Pesë fragmente të shkëputura nga libri më i ri i Ylli Polovinës: “Qemal Stafa, jeta dhe vrasja”.
Sapo është botuar libri i ri i Ylli Polovinës “Qemal Stafa, jeta dhe vrasja”.
Ai ka 304 faqe dhe nëpër shtjellën origjinale të subjektit të tij, ku ka rivështrime, interpertime dhe dokumentacion të ri, trajtohen tema të tilla si “Koloneli Shefki Shatka: “Djalëria Komuniste…”, “Majori Hasan Stafa”, “Ka lavdue Leninin”, “Pesë ditë gjyq kundër komunistëve”, “Tesera fashiste e Nexhmije Xhuglinit, marrë kur u themelua Partia Komuniste Shqiptare”, “5 Maji nuk mund të jetë Dita e Dëshmorëve të Kombit”, “Spiuni ishte Ludovik Nikaj apo Zef Ndoja?”, “Vdekjet e dëshmitarëve”, “Sa shumë spiunë!”, etj.
Fragmente
Seks
Sipas informacionit të zyrtarizuar për një gjysmë shekulli, Qemal Stafa do të shplodhej për pak orë (flinte pas një nate të pagjumë) tek baza e buzëlumit të Tiranës, por në fakt vetëm sa u shtri në shtrat.
I vinte drojë po qe se do të dremiste me të tjerë persona në banesë.
Në të vërtetë në shtëpinë e Hysen Dashit, ku thuhet se kishin bazuar të dy, Enver Hoxha dhe Qemali, nuk patën punuar gjatë natës. Kishin fjetur normalisht.
Këtë e pohon Hoxha: “Ramë e fjetëm afër njëri-tjetrit, në një minder të mbuluar me batanije”.
Ndërkaq sipas Drita Kosturit, në mbrëmjen e 4 majit ajo dhe Qemali qëndruan në dhomën ballore të bazës së rrugës së Lumit.
Kjo dhomë ishte me pamje nga qyteti.
Kristo Themelko me Gjystinën dhe Marien ndenjën në dhomën pas.
Të dy palët kanë fjetur aty.
Doemos që Drita Kosturi dhe Qemal Stafa nuk kanë recituar vetëm poezi apo kujtuar kohën kur edhe në Firence, tek studionin në universitet, flinin bashkë në një shtëpi dhe në një shtrat.
Si burrë e grua.
Sepse ishin të tillë.
E njëjta gjë, dashuria seksuale, u krye edhe në bazën e re nëpër natën e 4 duke u gdhirë 5 maji 1942.
Për shkak të disa rrethanave që nuk i kishin në dorë Qemali dhe Drita nuk qenë takuar për javë të tëra dhe kjo periudhë, për shkak të vajtjes me mision në Vlorë, do të zgjaste padurueshëm edhe më.
Ideja dhe këmbëngulja për të mos e humbur këtë çast fatlum kënaqësie fizike ishte e Dritës, e cila nxiti vajtjen tek baza e re, duke thënë ndryshe nga Naxhie Dume.
Kosturi i përcolli Qemalit mendimin e saj se “Ajo qe një shtëpi e sigurtë ku zhvillohej aktivitet ilegal prej jo më shumë se një javë”.
Qe zakon i Dritës të mos toleronte në gjykimet e saj, përfshi edhe në afshin e madh për dashuri.
Qemal Stafa ishte shumë më i përmbajtur dhe i druajtur, edhe pse në shtypin e pas vitit nëntëdhjetë ka rezultuar një e dhënë e tillë: Një nip i Qemalit, djali i Alaudinit, ka pohuar se i biri i Niko Xoxit, i cili qe shok i ngushtë i dy vëllezërve Stafa, pati dëgjuar të atin ta kritikonte Qemalin për shoqërinë e tij me vajzat.
Drita nuk njihte ç’është konspiracioni
Në librin “Jeta ime me Enverin” Nexhmije Hoxha tregon se për Drita Kosturin “Një shoqe që, gjithashtu, shkoi në Itali për studime, më pat thënë: “…Ajo iu qep aq shumë Qemalit, sa e detyroi të fejohej me të”.
