“Kufiri Shqipëri-Greqi duhet matanë Janinës”, sot 98 vjet nga vrasja e gjeneralit italian Tellini

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Roland Qafoku

Nëse Enrico Tellini nuk do ishte vrarë, kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë do ishte matanë Janinës. Por ajo e hënë e 23 gushtit të vitit 1923 ishte fatale jo vetëm për jetën e gjeneralit italian me detyrë kryetar i Komisionit Ndërkombëtar Kufi përcaktues mes Shqipërisë dhe Greqisë, por edhe për fatet e Shqipërisë.

Gazeta Fjala sjell sot të plotë ngjarjen e ndodhur 98 vjet më parë të marrë nga libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar, 1912-2017”. Në një pusi nga një bandë prej 7 burra të armatosur gjenerali italian u vra bashkë me 4 personat e tjerë që ishin në makinë me të.

Skena e vrasjes

Eskorta me dy makina, me gjeneral Tellinin po lëviznin nga Janina në Kakavijë kur rrugën ia kishin zënë disa pemë të rrëzuara. Me ta nuk ishte makina me përfaqësuesit grekë, e cila nuk vijoi udhëtimin pas një defekti. Sapo shoferi Reniggo Farneti dhe përkthyesi shqiptar, Thanas Kraveri, dolën për të hequr pemët nga rruga, pjesëtarët e një bande hapën zjarr duke i lënë të vdekur në vend që të dy. Batareja e pushkëve u drejtua edhe ndaj personave që ndodheshin në makinë. Mjeku Luiggi Corti ishte personi i tretë që mbeti I vrarë. Pas tij u plagos adjutanti Mario Bonacini që falë një manovre arriti të futej poshtë makinës. Në këtë moment, gjeneral Tellini u përpoq të largohej nga makina duke vrapuar dhe qëlluar njëkohësisht me pistoletë ndaj pjesëtarëve të bandës. Por arriti të bënte vetëm disa hapa drejt pyllit sepse shënjestra kryesore e banditëve mbeti i vrarë në vend.

Si u organizua vrasja

Fshatrat Pobickë dhe Radat në Leksovik i përfshiu brenda kufirit të Shqipërisë. Fshatrat Peshkëpi, Rrëzë e Zezë dhe Kakavijë i përfshiu brenda kufirit të Shqipërisë. Punonte me ritëm të lartë në mënyrë që të përfundonte me shpejtësi. Dhe kur Enrico Telleni po bëhej gati të përfshinte vijën e kufirit të Shqipërisë deri në Kallama dhe të gjithë Çamërinë veriore duke përfshirë edhe Janinën me rrethinat e saj kishte vetëm një mënyrë që qarqet greke ta ndalonin: Duke e eleminuar fizikisht.Kjo situatë pasqyrohej qartë në gazetat e kohës.

“Tiranë. 6 Shtator 1923, Përfaqësuesit tonë në Paris, Londër, Romë e Gjenevë na njoftojnë: Veprimi i fundit i drejtë i Gjeneral Tellinit ndaj Shqipnisë, i dhanun prej Tij, me 2 Gusht, ku, vendosi që banjot e Vromonerit t’i mbesin Shqipnisë, janë shkaku i vrasjes së Tij….

”KURRMA, SI JU DEMOKRATE, SHKODRAN!..”TE VITIT 2009 MELBOURN. Viti I. Shkoder, e Shtunë, 1 Shtator 1923. Nr. 21. (Gazeta ‘’Ora e Maleve’’ e dt 1 shtator 1923, nr 21)

Se sa ishte masa e shqetësimit të gjeneral Tellinit kuptohet nga një raport i tij i dërguar në Lidhjen e Kombeve për punën e kryer deri në ato moment:

“Ky delegacion, nuk më jep besim për një bashkëpunim të sinqertë. Delegacioni kërkon me të gjitha mjetet dhe pretekstet për t’u larguar….Autoritetet dhe trupat greke nxjerrin pengesa nga më të ndryshmet”. (Zaho Golemi & Angjelo Kazo, gazeta Illyria, 28 gusht 2014)

Pakënaqësia e Greqisë nisi që kur Lidhja e Kombeve pas Konferencës së Paqes në Paris, e emëroi Tellinin kryetar të Komisionit Ndërkombëtar të Kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pas pakënaqësisë me fjalë dhe mimikë, grekët ia lanë vendin veprimeve konkrete. Vetëm pak ditë pasi mori detyrën gazeta “Dielli” shkruante se 50 ushtarë grekë të lënë qëllimisht në Korçë si “të sëmurë”, hynë përdhunshëm në ndërtesën e komisionit, për të trembur gjeneral Enriko Tellinin dhe ta detyronin që Korçën ta kalonte brenda kufirit të shtetit grek. (gazeta Illyria). Sipas një raporti të Konsullatës italiane në Janinë, gjatë një diskutimi në një moment irriitimi, përfaqësuesi grek kishte thënë se, “Gjeneral Telini duhet vrarë…”. Këtë frazë ky kolonel e ka përsëritur edhe publikisht në një lokal, ajo ç’ka do të ndodhte në të vërtetë.

