Xhemal Dauti i Dangëllisë/ Historia e Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë të rrethit të Lushnjes

Kërkoi t’u ktheheshin lopët fshatarëve, Ramiz Alia e degdisi

Nga Bashkim Koçi

Eshtë fakt i njohur në breza njerëzish që burrëria është mjeshtëri e vështirë. Janë të paktë ata që e meritojnë t’u thuhet në sy apo në shesh të mejdanit “ai është burrë”. Nuk nguroj ta them që më ka rënë rasti të njoh dhe të bëj “kurbet” me një të tillë, pra me një burrë që i kishte hije fjala, por edhe që dinte të kurdiste bukur zëmërekun e orës në marëdhenje më njerëz të kategorive të ndryshëme. Dhe ky burrë ishte Xhemal Dauti i Dangëllisë.

Xhemal Dauti ishte nga fashti Kakos i Skraparit, por meqë Kakosi ndodhet dhe konsiderohet kufiri fundor që ndan Skraparin me krahinën e Dangëllisë, atij i pëlqente të thoshte “jam nga Dangëllia”. Dhe e vërteta ashtu ishte. Madje, për të përligjur këtë fakt, në rrjetet sociale kështu njihej, Xhemal Dangëllia. Ndoshta ishte rastësi, por këtë burrë “prej vërteti” e lidhnin shumë gjëra me Dangëllinë dhe Përmetin. Ai kishte lindur në fshat, në Kakos, por vetëm katër klasë të fillores i filloi e i mbaroi aty në fshatin fqinj, në Strenec. Dhe më pas, meqë ai aty nuk kishte asnjë mundësi për të vijuar shkollën 7-vjeçare, e mori e motra për të kryer të gjithë ciklin në një nga shkollat e qytetit të Përmetit.

Xhemali e mbaroi arsimin 7-vjeçar me rezultate të mira, por pyetja që bëri babai i tij, Iliazi, ishte paksa fundore: po pastaj? Ndërkohë vetë jeta i kish mësuar të ishte kërkues, gjë që e përmblidhte vëtëm në një fjalëz: vazhdo! Vazhdo, por qysh, nga, si, ku të mbështetej. I vetmi nga ku mund të merrte një përgjigje pozitive ishte shteti, i cili, për hir të së vërtetës, ishte shumë i interesuar për të arsimuar popullin, rininë në mënyrë të veçantë. Pas një kërkese, drejtuar organeve të pushtetit në Skrapar, Xhemal Dautit iu dha e drejta të vazhdonte shkollën e mesme bujqësore “Irikli Terova” në qytetin e Korçës. Në ata katër vjet shkollë për të mësuar shkencat bujqësore, edhe pse në moshë fare të re, tek ai u vu re një qëllim paksa i veçntë, me ngarkesa frymëzimi dhe vendosmërie të paepur. Dhe duke qënë i vendosur, me “mendjen top” se do të punonte gjatë gjithë jetës në sektorin e bujqësisë, ai i bëri përpjekjet për ta modeluar profesionin, të cilin e dashuronte, sipas dëshirës së vet.

Nëse do të na duhej të veçonim diçka, që të ishte “e tija” te Xhemal Dauti, ai do ta kishte emrin përkushtim. Sepse ishte kjo vendosmëri tek ai që do t’ja kthente jeten në sukses. Xhemali ishte i gatuar me ata tregues shpirtërorë që e detryronte veten të mos ia ndante sytë objektit të dëshiruar, asaj që synonte të arrinte. Ishte viti 1959 i shekullit të kaluar kur u diplomua si agronom i mesëm. Familja në atë kohë ishte larguar nga fshati Kakos i Skraparit dhe ishte vendosur me banim në qytetin e Beratit. Për vet profesionin që kishte studjuar e ishte përgatitur, për agronom, aty në qytet nuk mbillej e korrej as grurë e as misër që të mund të fillonte punë. Objekti i punës nuk mund të vinte në qytet, ishte larg, në fshatrat rrotull dhe në periferi të Beratit. Pra Xhemalit i duhej të shkonte aty ku ishte puna. Në këtë mënyrë atij i erdhi emërimi si agronom i mesëm në lokalitetin Vërtop, aty ku do të qëndronte plot dy vjet, deri në vitn 1961.

