I padëshiruari, SHBA “përplas” kokë më kokë Berishën dhe Bashën

Nga Fernada Cenko

 

Pas kërkesës së qartë ndaj Lulzim Bashës të ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim për të larguar Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së, jeta politike e ish-kryeministrit dhe presidentit po shkon drejt fundosjes. Si pritet të reagojë Basha dhe përse është “i detyruar” ta lëshojë Berishën? Kostot që do rëndojnë mbi kryetarin demokrat dhe skepticizmi i “sovranistëve” për ndërhyrjet e ambasadorëve në punët e brendshme të vendit. Flasin për gazetën “Fjala” analistët Lorenc Vangjeli, Leonard Karaj dhe Plator Nesturi.

 

Për të parën herë në publik dhe në zanafillën politike, Sali Berisha u pa i veshur me pardesynë e gjatë gri, që ishte gati një “uniformë masive” e atyre që quheshin intelektualë, apo edhe nëpunës të lartë të pushtetit komunist. Bwrtiste sa më fort “Liri-Demokraci” në fillim të vitit 1991dhe padyshim që duke përfituar nga situata, statusi, dhe një “koiçidencë e habitshme”, mori në dorë lëvizjen studentore dhe u bë promotor i përbysjes së sistemit komunist në vend. Pas 30 vitesh, Berisha është sërish këtu në politikë, por me gjasë mund të mos jetë pas shpalljes “non grata” nga SHBA për “korrupsion masiv dhe minues i sistemit demokratik” dhe mbi të gjitha nga qëndrimi i ditëve të fundit i ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim e cila i kërkoi kreut të PD-së Lulzim Basha që ta përjashtonte Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së, për të mos qenë në Parlament. Pardesynë gri ish-kryeministri dhe presidenti Berisha me kohë e ka hedhur, por fatkeqësisht për të dhe idhtarët e tij, që janë të shumtë, i kanë veshur “mantelin” e “të padëshiruarit nga SHBA”. Sipas ambasadores Kim: “është ironi historike që një parti politike të hajë bar për hir të një deputeti”. Pas kësaj deklarate që nuk ka asnjë fije diplomacie, por qëndrim fort i pastër, reagoi edhe Berisha që e akuzoi për fyrje ndaj demokratëve dhe shqiptarëve me fjalë të përdorura në diktaturë, nga racistë apo Albanofobë. Paçka reagimeve, “forcat” nuk janë aspak të barabarta, ndonëse Berisha mbahet si lideri më i fortë në vend… Ky mund të jetë fundi politik i Berishës, ndonëse ai ka premtuar se jo vetëm nuk do të heqë dorë nga mandati që i kanë dhënë qytetarët, por do të përballet ligjërisht me SHBA-në në një gjyq që po e përgatit në Francë. Nëse për Berishën do të jetë fundi politik, për Bashën kjo çështje tingëllon si “fillimi i fundit”, ku sido që të veprojë, në të dyja rastet, nëse do të largonte Berishën do armiqësohej me një pjesë të elektoratit dhe anëtarësisë së PD-së; dhe nëse do e mbante do armiqësohej me SHBA-në. Po si pritet të reagojë Basha pas kërkesës së fundit të ambasadores amerikane dhe a ka staturën e liderit për tu përballur me vendime të vështira? Për këtë çështje flasin për gazetën “Fjala” analistët Lorenc Vangjeli, Leonard Karaj dhe Plator Nesturi.