Aktorja e madhe e kinemasë lindi më 20 shtator 1934 në Romë, tanimë ajo është 87 vjeç
Tanimë Sofia Loren është 87 vjeç. Vetëm pak kohë më parë shtëpia botuese “Pegi” solli për lexuesit shqiptar një libër autobiografik, shkruar nga diva e kinematografisë botërore. Ndërkohë ajo ishte fort e njohur prej publikut shqiptar nëpërmjet një serie filmash që janë trasmetuar në ekranin e vogën nga Televizoni Publik…
…Sofia Loren lindi më 20 shtator 1934 në Romë, Itali. Është një aktore e filmit dhe teatrit dhe fituese e çmimit Oskar. Sofia Loren është diva më e madhe italiane dhe një nga aktoret më të njohura në botë. Në karrierën e saj të jashtëzakonshme ajo ka interpretuar në mbi njëqind filma dhe ka fituar nëntë “David di Donatello”, dy “Globi d’Oro”, “Coppa Volpi” dhe “Leone D’Or” në Venezia për karrierën, pesë “Golden Globe”, një çmim “Bafta”, një çmim për interpretimin më të mirë femëror në Cannes, një “Oskar” si aktorja më e mirë në vitin 1962 dhe një “Oskar” për karrierën në vitin 1991.
Rrëfimi
Sophia Loren, një prej aktoreve më të dashura e të njohura në botë, deri para pak kohësh nuk ishte rrëfyer kurrë. Në këtë autobiografi shndëritëse, të gjallë, ajo çtjerr jetën e saj që nga fëmijëria e një vajze të dobët e zeshkane, e më pas, në rininë e bukur por të pasigurt, e deri në rrugëtimin që do ta çonte këtë rioshe napoletane drejt lavdisë ndërkombëtare. Kjo historia e Loren-it i ngjan më shumë një përralle, bashkë me ballot, sprovat e rëndësishme dhe princat e kaltër. E megjithatë, pas divës së kinemasë, buzëqesh një grua e ndrojtur, por e vendosur, që ka vuajtur shumë, ka punuar edhe më shumë, ka dashur me pasion të vërtetë e me doza të lehta ironie. Ajo na njeh me qytezën e saj të shkatërruar nga lufta, në Romën e filmave të parë amerikanë, në Italinë e viteve të arta. Na njeh me Marcello Mastroianni-n dhe Cary Grant-in, Charlie Chaplin-in dhe Audrey Hepburnin, e shumë të tjerë. Ajo buzëqesh mbi tapetet e kuq në Hollywood, Cannes dhe Berlin. Gjithmonë na çon edhe pas perdeve, ku rreh zemra e saj prej bashkëshorteje, nëne, gjysheje, përreth një familjeje të cilën e ka konsideruar gjithmonë, si filmi i saj më i mirë. I shkruar me zemër, ky libër është një udhëtim entuziasmues në historinë e kinemasë, një roman plot me jetë, një ëndërr që një ditë u bë realitet.
Suksesi
Një jetë e pabesueshme, shijuar në maksimum, por jo gjithmonë me vetëdije. Vuajtja e suksesit ka ardhur e balancuar gjithmonë nga një spirancë në tokë, dashuria. Në moshën 83-vjeçare, kohë kur u botua libri, diva e vërtetë italiane shprehu një bindje: të jetuarit me pozitivitet dhe pasion është më e rëndësishme se të dish “të kapësh momentin”.
Çdo fazë e jetës sjell me vete kapriçot dhe kurthet e veta. Në moshën tridhjetë vjeçare je i ri dhe i pasigurt, dyzet je i fortë dhe shpesh i lodhur, pesëdhjetë je i mençur e ndoshta edhe disi melankolik. Dhe kur mbërrin në pragun e të tetëdhjetave, me raste të kap dëshira t’ia nisësh së gjithës nga e para. Lind sërish nëpër kujtime dhe dashurohesh me të ardhmen.
Jeta prej dive
“Do të jem gjithnjë “S.L.”, Sophia Loren, këtë dua. Por nuk është “kush jam” që më bën të zgjohem çdo mëngjes me buzëqeshjen në buzë”. Është një bukuri që zbeh, sfidon kohën dhe logjikën, ajo e Sofies. Nuk është për rrobaqepësin me porosi dhe aq më pak për shikimin tërheqës që e shoqëron nga vitet 1950. Kjo është një aurë e veçantë, ajo e divës së fundit të vërtetë.