Xhemal Dauti dallohej si njeri me karakter të fortë. Kjo gjë vihej re edhe tek vendosmëria e tij për të vijuar të formohej e të kualifikohej aty ku ndjehej i aftë. Ishte kjo forcë e brendëshme e tij që të kërkonte, pa e kthyer kokën mbrapa, të vijonte studimet e larta në Institutin e Lartë Bujqësor, në Tiranë. Bashkëstudentë të tij thonë se ai, edhe pse student, kishte ca dëshira “të fshehta”, që shpesh çfaqeshin e që në vitet më pas do dominonin të gjithë qënien e tij si njeri praktik, si specialist që teoritë e mësuara nëpër libra, të mund të gjenin vend në jetë, të fuksiononin aty ku mbillej e korrej. Ishte viti 1966 kur i parsadiplomuari Xhemal Dauti të caktohej specialist bujqësie për të gjithë lokalitetin e Qëndrës të rrethit të Beratit. Po të kihet parasysh se gjeografia e ekonomive bujqësore të Qëndrës përfshinte sipërfaqet më produktive të rrethit të Beratit, barra e specialistit për të qenë “me zë” dominues në zbatimin e praktikave shkencore në prodhim, ishte i vështirë. Por Xhemal Dauti paskësh qënë mjeshtër që atë dritëzën e teorisë ta bënte efektive dhe të frytëshme. Kryesisht duke futur në proceset e punëve mekanizma bujqësore, të cilat rritën jo vetëm cilësinë e shërbimeve, por edhe rendimentin dhe kryerjen e proceseve agroteknikë në kohën e duhur. Ndoshta kjo aftësi e tij për të futur mekanizmat në përdorim diktoi që ai të fillonte punë në ndërmarrjen më të madhe që mbulonte këto procese, pra të emërohej K/agronom në Stacionin e Makinave dhe të Traktorëve të rrethit të Beratit. Aty atij i desh të përballej me shumë mentalitete, kryesisht të gabuara, por falë aftësive të tij, këmbëngules “ o e bëj ashtu si i kam mësuar gjërat në libra, o s’ka”, mundi të thyente me shumë sukses ca vështirësi që i kishin zënë rrugën, duke mos mbajtur kurrë pozicionin e moralistit.

Të mund t’i ktheje mendimet në veprim, pra që t’i shikosh të materializuara në jetë, është diçka e zorëshme, nëmos më e vështira. Pozicionet që mbajti Xhemal Dauti treguan se ai ishte mjeshtër i lindur që praktika të ishte produkt i reflektimit. Pra ai ishte nga ata tipa që nuk i trembej së resë, të asaj që diktonte ndryshim. Dhe ishte kjo cilësi e tij si specialist e kuadër drejtues që të veçohej nga të tjerët, të vihej në listën e atyre që ishin të aftë për t’u bërë ballë punëve të vështira e që kërkonin këllqe. Për disa vjet ai mbuloi sektorin e perime-frutivitikulturës pranë Seksionit të Bujqësisë të rethit e për ta emëruar më pas K/specialist në kooperativën më të madhe, por edhe më problematike të rrethit, atë të Kutallisë. Ishte viti 1973. Dora e Xhemal Dautit, kokëfortësia e tij për të vënë punët në sira, për të vënë rregull e disiplinë, ashtu si i donte “kapriçozja” bujqësi, “predikimet” e tij e dhanë shumë shpejtë ndryshimin. Ishte këto rezultate, këta tregues që në tetor të vitit 1976, në moshën 34 vjeçare të emërohej N/kryetar i Komitetit Ekzekutiv në rrethin e Beratit. Dhe fiks pas një viti, në tetor të vitit 1977, emërohet ndihmës për Bujqësinë i Zv. Kryeministrit të kohës, Adil Çarçanit.

Specialisti Xhemal Dauti tashmë ishte kuadër me shumë përvojë dhe për këtë gjë kishte marë vlerësimet nga më të mirat për atë që ishte. Tek drejtuesit më të lartë të shtetit të asaj kohe ishte krijuar mendimi që ai mund të ngarkohej për të çbllokuar situata ku kishin ngecur punët dhe menaxhues i suksesshëm për të sjellë ndryshimin. Ky opinion, pra që Xhemal Dauti ishte njeri me vullnet e që nuk tërhiqej kollaj, solli befasinë tjetër, që më 25 Janar të vitit 1979 të emërohet Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Përmetit. Sigurisht që Përmeti ishte rreth i vogël por, për fat të keq, aty prej disa vitesh ishin akumuluar shumë probleme dhe rrethi po shkonte me shpejtësi drejt rrënimit të ekonomisë. Pritshmëria e atyre që i varën këtë këmborë të rëndë ishte shumë e madhe. Por nga ana tjetër Xhemal Dauti kuptoi se, që të realizonte gjithçka që pritej prej tij, i duhej që ai ta konsideronte veten më të zotin dhe më kompetent nga ç’ishte.