A ishte Qemali nga ata të rinj që mund të fejohej pa dashuri? Mund të them “jo”, por mbi të gjitha Qemali qe i ndershëm e ndoshta në rrethana të caktuara, u detyrua të bënte fejesën.
Drita Kosturin e kam njohur mirë dhe ndonëse ajo ishte nja dy klasë më lart se unë, ne bëheshim shumë me njëra-tjetrën, sepse ishim në të njëjtin grup e celulë, por unë shkoja pa teklif edhe në shtëpinë e saj dhe njoha gjithë pjesëtarët e familjes së saj.
E rritur pa nënë, në një familje patriote dhe liberale, ajo ishte një tip “revolucionareje anarshiste”.
E çiltër, por jo aq e ekuilibruar, shumë rrëmujë në jetë, në punë, e parregullt në mbajtjen e vetes etj.
Ajo nuk njihte ç’është konspiracioni, por asaj nuk i mungonte guximi”.
Po ashtu në librin “Jeta ime me Enverin”, pjesa e parë e kujtimeve, Nexhmije Hoxha dëshmon se mes të tjerash të shoqit i ka pohuar: “Më pat thënë një herë për Dritën Bije Vokshi, e cila nuk para e duronte, sepse ishte një “çikë” aq rrëmujë, që hynte e dilte si era. Me që Bija e donte jashtëzakonisht Qemalin, i kishte thënë atij: “Mor bir, ç’a t’u desh me u përzi me atë çikë?”
Ai i qe përgjigjur: “Eh, moj Bije, u ba kjo, s’kam ç’baj, ajo njeh gjithë shokët dhe shumë baza ilegale”.
Qemali ishte njeri përparimtar, i kulturuar, i çliruar nga paragjykimet, por ku ta dish, ndoshta nuk ish “i çliruar” nga forca e disiplinës së militantit komunist, nga ai mentalitet i gabuar i grupit se, në emër të interesave të punës sonë ilegale komuniste, për të krijuar “baza” “sajonte” martesa.
Kështu, me këtë mentalitet, martuan Zylfije Tominin me Xhemal Canin, që hapën shtëpinë ku u themelua Partia, martuan Gjystinën me Zef Ndojën, që hapën shtëpinë në rrugën e Shebekëve, e cila u bë baza e dytë e KQ Provizor dhe ku u vendos teknika dhe arkivi i KQ, që, pas tradhtisë së Ludovik Nikajt, ranë në dorë të armikut.
Po kështu martuan Selfixhe Ciun me Xhemal Brojën, të cilët u vendosën në Shkodër”.
Kosturi shpall ndarje me komunizmin
Të mbetet peng në zemër çiltërsia me të cilën e çmon Drita Kosturin Qemal Stafa.
I biri i Ramazan Xhepës, Beqiri, në një rrëfim të tij në dekadën e parë të vitit dymijë, do të shprehej: “Qemali e pati sjellë Drita Kosturin edhe në shtëpinë tonë ku strehohej ai në atë kohë dhe kur e pyeti baba, se kush ishte ajo vajzë, ai e prezantoi duke i thënë se qe e fejuara e tij.
Baba i tha: “Mirë mor Qemal, po shikoni kokën njëherë dhe pastaj merruni me këto gjëra”.
Pas këtyre fjalëve të Xanit, Qemali i tha se ajo ishte një vajzë shumë e mirë dhe ai njihej me të që nga koha kur ishin të dy me studime në Itali”.
Selfixhe Broja (Ciu) në librin e saj “Tallazet e jetës” përshkruan tablo të tëra rreth jetës shumë mujore në burgun e Tiranës të Drita Kosturit, Gjystina Satës dhe Marie Lezhjës.
Të arrestuara në 5 maj 1942 lirimi apo shpëtimi i të trejave, për ndonjë deri edhe me përpjekje për arratisje, u krye në fillim të vitit 1943.