Një jetë e papërshkrueshme, dhe tani e qetë, ajo ka rrëfyer. “Kur jeton në lartësi të caktuara dhe arrin nivele që kurrë nuk mund t’i ëndërroje, është shumë e vështirë të gjykosh se kush je bërë dhe çfarë ke përjetuar. Sot, mund të them se jam e vetëdijshme se kam bërë kaq shumë. Intensivisht, pa dyshim”. Keqardhje, askush! Të kthehet dhe të ndryshojë diçka? Aspak. “Nuk mendoj se do të mund të jetoja absolutisht asgjë me më pasion nga sa kam arritur”.
E për më tej diva ëhstë shprehur: “Carpe Diem”, imperativi ontologjik i kapjes së momentit, në një jetë të këtij kalibri, merr një dimension të veçantë. “Kuptimi i rëndësisë dhe sensit të ngjarjeve jetësore, sidomos nëse janë të jashtëzakonshme, nuk janë aspak të dëshirueshme. Jeta di si të jetë e madhe, në të mirë dhe në të keq, dhe ta jetosh në maksimum atë nuk ndodh gjithmonë ta kuptosh me të vërtetë, e kam fjalën për sukseset e mëdha të miat, duke i parë ato në sytë e të tjerëve. Fokusi im në realitet kanë qenë të gjithë njerëzit fantastikë që kam takuar, duke nisur nga bashkëshorti im”.
Jeta famjliare
I dashuri, Carlo Ponti, u nda nga jeta në vitin 2007. Ajo 15 vjeç dhe ai 37 vjeç kur u takuan në vitin 1950. Ajo ishte një mbretëreshë bukurie, ai, një regjisor i rëndësishëm, producent kinematografik. Diferenca 22-vjeçare dhe martesa (me dy fëmijë) e tij, nuk e penguan marrëdhënien, e jetuar në një Itali ku divorci ende nuk ishte ligjor. Kishte edhe një akuzë bigamie kundër të dyve. “Dashuria… sigurisht që ekziston. Dhe gjithmonë fiton! Dashuria është thelbësore. Për vetveten, për një njeri, për gjithçka që ai bën. Si mund të jetosh pa të?” Dashuria ka mbushur gjithçka, madje edhe përulësinë e origjinës së saj.
“Kam jetuar shpejt çdo gjë, që nga e dashura e Pozzuolit gjatë Luftës. Përfundova rastësisht në Romë. Nuk ishte e lehtë për mua të kuptoja çfarë kisha brenda, atë që dëshiroja të bëja, se si mund të respektoja edukimin e marrë nga nëna ime. Shkoja sa andej e sa këtej. Po ju them një gjë të madhe: duhet të jem 20 vjeç apo të filloj karrierën time sot? Pavarësisht nga lufta, ndoshta ka qenë më e lehtë në kohën time. Për vajzat, sot, më duket çdo gjë ekstremisht e komplikuar: arsimimi, marrëdhëniet personale, modelet e vendosura nga shoqëria, ato shoqërore… Unë thjesht kam jetuar gjithçka me pozitivitet. Dhe mjaftonte, gjithmonë”.
Pozitiviteti dhe përulësia janë gurë themeli që vazhdimisht skalisin fjalët e dive. “Përpiqem të bëj diçka pozitive çdo ditë, jo vetëm për veten, por edhe për njerëzit që më rrethojnë. Domethënia e ditëve të mia është shumë e thjeshtë: të gëzoj çdo lajm të mirë që më tregojnë fëmijët e mi. Unë jam e kënaqur me bukurinë e nipërve të mi (katër, dy për secilin nga dy djemtë e saj, Carlo Ponti Jr., 49 dhe Edoardo Ponti, 44), të quajtur Vittorio Leone, Beatrice Lara, Lucia Sofia dhe Leonardo Fortunato që jetojnë në Kaliforni, larg nga gjyshja e tyre, e cila tashmë është stabilizuar në Gjenevë. Të gjithë në mënyrë të pashpjegueshme me sy blu dhe biondë. Ndoshta është një konfirmim tjetër: nëse jeta të ka rezervuar gjëra të bukura, në fund, shndërrohen në surpriza”, është shprehur diva e kinemasë, Sofia Loren.
Përgatiti për botim: L.Veizi