Dhe ai e mori përsipër këtë gjë edhe pse pritshmëritë ishin shumë të mëdha. Iu desh një punë e madhe, munduese dhe cfilitëse që rrethi i Përmetit të ecte përpara, t’i hiqej njëherë e mirë nami i keq dhe njëherësh të transformohej aq dukshëm sa të diktonte të tjerët të mësonin për “magjinë” çudibërëse të Xhemal Dautit. Në këto çaste suksesi, gjë që ish shpërblim i ideve të reja të tij dhe i asgjëje tjetër, ai ngarkohet me detyrë tjetër, por po aty në Përmet. Në vitin1982, pra pas tre vitesh kryetar komiteti, u emërua Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë. Bashkëkohësit thonë se ai ndryshoi karriken, por jo devotshmërinë për të qenë, ashtu si deri atëherë, në krye të detyrave që kërkonte ecuria e prodhimit. Puna e tij vazhdoi me të njëjtin intensitet, në mos më shumë dhe Përmeti nën drejtimin e tij u bë qendër e rëndësishme e përvojës së përparuar. Mbahet mend që ky rreth u bë qendër e takimeve kombëtare për marrje eksperience me kuadro nga e gjithë Shqipëria.

Kur ushtronte detyrën në Përmet ishte hedhur ideja e tufëzimit, ide të cilën ai nuk e përkrahu asnjëherë. Jo se i mungonte vullneti për t’u përballur me vështirësi, por këtë gjë ai e konsideronte si një ëndërr të keqe, fantazi të padëgjuar. Shpesh “bashkëbisedonte” me veten, duke e konsideruar këtë lëvizje merak të madh. Ku do të shkojë fshatari pa lopë, thoshte, pa dele, pa pula, pa atë kopshtin e tij personal, ku mbillte perimet për t’u ushqyer familjen? Gjithashtu ai ishte i ndërgjegjshëm se duke u bërë tufëzimi, fshatari do t’i bëhej barrë shtetit për t’u ushqyer dhe, ky i fundit, nuk ishte në gjendje të furnizonte edhe qytetin edhe fshatin. I mbajti brenda vetes ca ide “të çmendura”, të cilat nuk nguroi t’i shfaqte në vendin e duhur dhe me njerinë e duhur.

Lexo edhe :  1959 – Vrasja e Kryeministrit të Sri Lankës, Solomon Bandaranaike

Dhe kjo ditë, pra që të bëhej trim dhe të shfaqte “sekretet” që i bluante brenda vetes, erdhi. Në 31 tetor të viti 1984 Xhemal Duti u emërua Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Lushnjes. Lushnja nuk ishte Përmet, por një rreth i madh bujqësor, hambari i Shqipërisë, siç quhej atëherë. Edhe aty punoi shumë, me pasion dhe me shumë ambicje për të sjellë përparim, për ta bërë Lushnjen vend të begatë. Dhe përparimin ai e kërkonte tek frymëzimi për të transformuar idetë në punë, tek zelli i mjaftueshëm që kishte për të përkrahur praktikat e reja në prodhim. Hapi gara edhe me rrethin e Fierit dhe Durrësit, të cilët drejtoheshin nga anëtarë të Byrosë Politike, respektivisht Pali Miska dhe Muho Asllani, por Xhemal Dauti “i mundi”, bëri të ishte më i fortë se Partia.

Duke diskutuar një ditë në shtëpi me bashkëshorten, Afërditën, për vështirësitë që ishin krijuar për furnizimin e fshatarëve me prodhime blegtorale, i paskësh thenë jo pa shqetësim:

– Këto ditë do të vijë për vizitë në Lushnje shoku Ramiz Alia. Unë do t’i paraqes mendimin tim që çdo familje bujqësire të mbajë 1 lopë, 5 dhen apo dhi, pula, sepse nuk durohet më, po më mundon shmë varfëria e këtyre njerëzve.

