkën, Arioston, Tason. Më 1935 Boton vëllimin e dytë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie nga Tagliavini, ku përfshiheshin vjersha të përkthyera të katër italianëve të tjerë: Parini, Monti, Foskolo, Manxoni. Personalisht çmonte Giosuè Carducci, Giovanni Pascoli, dhe Gabriele D’Annunzio-n.
Më 1961 nis të përkthejë Lahutën e Malcís në italisht.
Studimet
Nis të botojë nga viti 1954 deri më 1961, studimin krahasues “Dy shkollat letrare shkodrane – e Etënve jezuitë dhe e Etënve françeskanë”. Në këtë studim të tij vërehet përpjekja për të hartuar një histori të mirëfilltë të letërsisë shqiptare, jashtë ngjyrimeve ideologjike. Në Firenze boton vëllimin “Poesia popolare albanese”(“Poezia popullore shqiptare”) ku spikat si studiues i merituar i traditave artistike dhe folkloristike të atdheut të tij. 1959 – Boton vëllimin “Kangjelet e Rilindjes” (“I canti della Rinascita”) me përkthimin në italisht, kushtuar arbëreshëve të Italisë, ku i nxit ata të ruajnë gjuhën e zakonet e të kenë besim në pavdekësinë e fisit. Boton studimin “Gabriele D’Annunzio e gli Albanesi” (“Gabriel D’Anuncio dhe Shqiptarët”). 1963 – Boton “Antologia della lirica albanese” (“Antologjia e lirikës shqiptare”) ku për herë të parë paraqiten në një gjuhë evropiane përkthimet e lirikat më të mira të autorëve shqiptarë të vjetër e të rinj ku theksohen autorët kosovarë me qëllim që të njihen më mirë. 1965 – Del në dritë “Albania”, një monografi italisht, botuar në “Enciclopedia dei popoli d’Europa”, Milano ku paraqet një pasqyrë të gjërë mbi Shqipërinë si në pikëpamjen gjeografike, ashtu edhe letrare e historike.
Publicistikë
Qe themelues dhe drejtues revistash, ku botohej e trajtohej letërsia e kultura shqiptare si: Ora e Maleve, Shkëndija, Shêjzat, etj. Bashkëpunoi me revistat “Hylli i Dritës” e françeskanëve, “Leka” e jezuitëve, “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit , “Minerva”, “Besa” etj.