Fatmir Bajrami nga fshati Qirez i Skenderajt, thotë se që nga viti 2017, ndihet i rrezikuar në shtëpinë e tij. Kjo pasi sipas tij minimi që një gurëthyes e ka bërë afër shtëpisë i ka shkaktuar plasaritje dhe dëmtime të rënda. Ai thotë se punimet e këtij gurëthyesi i kanë shkaktuar shqetësim të vazhdueshëm në jetën e përditshme. “Me shtëpi kam problem, më ka dëmtuar shtëpinë. Ka plasje, ka prishje, ka dëmtime. Ky ka punuar deri në 11 të natës, 12 të natës, as gjumin si gjumë nuk kemi mundur ta bëjmë. Bën pluhur, të gjitha i bën”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë. Tash e katër vjet, Bajrami po përballet në gjykatë me kompaninë, por thotë se gjykata ende nuk ka marrë asnjë vendim për këtë çështje. Përveç ankesave të qytetarëve, dëshmi për dëmet që veprimtaria e gurëthyesve ka shkaktuar nëpër Kosovë, janë publikuar edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit, që përfshin institucionet përgjegjëse për licencimin dhe inspektimin e gurëthyesve. Ky raport, i paraprariu një vendimi të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, dhe Infrastrukturës, që më 28 qershor 2021, vuri ndalesë dyvjeçare për gurëthyes të rinj dhe proceset e dhënies së pëlqimeve mjedisore për këtë veprimtari. Pjesë e këtij vendimi është themelimi i Grupit punues ministror, i cili do të shqyrtojë ligjshmërinë e aktiviteteve të gurëthyesve, ndikimin e tyre në mjedis si dhe masave që duhet të ndërmerren për rehabilitimin e tyre. Ky veprim u përshëndet nga qytetarët e prekur nga kjo veprimtari, organizata ambientaliste, por edhe nga gurëthyesit ekzistues, që konsiderojnë se kjo fushë duhet të ketë më shumë kontroll. Mungesa e inspektimit dhe ndëshkimit ndihmoi në degradimin e ambientit. Dëmtim i rëndë i ambientit, veprimtari të jashtëligjshme dhe në disa raste rrezikim i jetëve të njerëzve janë disa nga gjetjet e një raporti të Zyrës Kombëtare të Auditimit lidhur me veprimtarinë e gurëthyesve. Rezultatet e auditimit tregojnë se institucionet përgjegjëse nuk kanë bërë mjaftueshëm për të mbrojtur ambientin nga operatorët ekonomikë gjatë zhvillimit të aktivitetit minerar, “duke mundësuar që këta operatorë të operojnë pa zbatuar kriteret e kërkuara dhe pa ofruar siguri në terren”. Një nga gjetjet specifike kishte të bënte me infrastrukturën ligjore që obligon operatorët ekonomikë të shfrytëzojnë mineralet ndërtimore në distanca më të largëta se 500 metra nga objektet dhe infrastruktura, etj. “Nga mostrat tona, kemi identifikuar një rast kur nuk është plotësuar ky kriter, operatori ekonomik e ka zhvilluar aktivitetin minerar të shfrytëzimit të gurit gëlqeror (me minim) në afërsi nga rruga më pak se 500 metra”, thuhet në raportin e auditimit. Sipas Bajramit, ai ka mbetur i bllokuar në vendin ku ndihet i rrezikuar, pasi nuk ka mundësi ta ndërrojë vendbanimin. “Duhet që qeveria të ndërmarrë hapa, t’i kontrollojë, nuk është në rregull ky t’i [fitojë] 30 mijë euro e mua të më dëmtojë. Nuk mund ta lëshoj shtëpinë. Nuk kam mundësi të dal prej kësaj shtëpie sepse nuk do të kisha qëndruar as një minutë aty”, thotë Bajrami. Visar Xhabali nga organizata “Ec ma Ndryshe”, që ka monitoruar veprimtarinë e gurëthyesve ndër vite, e ka mirëpritur vendimin e qeverisë, duke thënë se shpreson që presioni nga jashtë nuk do të ndikojë në zmbrapsje. Ai ka përmendur disa prej gjetjeve që tregojnë dëme të mëdha nga kjo veprimtari. “Gjetjet më të rënda është që ka dëmtim të pyjeve, shfrytëzim jo të ligjshëm dhe jo të rregullt, degradim dhe shkatërrim të tokës pjellore dhe bujqësore. Kanë dëmtuar dhe kanë ndikuar edhe në rrjedhën e lumenjve”, tha ai.