Kush e vrau Gjeneral Tellinin?

Përfaqësues shqiptarë pranë Komisionit Ndërkombëtar dhe përfaqësues i qeverisë shqiptare pranë grupit hetimor, Mehdi Frashëri është i vetmi person i kohës që na jep vrasësit me emër. Madje ai jep detaje edhe për përgatitjet që bënë autoritete greke që kjo vrasje të dukej sikur e kishin bërë shqiptarët. Por në fakt e kishin bërë grekët. Frashëri jep një version mjaft interesant se si shteti grek manipuloi kriminelët për të thënë se vrasja e Tellinit u bë prej shqiptarëve. Sipas Mehdi Frashërit, krimineli grek Koço Memo, i ardhur në Shqipëri, u burgos në burgun e Gjirokastrës për vrasjen e shërbëtorit të Myfit bej Libohovës. Në fakt krimineli donte të vriste Myfit Libohovën nga ana e jashtme e murit të sarajeve të tij, por e ngatërroi me shërbëtorin. Dy shtytësit në këtë vrasje të ngatërruar, ministri i Luftës,Ismail Tatzati dhe Qarkkomandant i Xhandarmërisë, Ahmet Selenica, organizuan edhe arratisjen e Koço Memos nga burgu. Por këtu historia bëhet edhe më e ngatërruar dhe intriguese. Pas arratisjes strehuesit e rinj të Koço Memos ishte pjesëtarë të familjes Karagjozati, të cilët i kërkuan Memos të vriste hasmin e saj, Boço Kalo.

“Grekët, me anën e katundarëve grekë të Gjirokastrës kishin dijeni të plotë për këto ngjarje dhe menduan ta falnin Koço Memon, ta mësonin mirë e mirë dhe ta nxirrnin dëshmitar përpara Komisionit Ndërkombëtar, të cilëve do tu kallëzonin përgatitjen e shqiptarëve për të vrarë Boço Kalon, me ndryshimin që në vend të emrit Boço Kalo do të thoshte emrin e gjeneral Tellinit”.(Frashëri Mehdi, Kujtime 1913-1933, faqe 163)

Lexo edhe :  Më 23 dhjetor 1912, Ismail Qemali emëroi delegacionin e parë për Konferencën e Londrës

Këtu nisi dhe mori jetë zbatimi i planit për ekzekutimin e Tellinit. Mehdi Frashëri tregon se autorë të kësaj vrasjeje ishte një bandë me 5-6 vetë dhe bashkë me ta edhe një kriminel nga Nivica që u kap rastësisht në Sarandë i armatosur. Në raportin që Frashëri i dërgoi në frëngjisht komisionit hetimor shkruan :

“Nga ndjekjet e xhandarmërisë shokët grekë të bandës kishin hyrë përsëri në Greqi dhe nivicioti kishte mbetur në Shqipëri ku u zu i armatosur. Sipas Kol Tromarës kjo bandë greke kishte qenë vrasësi i gjeneral Tellinit dhe mbas vrasjes kishte kaluar kufirin e Shqipërisë për të përgatitur prova kundër shqiptarëve”.

Eksperimenti Tellini

Eksperimenti ishte në modë në kohën e Tellinit. Gjenerali italian u ndeshën shumë pengesa dhe mosmarrëveshjeje me grekët për pretendimet e tyre territorial ndaj Shqipërisë. Nisur nga kjo ai bëri një eksperiment që do të kthehej në legjendë. U hidhte karamele një turme fëmijësh dhe aty dëgjonte se çfarë gjuhe flisnin kur ziheshin për ti kapur. Të gjithë flisnin shqip. Kaq i mjaftonte italianit dhe vendoste kufirin duke e lënë këtë fshat brenda territori shqiptar. Kjo i zemëroi grekët pa masë dhe pati shumë incidente me anëtarët e komisionit.

Hetim i dështuar

Në vitin e largët 1923 teknikat e hetimit për të zbuluar një ngjarje të rëndë nuk lidheshin shumë me shkencën se sa me intuitën. Kjo i shkon më shumë eksperimentit që bëri kryetari i grupit hetimor koloneli japonez Shibo. Me të mbërritur në vendin ku u ekzekutua Tellini, japonezi nxori pistoletën dhe qëlloi dy here në ajër. Menjëherë një grup ushtarësh grek që gjendeshin afër vendit të ngjarjes mbërriti për pak minuta dhe rrethuan të gjithë anëtarët e komisionit hetimor. Në këtë moment koloneli japonez nxori nga goja thënien lapidare:

“Hetimi mbaroi. Kur krismat e dy të shtënave revolveri u dëgjuan nga ushtarët, si është e mundur që qindra të shtëna pushkësh nuk u dëgjuan prej tyre ?!”.

