Lindi në Tours më 20 maj 1799. Ndërsa vdiq në 18 gusht 1850 në Paris. Edhe studioi për jurisprudencë, në moshën 20 vjeçare zbuloi dhuntinë e tij për të shkruar
Nga Leonard Veizi
Sot e gjithë ditën ai vazhdon të mbetet shkrimtar i adhuruar, jo vetëm në Francën e tij, por në krejt botën. Përfaqësuesi më i madh i realizmit në Evropën perëndimore, me letërsinë e tij ai dominoi gjithë shekullin e XIX…
Në bibliotekën familiare, ku rrëmoja çdo ditë për të gjetur libra interesantë që mund t’i lexoja pas mësimeve, mes titujve të tjerë gjendej dhe “Xha Gorioi”, të cilin si ende i parritur hezitoja ta lexoja. Por kur saga e bibliotekës po shkonte drejt fundit, edhe mundësia e përzgjidhjes ishte në limitet e saj, vendosa të merrja në dorë veprët e shkrimtarit francez, për të cilin realisht nuk kisha asnjë rekomandim e për më tepër as që kisha kërkuar të dija qoftë dhe diçka të përciptë mbi të. I bindur që libri do të ishte i mërzitshëm, – sepse kështu më pat thënë një e afërmja ime teksa më pa me “Xha Gorionë” nëpër duar, – vendosa t’i shkoja kapriços time deri në fund. Pavarësisht të gjithave, duhet të mësohesha me një letërsi për të rritur, qoftë dhe dike gabuar në përzgjedhje.
Vetëm pasi kisha lexuar 30 apo 40 faqe nga romani, dhe isha zhytur e fantazoja mbi një botë të paimagjinueshme, krejt e ndryshme nga ajo që jetonim, nuk e kuptoja se si një letërsi e tillë mund të quhej “e mërzitshme”. Dhe meqenëse regjistrat e leximit janë të ndryshme dhe vlerësimi për një vepër është i ndryshëm, padyshim.
Në përfundim të leximit, edhe pse në një moshë relativisht të vogël, besova po aq sa një burrë në moshë që kishte lexuar pafund, se autori i librin Honore De Balzak ishte një shkrimtar i jashtëzakonshëm apo gjenial. I këtij mendimi kam qënë në mënyrë konstante edhe kur pak vite më vonë, i vetmi që do të thyente mitin e tij ishte një tjetër shkrimtar europian, por këtë herë britanik: Shekspir. Nga ai çast, kur De Rastinjaku i pensionit të zonjës Voker, ishte bërë si shok a udhëheqës për mua, kërkova që biblioteka e familjes të pasurohej me të tjerë libra në shqip të këtij autori francez. Balzak, ishte autori i pikës së kthesës, për atë ccfarë unë kërkoja nga letërsia, dhe që padyshim e gjeta.
Ky ishte prologu i njohjes time me këtë shkrimtar të përmasave botërore. Ndërsa epilog ende nuk ka, sepse gama e botimeve nga i njëjti emër, apo qoftë dhe me pseudonim, është kaq e madhe sa do të duhej një bibliotekë e dytë fizike, dhe një kohë e dytë leximi, këtë herë vetëm për të.
Krijimtaria
Materialet enciklopedike që flasin për jetën e tij thonë se Honoré de Balzak lindi në Tours më 20 maj 1799. Ndërsa vdiq në 18 gusht 1850 në Paris. Edhe pse ishte regjistruar në fakultetin e jurisprudencës duke punuar njëkohësisht në një zyrë noterie, në moshën 20 vjeçare zbuloi dhuntinë e tij për të shkruar. Thuhet se në një dhomë të vogël në lagjën Bastija, nga 1821 deri 1829, shkroi vepra duke i firmosur si Horas dë Sent-Obë.