Si funksionojnë gurëthyesit aktualë?
Sipas të dhënave të dhjetorit të vitit 2020, thuhet se Komisioni i pavarur për Miniera dhe Minerare, në përgjithësi ka licencuar 188 operatorë ekonomikë për mihje të shkëmbinjve të fortë, ndërsa ka licencuar 14 kompani për materiale industriale (siç janë mergelët, argjilat, etj) nëpër komuna të ndryshme të Kosovës. Megjithatë, sipas gjetjeve të Auditorit, përgjatë viteve 2016-2019 janë evidentuar 453 raste ilegale të nxjerrjes së mineraleve të gurit të fortë, rërës dhe zhavorrit. Komunat në rajonet e të cilave ka pasur më së shumti kërkesa për licencim në aktivitetet për gurëthyes, dhe krahas kësaj janë pajisur me këto licenca, janë Komuna e Malishevës, Klinës, Kaçanikut dhe Lipjanit. Ndërsa, ato me më së shumti kërkesa dhe licencim për rërë dhe zhavorr janë Peja, Gjakova dhe Kamenica. Viteve të fundit janë ndërtuar autostrada me gjatësi prej 161.6 kilometra. Autostrada Prishtinë-Shkup ka përfunduar në maj të vitit 2019 dhe autostrada Prishtinë -Gjilan -Dheu i Bardhë është në proces të ndërtimit. Kjo tregon për kërkesën e vazhdueshme për nxjerrjen e mineraleve ndërtimore dhe industriale (rërë, zhavorr, guror, etj.) nga natyra. Adem Kçiku, pronar i gurëthyesit “Bejta Comerc” po e sheh si pozitiv vendimin e qeverisë, pasi sipas tij rregullon tregun biznesor për këtë veprimtari. “Si gurëthyes unë do t’i thosha edhe qeverisë jo për arsye se e ndotin ambientin, sepse ato i kanë kushtet e veta për mosndotje të ambientit, por nëse e ndalin këtë iniciativë të dhënies së lejeve të mëtutjeshme për çështje të zhvillimit biznesor sepse janë bërë gurthyes më shumë se pompa të benzinës”, tha ai. Sipas tij, veprimtaria e gurëthyesve duhet të rregullohet sipas regjioneve, në mënyrë që të ketë më pak biznese të tilla brenda një komune, duke shtuar edhe kujdesin ndaj ambientit. Në vitin 2020 ishte bërë lirimi nga pagesa e rentës minerare për kompanitë që merren me prodhimin e produkteve të betonit, përkatësisht gurëthyesve, duke siguruar përfitime për këto kompani. Një tjetër aspekt i dëmeve që gurëthyesit legalë dhe ilegalë kanë shkaktuar, sipas Auditorit, ka të bëjë me planet e rehabilitimit të zonave të guroreve. Sipas raporti është gjetur se në gjashtë raste ka munguar programi i detajuar i rehabilitimit nga këta operatorë. Edhe pse vendimi u pa si pozitiv, Fatmir Bajrami nga Qirezi po ndihet totalisht i braktisur nga shtetit për problemin që e ka në shtëpi. Sipas tij, kompania ka forcë të ngjashme me shtetin. “Ky është vet shteti, me shtet nuk mund të shtyhesh”, thotë ai. REL