Objektivi i saj është i madh: të fitojë me partinë e saj, Të Gjelbrit, zgjedhjet parlamentare të shtatorit në Gjermani. Dhe pastaj të drejtojë si kancelare Gjermaninë. Pritjet ndaj një personi që kandidon me synimin për të ripërtërirë Gjermaninë janë të mëdha, ky person pritet të jetë një model që ta ndjekin pas të tjerët. Është bërë e zakonshme edhe që në shumë vende, politikanë të cilët synojnë poste të larta shtetërore apo partiake, të publikojnë pak para zgjedhjes libra. Në to ata u ofrojnë mundësi zgjedhësve që të njohin edhe më nga afër pikëpamjet dhe tiparet personale të autorit. Por në librin “Tani. Si ta ripërtërijmë vendin tonë”, të publikuar në 21 qershor, kandidates së Të Gjelbërve për kancelare, Annalena Baerbock-ut dhe ekipit të saj i kanë shpëtuar disa pakujdesi. Për to tani atë e akuzojnë për plagjiarizëm. Një specialist austriak i mediave, Stefan Weber, lektor në Universitetin e Vjenës, që e kontrolloi librin e Baerbockut, ka publikuar pesë gabime, nga 11 sa ka gjetur deri tani në libër. Në to autorja (apo ekipi i saj) ka kopjuar, ndër të tjera, fjali nga gazeta gjermane (Tagesanzeiger), nga një institucion (Bundeszentrale für Politische Bildung), nga një autor amerikan (Michael T. Klare) dhe nga një revistë (Spiegel) pa dhënë burimin, pa treguar pra që nuk janë fjali të saj. Përndryshe libri me 240 faqe i Baerbockut përmban teza politike të Të Gjelbërve, të cilat Baerbocku i shoqëron me përjetime personale të saj. Në muajt e fundit, kandidates për kancelare të Të Gjelbërve i është dashur të saktësojë edhe biografinë: në të ajo kishte të dhëna të pasakta, apo zmadhime, siç thonë kritikët. Veç kësaj, Annalena Baerbock-ut iu desh të kërkonte falje edhe për harresën për të deklaruar para shtesë, që kishte marrë gjatë ushtrimit të detyrës si deputete.
Sa të rënda janë rastet e kopjimeve?
Disa juristë thonë se fjalitë e kopjuara nuk janë temë për ta, nga pikëpamja juridike. Për ta nuk kemi shkelje të të drejtave të autorit. Arsyeja është se një libër tematik popullarizues, siç është libri i Baerbock-ut, nuk duhet të plotësojë kriteret e rrepta të një libri shkencor. Ai mund të botohet edhe pa shënime, të cilat tregojnë se ku janë marrë informacionet. Një pjesë e fjalive, për të cilën e akuzojnë Baerbockun, janë tashmë pjesë e dijes së përgjithshme në dispozicion të publikut. Pra janë fakte të njohura. Ato nuk janë të mbrojtura me të drejtën e autorit, pasi nuk janë krijime origjinale. Juristë të tjerë thonë se edhe në publikime jo shkencore është mirë të ruhet parimi i citimit të burimit. Gazeta konservatore “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan për fyerje të dinjitetit në botime nga kandidatja e Gjelbër për kancelare. Por pesha e pakujdesive që i kanë shpëtuar Annalena Baerbockut është më e madhe politikisht. Analistë në media thonë se fakti që ajo paraqet si të sajat mendime të të tjerëve, shtron pyetjen nëse ajo ndjen nevojën të paraqitet më e mirë se është në të vërtetë. Edhe biografinë e publikuar në internet asaj iu desh ta saktësojë. A është kandidatja e Gjelbër për kancelare ajo politikane e palodhur dhe perfeksioniste, siç e paraqet partia e saj, pyesin vëzhgues. Këto pakujdesi kanë bërë edhe që të bjerë rrufeshëm numri i atyre që e konsiderojnë Baerbockun të aftë për postin e kancelares: në maj ishin 43 përqind e gjermanëve, ndërsa në qershor janë vetëm 26 përqind (sipas barometrit mujor të televizionit publik ZDF). I tillë është ndëshkimi i opinionit në Gjermani, kur mendon se është në pikëpyetje besueshmëria e një politikani.
Pakuptim për pakujdesitë e kandidates së Gjelbër për kancelare
Pakujdesitë që i kanë shpëtuar kandidates për kancelare të Të Gjelbërve mund të qenë shmangur plotësisht. Ajo ka angazhuar një ekip të madh këshilltarësh dhe ka qenë e përgatitur që fushata elektorale do të ashpërsohej. Njëkohësisht, në plan kombëtar, me shpalljen si kandidate për kancelare, Baerbocku është vënë për herë të parë nën një dritë të pamëshirshme të prozhektorëve të mediave. Kjo megjithëse ajo njihet më gjerë që kur u zgjodh bashkëkryetare e Të Gjelbërve, në vitin 2018. Nuk është për t’u çuditur që konkurentët politikë, si CSU-ja bavareze e shfrytëzoi këtë rast. Sekretari i përgjithshëm CSU, Markus Blume, tha se “mashtrimi i qëllimshëm…zmadhimi i punës vetjake është me sa duket sistem i Annalena Baerbockut…” Kurse Të Gjelbrit thonë se këtu kemi një fushatë, me të cilën synohet “diskreditimi”, “shkatërrimi i reputacionit” të kandidates së tyre. Por problemi është se diçka, nga të gjitha këto, te njerëzit mbetet.
A luhet konsideruar Baerbock kartë e djegur?
Të Gjelbrit po paguajnë çmim të ndjeshëm politik për pakujdesitë, të zmadhuara nga kundërshtarët, por ekzistente, në biografi dhe në librin e kandidates së tyre. Mbështetja për ta në sondazhe që nga marsi ka rënë ndjeshëm, në 20 përqind mbështetje, kurse CDU/CSU është ngjitur në 28-30 përqind (sipas instituteve demoskopike Forsa dhe ARD-së). Kjo kur për një periudhë kohe Të Gjelbrit prinin para konservatorëve. Njëkohësisht është rritur edhe mbështetja në sondazhe për kandidatin konservator për kancelar, Armin Laschet: aktualisht atë e mbështesin për kancelar 43 përqind e gjermanëve. Megjithatë deri në zgjedhjet parlamentare të 27 shtatorit ka edhe tre muaj, në të cilat mund të ndodhin shumë gjëra. Baerbocku vetë është dëmtuar, por jo eleminuar. Dhe mbështetja për Të Gjelbrit nuk erdhi me mbështetjen – fillimisht të jashtëzakonshme – për kandidaten e tyre për kancelare. Mbështetja për Të Gjelbrit ka qenë konstante dhe ka ardhur duke u zgjeruar vitet e fundit në Gjermani. Edhe sikur të mos forcohen më, ka shumë gjasa që Të Gjelbrit të jenë njëri nga dy partnerët në qeverinë e ardhshme gjermane, krahas konservatorëve të CDU/CSU-së, që janë forcuar sërish. Përsa u përket shifrave, i mundshëm është edhe një koalicion midis konservatorëve, socialdemokratëve dhe liberalëve të FDP. Por ky nuk është një koalicion shumë i preferuar, sepse socialdemokratët janë prej disa mandatesh në koalicion me konservatorët. DW