Në një rast Selfixhe shkruan: “Gjystina e bukur me atë çiltërsinë e saj hokatare…tha: “Të mos harrojmë se çdo e keqe ka dhe një të mirë. P.sh. kur të tjerët lirohen fët e fët dhe ne ngelemi këtu, me siguri cilësohemi elementë me rëndësi prej popullit. E kushedi, në të ardhmen mund të na përmendë edhe historia”.
Unë që e pëlqeja atë natyrë gazmore aq sa edhe zgjuarsinë, nënqesha me mirëkuptim. Ndërsa Drita dogmatike si përherë iu kthye rreptë:
-“Ty Gjystinë po dymbëdhjetë të bie ora. S’është mirë t’i japim ngjyrë shakaje, kur diskutohet për çështje serioze.
-Po ne s’qemë në mbledhje celule e as në ndonjë konferencë të organizuar – tha ajo – Kjo qe thjesht bisedë e lirë. Apo ka ndonjë udhëzim që ua ndalon shakanë komunistëve?…shtoi Gjystina duke shikuar shkarazi Marien që mezi e përmbante të qeshurën.
Drita….ia nisi llogos:
-Jemi komuniste dhe që të kthejmë në parodi parime ideologjike, nuk na lejohet…”
Në intervistën e zhurmshme ku Drita Kosturi do të ngulte këmbë se Qemal Stafa kishte vrarë veten, pra pati vdekur si një dehero, deklaroi edhe divorcin e saj me komunizmin, duke e quajtur gabim të madh të jetës së saj.
Ditë të pasme
Të gjitha episodet që tregon Drita Kosturi rreth gjendjes shpirtërore të Qemal Stafës, të cilat edhe i ironizon, duke ja zvogëluar figurën, nuk provojnë pazotësinë e naivitetin e tij për t’u ruajtur nga rreziqet e luftës ilegale.
Kur pothuaj flet me vete për parandjenjën që ka se ato çaste mund të vritej, Qemali dëshmon se ndihet i penduar që zgjodhi atë bazë të pasigurt.
Nuk është i qetë.
Ai ishte plot aftësi lufte në kushte kërcënuese, i vetëshpëtuar nga arrestimi disa herë. Në të gjitha takimet e punës me Rininë Komuniste këtë çështje, sigurinë e jetës së gjithsecilit luftëtar, Qemal Stafa e kishte përparësi absolute.
Veterani vlonjat i LANÇ, Cane Rama, autor i një shkrimi të botuar në 16 mars 2007 në gazetën “Kushtrim brezash”, dëshmon edhe këtë episod: “Në njërën nga këto mbledhje që u bë në shtëpinë e Petrit Bishës në Lagjen e Re, ku ishin mbledhur rreth 25 vetë përfaqësues të rinisë shkollore, shoku ynë i aktivit Kristo Papajani kujton: Qemali u pëlqeu menjëherë të rinjve. Ai bisedoi me ta ngrohtësisht dhe më pas i pyeti: “Po mirë, në rast rreziku, nëse diktohemi nga fashistët, a kemi rrugë të përshtatshme për të dalë prej këtej?” Njëri nga të rinjtë u përgjigj se janë marrë të gjitha masat”.
Ndërkaq fati i jetës dhe i vrasjes së Qemal Stafës, vazhdimisht i debatuar, vrapoi si imazh i pashuar nëpër vite.
Por si jetë e gjallë vrapoi edhe ajo e bashkëmoshatares me të, Drita Kosturit.
Ndërsa u bë partizane gjatë luftës, pas saj u arrestua dhe në 23 dhjetor 1947, me vendim nr. 506, Gjykata Ushtarake e Shkodrës e deklaroi fajtore “se në detyrën e vet si përgjegjëse në spitalet ka bashkëpunuar dhe ka dhënë informata në shërbim të Misionit Anglo-Amerikan”.
Po ashtu “se ka zhvilluar aktivitete kundër pushtetit popullor”.
Ndaj e dënoi me vdekje, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave politike.