Gruaja e kishte parë drejt e në sy paksa si e trembur: – E kupton ç’po thua? E merr me mend se si do ta interpetojnë në Byronë Politike këtë ide tënden? Mos na merr në qafë se kemi fëmijët për të rritur!

Por Xhemali nuk ishte nga ta që tërhiqej kollaj, aq më pak nga këshillat shumë të sinqerta të gruas. Ai e kishte bluar prej kohësh këtë ide dhe e kishte vendosur të gjente momentin, çastin më të volitshëm për t’u zbrazur përpara udhëheqjes së Partisë. Dhe ai ashtu bëri. Kur Ramiz Alia erdhi për një vizitë të planifikuar në Lushnjë dhe ata po ecnin nëpër një parcelë të mbjellë, të kufizuar me kanale, anët e të cilit ishin mbjellë me bar, Xhemali i ia kishte shkrepur:

-Ja shoku Ramiz, a nuk mund ta mbajë fshatari një lopë dhe ta kullosë këtu në këto anë kanali?

-Po, pse jo!- ia kishte kthyer ai.

-Po ja, sikur t’i jepnim fshatarit një lopë, për shembull?, – kishte vijuar më tej bisedën Xhemal Dauti.

Ramiz Alia kishte tundur kokën, demek që Xhemali kishte të drejtë. Dy ditë më vonë e kishte ftuar për një vizitë pune në Vilën e udhëheqjes në Ujin e Ftohtë në Vlorë. Në prani edhe të dy-tre shokëve të tjerë të Komitetit Qendror, Ramizi i kishte kërkuar që t’ja sqaronte edhe një herë më shkoqur atë idenë e shfaqur si “rastësisht” gjatë vizitës së tij në rrethin e Lushnjes.

Dhe Xemali Dauti ia kishte shkoqitur një më një, madje me hollësi. Më pas ai kishte menduar se do të bëhej ndonjë korigjim në direktivën vrastare të tufëzimit, por më kot. Madje pritja e gjatë, me ditë e me muaj, e kishte torturuar. Nga vizita e Ramiz Alisë mori si shpërblim vetëm togfjalëshin “Kjo tokë ishte, këta njerëz, pse ndryshuan rezultatet?, gjë që më pas do t’i kthehej në një ndëshkim të padëgjuar deri atëherë për një kuadër që kishte punuar shumë në fushën e transformimeve në bujqësi, në të gjitha pozicionet që e kishin caktuar.

Por në të gjitha këto plane për punë të mëdha, Xhemali nuk kish parashikuar atë çka mund të bënin të ligjtë, ca njerëz me fuqi cinizmi e me pushtet, të cilët u bënë xhelozë, por edhe shumë të poshtër për ta rrëzuar e deskritituar. Ndërsa ai punonte natë e ditë, ushtronte kontrolle, takonte njerëz, i motivonte ata dhe i kushtoi shumë rëndësi fushatave të stinëve, siç ishin ato për grurit, duhanit, pambukut, misrit, perimeve, blegtorisë, etj. etj., të ligjtë bënin plane ogurzeza për t’i bërë gropën. Në 20 Maj të vitit 1986, me udhër, që nuk u mor vesh nga kush, pa pyetur e pa mbledhur Byronë e Pratisë dhe as organet e tjera më të larta në rreth, brenda 24 orësh u mblodhën plaçkat e shtëpisë, gruan dhe dy vajzat ende të parritura dhe drejt e në Rrëshen. U çuditën të gjithë, por ç’mund të bënte Xhemal Dauti, murit nuk i bihej me kokë. Gjithçka e thënë deri atëherë për të, madje edhe fjalët e mira e lavdëruese të Ramiz Alisë, ishin bërë pluhur. Dhe ndoshta me vonesë ai po merte vesh se nuk po rrëzohej nga paaftësia, por prej pabesisë së miqve.

