Rrihet për vdekje homoseksuali në Spanjë, shpërthejnë protestat në vend

Vrasja e një të riu homoseksual, i cili u rrah për vdekje fundjavën e kaluar në Spanjë ka tronditur opinionin publik.

“Drejtësi për Samuelin. Homofobia dhe fashizmi janë e njëjta gjë,” ishin disa prej parrullave të mijëra qytetarëve, të cilët ishin mbledhur mbrëmjen e djeshme në sheshin kryesorë të Madritit në shenjë proteste për vrasjen e të riut.

24-vjeçari Samuel, ndihmës infermier u gjet pa ndjenja jashtë një klubi nate në qytetin La Korunia.

Shërbimi i emergjencës nuk arriti të shpëtojë të riun.

Demonstrata u zhvilluan dhe në qytete të tjera të Spanjës.

Ngjarjen komentoi dhe kryeministri Pedro Sanches i cili theksoi se hetimet nuk do të ndalin deri në arrestimin e autorëve.

“Unë jam i bindur që hetimi policor së shpejti do të çojë në gjetjen e autorëve të vrasjes së Samuelit dhe do të zbardhë rrethanat e ngjarjes. Ky ishte një akt barbarie, një akt i pamëshirshëm.

Nuk do të heqim dorë nga të drejtat dhe liritë. Spanja nuk do ta tolerojë këtë” shkroi kryeministri në twitter.