Një vit pa Moikom Zeqon

Një vit më parë, pikërish më 15 qershor 2020, në moshën 71-vjeçare, u nda nga jeta studiuesi dhe shkrimtari Moikom Zeqo. Ai vdiq pas një sëmundjeje të rëndë nga e cila vuante prej vitesh.

Moikom Zeqo lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit. Familja e tij është me origjinë nga Libohova, ku ai mbaroi edhe arsimin fillor. Më 1967 nisi të ndiqte Fakultetin Histori Filologji, dhe u diplomua në Universitetin e Tiranës më 1971 në degën gjuhë-letërsi. Në vitet 1971-1974 punoi si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”. Më 1974-76 punoi si mësues në Rrogozhinë.

Më pas, në vitet 1979-1987 qe punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Më 1987-1990 punoi si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Në qershor të 1991 qe pjesë e grupit organizator të Kongresit të 10-të të Partisë së Punës. Më 31 janar-10 maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 dhe 1992 kandidat për deputet, kur dhe u zgjodh dhe shërbeu deri më 1996 si deputet i PS-së.

Më 1997-2005, Moikom Zeqo ka qenë drejtor i Muzeut Kombëtar.

Zeqo autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të nje numri skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, serbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht si dhe në gjuhën tonë.

Ai është autor i tre ekspozitave vetiake në pikturë. Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetëra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj.

Lexo edhe :  1944 – Çlirohet Klooga në Estoni, kampi ku mbi 3 mijë vetë humbën vetën

Moikom Zeqo është sot një nga personalitetet e njohura të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe.

Ai mban Urdhërin “Mjeshtër i Madh” dhe “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Moikom Zeqo është edhe Doktor i Shkencave.