Në Rrëshen u emërua Drejtor i Ndërmarrjes Bujqësore Tarazh. Ishte fermë e sapo krijuar, me shumë probleme. Por ai kishte përballuar me detyra shumë më të larta e shumë herë më të vështira. Sidoqoftë, edhe pse i goditur keq, falë punës serioze e të përgjegjëshme, ashtu si përherë, aty në NB të Tarazhit, arriti rezultate të mira, rezultate ku bënte vend dora dhe mendja e Xhemal Dautit. Qëndroi aty në detyrën e drejtorit pak më shumë se një vit. Mesa duket dikush atje lart ishte “penduar” për të dhënë orjentimin dhe porosi që Xhemal Dauiti të transferohej në rrethin e Beratit, aty ku kishte nisur karierën fiks përparë 20 viteve. Ishte mesi i muajit korrik i vitit 1987 kur filloi punë si përgjegjës sektori në NB Partizani dhe shumë shpejt do të drejtonte një ndermarrje tjetër të atij rrethi, NB “Thoma Bello”. Pra njeriu i punës, më i suksesëshmi ndër sërën e tij të atyre viteve, po i ngjiste shkallët një e nga një. Në gusht të vitit 1990 mori emërimin Z/ Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit Berat.

Mirëpo kohët po ndryshonin me shpejtësi të paparashikuar. Në zgjedhjet e para pluraliste Xhemal Dauti paraqiti kandidaturën për deputet, përfaqsues i PPSH. Pati shumë hezitime. Jo vetëm vetëm ata që ishin atorët e “shqelmave” ndaj tij, por edhe R. Alia e kish kundërshtuar kandidimin e tij. Falë presionit nga baza, nga përfaqësuesit më të lartë politikë të rrethit të BeratitU detyruan ta vënë kandidat të bashkimeve Profesionale. Shkak për këtë u bë telefonata që bëri Hysen Shahu, i cili u tha në telefon:

-E kini kot që këmbëngulni. Ai që nesër del deputet i pavaruar dhe me teserën e PPSH ju turpëron. Jam shumë i bindur që ai fiton edhe deputet i pavaruar.

U bënë zgjedhjet dhe Xhemali fitoi me 83% të votave. Më pas, me votim unanim të të gjithë partive u zgjodh Kryetar i Parë i Komitetit Pluralist të Beratit.

Në zgjedhjet e parakohshme të 22 Marsit vuri sërish kandidaturën për deputet. Ishte koha kur PD përdori të gjitha metodat dhe inicioi procesin e vjedhjes dhe manipulimit të votave dhe kësaj rradhe nuk u zgjodh dot deputet, megjithëse në realitet i fitoi zgjedhjet në zonën e tij.

Duke qënë njeri me dinjitet Xhemal Dauti nuk ishte nga ata që të mund të priste “bukën e gojës” nga të tjerët, Direkt pas humbjes shfrytëzoi pasaportën diplomatike dhe iku në Itali si emigrant ekonomik. Punoi atje për afër një vit dhe kur u kthye, i gjendur me të gjitha dyert e mbyllura, pas asnjë mundësi punësimi dhe me gruan të hequr nga puna me nenin famëkeq 24/1, me dy vajzat e rritura tashmë, njëra studente dhe tjetra gjimnaziste, filloi punën si shofer taksie, e më pas për dy vite si shofer transporti me furgon, duke shitur mallra ushqimore dhe industriale në të gjithë Shqipërinë. Në vitin 1997 u zhvendos në Tiranë. Me një punë dosido, sa për të “tundur derën”, mundi ta shtyne dy vjet e pastaj të dilte në pension. Po a mund që ky njeri me vullnet të pashkruar, njeriu i ëndërrave të mëdha, një fantazist që e kërkonte punën edhe ary ku nuk ishte, të mund të mbyllej në shtëpi? Më e udhës iu duk, të krijonte Shoqatën “Dangëllia”, atë për të cilën kishte menduar prej kohësh e që e kish lënë “aktivitet në gjumë” për t’ju future me mish e me shpirt kur të dilte në pension. Shumë shpejt e formoi këtë shoqatë emërmirë, atë që kishte për emblem tre vëllezërit Frashërllinj. Madje e zgjodhën edhe Kryetar të saj. Nën këtë logo kreu shumë aktivitete dhe u përfshi në shumë rrjete shoqatash të tjera simotra, duke u bërë pjesë e jetës sociale deri sa qe gjallë. Xhemal Dauti u nda nga jeta në datën 10 Nëntor të vitit 2020, duke ikur nga kjo botë i plotësuar me punë të jashtëzakonëshme, por edhe sepse ai i mundi të liqtë.