Sarkazma therëse e Doranin Agalliut demaskon artistikisht veset e shoqërisë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

-Rreth librit “Lustraxhiu”-

Nga Shpendi Topollaj

Me Doraninin më ka njohur miku im i ndjerë Mehdi Ramohito, i cili më tha se do të takoja një njeri me mjaft kulturë. Dhe vërtetë që tek ai konstatova qysh në fillim vlerat e larta intelektuale, gjë që veç të tjerash e tregon edhe libri i tij me skica ose tregime që më shumë se thjeshtë humoristike, janë sarkastike, pra ironi me tendencë përbuzjen e thellë. Satira që në latinisht don të thotë: e ndryshme, përzierje, natyrisht që është më e hershme nga shekulli i XVI – të, XVII – të e XVIII – të kur Fransua Rableja (François Rabelais), Nikola Bualo (Nicolas Boileau), dhe Xhonatan Suifti (Swift Jonathan), me shkrimet e tyre të mprehta dhe plot guxim, demaskonin prapësitë dhe hipokrizitë e epokës feudale, dhe i dhanë asaj fytyrën me të cilën e njohim edhe sot. Doranini operon në 86 shkrimet e përfshira në këtë libër me të vërteta, me mençuri, me kurajë, me zhargon, me theks demokratik; dhe të gjitha këto të mbuluara me një vello naiviteti. Është e çuditshme, por edhe në epokën që lamë pas, nuk kishte qytet që të mos kishte një sherr – budalla, i cili me atë pafajsinë e tij shvejkjane, thoshte gjëra që të zgjuarit asqë e shkonin ndërmend, për vetë rrezikun që një punë e tillë mbartte në vetevete. Ishte kjo arsyeja që në faqen e parë të një librit tim me kritika me titull “Purgatori i librave”, kam botuar jo vetëm fotografinë e një të tilli, por edhe kushtimin: “Kujtimit të Itit (Saitit) të Kadiut në Peshkopi, i cili atëherë kur e qeshura gati po harrohej, me mençurinë e tij naive, i mbante njerëzit në një humor të trishtuar, por gjithsesi të këndshëm”.

Epoka që po jetojmë, vërtetë e ka larguar frikën, por kjo s`do të thotë se Itët e Kadiut nuk vegjetojnë në qytetet tona, ku ka sa të duash vend për vrejtje, qortime e përmirësime. Dhe ja, një të tillë ka zgjedhur edhe Doranini për të kuvenduar ashtu si pa të keq. Ai është lustraxhiu i qytetit, i cili falë zanatit që ushtron, lidhet me lloj – lloj klientësh, nga politikanët e deri te të zakonshmit, të cilët i njeh që nga aroma e këpucëve. Të gjithë kanë individualitetet e tyre, preferencat partiake, interesat, këndvështrimet, pikëpamjet, simpatitë e antipatitë, këndvështrimet, sharjet e lëvdatat për njerëz e fenomene të cilat duket se ja bëjnë mendjen dhallë lustraxhiut. Por ja që ngjet e pabesueshmeja; ai nga kjo kakofoni, sikur kthjellohet më shumë dhe gati – gati bëhet i barabartë në diskutime të pafund me profesorin, të cilin e quan presor. Por edhe ky presori, që s`është tjetër veçse autori i librit, ndien kënaqësi, madje dhe nevojë që të bisedojë me të. Të dy i gëzohen njëri – tjetrit dhe mezi presi që të takohen. Dita e kaluar ka qenë e ngarkuar me ngjarje, kështu që tema diskutimi ka sa të duash. Ato fillojnë me reklamën që ngrihet aty pranë, të cilën e komenton drejtë një holandez, por që lustraxhiu me mustaqe nuk ja ka hedhur ndonjëherë sytë dhe vazhdon me deputetin që ka ndërtuar pa leje një shtëpi më të madhe se godina e Kryeministrisë dhe që nuk ka INUK ta shembë, pasi ai është deputet dhe si i tillë, jo vetëm është bir i popullit, por asqë ka fare nevojë të lustrojë këpucët. Preferon t`i ndërrojë shpesh ato, ashtu sikur ndërron, sipas lustraxhiut edhe partitë. Lustraxhiu ka arsye të shqetësohet edhe për biznesin e tij, pasi duke parë gazetat që thonë se po largohen 50 rob në vit, do i pakësohet sasia e këpucëve që do të lyejë dhe për pasojë do t`i zvogëlohet fitimi. Se për bela, ndodh shpesh që njerëzit që lustrojnë këpucët, shkojnë në fushatë dhe ai mbetet pa punë, aq sa gati falimenton. Dhe duke mos dalë në punë ai, aty te Gastronomi, edhe presori nuk ka me kë të shkëmbejë ndonjë mendim.