E ndërsa nuk ka dyshime që grekët e vranë, ne shqiptarët nuk i kemi dhënë atë nder që duhet gjeneralit italian. Një shtatore që u ngrit në vitin 1933 me autor Odhise Paskalin u prish në vitet e para që komunistët erdhën në pushtet. Për të kuptuar dashurinë dhe respektin e tij për shqiptarët, por edhe mungesën e nderit ndaj tij, mjafton të lexojmë këto radhë të shkruara nga vetë gjeneral Tellini.

“I dua dhe i nderoj shqiptarët, sepse janë zemërbardhë dhe trima. Mjerisht, ata po vuajnë keqbërësitë e fqinjëve. Do të përpiqem t’ua pakësoj mundimet dhe t’ua lehtësoj dhimbjet kombëtare që shqiptarët të jetojnë të lirë si kombet e tjera”.(Zaho Golemi & Angjelo Kazo, gazeta Illyria, 28 gusht 2014)

Kështu u vra një italian që luftoi aq shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët, por që për shkak të kësaj mbeti i vrarë nga grekët.

Enrico Tellini

Viktima: Enrico Tellini

Viktima të tjera në këtë ngjarje: Luiggi Corti mjek italian me gradën major; Mario Bonacini, adjutant i Telinit me gradën toger; Reniggo Farneti, shoferi italian; Thanas Kraveri, përkthyesi shqiptar

Pozita e viktimës në momentin e vrasjes: Kryetar i Komisionit Ndërkombëtar Kufipërcaktues mes Shqipërisë dhe Greqisë me gradën gjeneral brigade. I diplomuar në Akademinë Ushtarake të Torinos, Itali

Pozitat e tjera të viktimës përpara vrasjes: Komandat Divizioni, komandat brigade, atashe ushtarak i Italisë në Austri

Ditëlindja: 25 gusht 1871, Castelnuovo, Toskanë, Itali

Koha e vrasjes: E hënë, 27 gusht 1923, ora 08.45

MOSHA E VIKTIMËS: 57 vjeç e 2 ditë

Vendi i vrasjes: Delvinaq, Zhepë, Greqi

Motivi i vrasjes: Për të penguar vendosjen e kufirit mes Greqisë dhe Shqipërisë në favor të Shqipërisë

Pasoja e vrasjes: Itali pushtoi ishullin e Korfuzit

Dëshmi Deklarata

Fan Noli, deputet

“Në këtë mes vritet Gjeneral Tellini, turbullohet tërë atmosfera e Ballkanit, çpatën? Ngatërrime në kufi të Veriut, Vermoshi e Shën Nauni ndodhën në rrezik, po ministri ynë, nuk e prish qetësinë e vakancave me këto gjëra të vogla. Dhe, që ardhi i detyrohet Ahmet Zogut, i cili i dërgoi tetë telegrame që ta shqiste nga Bukureshti e ta sillte këtu për ditën e votës së besimit, me qenë, që votat e Partisë Popullore u pakësuan pas ikjes së kryetarit të Partisë Popullore me shokë”. (Shkrim me titull “Sigurimi i lirisë së votimit” në gazetën “Ora e maleve”, numri i datës më 13 tetor 1923)

Dhimitër Berati, prefekt i Korçës

“Ushtarak i vërtetë në sjellje e në fjalë. Burrë pa frikë e pa léqe (lak, kurth, çark –I. D. Hoxha); njeri me kuptim të thellë, me mendime të kthjellëta e zemër bujare; njeri me kuptim të thellë, që dinte të shikonte larg dhe ta ndante menjëherë të mirën nga e liga…Ishte shtënë me gjithë zemër pas punës së caktimit të kufirit; e kryente këtë si një detyrë të çmuar…Në ka të huaj që të ketë derdhur gjakun për të mirën e kombit shqiptar. Gjeneral Enrico Telini ishte dhe mbetet në rreshtin e parë…”

Të fundit

Zvicra në Zi/ Skiatorja Sophie Hediger, vritet nga një ortek pas ditëlindjes së saj

Zvicra është në zi për humbjen e skiatores Sophie Hediger, e cila vdiq tragjikisht të hënën në moshën vetëm...

Gonxhja: Mbi 100 operatorë ekonomikë të regjistruar në OBP, në 20 ditë

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja e vlerësoi sukses të risisë së Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP), për regjistrimin e Operatorëve...

Përse Britania e shpalli “non grata” Sali Berishën? Flet ambasadori Abbott

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Nicholas Abbott, i ftuar në një intervistë televizive ka komentuar çështjen e shpalljes “non grata” të Sali...

Dëbora shkakton problematika në Kosovë/ Bllokohen një pjesë e rrugëve

Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë njofton se pas reshjeve të borës, rruga Pejë-Kullë është e pakalueshme për automjetet e rënda. Sipas përditësimit të...

“Çmime utopike”/ Kur gjermanët nuk blejnë dot dhuratat e Krishtlindjeve

14 milionë njerëz në Gjermani konsiderohen të varfër, kurse për një pjesë paratë nuk kanë rëndësi. Kontrasti bëhet i dukshëm sidomos tani në ditët...

Lajme të tjera

Web TV