Për 20 vjet ai arriti të realizonte 90 krijime mes te cilave kishte romanca e tregime, të gjitha këto të bashkuara në një vepër të vetme me titull “La comédie humaine” apo thënë në shqip “Komedia njerëzore”. Bëhet fjale për një analizë të jetës shoqërore dhe private në një Francë në zhvillim e sipër, epoka e “monarkisë borgjese”. E para është një romancë historikë, “Le Shuons” botuar në vitin 1829, për të cilën është frymëzuar nga revolta e Vande-se; megjithatë do të jenë veprat e tjera të tij që do t;i sigurojnë sukses dhe admirim nga ana e publikut. Ato janë: “Lëkura e shegrenit”, “Evgjeni Grande”, “Mjeku i fshatit”, “Ilusione të humbura”, “Shkëlqimi dhe mjerimi i kurtizaneve”.
Produkti
Në 1834 Balzak pati idenë që të shkrinte të gjitha krijimet e tij në një vepër të vetme monumentale, një afresk i vërtete mbi shoqërinë francezë të asaj kohë nga perandoria e parë deri në monarkinë e korrikut, kështu publikoi të famshmen “Komedia njerëzore”. Fillimisht vepra duhet të përmbante 150 romanca të ndara në tre vija kryesore: Studim zakonesh, Studim filozofik e Studime analitike. Grupi i parë përbehej nga vepra të përfunduara prej kohësh dhe ishte i ndare në 6 skena të cilat përfaqësonin jetën: private, provincës, parisienë, politike, ushtarake dhe fshatit. Romancat duhet të përmbanin rreth 2000 personazhe, sepse dëshira e tij ishte të krijonte një rrjet ngatërresash midis vëllimeve të ndryshme. Vetëm 2/3 e projektit u realizua. Episodet më të famshme janë: “Xha Gorio”, “Evgjéni Grande”, “Kushërira Betë”, I”luzione të humbura”.
Në 1937 realizoi “La vielle fille” që u bë romani i parë që publikohej në një gazete.
Puna çmendurake
Balzaku ia doli mbanë pas të tridhjetave. Pasioni i tij për tu bërë i famshëm është aq i madh sa e shtynë Balzakun të frekuentojë sallonet aristokratike e të pranojë për të dashur markezën de Castri. Reputacioni i tij i ri si një njohës shumë i mirë i botës femërore do ti vlejë. Në 1832 ai merr një letër të nënshkruar “E huaja” nga një konteshë poloneze Eva Hanska, e martuar në Ukrainë. Ky do të jetë fillimi i një historie romaneske që zgjati deri në vdekjen e Balzakut. Për momentin Balzaku po jetonte në mes të luksit, vishej si një dendi megjithëse nuk e kishte fizikun, dhe shpenzonte pa hesap paradhëniet e dhëna për vepra akoma të pashkruara, të cilat ai shpreson ti mbarojë brenda afatit. Ai rend pas kohës pas iluzioneve të botës. Ai punon nga 10 deri 12 orë në ditë duke pirë kafe njëra pas tjetrës dhe gati prek çmendurinë në qershor të 1832. Romani i tij “Lui Lambert” duket si një autobiografi. Këtu paraqitet një djalosh intelektual i ekzaltuar, romantik që vdes në fund nga çmenduria.
Epilogu
Honore de Balzak njihej se një burrë aventurash, dëshirash e në të njëjtën kohë edhe ëndërrimtar, i plagosur nga kontradiktat e jetës moderne.
Në 1838 Balzak u dallua për luftën e tij për të drejtën e autorit. Ai kishte një vullnet shumë të madh për të punuar megjithëse shëndeti kishte filluar të bëhej një pengesë e madh për të.
Në 1822 Balzak u njoh me L’or de Bernit, një grua e pjekur e cila i qëndroi gjithnjë pranë deri në ditën e vdekjes së saj më 1836.
Në 1839 u bë anëtar i shoqërisë së shkrimtareve dhe po atë vit ai u zgjodh kryetar i saj.
Në 1850, disa muaj pasi ishte martuar me baroneshën Hanska, Balzak u nda nga jeta. Dashuria e tij me aristokraten polake pasqyrohet më se miri në letërkëmbimin midis tyre që u publikua në vitin 1968 nën titullin “Lettre à madame Hanska”.