Galileo Galilei, si u detyrua para Inkuizicionit të mohonte lëvizjen e Tokës rreth Diellit
Galileo Galilei lindi më 15 shkurt 1564 në Pizë; vdiq më 8 janar 1642 në Arcetri të Firences. Ai ishte një matematikan, fizikan, astronom dhe filozof italian. Renditet si një nga shkencëtarët më të mëdhenj të kohës moderne.
Galileo njihet si “babai i fizikës moderne”. Emri i tij është i lidhur me kontribute të rëndësishme në dinamikë, (parimi i plogështisë, ligji i rënies së sendeve të rënda) dhe në astronomi (me zbulimin e rrotullimit të Tokës, të njollave diellore, hënore, të satelitëve të Jupiterit, fazave të Afërditës, yjet që përbëjnë Rrugën e Qumështit dhe përmirësimin e teleskopit) dhe me futjen e mënyrës shkencore (përmendur shpesh si mënyra galileane).
U padit se donte të përmbyste filozofinë natyrore aristoteliane dhe Shkrimet e Shenjta, prandaj u dënua nga Kisha Katolike si heretik dhe u detyrua të japë dorëheqjen mbi bindjet e tij astronomike, më 22 qershor 1633. Shumë besimtarë nuk ishin dakord me vendimin që të dënohej ky shkencëtar i madh. Edhe ligji i atë hershëm i kishës nuk ishte i qartë, ndaj Galilei u dënua relativisht lehtë. Atë nuk e futën në qeli, prapa dritareve të hekurta, por e lanë nën mbikëqyrje në vilën e tij në Arçeti. Formalisht, i ishin ndaluar vizitat, por kjo pjesë e dënimit nuk u respektua.
Më 3 korrik 1633 ai u akuzua rëndë nga Kisha që mendonte se po thoshte gjëra kundër kishës. Ai u akuzua për shkak se thoshte se Toka sillej rreth Diellit. Dënimi i vetëm ishte që të tërhiqej publikisht nga mendimi se Toka rrotullohet rreth Diellit. Shkencëtari 69-vjeçar u detyrua ta bënte atë. Ka një version të njohur e të vërtetë sipas të cilit, kur u tërhoq nga ai mendim, Galilei hodhi vështrimin rreth e qark dhe mërmëriti: “E megjithatë rrotullohet!”) Në Arçeti ai vazhdoi t’i ekspozonte studimet e tij për mekanikën. Galilei vdiq në vitin 1642.