Lexo edhe :  470 VJET MESHAR DHE NJË LUTJE PRESIDENTIT…

Shoqëria shqiptare sot është e ngarkuar me vese dhe këto i sheh si presori, si lustraxhiu. Të gjithve u bën përshtypje vrulli me të cilin ato shfaqen ekraneve televizive darkave. Ndjekin debatet e opinionistëve që janë bërë mbrojtësit e njërës palë ose kritikët e palës tjetër. Lustraxhiu ka dëgjuar se ministrat i ka zënë frika nga ndëshkimi dhe beson se do t`i zërë haka e popllit. Por presori e kundërshton: “…Kjo është Shqipëria, miku im! Vendi i njerëzve krenarë, por dhe i hajdutëve të pashoq, që nuk kanë të ngopur, që nga 29 nëntori i 1912 e deri sot! – Po pse jo që nga 29 nëntori i 1912, Presor? – Sepse atë ditë u shpallëm të pavarur! Nuk ishin ndarë postet! Nuk kishin kohë të mendonin për të vjedhur!” Doranini ka gjurmuar shumë nga ato që po ngjasin te ne, nga i ashtuquajturi Vetting që e ka paradoksin brenda, kur mendon se drejtohet nga të huajt e deri te ushqimet me hormone. Ai, ndoca atje lart, me gjuhën e lustraxhiut babaxhan, i përmend me emra. Dhe pikërisht kjo, i jep akoma më shumë vlerë krijimtarisë së tij. Po t`i binte rrotull, nuk do të kishin atë efekt as fjalët e presorit dhe as ato të lustraxhiut. Presori hedh ide dhe flet me parime, lustraxhiu duke bërë të habiturin, por që e di si shejtani se si venë punët, jep arsyetimet e tij therëse. Këtu nuk ka ndonjë vlerë marrëdhënia mes tyre, se ata janë krejt të qartë për gjithë sa thonë, por rëndësi ka kumti që autori do të përcjellë te lexuesit. Se këta janë ndarë në dy kampe; amin o hoxhët dhe mohuesit. Debatet mes tyre janë nisur drejt pafundësisë. U themi miq të huajve që mund të mos i kemi parë kurrë dhe armiq atyre të të njëjtit gjak. Martin Luter Kingu dikur pati thënë se “Ose do mësojmë të rrojmë së bashku si vëllezër, ose do të ngatërrohemi së bashku si budallenj”. Dhe fatkeqësisht është ashtu sikurse thosh Shileri se “Kundër budallallëkut edhe perënditë luftojnë pa shpresë”. Mesa duket, pikërisht kjo, po prevalon në shoqërinë tonë, ndaj dhe në çdo tavolinë ku ulemi qoftë edhe për një kafe, diskutimet, debatet dhe grindjet nuk shterojnë asnjëherë, ashtu sikurse diskutojnë dy protagonistët e Doraninit, por çuditërisht me harmoni e mirëkuptim. Në këtë libër, Doranini nuk është se thotë ndonjë gjë të panjohur.

Ne ndeshemi çdo ditë me ato që përshkruan ai. Por ai, vetëm i përmbahet parimit romak “Non nova, sed novo”, pra “Jo gjëra të reja, por në mënyrë të re”. Dhe duke ngritur të gjithë kështu zërin e protestës, ndofta realizohet ajo fjala e fundit e presorit që e thënë pak me zë të lartë, kishte çuditur gjithë sa ishin në klub: “Shqipëria do shkëlqejë, ashtu si këpucët më të ndotura i ke shkëlqy ti o lustraxhi!”

Të fundit

Si do të jenë telefonat tanë inteligjentë në vitin 2025?

2025 premton të jetë një vit i risive të mëdha në botën e teknologjisë. Telefonat inteligjentë që përdorim mund të...

Qeveria e Kosovës miraton rritjen e pensioneve për kategoritë e luftës, kush përfiton

Qeveria e Kosovës e ka miratuar të premten rritjen e pensioneve për të gjitha kategoritë e dala nga lufta e fundit në Kosovë, për...

Dhunuan bashkëshortet, dy të arrestuar në Korçë

KORÇË- Në Korçë janë arrestuar dy persona të cilët akuzohen për dhunë në familje. Sipas policisë, njëri prej të arrestuarve është një 31 vjeçar, banues në...

Shtohen rastet e virozave respiratore, raportohe një mesatare prej 150 rastesh të tilla

Ditët e para të muajit janar, të shoqëruara me luhatje temperaturash, kanë rritur ndjeshëm rastet e virozave respiratore në Spitalin Rajonal të Fierit. Është dyfishuar...

Këngëtarja shqiptare me maskë tregon gjendjen në Los Angeles/Po jetojmë brenda një oxhaku

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram gjendjen alarmante në Los Angeles pas zjarreve masive që...

Lajme të tjera

Web TV