Me vendim të Gjykatës së Lartë, dënimi iu zbrit në 15 vjet heqje lirie, prej të cilave bëri 13.
Pasi u lirua Drita Kosturi u internua deri më 1988.
Ndërroi jetë në 2006.
Mbeti e do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve jo aq për shkak të fejesës me Qemal Stafën, se sa rolit të saj gri në jetën e fatin e dhimbshëm të një njeriu me shumë dhunti intelektuale dhe idealizëm politik të shquar.
Kurorë e të majtës shqiptare
Në librin “Marrëdhëniet shqiptaro-gjermane në shek. XX”, të historianit Marenglen Kasmi, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ndodhet edhe një tekst i gjerë rrëfimi i oficerit gjerman të Luftës së Dytë Botërore, Rudolf Vogel, i profilizuar në propagandë, i cili titullohet “Mes shqiptarëve-Kujtime nga Shqipëria (1943-1944).
Në një fragment të tij thuhet: “Një ditë mora nga oficeri ynë i zbulimit një pako me letra për përkthime. Letra që u ishin gjetur komunistëve të rinj të vdekur, me sa duket intelektualë.
Në këto letra të përkthyera m’u shpalos përpara një botë krejt e re.
Këta studentë dhe intelektualë të rinj shqiptarë, me gjithë bindjet e tyre komuniste, jetonin në romanticizmin e shekullit XIX.
Ç’eksuberancë! Ç’emocione!
U ndjeva i kthyer në kohën e Arendt-it, Theodor Korner-it dhe zgjimit të rinisë akademike gjermane kundër Napoleonit në vitet 1812-1813.
Kush arrinte ta shihte këtë frymë idealiste te rinia komuniste, e cila nuk kishte të bënte aspak me qëndrimin absolutisht realist e kundër luftës së plebenjve, fshatarëve të varfër e punëtorëve me mëditje, mund të kuptonte forcën, qëndrueshmërinë dhe përkushtimin, me të cilin luftonte në fund të fundit kjo pakicë e vogël komuniste”.
Qemal Stafa ishte një i tillë.
Edhe pse sot, ndërsa u përjetua realisht diktatura e proletariatit, e ofruar nga doktrina komuniste si rrugëzgjidhja më e mirë shoqërore, shumica jonë e kanë të vështirë të përfytyrojnë një periudhë të saj të hershme idealiste.
Si edhe utopike.
Naive më së shumti.
Në thelbin fillestar progresiste.
Ja pse Qemal Stafa për kohën e vet nuk qe një paradiktator, por adhurues i lirisë, ai nuk ndihej dështak politik, por me të ardhmen përpara.
Ai e donte Shqipërinë më shumë se jetën e tij.
Qemali qe pjesë e intelektualëve të viteve 30-të, e vetmja shtresë shoqërore që pas brezit të rilindasve krijoi klimë për emancipimin e Kombit.
Ideologjia që përqafoi Qemal Stafa, ishte e kohës, jo e të shkuarës. Ajo krijoi joshje globale, u përhap sa gjysma e botës.
Qemali duket si komunist klasik, madje tërësisht i doktrinuar ideologjikisht, por nuk duhet shumë aftësi vëzhguese për të kuptuar se qe tërësisht një mendësi jo dogmatike, e çliruar nga skemat, mendërisht shumë e fuqishme për t’i thyer të gjitha prangat e kufizimeve.
Ende pa mbaruar lufta Nacionalçlirimtare Qemal Stafa do të ndihej pak nga pak i distancuar prej atij realiteti politik që do të krijonte në Shqipëri Enver Hoxha.
Vitet do t’i përplasnin, patjetër.
Nuk mund ta dimë rezultatin final edhe pse ka të ngjarë që Hoxha dinak dhe intrigant të dilte fitimtar e t’i jepte, më e pakta, fatin e Sejfulla Malëshovës.
Sot ende ka kohë, që për ta kuptuar si një fenomen të jashtëzakonshëm, ta rikthejmë Qemal Stafën në imazhin e treçerek shekullit më parë.
Si kurorë e të majtës shqiptare.